Shtojca për Kulturë

Propagandimi për rivlerësim të Skënderbeut si princ i Rilindjes

Aleksandri i ri shqiptar, si kryekomandant ushtarak i kishës, duhej të niste pushtimin e Lindjes së pushtuar nga osmanët. Propagandimi i Skënderbeut si Aleksandër i ri simbolizonte jo vetëm pretendimin jetëshkurtër për kurorën mbretërore në gjurmët e Aleksandrit të Madh dhe të Pirros, por shprehte qartazi edhe pretendimin e elitës së paktë katolike që e rrethonte Skënderbeun, për ngritjen e sundimit të Kastriotëve në Shqipërinë e mesme në një rang të barabartë me atë të shteteve të Italisë

Prej vjeshtës 1461 e deri në fund të dimrit të vitit 1462 vetë Skënderbeu shkoi me trupat e tij ushtarake në ndihmë të mbretit Ferranto të Napolit në luftë kundër pretenduesit francez të fronit, Johann von Anjou, dhe gjatë kësaj kohe pati kontakte të përditshme me pjesëtarë të Familjes Mbretërore Napolitane, me aristokracinë e lartë të Italisë së jugut dhe me Alessandro Sforza von Pesaros, bashkë me të cilin luftuan në terren. Dhe midis viteve 1460 dhe 1467 u zhvilluan një sërë vizitash në Itali të këshilltarit të tij politik, Pal Engjëllit. Ishte Engjëlli, ai i cili u përmend se kishte hartuar programin politik të shqiptarëve për kryqëzatën e Papa Piu II. Kurorëzimi i Skënderbeut si mbret do të duhej të argumentohej me një gjuhë politike bashkëkohore dhe të theksohej me anë të simboleve lehtësisht të kuptueshme.

Në kërkim të shëmbëlltyrave të antikitetit

Ashtu si princat e Italisë, edhe Skënderbeu duhej të portretizohej si hero antik. Në kërkim të shëmbëlltyrave të antikitetit, për hapësirën shqiptare iu referuan traditës së Mbretërisë së Epirit dhe si pararendës heroik të Skënderbeut u zgjodh një figurë jo më e vogël se Aleksandri i Madh. Në të vërtetë, motivi i Aleksandrit e eklipsoi shpejt pikëreferimin te mbreti Pirro dhe perandoria e tij, gjë e cila ndeshet në një letër të veçantë personale të Skënderbeut.

Është shumë e mundshme që Pal Engjëlli ta ketë frymëzuar heroin për këtë letër, ngase Barleti na njofton se argjipeshkvi i kishte treguar udhëheqësit të Shqipërisë mbi rrëfimet e historianëve të lashtësisë. Mirëpo, mbështetja te trashëgimia epirotase ishte një argument i dobët për mbretërinë e re në krahasim me breroren e shenjtërisë, që e rrethonte Aleksandrin e Madh në të gjitha epokat. Dhe nuk ishin osmanët që i kishin dhënë Gjergj Kastriotit emrin Iskenderbe, pra Zoti Aleksandër, kur ky si mysliman i guximshëm ende luftonte në radhët e tyre.

A nuk ishte bërë i njohur prej kohësh Gjergj Kastrioti si në Lindje dhe në Perëndim, me këtë emër?

Duhet vetëm të bashkohej akoma tradita osmane-ballkanike e kultit të Aleksandrit me admirimin e epokës së Humanizmit mbi mbretin e maqedonasve, dhe kështu pretendimi për një mbretëri shqiptare do të ishte vënë mbi baza të qëndrueshme ideologjike. Kjo përvetësohej shumë mirë nga fakti se Aleksandri ishte epirot ngas ana e nënës. Po kështu, kulti shqiptar i Aleksandrit nuk gjen pasqyrim vetëm në të ashtuquajturin dokument privilegjues të Aleksandrit të Madh apo në veprën e Barletit, i cili nën ndikimin e Engjëllit, gjatë përshkrimit të ëndrrës të nënës së Skënderbeut mbi lindjen e heroit, huazon një element nga “Jeta e Aleksandrit” e Plutarkut, duke e përgatitur kështu qysh në fillim lexuesin e shkolluar mbi paralelizmat midis dy Aleksandërve – apo në dy dokumentet e sipërpërmendura konsideroheshin si pararendëse të statuteve të Shkodrës.

Kulti i Aleksandrit te përkrenarja

Si Aleksandër e paraqet atë (Skënderbeun) edhe Michele Canense, biografi i Papss Paul II, ndonëse është e vështirë të thuhet me siguri, nëse këtu është fjala për një stil të orientuar nga simbolika e antikitetit apo nëse autori i referohet realisht portretizimit të ri të Skënderbeut si hero i lashtësisë.

Por, kulti i Aleksandrit gjeti shprehje të dukshme edhe në një objekt të njohur arti, që sot ruhet në “Rüst - und Waffenkammer” të Muzeut Historik në Vjenë: përkrenarja e Skënderbeut. Është historiani i historisë së lashtë nga Müncheni, Peter Robert Franke, që ka zbërthyer kuptimin simbolik të kësaj përkrenareje ceremoniale. Franke ia doli të vërtetojë se kjo përkrenare, me dy brirë pompozë të dhisë, ishte e fillit të viteve 1460 dhe rridhte nga një punishte e Italisë veriore, dhe se nuk është tjetër veçse një imitim besnik i kurorës mbretërore të Maqedonisë antike. Këtë kurorë e kishte bartur Aleksandri i Madh, por edhe Pirroja i Epirit, i cili nuk ishte sundimtar i vetëm në vendlindjen e tij, por për një farë kohe ishte edhe mbret i Maqedonisë. Në këtë fazë ndërthuren shumë elemente të parashtruara deri më tani, të cilat duke u plotësuar me fragmente të tjerë na japin një pamje koherente si vijon: rivlerësimi i figurës së Skënderbeut nga një Athleta Christi ballkanik në një princ të Rilindjes, i cili kërkonte një rangim të barabartë me prijësit e shteteve italiane dhe që përdorte po ashtu gjuhën e tyre figurative të orientuar nga lashtësia. Këtë pretendim ai mund ta ngrinte vetëm në kuadrin e projekt-kryqëzatës papnore, sepse duke marrë parasysh situatën politike në vitet e fundit të jetës së tij, ëndrrat e tilla ishin të ndaluara. Por, veç u përmend më lart se në qershor të vitit 1464 Pal Engjëlli vizitoi Oborrin Mbretëror milanez dhe duhet shtuar se me këtë rast Francesco Sforza i kishte dhuruar argjipeshkvit armatime ceremoniale për Skënderbeun – “le quale sonno le più belle che ora se siano trovate.“ Në të vërtetë nuk përmendet shprehimisht përkrenarja, por të gjitha rrethanat flasin se Pal Engjëlli e solli këtë simbolikë në Shqipëri në verën e vitit 1464. Dhuratë luftarake – një shpatë ceremoniale – Skënderbeu e mori në Romë, në dhjetor të vitit 1466. Por situata dëshpëruese e Skënderbeut në ndërrimin e viteve 1466/67 – Shqipëria ishte shkretuar prej Mehmetit II, Kruja ishte në duart e venedikasve dhe napolitanëve – duket se nuk ofronte kushtet për t’i shkuar pas planeve për një mbretëri shqiptar. Po ashtu, Papa Pauli II u tregua shumë i rezervuar kundrejt Skënderbeut. Pra, shumëçka flet se Pal Engjëlli në vitin 1464 ia dorëzoi “Zotit të Shqipërisë” përkrenaren mbretërore maqedonase.

Skënderbeu jo vetëm si luftëtar i fesë

Paraqitja e Skënderbeut si Aleksandri i ri i dha një cilësi të re luftës mbrojtëse të shqiptarëve: Skënderbeu nuk duhej të paraqitej më thjesht vetëm si një luftëtar i fesë në traditën e kryqëzatës së ndezur prej botëkuptimit mesjetar, por si një figurë princërore në Adriatik, që me fjalorin politik të epokës së Rilindjes të orientuar nga antikiteti, u apelonte homologëve të tij italianë dhe si këta të përdornin simbole të antikës për të mbështetur pretendimet e tij politike. Aleksandri i ri shqiptar, si kryekomandant ushtarak i kishës, duhej të niste pushtimin e Lindjes së pushtuar nga osmanët. Propagandimi i Skënderbeut si Aleksandër i ri simbolizonte jo vetëm pretendimin jetëshkurtër për kurorën mbretërore në gjurmët e Aleksandrit të Madh dhe të Pirros, por shprehte qartazi edhe pretendimin e elitës së paktë katolike që e rrethonte Skënderbeun, për ngritjen e sundimit të Kastriotëve në Shqipërinë e mesme në një rang të barabartë me atë të shteteve të Italisë. Sa i përket dobësisë politike dhe ekonomike të këtij sundimi, një pretendim i tillë ishte i gjykuar të dështonte.

Është për t’u theksuar se bazuar mbi formatin gjuhësor metaforik të antikitetit, ai u ngrit në piedestal- dhe ky fakt dëshmon se me gjithë prapambetjen strukturore të hapësirës shqiptare dhe trazirave të luftërave osmane, idetë e epokës së Humanizmit italian kishin arritur përmes Adriatikut në qytetet bregdetare shqiptare dhe aty nga një grup i vogël klerikësh, por aktivë, krijuan një politikë.

Ky studim është botuar te F. Fuchs (Hrsg.): “Osmanische Expansion und europäischer Humanismus” (Pirckheimer Jahrbuch Bd. 20). Wiesbaden, 2005, fq. 123-144. Fusnotat janë hequr nga redaksia dhe janë shtuar mestitujt. Përktheu nga gjermanishtja: Sylë Ukshini