Sidomos nga shpërthimi i Luftës së Parë Ballkanike e deri te shpërthimi i Luftës së Parë Botërore monarkia austro-hungareze u gjend disa herë në prag të luftës me Serbinë për shkak të çështjes shqiptare, e në këtë kontekst, hynte dhe çështja e Prochaskës dhe Adriatikut shqiptar dhe e Shkodrës. Në anën tjetër, kur atmosfera politike në Serbi favorizonte akte të dhunshme kundër monarkisë, shumica e këtyre çështjeve do të trajtoheshin në kuadër të negociatave paqësore të Konferencës së Londrës nën patronazhin e Britanisë së Madhe. Pavarësisht mekanizmit paqësor të Fuqive të Mëdha që funksioni në Konferencën e Londrës, një vit më pas, shpërtheu lufta austro-serbe dhe austriake-ruse, zanafillën e së cilës duhet kërkuar edhe në përplasjet austriake-serbe që nga vjeshta e vitit 1912, kur Serbia pushtoi Kosovën dhe poshtëroi diplomatin austro-hungarez, Oscar Prochaska, në qytetin Prizrenit
Sipas telegramit të ambasadorit austro-hungarez, Thurn, nga Petersburgu për ministrin Berchtold (18 nëntor 1912), lidhur me qëndrimin e Rusisë, të shprehur nga ministri i jashtëm Sazanov, për çështjen e daljes së Serbisë në Adriatik, “qeveria ruse, pa pikë dyshimi, qëndron se Serbia kërkon që t’i jepet vetëm një liman tregtie i çmilitarizuar në Shëngjin dhe një rrugë deri atje, duke e ndaluar që të mbajë flotë lufte.” Sipas diplomatit vjenez, kjo kërkesë e Sazanovit mbrohej në mënyrë miqësore e ajo paraqitej me insistim dhe me një dredhi të madhe diplomatike. Kjo shihet edhe nga fakti se kur shpërtheu Lufta Ballkanike, rusët mbronin qëndrimin se nuk çajnë kokën për ballkanasit, por kur ata shënuan fitoren e tyre kundër shtetit osman, rusët u bënë “avokatët e tyre të zellshëm”, sidomos të Serbisë.
“Jam i bindur se po të jetë e mundur që t’ia kënaqin Rusisë këtë dëshirë në këtë pikë të vetme, nuk do ta quaj atë si disfatë të Austro-Hungarisë, por si një të mirë të veçantë nga ana e Shkëlqesisë Suaj për ta zgjidhur miqësisht e definitivisht krizën e Ballkanit dhe do të dijë ta çmojë këtë”, shkruan Thurn.
Mobilizimi i ushtrisë austro-hungareze kundër Serbisë dhe Rusisë
Këto synime dhe çështja e Bosnjës përbënin boshtin e konfliktit të pashmangshëm ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Serbisë. Kjo e fundit ishte e gatshme t’i linte mënjanë kontestet me vendet ballkanike, në mënyrë që të parandalonte realizimin e planit austro-hungarez nga vitet 1896/97 për themelimin e një shteti autonom shqiptar. Edhe nëse pushtimi i Kosovës ishte i papritur për Vjenën zyrtare, pasi ajo besonte në fuqinë e rezistencës së shtetit osman kundrejt forcave të Aleancës Ballkanike, në rastin e bregdetit shqiptar të Adriatikut, ashtu si edhe në rastin e Shkodrës, Perandoria Austro-Hungareze, megjithëse pozita e saj në Ballkan ishte lëkundur, u tregua e vendosur, madje edhe me çmimin e luftës, për ta detyruar Serbinë që ta tërheqë ushtrinë nga qyteti i Durrësit dhe nga ambiciet e saj për të fituar një dalje tokësore në detin Adriatik. Austro-Hungaria kishte mobilizuar ushtrinë kundër Serbisë dhe Rusisë. Për monarkinë danubiane ishte krejtësisht e papranueshme që Serbia të lëshonte rrënjë në Adriatikun shqiptar. Ndërsa, ishte e qartë se pas fitoreve të viteve 1912/13 qarqe udhëheqëse në Serbi, sidomos në armatë, silleshin në mënyrë provokuese karshi monarkisë danubiane. Ndërsa, pushtimi i Kosovës, ashtu si edhe e Maqedonisë dhe e Novi-Pazarit, dhe në këtë kuadër poshtërimi i diplomatëve austro-hungarezë (Prochaska në Prizren dhe Tahy në Mitrovicë) e vunë Austro-Hungarinë në pozitë të mbështetur për mur dhe e goditën drejtpërdrejt në interesat e saj politike dhe ekonomike në Evropën Juglindore.
Në fakt, prej kohësh brenda shtetit austro-hungarez nuk ekzistonte një qëndrim unik lidhur me hapat që duhej të ndiqeshin në raport me Serbinë dhe në përgjithësi rreth politikës ndaj Evropës Juglindore: derisa Ministria e Mbrojtjes angazhohej për një goditje të ashpër ushtarake, Ministria e Jashtme ishte për një kurs më të moderuar ose thënë më saktë, brenda saj ekzistonte në qëndrim dual. Në Shtabin e Përgjithshëm, një grup i rëndësishëm rreth Blasius von Schemua dhe më pas edhe të Franz Conrad von Hӧtzendorf si armikun kryesor në Evropën Juglindore, e shihnin Serbinë dhe synimet e saj në drejtim të Shqipërisë, Adriatikut shqiptar dhe Bosnjë-Hercegovinës. Ai këmbëngulte se duhej në zgjidhje luftarake ndaj Serbisë. Shefi i Shtabit Schemua kërkonte veprime të menjëhershme ushtarake kundër provokimeve të tilla serbe, sepse çdo reagim tjetër ndaj përdhosjes së konsullit Prochaska do të ishte “krejtësisht i padinjitetshëm” dhe një dëmtim i prestigjit ushtarak të shtetit austro-hungarez.
Berchtold i pavendosur përballë provokimeve serbe
Ndërkohë, që qarqet diplomatike të Ballhausplatzit e kundërshtonin një veprim ofensivë kundër Serbisë, pasi ishte e qartë se kjo do të nënkuptonte edhe një luftë me Rusinë. Në këtë periudhë, Berchtold dhe rrethi i tij ndodheshin midis palëve radikale. Në thelb ai anonte më tepër për një zgjidhje paqësore dhe provonte që të shmangej lufta me çdo kusht përmes mjeteve diplomatike. Berchtold dukej i pavendosur përballë provokimeve serbe. Gjendja ngjante pak kaotike. Për këtë, ambasadori austro-hungarez në Berlin fliste madje për tre ministra të jashtëm: Berchtold, Frigyes Szapáry (diplomat austro-hungarez me origjinë hungareze që shërbeu si ambasador në Shën Petersburg) dhe Alexander Hoyos, diplomat austro-hungarez dhe shef i kabinetit të Ministrit të Jashtëm. Berchtoldi me gjithë përvojën e tij si ambasador në Shën Petersburg (1906 –1911), sipas shefit të fundit të diplomacisë austro-hungareze, Ludwig Freiherrr von Flotow, në shumë fusha konsiderohej diletant dhe në detyrën e tij ai varej nga Szapary dhe Hoyos, të cilët i takonin gjeneratës së re të diplomatëve dhe që angazhoheshin për një politikë aktive në Evropën Juglindore. Për këtë linjë, gjendja e paqëndrueshme e Monarkisë do të mund të tejkalohej vetëm nëpërmjet veprimeve të dhunshme. Megjithatë, edhe Berchtold e shihte Serbinë e Madhe si kërcënim për ekzistencën e Monarkisë Austro-Hungareze. Njëkohësisht, në Vjenë nuk dëshironin që Serbia të shkonte më tej, të dilte në Adriatikun shqiptar dhe në vend të kësaj Ministria e Jashtme në Vjenë nuk do të ngrehte pengesa, në rast se Serbia në vend të Adriatikut shqiptar, do të ishte dakord t’i garantohej një portë në Selanik apo Kavallë. Duhet nënvizuar në çështjen e portit detar parapa pozicionit të Austro-Hungarisë qëndronin Qeveria italiane dhe Qeveria gjermane, ndërsa lidhur me pozicionin për pavarësinë e Shqipërisë, Vjena përkrahej nga ministri i Jashtëm britanik Grey. Por, qasja fillestare e diplomacisë austro-hungareze për ruajtjen e mëtutjeshme të status quos në Ballkan tashmë ishte e tejkaluar, ishte e varrosur përgjithmonë dhe ishte vetëm Konferenca e Londrës e cila duhej të gjente një akord në fuqive evropiane për riorganizimin e Ballkanit.
Në këtë periudhë, sidomos nga shpërthimi i Luftës së Parë Ballkanike e deri te shpërthimi i Luftës së Parë Botërore monarkia austro-hungareze u gjend disa herë në prag të luftës me Serbinë për shkak të çështjes shqiptare, e në këtë kontekst, hynte dhe çështja e Prochaskës dhe Adriatikut shqiptar dhe e Shkodrës. Në anën tjetër, kur atmosfera politike në Serbi favorizonte akte të dhunshme kundër monarkisë, shumica e këtyre çështjeve do të trajtoheshin në kuadër të negociatave paqësore të Konferencës së Londrës nën patronazhin e Britanisë së Madhe. Pavarësisht mekanizmit paqësor të Fuqive të Mëdha që funksioni në Konferencën e Londrës, një vit më pas, shpërtheu lufta austro-serbe dhe austriake-ruse, zanafillën e së cilës duhet kërkuar edhe në përplasjet austriake-serbe që nga vjeshta e vitit 1912, kur Serbia pushtoi Kosovën dhe poshtëroi diplomatin austro-hungarez, Oscar Prochaska, në qytetin e Prizrenit.
Skenari i fshehjes së krimit shtetëror serb mbi shqiptarët e Kosovës
Mbi bazën e burimeve arkivore dhe të shtypit të kohës përkitazi me ngjarjen ne konsullatën e Prizrenit dhe çështje Prochaska, në të cilat pasqyrohet një komunikim intensiv diplomatik midis Vjenës dhe Beogradit, del në pah se konfrontimi me Austro-Hungarinë dhe trajtimi brutal i diplomatëve austro-hungarezë në territoret e pushtuara shqiptare ishte një skenar i përgatitur paraprakisht nga qarqet e larta shtetërore serbe, prapa të cilave qëndronte Rusia. Në këtë linjë, çështja Prochaska shpërfaqte rivalitetin që po zhvillohej për rikalibrimin e ndikimeve që ekzistonte në Ballkan midis fuqive të ndryshme në periudhën e shpërbërjes së Perandorisë Osmane. Në këtë rrethanë, Austro-Hungaria synonte ruajtjen e misionit të saj historik, misionit kulturor, që në fakt përmbante interesat e saj ekonomike dhe strategjike. Para së gjithash, rajonet shqiptare u bënë epiqendër e rivalitetit austro-hungarez dhe serb, përkatësisht atij rus për shtrirjen e ndikimit dhe mbizotërim në brigjet shqiptare të Adriatikut.
Nëse Austro-Hungaria ishte treguar e papërgatitur për të ndalur depërtimin serb në Kosovë dhe në Vilajetin e Manastirit, pasi besonte në fuqinë rezistuese të ushtrisë osmane përballë forcave të Aleancës Ballkanike, ajo ishte e vendosur që me çdo çmim ta ndalonte depërtimin serb në territoret perëndimore shqiptare përtej qytetit të Prizrenit në brendësi të Shqipërisë Veriore. Në këtë mënyrë, Austro-Hungaria u bë barriera kryesore dhe e pakalueshme për realizimin e planeve ekspansioniste serbe drejt territoreve perëndimore shqiptare dhe nën kërcënimin ushtarak austro-hungarez ndodhi largimi i trupave ushtarake serbe nga Adriatiku shqiptar (Durrësi), ashtu si dhe i trupave malazeze nga qyteti i Shkodrës. Në këtë linjë, po ashtu, Beogradi përmes poshtërimit dhe presionit ushtarak ndaj konsujve austro-hungarezë në Prizren dhe në Mitrovicë u përpoq t’i shmangte dëshmitarët e huaj gjatë kohës kur ushtritë serbe në Kosovën e pushtuar po bënin mizoritë më të egra mbi popullsinë civile shqiptare. Kjo ngjarje me konsullin Prochaska na sjell ndërmend sjelljen e Beogradit në vitet 1998-1999, kur kishte provuar të evidentonte praninë e gazetarëve dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kosovë, me qëllim që doktrina e saj për spastrimin etnik dhe të ekzekutimeve masive të realizohej pa dëshmitarë të huaj. Në këtë kuptim, edhe çështja Prochaska duhet parë si një skenar për fshehjen e krimit shtetëror serb mbi shqiptarët e Kosovës gjatë Luftës së Parë Ballkanike, që ishte pjesë e doktrinës serbomadhe për de-shqiptarizimin e Kosovës.