Përderisa GJND-ja e liroi nga faji atë që e krijoi politikën “të gjithë serbët në një shtet”, projekt që shkaktoi katër luftëra, dhjetëra e mijëra njerëz të vrarë, qindra varreza masive dhe miliona njerëz të dëbuar, ajo amnistoi politikën e Millosheviqit, dhe kjo tregon pasqyrën jo të plotë të Serbisë në luftërat e dekadës së shkuar. Rrjedhimisht ky vendim i GJND-së nuk e ndihmon Serbinë që të ballafaqohet me të kaluarën e vet dhe që të bëhet, siç thoshte Sandra Orloviq, drejtore ekzekutive e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, “oazë e mosdënueshmërisë për krime të luftës”
Megjithëse Tribunali më 2001 i kishte kontribuar pranimit të krimit në Srebrenicë, duke e quajtur gjenocid (“rasti i Radisllav Krstiqit”) dhe duke akuzuar rreth njëzet veta në lidhje me masakrën më të madhe në territorin evropian që nga viti 1945, më 2007 GJND-ja e liroi Serbinë e Millosheviqit nga përgjegjësia dhe pjesëmarrja në gjenocidin në Srebrenicë. Duke hequr kështu fajësinë nga Millosheviqi, politika e tij kriminale dhe regjimi i tij, kjo gjykatë e zuri vendin e Tribunalit. Me lirimin e rrethit të Millosheviqit dhe udhëheqjes serbe nga përgjegjësia për gjenocid në Srebrenicë (Perishiq, Stanishiq, Simatoviq), Tribunali vetë kishte hequr dorë nga kërkimi i së vërtetës.
Kompromisi që e shfajësoi Serbinë nga krimet dhe gjenocidi
Serbia u bë përgjegjëse vetëm për mosndalimin e gjenocidit në bazë të Konventës së Gjenevës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit (1948). Në këtë mënyrë Svillanoviqi arriti sukses të madh me marrëveshjen që bëri me gjykatësit e Tribunalit për të pamundësuar qasjen publike dhe të GJND-së në dokumentet sekrete të KSM-së. Por, edhe Del Ponte ndoqi qasjen politike, domethënë atë të bisedimeve me udhëheqjen politike të Serbisë, që shpuri në këtë kompromis. Dhe siç shkruan Nevenka Tromp, ligjëruese e Studimeve për Evropën Lindore në Universitetin e Amsterdamit (Holandë), për këtë kompromis Del Ponte pati mbështetjen e drejtpërdrejtë të ndihmësve të saj të marrëdhënieve diplomatike dhe publike brenda Prokurorisë, të cilët ndikuan drejtpërdrejt tek ajo dhe, në këtë mënyrë, në politikën e saj të bashkëpunimit të Prokurorisë. Ky veprim krijoi përshtypjen e shumë vëzhguesve se TPNJ-ja nuk e respektoi transparencën dhe vendosjen e drejtësisë, as të drejtën e viktimave dhe të publikut për të ditur çfarë kishte ndodhur gjatë luftës dhe si. Për më tepër, debati publik se kush përfitoi më tepër nga kjo marrëveshje e dëmtoi kredibilitetin e TPNJ-së dhe i solli përfitim më së shumti Serbisë.
Mundësia e Kosovës për qasje në dëshmi
Por, duke pasur parasysh se Serbia i ka dorëzuar dokumente Tribunalit të Hagës për krime të luftës në ish-Jugosllavi, ky tribunal i ka shfrytëzuar në lëndët në bazë të së cilave i ka nxjerrë aktvendimet dhe i ka konfirmuar faktet që gjendeshin në paditë ndaj të akuzuarve për krime të luftës. Prandaj, Kosova mund të kërkojë nga Tribunali i Hagës që të ketë qasje në këto dokumente. Ndërkaq, për sa i përket hapjes së arkivave, është pak e besueshme se Serbia do ta bëjë këtë, pasi ajo nuk është e gatshme për dënime të doktrinës së saj shtetërore dhe për faktin se hapja e tyre do të prodhonte pasoja juridike për Serbinë.
Në këtë situatë është vështirë të shpresosh se do të ketë pajtim, është vështirë të imagjinosh se viktimat e gjenocidit dhe të spastrimit etnik apo trashëgimtarët e tyre do të konsideronin se kanë satisfaksion vetëm me pohimin e krimit dhe me dënimin e disa ekzekutuesve, derisa ka të tillë që mbrojnë tezën për luftën civile, në të cilën përfaqësuesit e bashkësive etnike të ndryshme u vranë ndërmjet vete. Kjo qasje dhe kjo tezë, aq e gabueshme sa edhe e përhapur, e mohon faktin se shkatërrimi me dëbimin apo shfarosjen e civilëve ishte plan shtetëror, në përpjekjet për krijimin e Serbisë së Madhe.
Serbia, “oazë e mosdënueshmërisë për krime të luftës”
Përderisa GJND-ja e liroi nga faji atë që e krijoi politikën “të gjithë serbët në një shtet”, projekt që shkaktoi katër luftëra, dhjetëra e mijëra njerëz të vrarë, qindra varreza masive dhe miliona njerëz të dëbuar, ajo amnistoi politikën e Millosheviqit, dhe kjo tregon pasqyrën jo të plotë të Serbisë në luftërat e dekadës së shkuar. Rrjedhimisht, ky vendim i GJND-së nuk e ndihmon Serbinë që të ballafaqohet me të kaluarën e vet dhe që të bëhet, siç thoshte Sandra Orloviq, drejtore ekzekutive e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, “oazë e mosdënueshmërisë për krime të luftës”.
Në vend që të merren me këto krime, politikanët serbë vazhdojnë të mbështeten në kapitalin politik të fituar me një retorikë patriotike. Nëse shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Ljubisha Dikoviq, njeriu, ushtria e të cilit, pasi dogji dhe plaçkiti pronat e shqiptarëve të Kosovës, la pas vetes trupat e civilëve dhe fshehu trupat e viktimave nga familjet e tyre, është konsideruar nga presidenti serb si oficer i nderuar, atëherë nuk është aspak për t’u habitur që i njëjti president vite më parë e kërcënonte publikisht prokurorin e krimeve të luftës për shkak të angazhimit të tij në zbulimin e varrezave masive, ku gjenden kufomat e shqiptarëve të Kosovës.
Retorika – e pamjaftueshme për paqe
Prandaj, është e pamjaftueshme retorika për paqe apo një proces sipërfaqësor të ballafaqimit me të kaluarën, që do të nënkuptonte thjesht një shkëmbin të faljes dhe disa fjalë humane për viktimat e palës tjetër. Në një situatë të tillë, veçanërisht duke pasur parasysh angazhimin e përsëritur deklarativ të zyrtarëve ndaj procesit të pajtimit rajonal, do të pritej që institucionet serbe të angazhonin më shumë burime dhe të tregonin një vullnet të qartë politik për ndjekjen penale të krimeve të luftës në Serbi, që shteti i së drejtës në lidhje me krimet e kryera nga forcat serbe të vendoset pa asnjë kalkulim politik. Përfundimisht nuk mund të ketë pajtim dhe normalizim të raporteve fqinjësore për aq kohë sa viktimave të mos u jepet drejtësi dhe për aq kohë sa përgjegjësit për krime të luftës dhe spastrim etnik të mos ndiqen nga drejtësia. Fshehja e dokumenteve dhe mbyllja e eksesit për tribunalet dhe publikun i hap rrugë mosndëshkimit absolut të autorëve të krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës, të kryera nga shteti serb përgjatë viteve ‘90. Kufijtë nacionalë nuk mund të shërbejnë si bastione ku përgjegjësit e krimeve të luftës mund të ndihen të mbrojtur dhe as si instrument për të penguar dënimin e luftës, që përbënin historinë më të turpshme të Evropës që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Doktrina e Çubrilloviqit që pret orën e realizimit
Pra, përderisa nuk ndodh dënimi i plotë i krimit të shtetit serb në Kosovë, mbetet të kuptohet qartë se projekti për “Serbinë e Madhe”, që nënkupton realizim të planit të viteve ‘90 “të gjithë serbët në një shtet të vetëm”, nuk ka vdekur, ai vetëm ka marrë formë të re, “bota serbe”, një ide e re e politikës dhe e Kishës Serbe, që synon të realizohet varësisht nga rrethanat politike të brendshme dhe të jashtme. Për më tepër, historia e viteve ‘90 tregoi se doktrina e Çubrilloviqit, e shpallur tetëdhjetë vjet më parë, nga një akademik serb, duke qenë antishqiptare dhe e ngjizur gati në të njëjtën kohë me projektin nazist kundër hebrenjve dhe, për nga thelbi, jo larg tij, pret orën e saj të realizimit. Dhe, siç thotë shkrimtari shqiptar Ismail Kadare, vërtet “bombardimet e NATO-s e ndëshkuan Serbinë, por jo edhe doktrinën” e saj antishqiptare. Për më tepër autori serb, Srgja Popoviq, një aktivit i njohur i të drejtave të njeriut, përfaqësonte mendimin se vendet perëndimore kishin gabuar që nuk e kishin dënuar Armatën Serbe për gjenocidin e bërë në Kosovë, duke nënvizuar se ky gjenocid, edhe i ndryshëm dhe i pakrahasueshëm me Holokaustin vetëm se Millosheviqi nuk pati fuqi të mjaftueshme për një krim përmasash të tilla, i plotëson të gjitha kriteret që i parasheh Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit të vitit 1948.
Pas përfundimit të luftës edhe BE-ja nuk ishte treguar konsistente në qëndrimet e saj për ndëshkimin e politikanëve dhe ushtarakëve të regjimit të Millosheviqit, të cilët konsideroheshin se ishin përgjegjës për luftën e Kosovës dhe krimet kundër popullsisë shqiptare. Derisa më 10 maj të vitit 1999 Këshilli i BE-së për Politikë të Jashtme (1999/319/CFSP)1, në maj (2000/348/CFSP)2, në gusht (2000/495/CFSP)3 dhe në nëntor të vitit 2000 (2006/697/CFSP)4 kishte marrë masa ndëshkuese ndaj një listë të gjatë të zyrtarëve serbë, në krye të së cilës qëndronte Millosheviqi me familje, e ku bënin pjesë edhe eksponentë të regjimit të tij, Aleksandar Vuçiq, asokohe ministër i Informacionit të Serbisë, Ivica Daçiq, zëdhënës i SPS-sit, për shkak të politikës represive, vrasjeve masive dhe deportimit të qindra e mijërave shqiptarëve të Kosovës në vitet 1998/1999, një masë të tillë e kishte suspenduar pashpjegueshëm në vendimin e radhës të datës 19 qershor të vitit 2001 kishte hequr nga lista Aleksandar Vuçiqin, Ivica Daçiqin dhe shumë zyrtarë dhe ushtarakë serbë që kishin operuar në Kosovë. BE-ja ishte mjaftuar që në përputhje me nenin 1 të Rregullores (KE) nr. 2488/2000 të mbante të ngrira të gjitha fondet dhe burimet e tjera financiare të mbajtura jashtë Republikës Federale të Jugosllavisë, që u përkisnin z. Millosheviq dhe personave fizikë të lidhur me të atij. Nga ky moment lista prej qindra zyrtarëve ishte reduktuar në trembëdhjetë emra, ku bënin pjesë Millosheviqi me familjarët e tij si dhe Millan Milutinoviq, president i Serbisë, Nikolla Shainoviq, ish-zëvendëskryeministër, Vllajko Stojkoviq, ish-ministër i Brendshëm, Mile Mrkshiq, Mirosllav Radiq dhe Veselin Sljivançanin.
Rehabilitimi i zyrtarëve serbë dhe gjuha e sotme antishqiptare
Të paktën, deri më tani ekziston një dokument tjetër i BE-së përmes të cilit ofrohen arsyet përse sapo u përmbys Millosheviqi nga pushteti Vuçiqi, Daçiqi dhe qindra zyrtarë serbë u rehabilituan apo fjala është për një lloj amnezie të qëllimshme ndaj përgjegjësve që kishin qenë pjesë e qeverisë dhe e aparatit represiv të regjimit të Millosheviqit dhe që krejt hapur e kishin mbështetur luftën agresive dhe mbanin përgjegjësi të drejtpërdrejtë apo të tërthortë për krimet e luftës në Kosovë, të cilat ishin të papara që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Pa dyshim, ky ishte një gabim i bashkësisë ndërkombëtare, meqë ky diskurs nuk bëri të mundur ndërtimin e një qasjeje kritike për të kaluarën, përkundrazi, nga kjo periudhë vetëm sa u shtuan zërat kritikë ndaj Millosheviqit, përse ai e humbi luftën e Kosovës dhe luftërat e tjera, por jo pse ai dhe mbështetësit e regjimit të tij bënë krime në Kosovë.
Ky diskurs që vetëm sa i dha krah kulturës serbe të mosndëshkueshmërisë së krimeve dhe planeve shtetërore është motivi pse edhe sot Beogradi provon t’i mbajë të fshehura të gjitha dokumentet dhe dëshmitë e tjera, të cilat provojnë përgjegjësinë e Serbisë së Millosheviqit për politikën e spastrimit etnik dhe të vrasjeve masive në Kosovë e gjetiu. Në këtë mënyrë duket qartë se interesi aktual i Qeverisë serbe është që përmes mospranimit dhe mbajtjes fshehur të se vërtetës për krimet serbe në Kosovë, njëkohësisht, të ruhet edhe pozicioni më i mirë negociues i Beogradit në dialogun aktual me Republikën e Kosovës për normalizimin e raporteve fqinjësore. Normalizimi i situatës në Ballkan nuk mund të bëhet pa normalizimin e marrëdhënieve Kosovë dhe Serbi, përkatësisht pa dënimin e doktrinës antishqiptare, e cila mbetet barrierë kryesore për normalizimin e raporteve shqiptaro-serbe në një të ardhme afatgjate. Qëndrimet e Beogradit ndaj shqiptarëve dhe Kosovës në veçanti përgjatë shekullit XX, por edhe më vonë, kurrë nuk kanë qenë miqësore dhe së këndejmi edhe gjuha e shtetit të Serbisë ndaj shqiptarëve edhe më tej mbetet gjuhë raciste dhe armiqësore. Pikërisht kjo gjuhë armiqësore ka qenë themeli i vrasjeve masive dhe i gjenocidit. Historiani amerikan Daniel Jonah Goldhagen përfaqëson mendimin se gjenocidet gjithmonë fillojnë nga gjuha, sepse përmes saj ata dehumanizojnë viktimat. Prandaj, problemi i krimeve të luftës, të cilat edhe më tej mohohen nga Beogradi, vazhdon të jetë në thelbin e historisë së Ballkanit në tre dhjetëvjeçarët e fundit dhe një barrierë e pakalueshme për pajtimin dhe ndërtimin e raporteve fqinjësore.