Shtojca për Kulturë

Propaganda e Serbisë që synoi edhe “Oscarin”

Është veçse një copëz propagande që bën bashkë të vërteta, gjysmë të vërteta e përpjekje blatante për ta ndryshuar historinë përmes përdorimit të çështjeve të ndjeshme që prekin edhe Holokaustin. Sado që propozimi serb për në “Oscars”, “Dara iz Jasenovca”, nuk ia doli të nominohej në listat e ngushta të ”Academy Awards”, Serbia ka dendësuar përpjekjet për politizimin e artit dhe kthimin e tij në funksion të agjendave nacionaliste. Përfshirja e Manastirit të Deçanit në mesin e 7 monumenteve “më të rrezikuara në Evropë” nga organizata “Europa Nostra” është rasti më i fundit i suksesit të Serbisë. Pos kësaj, është një dosje e tërë përpjekjesh me filma, propagandë dhe muzikë kundër Kosovës dhe shqiptarëve

Industria e filmave për Holokaustin ka dëshmuar se prodhimet e tilla kineaste janë të shitshme për tregun. Por, mes tyre ka edhe të tillë që e përdorin ndjeshmërinë e njerëzimit për “Shoah” (fjala hebreje që shenjëzon tragjedinë e hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore), për të maskuar agjenda ngatërrestare nacionaliste. Në këto hulli konsiderohet edhe filmi i fundit serb “Dara iz Jasenovca” (Dara nga Jasenovaci), nën regjinë e Predrag Antonijeviqit.

Me një buxhet prej 3.6 milionë dollarësh e me përkrahje nga Ministria e Kulturës dhe Informacionit, si dhe Qendra Serbe e Filmit, filmi i metrazhit të gjatë strumbullohet përreth ngjarjeve që zunë vend në vitet e Luftës së Dytë Botërore në kampin e Jasenovacit.

Kastit të filmit i janë bashkuar jo pak aktorë nga e ashtuquajtura Republikë Serbe, kurse për premierë ishte zgjedhur qyteza e Graçanicës, më 25 nëntor të vitit të kaluar. Më 5 shkurt ishte dhënë premiera amerikane. Me të Serbia synoi edhe çmimin më të madh në kinematografi – “Academy Award”. S’ia doli të futej në listë nominimesh, por kaq mjaftoi që të shpërthenin kritikat për të, të cilat vazhdojnë edhe tash.

Radio Televizioni i Serbisë e dha premierë të enjten mbrëma. Edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u përkujdes që të bënte thirrje që këtë film ta shikonin ata që s’e kanë parë deri më tani. Një ditë më vonë u kundërpërgjigj presidenti kroat, Zoran Milanoviq. "Po dalin tash në Beograd filma që janë të dobët e të pavërtetë. E kam fjalën për ‘Dara nga Jasenovaci”.

Por, këto janë vetëm vazhdimësi përplasjesh.

Ka qenë kritiku amerikan i filmit, Jay Weissberg, ai që te kandidatura e sivjetme e Serbisë për “Oscars” pikasi një “propagandë të fshehur hollë”, që e përdor në mënyrë cinike Holokaustin për ta shtyrë përpara një agjendë ngatërrestare nativiste.

Në një recension të botuar në fund të janarit në revistën e përjavshme amerikane “Variety”, ai kritikoi industrinë e filmave të Holokaustit që një copëz të propagandës nacionaliste serbe po e shpërndan jashtë Serbisë.

Sipas tij, përdorimi i Jasenovacit nga nacionalistët serbë si grishje për viktimizimin serb ndër shekuj e kthen filmin në propagandë.

“Studiuesi Jovan Byford ka vënë në dukje me zgjuarsi se si lidhja e vuajtjeve serbe me Shoah ka qenë prej kohësh një rreng për të marrë simpati ndërkombëtare dhe për të legjitimuar zgjerimin territorial bashkë me politikat raciste dhe kjo është pikërisht ajo me të cilën loz edhe ‘Dara’”.

Rindezja e tensioneve midis vendeve që luftuan

Vlerësimi i kritikut amerikan kishte përndezur edhe njëherë tensionet në erë mes Kroacisë dhe Serbisë.

Një pjesë e mediave kroate ka shigjetuar kritika ndaj Qendrës Audiovizuale Kroate (HAVC) për mungesë investimesh në filma historikë, për dallim prej ekuivalentes serbe që vazhdimisht financon filma me përmbajtje antikroate.

Kurse në Serbi ka pasur reagime ndaj kritikut Weissberg, aq sa edhe Ministria e Kulturës dhe Informacionit në Serbi i doli në mbrojtje filmit kundërthënës.

Në një deklaratë për media, ministrja Maja Gojkoviq mëtoi se filmi në fjalë paraqet vuajtjet nga kampi pas “shtatë dekadash heshtjeje”.

“Sulmet ndaj filmit ‘Dara e Jasenovacit’ dhe përpjekja për ta diskredituar atë, ani pse tërësisht e papërshtatshme, e pathemeltë dhe me akuza e vlerësime të pavërteta politike, nuk përfaqësojnë kritikë ndaj filmit, por një përpjekje për ta kundërshtuar të drejtën për të folur për popullin serb në Jasenovac”, kishte thënë Gojkoviq.

Fshehja e gjenocidit ndaj shqiptarëve

Regjisori Korab Lecaj ka vlerësuar se nuk përbën lajm të ri instrumentalizimi i kinematografisë nga Serbia në shërbim të propagandës së vet shtetërore. Sipas tij, për plot 25 vjet ka pasur një mori veprash kinematografike që kanë shërbyer për agjenda të tilla brenda e jashtë Serbisë.

“Edhe filmi ‘Dara from Jasenovac’ është njëri prej tyre”, ka thënë Lecaj për KOHËN.

Ai ka theksuar se filmi në fjalë provon që serbët t’i paraqesë para botës si viktimë, duke e fshehur gjenocidin e bërë kundër shqiptarëve në Kosovë, kroatëve dhe boshnjakëve.

“Kësaj radhe ata kanë përzgjedhur një temë të ndjeshme, kampet e përqendrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke tentuar të prekin ndërgjegjen e elitës së Akademisë Amerikane të Filmit, për të pasur sukses në propagandën e tyre”.

Lecaj – i cili është regjisor i filmit “Klithma”, që qendërzohet rreth temës jo fort të njohur të dhunimit të burrave në Kosovë gjatë luftës së fundit – e ka quajtur si tendencë të marrë të shtetit serb kamuflimin e të vërtetave historike nëpërmjet temave të ndjeshme, siç është Holokausti.

“Zakonisht filmat që shpërfaqin nacionalizmin nuk kanë sukses në arenën ndërkombëtare”, ka shtuar ai.

Triumfi i Serbisë në arenën ndërkombëtare

Profesori dhe dramaturgu Fadil Hysaj ka thënë se Serbia, duke u mbështetur në platformat e Akademisë së Shkencave, u ka paraprirë krimeve ndaj popujve të tjerë me viktimizim para opinionit publik ndërkombëtar. Në një prononcim për gazetën, ai ka tërhequr vërejtjen se nëse ky film i financuar nga qeveria serbe do të arrinte të merrte ndonjë çmim, siç ndodhi edhe me shkrimtarin proserb Peter Handke, i cili u laureua me “Nobel për Letërsi, ky do të jetë “kthim triumfal” i Serbisë në arenën kulturore ndërkombëtare.

“Pas kësaj nuk kemi pse të çuditemi nëse shohim ndonjë film tjetër me temë nga lufta e Kosovës, ku serbët e jo shqiptarët do t’i shohim si viktima të krimeve të luftës”, ka thënë Hysaj.

Dramaturgu i njohur tutje është ndalur edhe te filmat që bëhen në Kosovë për krimet serbe e që, sipas tij, janë ende në suaza të projekteve me buxhet të vogël.

“Madje, regjisorëve tanë u duhen deri në 10 vjet për t’u rropatur deri në finalizimin e filmave dhe gjetjen e bashkëproducentëve të huaj”, ka thënë Hysaj, duke shtuar se filmat shpeshherë duhet t’i bëjnë apolitikë apo edhe “politikisht korrektë”.

“Dhe si po shkojnë punët në të ardhmen e afërt, propaganda serbe për temat e luftës do t’i kapë majat para të së vërtetës shqiptare për ato tema kur të depërtojnë në botë”, ka tërhequr vërejtjen Hysaj.

Rasti më i freskët i triumfit serb qe nëpërmjet trashëgimisë kulturore. Javë më parë, propaganda e Beogradit dhe Kishës Ortodokse Serbe ia doli që organizata e njohur e trashëgimisë kulturore “Europa Nostra” ta përfshijë Manastirin e Deçanit në mesin e shtatë monumenteve më të rrezikuara të trashëgimisë. Pavarësisht një letre proteste nga ana e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, si dhe një reagimi të nënshkruar nga 40 organizata joqeveritare, organizata e njohur nuk ishte tërhequr nga vendimi i vet.

“S’është faji i artistëve, por i institucioneve”

Ndërkaq, regjisori Ismet Sijarina është i mendimit se artistët në Kosovë po e bëjnë maksimumin për promovimin kulturor e historik të vendit. Me këtë rast, ai ka kërkuar që politikat kulturore në nivel institucional të ndryshojnë, ashtu që filmbërësve shqiptarë t’u krijohen mundësitë elementare për ta vazhduar këtë mision.

“Nuk besoj që e kemi humbur hapin me vendet e rajonit në krijimin e veprave artistike, por është më se evidente se hapin e ka humbur politika jonë karshi politikës së tyre”, ka thënë regjisori Sijarina.

Ai është regjisor i filmit “Nëntor i ftohtë”, film që sjell dromca ngjarjesh nga fillimvitet ’90 e përthyerje fatesh njerëzore në situatën e pazakontë që krijoi represioni i egër serb mbi shqiptarët e Kosovës.

Sipas Sijarinës, nuk mund të ketë pritje më të mëdha nga artistët me buxhetin e pamjaftueshëm që shteti ndan për filma.

“Serbia ndan miliona për të shfrytëzuar filmin për propagandë, ndërsa Kosova planifikon autostrada lokale”, ka shtuar ai.

Image“Košare” i mbështetur nga Qendra e Filmit në Serbi me 430 mijë euro, një prej shembujve të shumtë të veprave me intenca propagandistike, është xhiruar në lokacione të ndryshme në Serbi, Mal të Zi dhe Bosnjë

Milionat në art kundër Kosovës

Në marrëveshjen e nënshkruar vjeshtën e kaluar në Washington, me ndërmjetësimin amerikan, në njërën nga pikat është edhe zotimi që “Serbia (Beogradi) do të pajtohet ta zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e saj për çnjohje dhe do të përmbahet nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare që të mos e njohë Kosovën (Prishtinën) si shtet të pavarur”.

Por, historia dydekadëshe pas përfundimit të luftës është përplot me përpjekje për ta shtyrë përpara perspektivën serbe mbi Kosovën dhe ngjarjet e viteve ’90. Në këtë dritë, kinematografia serbe është në krye të kësaj agjende.

Në qershor të vitit të kaluar, me rastin e të ashtuquajturës Ditë e Vidovdanit, propaganda e Manastirit serb të Hilandarit lansoi videoklipin e këngës “Kosovo: Joy of All Who Sorrow”, të interpretuar nga artisti dhe muzikanti amerikan Jonathan Jackson. Në kohëzgjatje prej pesë minutash, lirika në fjalë bart mesazhe propagandistike, duke i paraqitur serbët si viktima të persekutuara.

Ndonëse prokurori amerikan Clint Williamson i kishte hedhur poshtë akuzat për të ashtuquajturin “trafikim organesh”, kinematografia serbe ia ka dhënë vetes licencën për të bërë film që e paraqet si të mirëqenë këtë akuzë. Kështu, institucioni më i madh i filmit në Serbi i ka dhënë mbështetje prej 40 milionë dinarësh filmit të regjisorit amerikan Paul Kampf “Harvest” – që mbështetet në romanin e Veselin Xheletoviqit “Srpsko srce Johanovo” (Zemra serbe e Johanit) – për të cilin është paralajmëruar të fillojnë xhirimet sivjet.

Në vitin 2019, gazetarja serbe Slagjana Zariq solli dokumentarin “War stories from Kosare” (Rrëfime lufte nga Kosharja). I mbështetur financiarisht nga Radiotelevizioni serb (RTS) dhe Ministria e Mbrojtjes, dokumentari i jep jehonë një perspektive të shtrembëruar mbi Betejën e Koshares, në të cilën u thyen keq forcat ushtarake jugosllave.

Me temë për këtë ngjarje është edhe filmi dramë “Košare”, me regji të Balsha Gjogo. I mbështetur nga Qendra e Filmit në Serbi me 430 mijë euro, filmi me intenca propagandistike është xhiruar në lokacione të ndryshme në Serbi, Mal të Zi dhe Bosnjë. Premiera e tij do të jepet sivjet, ndërkohë që filmi do të pasohet me një seri televizive me po të njëjtin emër.

I ndërtuar mbi një sfond insinuatash e të pavërtetash historike është edhe filmi i zhanrit aksion “Balkanska međa” (Kufiri ballkanik). Nën regjinë e rusit Andrey Volgin, ky film i vitit 2019 paraqet të shtrembëruar historinë e aeroportit të Sllatinës. Ploti i filmit përmban shpërfytyrime të ushtarëve të UÇK-së, që i paraqet si terroristë të përfshirë në trafikim organesh, grabitje, vrasje e spastrim etnik. Qarqe të larta politike në Beograd kishin bërë përpjekje për ta nxitur një gjendje konfliktuoze përmes shfaqjes së këtij filmi propagandistik në Shtëpinë e Kulturës në qytetin e Bujanocit.

Por, drejtori i këtij institucioni kulturor, Jetmir Ismaili, nuk kishte pranuar të shfaqej ky film, për shkak të përmbajtjes së tij antishqiptare.

Image

Serbia nuk ngelet prapa as në fushën e botimeve propagandistike. Nën siglën e Dioqezës Rashkë-Prizren, më 2011, kishte dalë në dritë “Šiptarski genocid nad Srbima u 20. veku/Dokumenta”

Me prirjen e qartë për t’i paraqitur shqiptarët si shkatërrues të trashëgimisë ortodokse në Kosovë është edhe filmi dokumentar “Kosovo: A Moment in Civilization” (Kosovo: Momenat u civilizaciji). Realizim i vitit 2017 nga regjisori serbo-kanadez Boris Malagurski, filmi, pas paraqitjes së rrëfimeve të priftërinjve serbë, del me thirrjen që UNESCO të mos e pranojë në gjirin e saj Kosovën. Asokohe kishte reaguar Zyra e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, sipas së cilës filmi në fjalë ishte një gjest ofendues.

“Shfaqja e një filmi dokumentar me përmbajtje fyese për Kosovën përpara ambasadorëve të vendeve anëtare të UNESCO-s në Paris është pjesë e një përpjekjeje të vazhdueshme për ta denigruar shtetin e Kosovës”, thuhej mes të tjerash në reagimin e Qeverisë së Kosovës. Reagime të ngjashme, ky dokumentar – që ishte mbështetur edhe nga Kisha Ortodokse Serbe – kishte marrë edhe në Zagreb.

Orientimi tjetër i kinematografisë serbe është edhe “fronti” kroat: në korrik të vitit të kaluar, Qendra e Filmit ka mbështetur me 52 milionë dinarë filmin “Heroje Halijarda” të regjisorit Radosh Bajiq, si dhe me 30 milionë filmin e Lordan Zafranoviqit “Djecu Kozare”.

Kosova ka qenë edhe subjekt prodhimesh kineaste ruse. Një prej tyre ishte edhe mini-seriali “Spetsnaz”, ku sërish UÇK-ja paraqitej si shkatërruese e trashëgimisë ortodokse, si dhe ndërmarrëse e spastrimit etnik. I njëjti serial ishte ndaluar në vjeshtë të vitit 2014 nga Agjencia Shtetërore Ukrainase e Filmit, me arsyetimin se është e papranueshme të shfaqen në Ukrainë “filma rusë me propagandë të qartë”.

Serbia nuk ngelet prapa as në fushën e botimeve propagandistike. Nën siglën e Dioqezës Rashkë-Prizren, më 2011, kishte dalë në dritë libri “Gjenocidi shqiptar mbi serbët në shekullin e njëzetë: Dokumente” (Šiptarski genocid nad Srbima u 20. veku/Dokumenta). Dhe lista e shembujve të artit propagandistik serb është e gjatë.