Shtojca për Kulturë

Raportet e ngatërruara shqiptaro-turke dhe Evropa në mes

Raportet e ngatërruara shqiptaro-turke dhe Evropa në mes

Faksimile e artikullit “Raportet italiano-turke” të gazetës bullgare “La Bulgarie”, nëntor 1928 dhe faksimile e artikullit “Kriticizmi turk” të gazetës angleze “The Times”, shtator 1928

Në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore, marrëdhëniet shqiptaro-turke kanë njohur ndryshime të shumta, me faza të ngritjes dhe uljes. Raportet asnjëherë nuk arritën nivelin e dëshiruar nga të dy palët për shkak të marrëdhënieve të ngushta që mbretëria shqiptare ndërtoi me Italinë. Ankaraja zyrtare vazhdoi të mbajë një qëndrim të kujdesshëm ndaj palës shqiptare dhe me gjithë rivendosjen e raporteve diplomatike, marrëdhëniet shqiptaro-turke mbetën peng i marrëdhënieve shqiptaro-italiane

Raportimet e shtypit të huaj

Historia e gjatë dhe e ngarkuar e marrëdhënieve të dy miqve të vjetër – Babait të Turqve dhe Mbretit të Shqiptarëve – mori vendin e merituar në shtypin evropian të kohës. Në shtator të vitit 1928, “The Times” në Londër, në artikullin e titulluar “Kriticizmi turk” shprehte habinë kundrejt qëndrimit të prerë të Mustafa Kemal ndaj shpalljes së monarkisë shqiptare me fjalët: “Kohëve të fundit shtypi turk është dhënë shumë pas punëve të Shqipërisë, duke forcuar opinionin se Republika e Turqisë është më ngushtësisht e interesuar për çështjet e Shqipërisë, ngase kujtohej më parë”.

Faksimile e artikullit “Shqipëria mbyll legatën e saj në Ankara. Konsulli shqiptar deklaron se kjo është bërë për shkaqe kursimi”, tetor 1929

Noli dhe proklamimi i Mbretit Zog si “krim kundër shqiptarëve”

Katër ditë më vonë, e njëjta gazetë njoftonte se kishte pranuar një telegram të nënshkruar nga Noli, në të cilën protestohej kundër Ahmet Zogut, proklamimi si mbret i të cilit cilësohej në telegram si krim kundër popullit shqiptar. Edhe fletorja franceze “Le Temps”, në një artikull të saj që mban datën 13 tetor 1928, do të raportonte për telegramin që shoqëria patriotike “Bashkimi i djalërisë” i kishte drejtuar Ataturkut, duke e përgëzuar për qëndrimin e tij.

Faksimile e artikullit “Shqipëria dhe Italia. Italia këtë vend koloninë e saj kërkon ta bëjë?”. Gazeta “Republika”, maj 1929

“Gjesti fisnik i Turqisë që refuzoi të njohë tiranin vasal Zog, nuk bën tjetër veçse të shtojë prestigjin e lavdisë suaj. Rinia shqiptare e preku me admirim, shpreh mirënjohjen e vet dhe përcjell urimet e saja për kombin turk dhe ekselencën tuaj”, shkruhej në telegramin në fjalë. Është mjaft interesante mënyra se si raportet shqiptaro-turke u pasqyruan në gazetat ballkanike. Përderisa gazeta “La Bulgarie” u kushtonte vëmendje përçapjeve diplomatike të ambasadorit italian në Ankara për njohjen e mbretërisë shqiptare, e përditshmja greke “Eleftheria”, në artikullin që mban datën 22 nëntor 1928, do të shkruante me nota të vrazhda: “Dhe ç’u lipset shqiptarëve dhe mbretit të tyre nëse Mustafa Kemali nuk i njeh? Mjafton njohja që iu bë nga kombi i tij, i cili unanimisht e shpalli mbret, si dhe nga ajo që iu bë nga e gjithë Evropa dhe Amerika. Shqipëria ka qysh prej 14 vjet që është shtet i pavarur, dhe qysh prej asaj kohe ka harruar të jetë nën zgjedhën turke. E njeh ose nuk e njeh mbretin e saj Mustafa Kemali, për shqiptarët është njësoj!”. “Pordhi kali në derë të hanit…”, do të përfundonte shkrimi, duke lënë shijen e një talljeje të lezetshme.

Telegram nga Zyra e Pasaportave në Stamboll drejtuar ministrit të Punëve të Jashtme, nëntor 1922. Telegrami bën të ditur largimin e Sulltan Mehmed VI nga Stambolli.

“Gazi na u trashëgoftë”

Më 18 nëntor 1922, përfaqësuesi shqiptar në Stamboll nëpërmjet një telegrami për ministrin e Punëve të Jashtme, bënte të ditur suprimimin e Salltanatit osman: “Dje te premten me ore 7 te mëngjesit nën mbrojtjen e gjeneral Haringtenit, kryekomandant i fuqisë të Aliatevet në Stamboll, Sulltan Vehiddedini me dialin e tij dhe me te afermit la Stambollen dhe hyni ne vapor te luftes Britanike. Deri kete ore s’dihet se ku qendron. Fletoret e ketushme e akuzojn me tradhtim”. Salltanati ishte suprimuar me vendim të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, më 1 nëntor 1922. Strehimi i sulltanit të fundit në bordin e luftanijes britanike Malaya, më 17 nëntor, shënoi edhe fillimin e kalivares së gjatë të shpërndarjes së anëtarëve të dinastisë osmane nëpër botë. Teksa meclisi turk po miratonte masat që pengonin kthimin e anëtarëve të kësaj dinastie në atdhe, askush nuk e kishte mendua se familja Osmanoglu do të rikthehej një ditë në Ballkan, dhe pikërisht përmes traditës mesjetare të lidhjeve krushqi. Ishte viti 1936 kur fati i bëri bashkë edhe një herë shqiptarët me dinastinë osmane. Rrugët e Tiranës ishin mbushur me njerëz, sytë e të cilëve kërkonin princeshën nuse. Princeshë Senije, motra më e dashur e Mbretit Zog po martohej me djalin e vogël të Abdyl Hamidit II, princin Abid. Atmosferën e kësaj dasme e gjejmë edhe në gazetën “Besa”, në faqen e parë të së cilës ishte shkruar: “Gazi na u trashëgoftë”. Lajmi për martesën e princeshës shqiptare me anëtarin e dinastisë osmane vinte në një kohë kur dy vendet kishin shfaqur sinjale pozitive në përmirësimin e marrëdhënieve. Shqipëria ishte ftuar në Konferencën e Dytë ballkanike, të mbajtur në sarajin Dolmabahçe, në tetor të vitit 1931. Nga të gjitha telegramet e urimit të dërguara nga presidenti turk për krerët e shteteve pjesëmarrëse, binte në sy ai në të cilin Ataturku i drejtohej Ahmet Zogut për herë të parë me titullin zyrtar. Martesa e motrës së Zogut me trashëgimtarin e Abdyl Hamidit futi sërish në sherr dy miqtë e vjetër. Reagimet nga Turqia ishin të ashpra. Të gjithë atje ishin në dijeni të lidhjeve të forta dhe sentimentit të shqiptarëve për Abdyl Hamidin. Një mbret i pamartuar dhe pa pasardhës e shtonte më tepër shqetësimin. U ndërmorën masat e nevojshme diplomatike dhe Angora dëshmoi edhe një herë se nuk kishte harruar avazin e vjetër: të thërriste ambasadorin e saj me urgjencë në kryeqytet dhe të mos e kthente më mbrapsht.

Princeshë Senije me bashkëshortin e saj, Princin Abid

Në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore, marrëdhëniet shqiptaro-turke kanë njohur ndryshime të shumta, me faza të ngritjes dhe uljes. Raportet asnjëherë nuk arritën nivelin e dëshiruar nga të dy palët për shkak të marrëdhënieve të ngushta që mbretëria shqiptare ndërtoi me Italinë. Ankaraja zyrtare vazhdoi të mbajë një qëndrim të kujdesshëm ndaj palës shqiptare dhe me gjithë rivendosjen e raporteve diplomatike, marrëdhëniet shqiptaro-turke mbetën peng i marrëdhënieve shqiptaro-italiane. Rezultat i politikës së matur që ndoqën shtetet ballkanike, përfshirë Turqinë, ndaj Italisë, ishte ngurrimi i këtyre shteteve për të pranuar kërkesën e shtetit shqiptar për anëtarësim në Paktin Ballkanik.

Lexo edhe: