“Ajo çfarë është bërë në hapësirat e ish-Jugosllavisë, në Bosnjë e më shumë e potencuar në Kosovë, është nazizëm. Është tentim i nazizmit serb – që nuk quhet kështu – me metoda naziste, dëbim, spastrim etnik, likuidime”, thotë gazetari e shkrimtari nga Serbia, Rade Radovanoviq në një intervistë për KOHËN. Denoncimin e krimeve të Serbisë në Kosovë e ka bërë edhe me librin e tij “Qeshja nën trekëmbëshin e varjes”. “Do të dëshmoja se në Kosovë ka pasur elemente gjenocidi”, thotë ai. Radovanoviq kujton vizitat e tij në Kosovë në vitet ’80, për atë se si e sheh sot Kosovën, për kriminelët e shpallur heronj në Serbi e se si shumica e njerëzve që jetojnë atje nuk e dinë se në Kosovë regjimi serb ka kryer krime
Në Serbi, regjimi serb e ka cilësuar “spiun i Perëndimit”, “tradhtar i Serbisë”, “antiserb”. Në biografi, veten e quan “antinacionalist”, “antifashist” e “antiracist”. Mbi të gjitha, shkrimtari e gazetari Rade Radovanoviq është zëri i së vërtetës. Në raport me Kosovën: denoncues i krimeve të Serbisë në këto anë.
Rade Radovanoviq denoncimin e krimeve e ka bërë edhe me romanin “Qeshja në trekëmbëshin e varjes”, i cili lexuesit serb i prezantohet edhe me nëntitullin “Krejt çfarë keni dashur të mos dini për luftën në Kosovë”. Libri është botuar në shqip nga Botimet KOHA. Në vendin e tij botimi ishte refuzuar disa herë. Me fakte e dëshmi të gjalla, ky shkrimtar i njohur edhe për drama e skenarë filmash, gazetar me karrierë gati gjysmëshekullore, shpalos atë që thotë se duhet ta pranojë secili njeri normal. Në kohën e luftës, më 1998-1999, ka qenë gazetar për Radio Evropën e Lirë. Regjimi kishte provuar t’ia blinte heshtjen.
Rade Radovanoviq ka ardhur në Kosovë, në shtetin e Kosovës, së bashku me bashkëshorten e tij, Nada Radovanoviq, gazetare e shquar, redaktore e tij. Nuk kanë marrë dhomë hoteli. Qenë mysafirë te miqtë e tyre të kahershëm, te familja Petrovci. Rade Radovanoviq për herë të fundit ka qenë këtu para 35 vjetësh. Për Nadën është hera e parë.

“Sikur ato pamje të tmerrshme të ndryshoheshin, sikur ato tragjedi të mos kishin ndodhur”
“As që i kam mbledhur sa vite kanë kaluar. Për mua ato janë edhe pak, edhe shumë vjet. Janë shumë kur shikohet se sa vite kanë kaluar dhe është një jetë e tërë. Janë pak, sepse i kujtoj ato pamje prej atyre kohëve sikur të kenë ngjarë jo fort kaherë. Dhe siç e dimë, e ju e dini më mirë se unë, në Prishtinë e në Kosovë ka ngjarë shumëçka. E, do të ishte mirë sikur ato pamje të tmerrshme të ndryshoheshin, sikur ato tragjedi të mos kishin ndodhur. Por s’mund të bëhet kjo, sepse jeta është jetë, dhe kjo është ajo që ka ngjarë”, thotë Radovanoviq në një bisedë të gjatë për KOHËN, në kafe-librarinë KOHA, në qendër të Prishtinës, në një ditë korriku. Duket i ngazëllyer nga vizita në Kosovë, ka shëtitur goxha, ka tërhequr paralele midis kohëve të shkuara e të tashmes.
“Më vjen shumë mirë që pas kaq kohe të gjatë jam sërish në Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë, ku kam qenë, sepse jam këtu me bashkëshorten time, që është po ashtu gazetare, te miqtë tanë, familja Petrovci, te profesoresha Valbona e tek Enver Petrovci ku jemi mysafirë, jemi miq të afërt, e kjo do të thotë se jo vetëm që jemi mysafirë, por kemi në dispozicion çdo gjë që mund të paramendohet, që mund të shihet, të dëgjohet e të takohen njerëz, dhe kjo për mua është e mrekullueshme”, thotë ai.
Njëra prej vizitave të tij është ajo e vitit 1981 në Kosovë, kur shpërthyen demonstratat në Prishtinë. Më të kthjellët e ka vizitën në prillin e vitit 1988. Do të qëndronte në hotelin “Grand”, i cili këta muaj është pushtuar nga veprat e artit me bienalen “Manifesta 14”. Prej aty do të raportonte se shqiptarët po qëlloheshin nga regjimi serb. Kur pyetet nëse ka diçka që ia kujton vizitat e asaj kohe, ose nëse ka mbetur diçka e pandryshuar në shikim të parë, nuk gjen dot përgjigje. Tjetër histori është kur i rreket temës së nacionalizimit, atij serb.
“E kam zor të them se çfarë ka mbetur e pandryshuar në Kosovë prej atyre kohëve e deri më sot. Ato pamje që janë pjesë e jetës sime, pjesë e një filmi tim me Kosovën. Për shembull, kur e kujtoj vitin 1981, kujtoj detajin, është koha kur me ca miq të mi profesionistë, me regjisorin Milenko Dereta, unë asokohe isha skenarist, erdhëm diku në prillin e vitit 1981 nga Mali i Zi, nga Podgorica në Prishtinë, ishim me dy furgonë, dhe shohim që në qendër, te Biblioteka Universitare, te qyteti studentor, te konviktet, kishte demonstrata. Për herë të parë i pashë demonstratat studentore në Prishtinë. Kujtoj se – meqë isha njëri prej kryesorëve në ekipin e regjisorëve, skenaristëve – pata një dialog fort të ashpër me policë që nuk na linin të xhironim, dhe unë si profesionist doja të xhiroja. Kjo është një pjesë e atij filmi tim të kujtesës, të jetës sime në Kosovë, në Prishtinë. Mandej ardhjet e tjera në Prishtinë, në Kosovë, ishin kryesisht me rastin e atyre situatave, demonstratave”, kujton ky gazetar.
Ka një mbamendje fotografike, s’i kapërcen dot detajet, e nëse s’i kujtohen aty për aty, u kthehet sërish.
“E mbaj në mend 1988-n, e mbaj në mend atë periudhë kur Qeveria e Millosheviqit – ai në fakt ashtu erdhi në Qeveri – me zhbërjen e institucioneve në Prishtinë, shpërbërjen e Kuvendit e të tjera, kur pasuan demonstratat që nuk ishin një, por disa... S’e harroj kurrë, isha në hotelin ‘Grand’ më 1988, raportoja për Radio Beogradin, shkova me vrap në ‘Vranjevc’ ku dëgjoheshin klithjet e nënave dhe të familjarëve, të afërmve të të rinjve, studentë, nxënës shkollash të mesme në të cilët kishte shtënë, asokohe policia, jo ushtria. Pyeta se sa janë të plagosur, askush nuk mund të më përgjigjej. Nuk isha i vetëm, kishte edhe kolegë nga ‘Reuters’, nëse më kujtohet mirë, nga ‘Borba’ e Beogradit. Mandej u ktheva, dikush më tha, njerëz që jetonin në ‘Vranjevc’ më thanë se ka shumë të vdekur. Më vonë e kuptova se ishin rreth 15 të rinj të vdekur”, thotë ai. Do të kthehej në hotel, nëpërmjet telefonit u inkuadrua në programin e Radio Beogradit, dhe siç e thekson, nuk do të raportonte vetëm si profesionist. Ishte 31 vjeç.
“Raportova si njeri, mendoj nga ana emotive, për atë që kisha parë e dëgjuar dhe se me siguri kishte të vdekur. Ca prej atyre që më kishin dëgjuar dhe ca prej redaktorëve të mi u kishte pëlqyer raportimi im. Disa të tjerëve që ishin në udhëheqje, s’u kishte pëlqyer fare dhe erdhi urdhri që të ktheheshim në Beograd”, thotë Radovanoviq.
Pas intervistës, në një vizitë vetëtimthi në “Grand”, ndalet para tij, dhe me një grimë dyshimi thotë: “Nuk ka ndryshuar edhe aq. Pamjen e dhomës e kisha këndej...”.
Ndonëse vizita e tij e tanishme i ngjan asaj të një turisti, Radovanoviq thotë se nuk është i tillë. Jo pse i pengon, por nxjerr një tjetër konstatim.
“Turistë” në Kosovë i cilëson ata që vijnë për pelegrinazh në atë që e quajnë “Kosovë e Metohi”.
“Unë nuk jam turist në Kosovë, turistë janë, mbase një ditë do të ketë të tillë në Kosovë, ata në Beograd e Serbi, ose do të thosha nacionalistë të pashërueshëm serbë, që e konsiderojnë Kosovën, Kosovën e Metohinë si Serbi dhe e kanë atë përshëndetjen me njëri-tjetrin: ‘Në mot në Prizren!’”, thotë Radovanoviq, me nënqeshje që ia përforcon ironinë. “Kur erdha këndej për në Prishtinë, në Kosovë, u çova përshëndetje nga ana ime: ‘Unë po shkoj edhe në Prishtinë, e në Prizren. Nëse doni ejani më mua, mos prisni një vit!’.
“Vetëm dikush që do që të mos jetë ashtu siç është dhe siç duhet të jetë, thotë se Kosova nuk është e pranuar”
Kosova për Rade Radovanoviqin do të duhej të pranohej kaherë si shtet. Kjo për të është krejt e qartë. Reagon me vrull, sikur të ndihet i provokuar, kur i thuhet se a e pranon Kosovën shtet.
“S’kam çfarë të pranoj. Sikur të varej prej meje, Kosova do të ishte kaherë shtet. Nuk jam unë ai që e njoh apo nuk e njoh. Ka të bëjë me atë se çfarë mendon njeriu, çfarë e konsideron objektive. Unë jam njeri që në jetë kam qenë gazetar, jam dramaturg me diplomë, kam shkruar disa drama, filma. Kam shkruar romanin me të cilin jam shumë krenar që ka dalë edhe në Kosovë, dhe unë u them atyre të mive: ‘Unë jam edhe shkrimtar i Kosovës, ja shiheni! Ta shohim se kujt tjetër i është botuar romani, apo çfarëdo tjetër, në shqip’. Romani është botuar në shqip, duke iu falënderuar, para së gjithash, përkthimit nga redaktorja, drejtoreshë e KOHËS, Flaka Surroi, të cilën e falënderoj pamasë, sikurse edhe mikun tim Veton Surroi, që dihet, është njëri prej themeluesve të KOHËS”, thotë Radovanoviq.
Biseda me të natyrshëm ndalet e rikthehet te romani “Qeshja nën trekëmbëshin e varjes”, me frakturë dokumentare që në bosht ka edhe biografinë e tij dhe jo vetëm. Nëse kërkohet Radovanoviqi te kjo vepër, “Qeshja...” sintetizon krejt qasjen e tij, natyrën njerëzore të këtij gazetari e shkrimtari.
“Unë kam shkruar atë që kam shkruar, ky është këndvështrimi im për atë se çfarë ka ndodhur dhe përse ka ndodhur. E sa i përket asaj se ç’është Kosova, unë mendoj se vetëm një budallai duhet t’i shpjegohet se çfarë është Kosova a s’është në këtë kuptimin statusor. Kosova është Republika e Kosovës. Është shtet sikurse shtete të tjera të cilat i përmbushin a s’i përmbushin krejt kriteret për këtë. Mua më bën për njeriun, për qytetarin. Kam orientim qytetar, e çmoj gjithkënd. Jam banor i Beogradit, jetoj në Serbi, e cila është siç është, për keqardhjen time, fort e shëmtuar, e mjerë, por vendi im, vendlindja ime, ani pse unë jam nga Shumadia, e kurrë nuk jam deklaruar si serb. Siç njoh prej këtu që janë pejanë, prizrenas, si për shembull miku im i çmuar shkrimtari e gazetari Fahri Musliu, që është nga Prizreni, i cili flet shkëlqyeshëm shqipen e tij edhe serbishten dhe s’e di cilën gjuhë tjetër. Pra, kur njerëzit merren vesh, edhe kur s’e flasin gjuhën, kur duan të merren vesh, ata merren vesh”, thotë Radovanoviq. Përgjigjja se “Kosova është shtet i pavarur” është konstante dhe kur në vendin e tij e pyesin si gazetar me përvojë, si shkrimtar, u thotë se kjo është aq e thjeshtë, saqë vetëm dikush që do që të mos jetë ashtu siç është dhe siç duhet të jetë, thotë se Kosova nuk është e pranuar.
“Çfarë duhet bërë? Fort e thjeshtë: që njerëzit e mençur, ata që janë të gatshëm ta pranojnë të vërtetën, faktet elementare, të thonë para se t’ia zgjasin dorën njëri-tjetrit: ‘Hajde ta njohim njëri-tjetrin’. Pra, shteti i Serbisë e njeh shtetin e Kosovës dhe shteti i Kosovës e njeh shtetin e Serbisë. Dhe pas një jave, e sa më përket mua, mundet edhe më herët, të hapin krejt çfarë duhet hapur: përfaqësitë diplomatike, ambasadat, krejt çfarë nënkupton diplomaci në raportet midis dy shteteve normale”, thotë ai.
Gazetari dhe shkrimtari nga Serbia thotë se nuk është i vetmi në vendin e tij që e ka këtë qasje, por duke e njohur pushtetin atje, nuk beson se kjo do të ndodhë në një të ardhme të afërt. Sepse së pari regjimi në Serbi duhet ta pranojë atë që ka ndodhur në Kosovë, duhet t’i pranojë krimet për të cilat ai ka hulumtuar gjatë.
“Për rreth tre vjet e kam krijuar, e kam shkruar këtë libër – i cili për ata që merren me shkrim, kolegë të mi si dramaturgë e shkrimtarë, atyre mund t’ua shpjegoj po nuk do ta zgjas me këtë rast – se libri është një përzierje zhanresh dhe teknikash stilistike – por jam munduar që lexuesit të zakonshëm, qoftë ai nga Kosova, Serbia apo nga Amerika (ku po përgatitet botimi i përkthimit në anglisht dhe do ta dalë edhe në anglisht) të mos i pengojnë ato teknika e zhanre të miat në të kuptuarit e asaj që kam dashur të shkruaj dhe kam shkruar. Kështu e kam konceptuar librin në pesëdhjetë kapituj, prej të cilëve disa janë për ngjarjet, ndodhitë tragjike dhe krimet e tmerrshme në Kosovë”, thotë Radovanoviq. Një linjë tjetër është puna e tij dhe jeta e familjes së tij në kohën e bombardimeve të NATO-s në Serbi e Mal të Zi dhe Kosova bashkë me to, në atë “që quhej atëherë Republika Federative e Jugosllavisë, e cila nuk ka të bëjë gjë me atë Jugosllavinë që ka qenë”.
“Pra, ky është këndvështrimi faktik i asaj që ka ndodhur. Këndvështrim i tretë janë fatet personale dhe jeta e njerëzve në Kosovë, në Prishtinë. Situatat fort të rënda të miqve të mi të afërt, të Enver Petrovcit, profesor i aktrimit, aktorit të madh kosovar, shqiptar, jugosllav, evropian, bardit siç thuhej dikur, njëherësh regjisor. Ndaj Enver Petrovcit më 22 mars (1999) u krye atentat nga dy mercenarë...”, thotë Radovanoviq. Ngjarjen me Petrovcin – ku forcat serbe në Prishtinë vranë studenten e tij të aktrimit, Adriana Abdullahu – e di në detaje, siç e paraqet edhe në libër.
Por aktorin Enver Petrovci e profesoreshën e pianos Valbona Petrovci, Radovanoviq i përmend gjatë gjithë kohës edhe në intervistë e në muhabete të lira. Kanë qenë fqinjë, kur Petrovcët, para luftës, jetonin në Beograd.

“Që Kosova sërish të jetë serbe... duheshin të vriteshin mjaftueshëm shqiptarë, e ata që s’do të vriteshin, të dëboheshin”
Në detaje i shpalos edhe ngjarjet e tjera. Flet me numra konkretë të viktimave, kur zbërthen të bëmat e regjimit serb për serbizimin e Kosovës. Njashtu si në libër. Dhe për këtë jep përgjigje të gjatë, me një frymë.
“13 mijë e 535 njerëz janë vrarë në Kosovë. Prej këtyre, 13 mijë e 500 e sa, 80 për qind, që do të thotë 10 mijë e 800, janë shqiptarë. Prej këtyre 10 mijë e 800, rreth 10 mijë e 400 e sa, janë civilë. Të mos e shpjegoj se çfarë do të thotë kjo. Në mesin e këtyre civilëve kishte, para së gjithash, shumë gra e fëmijë. Krahas kësaj, 2 mijë e 197 viktima janë serbë, 560 e sa ishin të nacionaliteteve të ndryshme, por krejt këto janë jetë njerëzore të humbura në Kosovë. Për çfarë dhe për kë? Nuk e di për çfarë, sepse qëllimi ishte krejtësisht i çmendur. Për politikën të cilën e udhëhiqte regjimi serb në krye me Sllobodan Millosheviqin, ai regjim i ndihmuar edhe prej institucioneve të tjera sikurse Akademia e Shkencave e Serbisë, Kisha Serbe, ushtria e të tjera (sepse nuk është vetëm Millosheviqi, ka ca gjeni në Akademi që ishte çerdhja e nacionalizmit serb), patën idenë ta serbizojnë Kosovën. Që Kosova sërish të jetë serbe. Që kjo të arrihej, duheshin të vriteshin mjaftueshëm shqiptarë, e ata që s’do të vriteshin, të dëboheshin”, thotë Radovanoviq.
Por cilat janë pyetjet që Rade Radovanoviqi thotë se sot duhet të shtrohen kur flitet për Kosovën?
“Për herë të parë e kalova kufirin midis Serbisë e Kosovës dhe bashkë me bashkëshorten time, që po ashtu është gazetare, shqyrtuam ca pyetje logjike që janë: Në rregull, nëse Kosova nuk është shtet, ç’do këtu kufiri? Nëse është, e që është shtet i pavarur, sërish, çfarë do kufiri këtu, sepse midis shteteve normale, të pavarura, nuk ekzistojnë kufijtë. Këso pyetjesh mund të shtrojë çdo njeri normal. E këto janë pyetjet e mia”, përgjigjet ai.
“Është turpi i njeriut të mos e dish kush na janë ata njerëz, ku janë eshtrat e atyre të pagjeturve”
Për krimet e tmerrshme në Kosovë, Rade Radovanoviq thotë se në Serbi nuk dinë gjë. Ose nuk duan të dinë. E vërteta për to i bënte jo pak presion. “Qeshja nën trekëmbëshin e varjes” vjen edhe si dëshmi e një apostulli të së vërtetës.
“Ajo që tmerrësisht më bënte presion dhe më ka motivuar – e kujtoj nganjëherë kur shkoja në gjumë e kur zgjohesha, më bëheshin ngjarjet, tragjeditë në Kosovë, ato kanë ndodhur, unë aty s’kam mundur të bëj gjë. Kam pasur ndjesi të ngjashme dhe ende i kam, për tragjedinë, për luftën në Bosnjë. Sepse ende, dhe jo vetëm, politikat në Ballkan, edhe në Serbi sikurse edhe te disa struktura politike në Kosovë, edhe në Bosnjë- Hercegovinë, janë krejtësisht të dominuara prej asaj që e vërteta të mbulohet, të mos shihet, që faktet të fshihen, të falsifikohen dhe kur krejt këto bëhen bashkë, mbi mashtrime e rrena disa të ndërtojnë qeverisjen e privilegjet e tyre, ekzistencën dhe gjëllimin e tyre në kurriz të njerëzve të tjerë, qofshin ata të gjallë a të vdekur që janë viktima”, thotë ai, dhe ketë e ilustron me detaje.
“Më shumë se dy mijë veta janë ende të zhdukur, kërkohen, midis Serbisë e Kosovës. Unë nuk jam far besimtari, mundohem të jem njeri sa më i mirë që mundem. Është turpi i njeriut të mos e dish kush na janë ata njerëz, ku janë eshtrat e atyre të pagjeturve. Me këtë rast, dua t’i shpreh krejt mirënjohjet Fondit për të Drejtat Humanitare edhe në Serbi, edhe këtu në Kosovë, dhe t’u shpreh falënderim krejt atyre, veçmas të rinjve, të cilët me punën, dijen e mundin e tyre të jashtëzakonshëm e kanë bërë të mundur të krijohet libri i të vdekurve në Kosovë (Libër-Kujtimi i Kosovës), vëllimi i parë dhe po punohet ose shpejt do të dalë edhe vëllimi i dytë. Është një borxh ndaj së ardhmes dhe së kaluarës, ndaj viktimave për të cilat është turp të mos dihen. Pos kësaj, njerëzit që jetojnë në Serbi, shumica, mbase 95 për qind, nuk ia kanë idenë se çfarë ka ndodhur në Kosovë. E në Kosovë janë bërë krime të tmerrshme”, thotë ai.
Jo rrallë në Serbi lartësohen kriminelët, bëhen heronj, u dedikohen murale – si ato të Drazha Mihajloviqit, Ratko Mladiqit a të Putinit. Ose kriminelë të dëshmuar marrin poste të larta shtetërore. Janë ata që e kanë në dorë Serbinë. Njëri prej rasteve konkrete: Bozhidar Deliq, kriminel në zë, i dëshmuar gjatë luftës në Kosovë, i lindur në Gjakovë, i padënuar për krimet gjatë luftës. Sot njëri prej nënkryetarëve të Kuvendit të Serbisë.
“Njëra prej pyetjeve të mia është: Këta heronjtë serbë, siç quhen disa kriminelë të nacionalitetit serb, disa gjeneralë serbë, gjeneralë të nacionalitetit serb që janë dëshmuar si kriminelë në Bosnjë, e disa të tjerë që nuk janë dëshmuar në Bosnjë, e kanë bërë këtë në Kosovë – sepse jam marrë me këtë e kam hulumtuar – mandej këta që i duan e i çmojnë heronjtë e vet, unë i pyes: ‘Mirë, këta gjeneralët tuaj’, Lazareviq mandej të tjerët, Stojanoviq, Deliq, i cili nuk është gjykuar (që është një rrëfim më vete), e në Kosovë dihet kush ishte Deliq, një komandant a gjeneral, siç e quanin ata, i Qarkut Jugor (Gjakova, Prizreni, andej nga kufiri me Shqipërinë), e në zonën ku ai ishte përgjegjës ka pasur më së shumti viktima, me aq sa mbaj në mend mirë, mbi dy mijë viktima. Ai gjeneral, anëtar i partive më ekstremiste në Serbi, që është punë e tij, nuk i dha përgjegjësi kurrkujt, e as Hagës, ndaj së cilës unë kam disa vërejtje e dyshime, si njeri e jo si ekspert, sepse nuk jam jurist”, thotë Radovanoviq.
Edhe biseda me Radovanoviqin është si një shfletim i shpejtë i librit të tij “Qeshja nën trekëmbëshin e varjes”, i refuzuar në Serbi nga pesë botues. Radovanoviq me çdo kusht donte ta botonte, edhe pse kishte të atillë që e paralajmëronin nëse ishte i vetëdijshëm se çfarë kishte shkruar. Se denoncimet që bënte mund t’i kushtonin me jetë.
“Unë jam përgjigjur: ‘Epo mirë, s’mund të më vrasin 120 herë, por një herë, e nuk jam i sigurt se si do të përfundojë kjo që dikush të tentojë të më vrasë’. Unë nuk dua ta vras askënd, pres që të mos më ndodhë mua dhe ta bëjë secili punën e vet. Pjesë e punës sime është edhe të shkruarit. Ka pasur edhe situata tragjikomike me rastin e refuzimit të librit tim. Njëri botues ka qarë, duke më thënë se do të donte ta botonte librin, po nuk guxon”, thotë autori i librit, të cilin, në mesin e shumë vështrimeve për të, kryesisht nga zëra opozitarë e të shoqërisë civile në Serbi, regjisori boshnjak, Ademir Kenoviq, do ta cilësonte si “lektyrë të domosdoshme në përballje me të vërtetën”.
“Do të dëshmoja se në Kosovë ka pasur elemente gjenocidi”
Rade Radovanoviq disa herë e thekson se nuk është historian, por libri i tij është kapitulli i një historie të trishtë krimesh. Aty janë dëshmitë e së vërtetës.
“Do të doja të lexohej dhe e kisha menduar të shkruaja – jo udhëzime për lexim të librit tim – por që ai i cili e merr rrezikun mbi vete që ta lexojë librin tim në cilëndo gjuhë, shqip, serbisht apo serbokroatisht, siç është versioni i botuar në Kroaci, apo në anglisht – ta dijë se përpara i ka dëshmitë më të sinqerta, se krejt faktet që trajtohen të tilla, janë e vërteta, dëshmitë e së vërtetës”, thotë ai.
Ka një definicion për atë që ka bërë regjimi serb në Kosovë, e që “Qeshja ...” i zbardh si libër për “krejt çfarë keni dashur të MOS dini për luftën në Kosovë”.
“Ajo çfarë është bërë në hapësirat e ish-Jugosllavisë, në Bosnjë e më shumë e potencuar në Kosovë, është nazizëm. Është tentim i nazizmit serb – që nuk quhet kështu – me metoda naziste, dëbim, spastrim etnik, likuidime”, thotë prerazi.
Në kohë lufte pushteti kishte provuar t’ia blinte heshtjen. I kishin ofruar të punonte për ta. Njëri prej kryepersonazheve të librit të tij është Aleksandar Vuçiqi, asokohe ministër i Informacionit, sot president i Serbisë. Te “Qeshja...” është “Ministri”. Sllobodan Millosheviqi është “Udhëheqësi”. Kur pyetet nëse presidentit të tanishëm – ministrit të dikurshëm të cilin në kohë lufte i binte ta takonte jo rrallë – ka pasur rastin t’ia dhuronte librin e tij, Radovanoviq kundërpërgjigjet.
“Ata janë armiqtë e mi natyrorë. Jam rrahur prej tyre dhe ua kam premtuar edhe atyre edhe vetes, se herëdokurdo do t’ua kthej. Nuk e kam bërë këtë, por s’ka rëndësi. Por një ditë, kushedi”, thotë ai.
Për krejt ato që di, thotë se do të dëshmonte kudo. Sepse këtë njeriu ia ka borxh vetvetes.
“Unë si dikush që është marrë me faktet, që është gazetar dhe e di se çfarë ka ngjarë, edhe si laik, do t’i kërkoja ndonjë juristi të më ndihmonte, do të dëshmoja se në Kosovë ka pasur elemente gjenocidi”, thotë gazetari e shkrimtari. Ai e di se edhe serbët e Kosovës keqpërdoren nga regjimi serb, nga Vuçiqi. E në Serbi, shumica nuk e njeh jo vetëm të kaluarën e Kosovës.
Njerëzit normalë në Serbi duhet ta dinë, e nuk e dinë, jo vetëm për atë që ka ngjarë në Kosovë, por nuk kanë haber – siç nuk e kam ditur as unë – se çka është Kosova sot”, thotë Radovanoviq në Prishtinë.
Shkrimtari e gazetari, Rade Radovanoviq, tek shëtit nëpër rrugët e kryeqytetit i përshëndet kalimtarët në shqip. Ka mësuar disa fjalë dhe i vjen keq që nuk di më shumë. Por siç e thotë ky zë i së vërtetës për krimet e Serbisë në Kosovë, njerëzit së pari duhet ta njohin e ta pranojnë gjuhën e së vërtetës. Dhe ai është zëri i saj.