Shtojca për Kulturë

Prizren, 1943: Veshja dhe bukuria e grave që çmendin Shatërvanin

Mitrush Kuteli – siç shkruan në maj të vitit 1943 – është i bindur se “një grua që di të vishet bukur, me fisnikëri e të shkelë lehtë, është një dhuratë e Zotit. Një veshje e hijëshme që plotëson bukurinë e natyrës së gruas është edhe ajo një dhuratë prej Zotit. Dhe Prizreni i ka që të dyja: Zonja e Zojusha të bukura që dinë të vishen bukur, të ecën me nur dhe veshje të hijëshme”. “Është një mbetëresh e veshur me veshjen e vendit”– shkruante Kuteli, “që çmëndi gjithë Shatrivanin. Dhe çuditem qysh duron e qëndron vendit, në trunxh mbi gur, ky Abdyl Be Frashëri i Lidhjes së Prizrenit...”.

Aspekte etnografike dhe antropologjike

Kur flasim për përshkrimet etnografike dhe antropologjike, janë dy fusha që lexuesi i has në shkrimin e Mitrush Kutelit. “Në Prizren, midis të vdekurve e të gjallëve”, të shkruar në muajin maj të vitit 1943: veshjen dhe bukurinë e grave të Prizrenit dhe më pak veshjen e burrave. Derisa për veshjen grave të Prizrenit dhe rrethinës kemi studime, për bukurinë e vajzave të këtij qyteti, për ecjet e tyre nëpër Prizren, nuk është shkruar me aq shije sa e ka bërë këtë M. Kuteli. Lexuesi do të hasë shkrime të ndryshme për pozitën e gruas shqiptare edhe nga udhëpërshkruesit e huaj, ndaj edhe për gruan prizrenase dhe pozitën e saj. Por, përshkrimi i bukurisë me aq pasion për gruan prizrenase, nga një shkrimtar i nivelit të M. Kutelit deri sot nuk më ka rënë të lexoj.

Veshja

Studiuesja e njohur, e cila një jetë të tërë ua ka kushtuar studimeve etnografike shqiptare, Drita Statovci, kur shkruan për veshjet në përgjithësi dhe veshjet popullore në veçanti, është e mendimit se veshja “është pjesa më e zhvilluar e një kulture dhe se ofron burim kryesor të informatave për jetën e njeriut”. Nisur nga ky konstatim i studiueses D. Statovci, sigurisht se edhe veshja e banorëve për të cilën ka shkruar M. Kuteli, paraqet një referencë të jetës së njeriut të Prizrenit gjatë viteve ‘40 dhe më herët.

M. Kuteli e përshkruan me këto fjalë fotografinë e një burri dhe të një gruaje të fesë katolike në Prizren, të cilën ai e has në një monument mbivarorr të një çifti bashkëshortor, të cilët, sipas autorit, janë varrosur në vitin 1880: “Kanë aty edhe fotografitë e tyre. Balta me kostumin si gjiritli, me pantallona të zeza, të gjëra; Mana në dimit e vendit”. Sot, në varrin e tyre nuk ka fotografi të cilën e përmend, sigurisht se është dëmtuar, sepse edhe varrezat e tjera të vjetra, fotot e tyre janë mjaft të dëmtuara.

Ndërsa për Filen e Ukës së Zef Toçit dhe foton e saj, M. Kuteli shkruan se “Mbi kryq fotografija e një vashe të re. Një rusp përalle, me vija fisnike, aristokrate”.

Edhe sot ne përdorim, ndonëse jo në masë të madhe, por më shumë ka mbetur si veshje ceremoniale, janë edhe “dimitë” apo “çitjan” – siç njihen sot në popull. Kjo veshje tanimë u përket të gjitha konfeksioneve në Kosovë.

Këtë veshje, dikur ishte karakteristike për femrat e këtij qyteti dhe rrethinës, origjina e të cilës është nga Turqia, e potencon edhe M. Kuteli: “Veshja karakteristike është çintjania, e sjellë prej turkut dhe e adoptuar nga gjithë elementet e vendit: myslimanë, orthodoksë, katolikë..., si bukuri zotëron, pa fjalë, veshja katholike, dimija, si i thonë zonjat e atjeshme, e plotësuar me valle, për të lidhur flokët, me parlant, e me t‘lesht që hidhet krahëve. Të gjitha me ngjyrat e forta të parverës: i kuqi shumë i kuq, i gjelbri shumë i gjelbër. Dhe të gjitha këto ngjyra të përzjera midis tyre, me trajtë lulesh e arabeske i bëjnë si një kopsht me lule që ecën, një gjylistan shëtitës që të çudit e të robëron”.

Bukuria

Si kategori estetike ekziston te banorët e Prizrenit dhe në shkrimin në fjalë zë vend të theksuar. M. Kuteli, shumë herë ndodh që së bashku me veshjen e zonjave dhe zonjushave e përshkruan edhe bukurinë e Prizrenit. Ai është i bindur se “një grua që di të vishet bukur, me fisnikëri e të shkelë lehtë, është një dhuratë e Zotit. Një veshje e hijëshme që plotëson bukurinë e natyrës së gruas është edhe ajo një dhuratë prej Zotit. Dhe Prizreni i ka që te dyja: Zonja e Zojusha të bukura që dinë të vishen bukur, të ecën me nur dhe veshje të hijëshme”. Por ka raste kur autori i përshkruan zonjat dhe zonjushat, do të thoja më shumë pasion dhe çudia e tij, kundruall bukurisë së gjinisë femërore prizrenase shkon deri në atë masë, sa të pyes vetën M. Kuteli, se si ka mundësi që shtatorja e Abdyl Frashërit të qëndroj e vendosur aty, kur para tij kalojnë zonjat dhe zonjushat e Prizrenit?! “Është një mbetëresh e veshur me veshjen e vendit”– shkruante M. Kuteli “që çmëndi gjithë Shatrivanin. Dhe çuditem qysh duron e qëndron vendit, në trunxh mbi gur, ky Abdyl Be Frashëri i Lidhjes së Prizrenit...”.

Vajzat dhe gratë e Prizrenit, sipas M. Kutelit, dalin ”për të shëtitur aty në Shatrivani, në xhamia e Sinan Pashës e gjer te Ura e gurtë me hargje venetike..., janë fort të këndëshme në të parë”.

M. Kuteli shkruan edhe për një zonjë që ka veshje evropiane të cilën e sheh duke shëtitur në Shadërvan: “Tri zonja a tri zonjusha sbresin ngadal për në ura. Ajo e së djathtës edhe ajo e së majtës, në kostume të Evropës. Veshur mirë, korekt edhe shkelin bukur. Janë dhe të hijëshme. Dhe kanë shumë fisnikëri në ecje dhe në pamje”.

Mirëpo, sipas prizrenases Filomena Laçi, “disa herë gratë e moshuara të komunitetit serb më kanë thënë, se ato u ulshim te kisha katolike dhe i shikonim gratë shqiptare katolike që dilnin nga kisha për ta parë së çfarë veshje ka dalë në Evropë”.

Image
Fotoja e Filës së Ukës e Zef Toçit

Aspekte gjuhësore

Mënyra e përshkrimit të monumenteve mbivarrore nga M. Kuteli, posaçërisht të monumenteve mbivarrore osmane, është e vështirë ta gjesh edhe një tjetër që përafërsisht ka bërë një vështrim të tillë. Dhe jo rastësisht, këto vargje të thurura me mjaft mjeshtëri, janë vënë edhe si moto të punimeve shkencore nga studiuesit tanë sot. Domethënë, se dhe sot e kësaj dite për studiuesit e orientalistikës dhe njohësit e kësaj kaligrafie, vargjet në fjalë mbeten lapidare.

Këtyre vargjeve u shtohet vlera edhe më shumë kur dihet se janë shkruar nga një njeri që nuk e njihte osmanishten, por shpreh brengën e tij pse nuk di ta lexojë këtë shkrim dhe brenga bëhet edhe më e thellë te shkrimtari, kur shprehet se ndoshta kurrë nuk do ta mësojë këtë lloj shkrimi për ta lexuar. M. Kuteli, kur ballafaqohet me këtë shkrim të monumenteve mbivarrore të Xhamisë së Bajrakut në Prizren, pa hezitim shprehet: “Do dëshëroja fort të lëçit mishkrimet, me nj‘ato fantastike kaligrafi arabe, që asnjë nga alfabetet e rigjide evropiane nuk mund t‘iu afrohet nga bukurija. Po nuk di, dhe jam i dëshpëruar se ndofta nuk do di kurrë. Megjithëkëto më pëlqen t‘i vështronj e t’i prek me gishtrinj. Sepse më duket se kur i prek me gishtrinj këto veprat e artit skulptural, i afrohesh shpirtit të artistit që i punoj”.

Në varrezat ortodokse të Prizrenit, Kuteli përshkruan edhe vajtimin e disa grave në gjuhën serbe dhe në gjuhën shqipe. Ai shkruan për një grua që vajtonte në dy gjuhë: në serbishte dhe në shqipe duke përsëritur: “dushe moje, dushe, dushe, dushe”....."shpirti im, shpirt, shpirt, shpirt.” Një tjetër i drejtohet të birit, që tretet brenda, me fjalë sërbisht-shqip: “sine-bir-o! sine-bir-o!”

Kuteli për gogët apo vllahët e Prizrenit theksonte se janë të ardhur nga rrethi i Korçës edhe i Manastirit. Për këtë konstatim, studiuesit tanë janë të mendimit se grupi i vllahëve që haset në Kosovë në aspektin dialektor “nuk duhet ngatërruar me vllehtë orthodoksë që ndeshën në Shqipëri e Maqedoni”. Është fakt se lidhur me ortodoksët dhe Kishën e Shën Shpëtimtarit dhe karakterin e saj multietnik nuk e ka potencuar askush deri më sot, përveç M. Kutelit.

Te varrezat e katolikëve në Prizren, M. Kuteli shkruan qartë për shkrimin shqip në to dhe konstaton se kjo është “Shqipe – në kohën e Turqisë dhe të Sërbisë!” Dhe me plot gojë shkrimtari e vlerëson guximin e këtij komuniteti për të shkruar në gjuhën shqipe në varreza, duke thënë: “Është ky një afirmacion shqipëtar i shkruar vendimtarisht dhe kuximtarisht..., si një nga shprehjet e ndërgjegjes kombëtare.” Shkrimtari, shënon emrat disa prej tyre që i has në varreza si: Shirokanj, Mjedanj, Balta e mana Tarabolluzi..., Filja e Ukës Zef (Toçes). Leu më 16 Tetuer 1901, diç më 29 Shtatuer 1921," etj. Pa dyshim, edhe emrat e shënuar tregojnë se janë emra shqip.

Përveç asaj që thamë më lart se M. Kuteli për gjuhën e shkruar shqipe në varreza thotë se është shqipe e kohës së Perandorisë Osmane dhe Mbretërisë Serbe, në disa vargje të mëposhtme, kur flet për Filjen e Ukës, thotë se “janë vargje mirë latuar mbi gur, me atë shqipen e vjetër të Veriut”. Dhe më poshtë shkruan se vargjet që i kushtohen vajzës 20-vjeçare të vdekur, janë të thurura në atë mënyrë, që shfaqin edhe bisedën e prindit – babait me të bijën.

“N‘kohë ma t‘mirënt‘vajznis

Filja e Ukës sod ndroj jetë;

Tuj kenë shembulli i pastris

Vllan e nanës shkoj me gjetë.”

Në fakt, edhe nga vizita që u bëra këtyre varrezave, shihet qartë se vargjet akoma janë të ruajtura, por të lexueshme janë edhe shkrimet e varreve të tjera të vjetra.

Aspekte folklorike

Sa i përket folklorit, M. Kuteli përmend dy aspekte interesante:

I pari ka të bëjë me një ngjarje të vitit 1880, ndërsa emrat e protagonistëve të kësaj ngjarjeje, autori i gjen të shkruar në varrezat katolike të Prizrenit. Është fjala për bashkëshortët Balta dhe Mana Tarabolluzin. Siç shkruan në epitaf, ngjarja ka ndodhur në Prizren, më 2 tetor 1880, si pasojë e një mosmarrëveshjeje ndërmjet Baltas dhe Manas me Destan policin. Ky i fundit paguan njerëz nga rajoni i Lumës, të cilët vijnë në Prizren dhe përleshen me armë me Baltan dhe Manan që mbesin të vrarë.

Për këtë ngjarje, M. Kuteli pyet disa njerëz në Prizren dhe ata ia japin këtë informacion për ngjarjen: “Balta ka qënë tregëtar i marth (shtëpija e tij e shembur është aty, pranë kishës katholike) dhe trim. Kish patur një grindje me Destan – policin për një gjerdhan florinjsh të lënë amanet. Destani i solli lumjanët që t’a vrasin. I rrethuan shtëpinë, natën. Balta e Mana, burrë e grua, “kan pas qit pushkë me trimëri të madhe”.

Kjo ngjarje në Prizren, pavarësisht se ka ndodhur shumë vite para se ta shënonte Kuteli, përmendej nga prizrenasit si një trimëri e pashoqe. Prandaj, popullata e Prizrenit e ka ruajtur në kujtesën e tyre këtë ngjarje, duke u thurë edhe këngën:

“Mana mush e Balta qit,

I Madhi Zot mos na korrit.

Moj Mane, moj krajlicë,

Na kallshe ç‘at dite

Se kan ardh cubat me të mbyte”.

Së dyti, kur jemi tek aspekti folklorik, autori shënon disa vargje të një kënge shqipe, të një grupi “zonjash dhe zotërinjsh katolikë që ecin ngadalë si për në dasmë. Dhe me të vërtet venë në dasmë, duke kënduar:

Qit-mi, Nan,teshat e reja,

Qit-mi, nan, se due me-i vesh,

dhe më tej:

Du me dal mun‘ ke dera...”

Por, sipas shkrimtarit, këto vargje janë të bukura, aq sa kur kalon ky grup duke kënduar, njerëzit pranë hapnin dyert dhe dritaret e shtëpive. Rrethina e Prizrenit, konkretisht treva e Opojës, edhe sot ruan një mori këngësh të dasmave, në të cilat vajzat të veshura bukur, dy ditë para fillimit të dasmës, dalin dhe i ftojnë njerëzit nëpër fshat për dasmë, apo siç njihet në këtë trevë “me grish”. Kjo ceremoni shoqërohet edhe me këngë të caktuara.

Përfundim

Kur flasim për trashëgiminë tonë dhe kujdesin tonë ndaj saj, për trashëgiminë kulturo-historike të Prizrenit në veçanti dhe në hapësirën shqiptare në përgjithësi me disa përjashtime, shqetësimi i M. Kutelit, prore tingëllon shumë aktual, kur thotë “i shkel këmba dhe i bluan koha...,”. Është fakt se deri sot një pjesë të madhe të trashëgimisë, jo vetëm të Prizrenit, por edhe të qyteteve tjera, e ka shkelur dhe po e shkel vazhdimisht këmba, po e tret koha në mungesë të një përkujdesjeje adekuate institucionale. Përshkrimi i varrezave, trashëgimisë kulturore, aspekteve gjuhësore e folklorike, janë të trajtuara, pa paragjykime. Ky përshkrim duhet të jetë edhe një model për intelektualin e sotëm shqiptar, se si duhet shikuar e kaluara shpirtërore e materiale e vendit të tij, pa dallime religjioze. Monumentet mbivarrore, të përmendura nga M. Kuteli, të cilat janë ruajtur deri në ditët e sotme, por edhe të tjerat të ngjashme për nga vjetërsia dhe vlerat kulturore etj., do të duhej që, sa më parë, nga institucionet përkatëse të merren masa dhe të futen në listën e objekteve të mbrojtura nga shteti.