Duke pasur parasysh objektin dhe përmbajtjen e tij, libri “Hyrje në Psikolinguistikë” i Rrahman Paçarizit vë në pah statusin e gjuhës si facultas (aftësi), e cila vendos demarkacion mes njeriut dhe qenieve të tjera. Ky studimi empirik mëton të ndihmojë studentët e psikologjisë, gjuhësisë dhe shkencave njohëse, si dhe shkencave përkatëse për të gjetur rrugën e tyre në këtë disiplinë të larmishme
Labinot Balaj
“Në fillim ishte fjala”, është një nga frazat e mirëdëgjuara aq sa shpesh harrohet burimi i saj biblik. Në trajektoren e vet historike, ajo iu nënshtrua dinamikave semantike, të cilat e kanë deterritorializuar nga konteksti i saj burimor. Në kanonin grek të teksteve klasike, pasklasike, si dhe në literaturën e quajtur patristike, logosi (λόγος) nuk ka kuptimin vetëm ‘fjalë’, por shfaq një gamë të gjërë opsionesh përkthimore.
Logosi heq origjinën e vet nga folja lego (λέγω), me kuptimin parësor ‘flas’, pra gjuhësoj diçka, por në të njëjtën kohë në dollapët e tij semantikë hyjnë edhe nënkuptime si ‘arsye’, ‘diskurs’, ‘urtësi’ e ‘ndjesi’. Kur Dhiata e re u bë ‘vulgatë’, pra kaloi nga greqishtja në latinisht, përkthyesit në të shumtën e herave zgjodhën fjalën ‘sermo’ me kuptimin e një fjalimi. Ka, pra, një përputhshmëri mes fjalës dhe mendimit që përcillet komunikativisht në formën e një bisede. Në plot versione të teksteve të shenjta të krishtera është ky formulim: “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë dhe Fjala ishte Perëndia”. Në këtë variacion hermeneutik, virtytet si dija e urtësia jo vetëm barazvlerësohen me Perëndinë, por edhe substituohen me këtë të fundit. Duke e transponuar në terren sekular këtë paradigmë biblike, na krijohet mundësia që gjuhën (rëndësinë dhe vlerat e saj) ta përnaltësojmë në nivel apoteoze. Me këtë demonstrohet fuqia e gjuhës si organon (mjet), një aftësi e cila e shenjëzon kufirin mes njeriut dhe qenieve të tjera. Gjuha, si aftësi përjashtimisht vetëm e njeriut, ia mundëson atij të konstituohet si subjekt që e karakterizon liria e krijimit.
Në funksion të etablimit të këtij statusi të gjuhës, si tullë shtesë në përforcimin e këtij themeli mbi të cilën qëndron ngrehina e paradigmës antropocentike, ku kjo e fundit i mundëson njeriut t’i bëjë ballë inkursioneve për ta shfronësuar nga statusi i të qenit subjekt, të cilin e ingauroi Sokrati dhe apogjeun e arriti në modernitet, është edhe studimi “Hyrje në Psikolinguistikë” me autor gjuhëtarin dhe profesorin universitar, Rrahman Paçarizi.
Prapë, në shërbim të ilustrimit të fuqisë së gjuhës si kapacitet përjashtimisht i qenies njerëzore, është me “rendi dhe vendi” të bëjmë një lloj motërzimi të asaj çfarë thotë Heideggeri. Sipas tij, qenia banon në gjuhë dhe, teksa kritikon sintezën ontologji-epistemologji të Dekartit (“Mendoj, pra jam”), ai e përmbys këtë: “Jam, prandaj mendoj”. Tani, pra, kjo dialektikë e do që të zëvendësohet me sintagmën e tretë “Gjuhësoj, prandaj jam”. Siç edhe e thotë psikologu francez Jascues Lacan, “Nuk jemi ne që e flasim gjuhën, por është gjuha që na flet ne” .
Rëndësia e librit
Mbështetur në faktin se studimi i gjuhës gurrën e vet e ka te filozofia, në të cilën aftësia për të folur ravijëzohej thjesht si një shprehje e aftësisë njerëzore për të menduar, u imponua nevoja e një eskursi të tillë sa për të pasur parasysh sfondet teorike e filozofike ndër shekuj teksa i qasemi librit më të ri “Hyrje në Psikolinguistikë” me autor gjuhëtarin dhe profesorin universitar, Rrahman Paçarizi.
Që në krye të herës duhet theksuar një observim jo aq për librin sa për natyrën tejet specifike përmbajtësore të tij. Gjuhësisë sonë, dhe jo vetëm, i ka munguar kronikisht profilimi edhe në fusha të tjera, siç është psikolinguistika. Pra, libri i profesor Paçarizit, përveç mbushjes së një boshllëku të kahershëm, i sjell leksikut akademik e joakademik koncepte të reja.
Duke pasur parasysh objektin dhe përmbajtjen e tij, libri studimor vë në pah statusin e gjuhës si facultas (aftësi), e cila vendos demarkacion mes njeriut dhe qenieve të tjera.
Ky studimi empirik i profesor Paçarizit mëton të ndihmojë studentët e psikologjisë, gjuhësisë dhe shkencave njohëse, si dhe shkencave përkatëse për të gjetur rrugën e tyre në këtë disiplinë të larmishme. Në këtë kuadër, struktura e librit përbën një përmbledhje të historisë së psikolinguistikës si dhe paraqitje kompakte të nocioneve, metodave dhe nëndisoilinave më të spikatura të saj si njohja e gjuhës, përpunimi i gjuhës dhe përvetësimi i gjuhës dhe çregullimet gjuhësore.
Rrjedhimisht, autori, profesor Paçarizi, bëhet pionier i një produkti të tillë shkecor me vlerë ekumenike, që do të iu shërbjë jo vetëm filologëve, psikologëve, por një game të gjërë të profesionistëve fushave praktike, madje, përfshirë edhe atyre të psikatrisë, neurologjisë dhe logopedisë, etj.
Nocione të reja
Duke shfletuar librin, aty do të gjejmë nocione e koncepte të reja përveç atyre që i kemi hasur si problematika në përvojën tonë gjuhësore të interaksionit njerëzor. Është koha për shembull të mendojmë më shumë për inteligjencën gjuhësore e cila bëhet më akute sa herë përballemi me problemet ose sfidat që kanë fëmijët e grupmoshat e reja në gjuhënxënie, përballë një shqipe që po çalon përballë zhvillimeve teknologjike dhe një anglishteje mbiekspansive.
Shumëgjuhësia apo nxënja e gjuhës së dytë dhe çrregullimet gjuhësore, përbëjnë, sipas mendinit tim, dy kapitujt më domethënës.
Në kuadër të kapitujve respektiv trajtohen dy dukuri të veçanta të aftësisë gjuhësore të. Nga njëra anë, aftësia e njeriut për të pasur mundësinë e qasjes në disa gjuhë në të njëjtën kohë dhe për të pasur kapacitet t'i shfrytëzojmë ato veçmas, pa interferinim të ndërsjellët në njëra -tjetrën. Nga ana tjetër, pamundësia që shfaqet te disa njerëz për të përvetësuar dhe avancuar gjuhën e tyre amtare në masën e zakonshme. Në të dyja rastet, hulumtimi në to ofron njohuri të rëndësishme në strukturën dhe funksionin e aftësisë normale gjuhësore njerëzore.
Tablo mbi psikolinguistikën
Psikolinguistika përbën fushën kërkimore ndërdisiplinore në të cilën janë “ortakë” psikologjia dhe gjuhësisa. Fusha apo objekti i në psikolinguistikë është zhvillimi i gjuhës, prodhini i gjuhës, përpunimi i gjuhës dhe çrregullimet gjuhësore. Në gjuhësi, psikolinguistika është themeluar si disiplin e pavarur. Brenda psikologjisë dallimi është më kompleks. Nga njëra anë, ka disa nënfusha të rëndësishme të cilat trajtojnë gjuhën: Psikologjia e zhvillimit, që merret me zhvillimin e gjuhës. Psikologjia sociale shqyrton prodhimin dhe pranimin e gjuhës në komunikimin ndërpersonal. Psikologjia kognitive dhe psikologjia e kujtesës të merren me proceset e të kuptuarit në përpunimin e gjuhës. Nga ana tjetër, psikologjia ka edhe fushën e saj kërkimore, të cilën disa e quajnë psikolinguistikë dhe të tjerë e quajnë psikologji gjuhësore. Kjo fushë e kërkimit tematizon pjesë e psikologjisë së përgjithshme. Ai pretendon se nuk e redukton kërkimin psikologjik gjuhësor dhe zhvillimin e teorisë në çështjen e zbatimit leksikor, morfo-sintaksor dhe përfundimisht fonetik të përmbajtjes së komunikimit.
E fundit, por jo më pak i rëndësishëm, është fakti që psikologjia dhe psikogjuhësia janë shkencat ose disiplinat e vetme që pasurohen e aktualizohen me problematika të reja jetësore.
Ka pafundësisht pohime, e fakte që bëhen rreth ndërlidhjës së gjuhës dhe piksologjisë, që pë mendimin e shumë studiuesve, janë procese “siameze”. Këtë, pak a shume na e sugjeron fakti që gjuha është produkt i drejtpërdrejtë i zhvillimit kognitiv (proces psikologjik), apo siç e thotë me një vend psikologu zviceran, Jean Piaget, gjuha është manifestim i zhvillimit kognitiv. Është edhe perspektiva bihejvjoriste e cila ngulmon, siç ishte rasti te Skener, se gjuha është një sjellje verbale që mund të përvetësohet në diktatin e mjedisit, përkatësisht përmes sjelljeve të imituara të cilat riprodhohen nëse stimulohen përmes përforcimit, lavdërimit apo ndëshkimit. Së këndejmi, asnjë teori nuk është mjaftueshëm e plotë për ta konstatuar konvergimin e psikologjisë dhe gjuhës, apo edhe divergjencat mes tyre. Është diçka përtej argumenteve të sipërshkoqitura, pra diçka më universale dhe transtemporale.
Me të fituar statusin e shkencave, këto procese i vijuan lidhjet e tyre. Në këtë drejtim, psikolinguistika nuk është e vetmja disiplinë që i dëfton afritë dhe dallimet. Si gjuhësia, ashtu edhe psikologjia, kanë derivuar nga i njëjti substrat: filozofia. Ani pse gjuhësia si “disiplinë” u pavarësua në shekullin e 5-të, psikologjisë iu deshën shekuj të tërë për t’u çliruar nga tutela e filozofisë në momentin kur mjeku gjerman W. Wilhelm Wundt realizoi eksperimentin e tij mbi ndijimet dhe perceptimet. Gjithsesi, pleksja e gjuhësisë me psikologjinë nuk mbaron këtu. Sepse edhe sot, që të dyja këto shkenca, janë në të njëjtin llogor me shkencat moderne në betejën e tyre për ta delegjitimuar filozofinë dhe për ta nënrenditur atë në gjirin e disiplinave të psikologjisë, më, respektivisht të gjuhësisë.