Shtojca për Kulturë

Projekti i Serbisë së Madhe i fshehur prapa “rregullimit të kufijve”

Pagarushë, 1999 (Foto: Alban Bujari)

Pagarushë, 1999 (Foto: Alban Bujari)

“Gjykimi i papërfunduar i Sllobodan Milosheviqit” i Nevenka Trompit, i kontribuon të kuptuarit të saktë dhe të drejtë se në Serbi nuk kanë pushuar përpjekjet për të përmbysur me manipulime narracionin për historinë e luftërave në Jugosllavi. Po ashtu, del qartë se luftërat dhe spastrimet etnike nuk kanë qenë thjesht pasojë e luftës, por një platformë dhe një program shtetëror për krijimin e një Serbie të Madhe. Është manual për ta kuptuar se edhe sot elita politike serbe nuk ka hequr dorë nga projekti i Serbisë së Madhe, por që tani është i afishuar si projekt për “rregullimin e kufijve”

Kosova – sprova e pakalueshme për Milosheviqin

Në kapitullin e gjashtë të librit “Gjykimi i papërfunduar i Sllobodan Milosheviqit”, Nevenka Tromp trajton objektiven e pestë të Milosheviqit, sundimin e Kosovës, një projekt që e filloi ngritjen dhe rënien e tij nga pushteti. Megjithëse kishte mbetur në hije para konflikteve në shtetet fqinje, Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë, problemi i Kosovës vazhdoi të mbetej shpërthyes gjatë viteve të ‘90-ta dhe ky problem u bë një sprovë e pakalueshme për Milosheviqin. Sado që Kosova kontribuoi në ngritjen politike të këtij udhëheqësi serb, ajo kontribuoi edhe në rënien e tij politike, ngase çdo kompromis i tij lidhur me statusin e Kosovës bartte rrezikun e dënimit nga nacionalistët serbë dhe vinte në rrezik pushtetin e tij.

Në anën tjetër, siç vë në dukje edhe autorja, përpjekjet për të realizuar objektiven e sundimit në Kosovë u kundërshtuan nga popullata shumicë shqiptare, që në vitet 1998/99 kulmoi me luftën e armatosur të Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës dhe me fushatën serbe të pastrimit etnik dhe vrasjet masive të civilëve shqiptarë. Dhe pikërisht këto krime të rënda kundër njerëzimit, u bënë pjesa qendrore e aktakuzës së Tribunalit të Hagës lidhur me Kosovën në maj të vitit 1999, e cila e bënte përgjegjës Milosheviqin si pjesëmarrës “në një ndërmarrje të përbashkët kriminale, me qëllim për të dëbuar nga Kosova një numër të madh shqiptarësh të Kosovës, me synimin për të konsoliduar kontrollin serb”.

Për të provuar rolin që luajti Milosheviqi në luftën e Kosovës, sipas autores, prokurori i Hagës e ndoqi pistën e gjurmëve të lëna nga një organ i posaçëm i njohur si Komanda e Përbashkët për Kosovën. Por, ajo çfarë vlen të theksohet këtu është se këto dokumente të Komandës së Përbashkët, të cilat ekipi i mbrojtjes dhe autoritetet e Beogradit po tentonin t’i fshihnin, prokuroria ia doli t’i përdorte në mënyrë të tërthortë, vetëm pasi ishin paraqitur si prova nga pala mbrojtëse në shqyrtimin gjyqësor, kur Milosheviqi kishte thirrur si dëshmitarë një numër oficerësh të ushtrisë serbe dhe të MUP-it, të cilët kishin qenë të angazhuar në luftimet në Kosovë në vitet 1998/1999 dhe të cilët do t’i referoheshin në dëshmitë e tyre dokumenteve të Komandës së Përbashkët.

 Dështimi i strategjisë për ndryshimin e përbërjes etnike

Për t’i ofruar lexuesit një fotografi më të plotë të problemit të Kosovës dhe synimeve të “regjimit milosheviqian” për mbajtjen e Kosovës nën Serbi duke ndryshuar përbërjen etnike të saj, autorja flet për politikat serbe të aparteidit në Kosovë që nga momenti i zhbërjes së autonomisë së Kosovës, vendosjes së një modeli të administrimit policor e deri te dështimi i strategjisë për të ndryshuar përbërjen etnike në Kosovë, që rezultoi me një luftë të armatosur. Për ta provuar synimin serb për të dominuar dhe vendosur kontroll të plotë mbi Kosovën, autorja e ilustron me faktin se në korrik 1990 Kuvendi serb e miratoi “Ligjin për marrëdhëniet e punës në rrethana të veçanta”, që lejonte largimin nga puna bazuar në kritere arbitrare, dhe njëkohësisht legalizonte punësimin vetëm të serbëve dhe të jo shqiptarëve etnikë në Kosovë. Si rrjedhojë, gjatë viteve 1990-1999 Kosova ishte i vetmi vend i Evropës ku nuk kishte shkolla, media dhe universitet në gjuhën shqipe, në gjuhën e shumicës.

Masakra ndaj familjes Jashari, riaktivizimi i Grupit të Kontaktit

Në këtë mes, bëhet e qartë se pasiviteti i politikës paqësore dhe po ashtu dështimi i Marrëveshje së San Egidios për Arsimin,  e cila parashikonte normalizimin e mësimit për nxënësit dhe studentët shqiptarë dhe kthimin e tyre në objektet publike, ishte moment kthese në zhvillimet në Kosovë, të cilat i hapën rrugën luftës së armatosur dhe organizimin e të rinjve shqiptarë rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pika e kthesës së masivizimit të luftës çlirimtare dhe e ndërkombëtarizimit të problemit të Kosovës ishte masakra serbe mbi familjen Jashari dhe riaktivizimi i Grupit të Kontaktit (SHBA, Britani e Madhe, Gjermani, Francë, Itali dhe Rusi), i cili përgjatë viteve 1997-1999 bëri përpjekje për arritjen e një zgjidhjeje politike për Kosovën, të cilat në fond kulmuan me Konferencën e Rambouillet (shkurt-mars 1999). Duke iu referuar dokumenteve të Prokurorisë së TPNJ-së, Tromp argumenton se bisedimet e Rambouillet në fakt treguan synimin real të Serbisë, që këto bisedime të përdoreshin vetëm si instrument për të fituar kohë, përderisa ajo përgatitej për luftë dhe “zgjidhje përfundimtare” për problemin e Kosovës. Si argument për këtë tezë, autorja po ashtu përmend faktin e bërjes publike nga burimet e ndryshme të inteligjencës të planit të koduar “Patkoi”, i cili ishte i hartuar nga krerët politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe Serbisë, që parashihte spastrimin etnik të Kosovës përmes dëbimit të tyre në Maqedoni dhe Shqipëri.

Pavarësisht se Milosheviqi e kishte mohuar një plan të tillë në gjykatë, autorja nënvizon se dëshmitari i Prokurorisë Ratomir Taniq, ish-agjent i inteligjencës serbe, e kishte pohuar ekzistencën e një plani të tillë. Një fakt tjetër se Beogradi po përgatitej për një fushatë masive ushtarake në Kosovë sigurisht ishin provat lidhur me formimin e një urdhri gojor të Komandës së Përbashkët në verën e vitit 1998, domethënë shumë muaj para ndërhyrjes së NATO-s në mars të vitit 1999. Duke u ndalur te vlera e këtyre dokumenteve të periudhës së aktakuzës lidhur me Kosovën, autorja tregon se pala serbe me këmbëngulje kishte fshehur dokumentet e Komandës së Përbashkët dhe vetëm pas një beteje me Prokurorinë e TPNJ-së, në vitin 2005, i ishin dorëzuar Hagës vetëm 15 dokumente dhe ato nuk kishin të bënin me hierarkinë komanduese dhe as udhëheqjen politike të Serbisë dhe Jugosllavisë së mbetur. Lidhur me këtë betejë për dokumentet e arkivit shtetëror të Beogradit, Tromp konstaton se autoritete serbe në bashkëpunim me TPNJ-në kultivuan dy qëndrime të ndryshme. Në njërën anë, ato dorëzuan të akuzuarit e nivelit të lartë, si Milosheviqi, gjeneral Pavkoviq, Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq, dhe në anën tjetër, ato provonin të kontrollonin dhe selektonin dërgimin në TPNJ të dokumenteve përmes të cilave mund të konfirmohej aktakuza e Prokurorisë. Përkundër se Serbia kishte hedhur poshtë pretendimet e Prokurorisë se qeveria e Beogradit po shihte provat, autorja argumenton se e vërteta doli në dritë në sallën e gjyqit, “kur Milosheviqi filloi të thërriste dëshmitarë të mbrojtjes për akuzën lidhur me Kosovën” dhe kur ata paraqitën në “gjykatë materiale që Prokuroria” nuk kishte qenë në gjendje t’i siguronte në bashkëpunim me autoritetet shtetërore serbe. Një efekt tjetër bumerang për palën serbe ishin provat e mbrojtjes: ditarët e luftës dhe raportet e përditshme të luftimeve të ushtrisë serbe, siç ishin ditarët e Brigadës 549 të Motorizuar të gjeneral Deliqit, si dhe ato të brigadave dhe njësive të tjera të komanduar nga Milosh Doshan, kolonel Vllatko Vukoviq, major Janosh Shel. “Këta ditarë...”, thotë autorja, “zbuluan se njësitet luftarake të ushtrisë jugosllave, në bashkëpunim me forcat e MUPÇ-it, kishin planifikuar dhe ndërmarrë veprime luftarake në Kosovë menjëherë pas fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s më 24 mars 1999”.

Një politikë e tillë represive hegjemoniste që rezultoi në një katastrofë humanitare, krime kundër shqiptarëve etnikë, vrasje masive, me qëllim që të mos mbetej “as edhe një këmbë shqiptari” në Kosovë, ishte ndër objektivat kryesore të politikës serbe në Kosovë dhe, rrjedhimisht, një veprimtari i tillë kriminale rezultoi pashmangshëm me ndërhyrjen ajrore të NATO-s kundër objektivave ushtarake serbe. Autorja gjithashtu konstaton se sulmet ajrore të NATO-s u përdorën si mbulesë për të dëbuar shqiptarët etnikë nga Kosova, me qëllim që të ndryshohej përbërja etnike në Kosovë. Veç tjerash, e ndodhur me humbjen e pashmangshme të luftës me NATO-n dhe kur tashmë u bë e qartë mundësia e vendosjes së prezencës civile dhe ushtarake të NATO-s në Kosovë, udhëheqja e lartë serbe me dijeni të Milosheviqit filloi fshehja e krimeve përmes zhvendosjes së trupave të shqiptarë të vrarë në Kosovë, për t’i varrosur në Serbi. Një konstatim tjetër që përmbys pretendimet serbe se largimi i shqiptarëve ndodhi në mënyrë spontane dhe nga frika e bombardimeve, është konstatimi i Prokurorisë në Hagës, e cila në aktgjykimin e saj kishte theksuar se bombardimet e NATO-s në Serbi, veçanërisht në Beograd, nuk shkaktuan ndonjë eksod të qytetarëve ashtu siç kishte ndodhur në Kosovë. Gjithashtu në këtë kapitull deri në detaje dhe dokumente dhe procesverbale të TPNJ-së konstatohet se gjyqtarët rrezuan pretendimin tjetër të autoriteteve serbe se zhvendosja e civilëve ndodhi për shkak të luftimeve midis forcave të UÇK-së dhe ushtrisë dhe policisë serbe.

”Sllobodan Miloshevqi nuk vdiq si njeri i fajshëm”

Në kapitullin e fundit, analizohet rënia e Milosheviqit, e cila në fakt u vulos me humbjen e luftës së Kosovës në qershor të vitit 1999. Në këtë kuadër, bëhet edhe bilanci i sundimit dhjetëvjeçar i Milosheviqit, i cili ishte shkaktar i katër luftërave, në Slloveni, Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovë, për vdekjen e njëqind mijë vetave, miliona refugjatëve të zhvendosur. Për më tepër, lufta e Kosovës dhe krimeve kundër njerëzimit ishin dëshmi se Milosheviqi Marrëveshjen e Paqes në Dayton e përdori për forcimin e pushtetit të tij në Serbi dhe jo si mundësi për të transformuar imazhin e tij nga “Kasapi i Ballkanit” në “paqebërës”. Madje, edhe pasi u vendos në Hagë, Milosheviqi me këmbëngulje mbrojti dhe glorifikoi politikën e tij hegjemoniste, duke e quajtur veten dhe familjen e tij viktimë të një komploti ndërkombëtar. Fundi i tij ishte i palavdishëm, pasi u largua nga pushteti në vitin 2000 dhe u ekstradua në Hagë, erdhi pikërisht në momentin kur procesi kundër tij po dukej se po arrinte në finale dhe kur Prokuroria po shpresonte të nxirrte dëshmi të reja përmes dëshmitarit të mbrojtjes Momir Bulatoviq, i cili për shkak të njohurive për shumë ngjarje të rëndësishme nga Prokuroria konsiderohej si dëshmitar ideal për marrjen në pyetje. Por, me 11 mars 2006, Milosheviqi u gjet i vdekur (vetëvrarë) në qelinë e tij. Për këtë arsye ai i shpëtoi vendimit final të fajësisë nga TPNJ. Por, siç vë në dukje autorja e librit, ”Sllobodan Miloshevqi nuk vdiq si njeri i fajshëm”. Për më tepër edhe kaq vjet pas vdekjes së tij, Serbia është e ndarë ose thënë më saktë, ajo nuk ka hequr dorë nga ideologjia shtetërore e Serbisë së Madhe. Në fakt, këtë projekt, Tromp nuk e lidhi as me ngritjen dhe as me rënien e Milosheviqit, por ajo konstaton se treni i projektit për një shtet homogjen serb filloi të lëvizë në vitet 1970 dhe përgjatë këtyre pesë dekadave të fundit janë ndërruar vetëm drejtuesit lokomotivës. Në këtë kontekst, Milosheviqi ishte vetëm njëri nga drejtuesit e këtij treni, i cili tani drejtohet nga Vuçiq dhe vazhdon të lëvizë akoma në varësi të rrethanave politike të brendshme dhe të jashtme. Pos kësaj, Tromp tërheq vëmendjen se Beogradi nuk ka hequr dorë nga ndarja territoriale e brendshme e Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës me qëllim të pengimit të funksionalitetit të tyre si shtete. Paralelisht me këtë, thotë autorja vë në dukje se historia e luftërave në ish-Jugosllavi por rishkruhet me manipulime nga Serbia, pasi elita politike dhe kulturore serbe dëshiron të shmangë çdo predispozitë për pranimin e krimit dhe gjenocidit, pasi kjo fajësi do ta ngarkonte shtetin serb me shuma të jashtëzakonshme financiare të dëmshpërblimeve, me njollosjen historike dhe ky mospranim i krimeve të kryera nga regjimi i Miloshevqit e lë të lirë regjimin pasardhës të ndjekë objektivat gjeopolitike të parealizuara nga pararendësi.

Përfundim

Studimi voluminoz “Gjykimi i papërfunduar i Sllobodan Milosheviqit” mund të thuhet se parqet një vepër shumë me interes për të gjithë studiuesit që dëshirojnë të njohin gjenezën e shpërbërjes së Jugosllavisë, të luftërave dhe krimeve kundër njerëzimit dhe të zhvendosjes së miliona njerëzve si pasojë e përpjekjes së Milosheviqit për realizimin e projektit të Serbisë së Madhe. Për më tepër, vlera e këtij studimi qëndron në faktin se libri sjell shumë detaje, dëshmi dhe prova nga arkivi i procesit gjyqësor të Milosheviqt dhe udhëheqësve të tjerë të akuzuar për krime lufte dhe gjenocid. Përpos kësaj, ky libër i kontribuon të kuptuarit të saktë dhe të drejtë se në Serbi nuk kanë pushuar përpjekjet për të përmbysur me manipulime narracionin për historinë e luftërave në Jugosllavi. Po ashtu, del qartë se luftërat dhe spastrimet etnike nuk kanë qenë thjesht pasojë e luftës, por një platformë dhe një program shtetëror për krijimin e një Serbie të Madhe, ndërsa vdekja e Milosheviqit shënon vetëm fundin e një njeriu, por jo edhe të një projekti i cili për serbët konsiderohet akoma i papërfunduar, por që lëviz në varësi të rrethanave të brendshme dhe të jashtme. Dhe krejt në fund, studimi i Nevenka Tromp shërben si një manual i autopsisë së projektit të Serbisë së Madhe dhe si një manual i domosdoshëm për të kuptuar se edhe sot elita politike serbe nuk ka hequr dorë nga projekti i Serbisë së Madhe, por që tani është i afishuar si projekt për “rregullimin e kufijve”.