Një dokument, i cili ndodhet në Arkivin Shtetëror në Stamboll, e që është botuar edhe në një përmbledhje voluminoze “Vilajeti i Kosovës në dokumentet arkivore osmane”, grumbullon të gjitha punët e burrave, nga një regjistrim i vitit 1844. Një shekull pas kësaj kohe, në Prishtinë shuhen shumë nga këto zeje, e lindin plot të tjera. “Njeriu i ri punues” i socializmit të pasluftës së Dytë Botërore i “nxori prej lojës” edhe shumë zanate të tjera
Një prej mënyrave për ta parë të plotë tablonë e zhvillimit shoqëror e ekonomik të një vendi, janë padyshim zejet e profesionet. Nevojat e njerëzve në kontekste të caktuara të kohës e hapësirës krijojnë punë e veprimtari të ndryshme.
Një kapërcim gati 200 vjet prapa nëpër zejet e qytetarëve të Prishtinës, shpërfaq pikërisht këtë, por edhe një zhvillim e një histori të këtij qyteti.
Një dokument, i cili ndodhet në Arkivin Shtetëror në Stamboll, e që është botuar edhe në një përmbledhje voluminoze “Vilajeti i Kosovës në dokumentet arkivore osmane”, grumbullon të gjitha punët e burrave, nga një regjistrim i vitit 1844. Një shekull pas kësaj kohe, në Prishtinë shuhen shumë nga këto zeje, e lindin plot të tjera. “Njeriu i ri punues” i socializmit të pasluftës së Dytë Botërore i “nxori prej lojës” edhe shumë zanate të tjera. Zanatet vazhdojnë të shuhen dita-ditës, por ka edhe aso që modifikohen, derisa nevojat e së sotmes kërkojnë lindjen e zanateve a profesioneve të reja.
Nga kopshtarët te “shkruesit”
Gati 200 vjet pas regjistrimit të popullsisë, meshkuj, dhe zejeve të tyre, në Prishtinë pothuajse shumica e punëve të atëhershme më nuk ekzistojnë. Shumë prej tyre u bënë të panevojshme me ndryshimet sociale, ekonomike e kulturore që erdhën nëpër kohë të ndryshme.
Disa edhe u inkriminuan. Për shembull, në vitin 1844 në Prishtinë do të regjistroheshin 2 kultivues hashashi. Të ardhurat vjetore të të dyve bashkë, shkonin në 603 qindarka. Të moçmit tregojnë se hashashi dikur është përdorur si mjet kurues, e ka fjalë se u është dhënë madje edhe fëmijëve për qetësim. Sidoqoftë, kultivimi i hashashit sot në shumicën dërmuese të vendeve në botë, e përfshirë edhe Kosovën, është vepër penale. Po kështu, në Prishtinën e atij viti kishte 3 persona që merreshin me prodhimin e armëve. Sot, edhe për shkak se nuk lejohet një gjë e tillë, të paktën publikisht nuk ka armëtarë.
Nga ana tjetër, llojet e punës që bëjnë qytetarët e një vendi, janë tregues i mirë jo vetëm i gjendjes ekonomike, por edhe asaj shoqërore në përgjithësi. Në këtë periudhë të fundit të gjysmës së shekullit XIX, në Prishtinë, duket se bujqësia ka qenë veprimtaria më e shprehur. E tokën e kanë punuar me shatë. Janë regjistruar 54 bujq, si dhe 48 farkues të shatave. Ka pasur edhe kopshtarë (27 burra), vreshtarë (3 të tjerë), një hambarxhi, katër barinj, 4 mullixhinj plus një tjetër person që ka pasur vetëm rolin e mbikëqyrësit të mullinjve, dy blegtorë, dy roje fushe, e 4 lopçarë.
Megjithatë, shumë burra të asaj kohe kanë punuar si karrocierë, teksa në këtë dokument janë të regjistruar 63 sosh. 25 persona të tjerë kanë lëshuar me qira qerret e tyre. Kali duhet të ketë qenë mjet kryesor i transportit e udhëtimit, por edhe i punës. Prandaj në Prishtinën e atëhershme njiheshin së paku 10 nallbanë apo mbathës të kuajve, si dhe 6 saraçë, zanatlinj që prodhon pajimet e kalit. Ishte edhe një samar-punues e 10 rojtarë kuajsh. Së paku në dy dekadat e fundit kali ka humbur si mjet transporti e pune edhe në rrethinën e Prishtinës, prandaj tek-tuk mund të gjendet ndonjë nallban, që krahas kësaj pune ka bërë edhe atë të hekurpunuesit, por s’gjendet dot saraç as samarpunues, e s’bëhet fjalë për rojtarë kuajsh. Në atë kohë, punë me hekur bënin 3 persona.
Prishtinasit e vitit 1844 duket se më shumë i kanë qepur sesa që i kanë blerë rrobat. Kjo del ashiqare nga fakti se atëbotë qenë regjistruar hiç më pak se 76 rrobaqepës, ndërsa vetëm 4 tregtarë të rrobave. Mbase kur janë shqyer i kanë riparuar vetë, meqë si profesion të parë riparimin e rrobave e kanë paraqitur vetëm dy vetë. Por, kjo veprimtaria s’përfundon me kaq, meqë njihen gjithashtu me emra e mbiemra edhe 4 zhgunaxhi, 18 gëzoftarë e 11 punues gëzofi, 1 përpunues i mëndafshit, 6 përpunues të leshit të dhisë, 2 përpunues pambuku, si dhe 2 përpunues të rripave. S’bën të harrohet edhe një riparues i tapicerive të vjetra. Në Prishtinën e sotme vazhdon të ketë numër të madh të rrobaqepësve, e disa prej tyre i kanë dhënë vetes epitetin e stilistit, për të bërë diferencën me rrobaqepësin e thjeshtë. Është një krijues stili e mode. Megjithatë, ka përmbysje të pakrahasueshme me tregtimin e rrobave, nga më të lirat e deri tek ato më të shtrenjtat.
Kështu mund të thuhet edhe për këpucëtarët. Sot në Prishtinë janë fare pak ata që riparojnë këpucë të vjetra, por edhe më pak të tillë që prodhojnë sosh. Atëherë kishte 23 opingarë, 10 këpucëtarë e 3 riparues të këpucëve. Në vitin 1844 me orët merreshin dy persona.

Rrojtoret, parfumeritë, “mbikëqyrësit e haremit”
Por kur jemi te stili, duket se edhe këtu e gati 200 vjet më parë, i është kushtuar rëndësi. Në Prishtinë atëherë ishin 21 rrojtore, por më interesant se kaq është prezenca e dy parfumerive. Kishte edhe dy punonjës hamami, nga dy banja publike sa kishte në Prishtinën e asaj kohe.
Edhe argëtimit njësoj. Sot Prishtina nuk ka cirk, por para dy shekujsh njihen të kenë qenë 6 pronarë cirku. Përveç këtyre, argëtimin e prishtinasve e kanë mundësuar edhe 7 muzikantë. Krahasimi në numra në këtë pikë, me të sotmen, është i pakuptimtë.
Kishte edhe harem, meqë në regjistrin e vitit 1844 figuron edhe emri i një personi, që profesion të parë e kishte deklaruar “mbikëqyrjen e haremit”.
Ishin pesë hanxhi apo pronarë hanesh e kishte edhe katër qehaja, që nënkupton se kishte mbase po kaq esnafe.
Takëmi është mbajtur me kafe e duhan. I barabartë ka qenë numri i atyre që kanë shitur kafe dhe i atyre që kanë grirë duhan. Nga 11 respektivisht. E duhani pihej edhe me llullë, derisa në Prishtinë kishte hiç më pak se 13 punues të llullave. Sot s’është asnjë.
Përveç llullave, punët e drurit kryheshin edhe nga dy zdrukthëtarë të tjerë e kishte edhe tetë karpentierë, si dhe një shkoptar. Në Prishtinën e vitit 1844 kishte pesë mjeshtër të përpunimit të kashtës.
Një mori zanatlinjsh merreshin edhe me ushqimin. Kishte hiç më pak se 16 bukëpjekës, dhe 3 të tjerë që ishin të specializuar vetëm për prodhimin e simiteve. Njiheshin po kështu dy kuzhinierë, 3 gjellëbërës dhe 13 kasapë apo shitës mishi. Veç kripë shisnin 4 veta, ndërsa fruta 3 të tjerë. Një person tjetër është regjistruar si shitës i një frute të veçantë, gështenjave.
Megjithatë, kishte vetëm një poçari dhe një kallajxhi. Poçarët numërohen me gishta të njërës dorë sot në gjithë Kosovën, ndërsa në Prishtinë nuk punon asnjë në këtë zeje. Më i famshmi është Luan Qukani, enët prej dheut të të cilit duket se janë kthyer në trend.
Për ngrohje, me gjasë, dominonte qymyri para drurit. Prandaj kishte 27 qymyrxhi krahas 18 druprerësve. Përkatësisht nga 2 persona merreshin me transportimin e këtyre dy lëndëve.
Kishte edhe 2 çezmaxhi dhe 15 subashë, apo ndryshe siç njiheshin mbikëqyrësit e ujit në qytet.
Sot s’ka, por atëherë ishin 3 persona që bënin tjegulla. Atëherë kishte edhe 15 çelësabërës.
Informimi në Prishtinën e vitit 1844 bëhej nga dy lajmëtarë apo tellallë, që pasi rrihnin tupanin e merrnin vëmendjen e qytetarëve në vende të caktuara, kumtonin çështje të rëndësishme që lidheshin me jetën publike në qytet. Siguria ruhej nga 12 xhandarë.
Prishtina kishte një mjek popullor të eshtrave.
Analfabetizmi ishte pothuajse absolut në shoqërinë e asaj kohe. Për shkollë shqipe s’bëhet fjalë, por edhe për mësim të shkrim-leximit kryesisht mbi çështje të fesë, kujdeseshin një mësues dhe një profesor medreseje. Në regjistrimin e popullsisë së atij viti, numëroheshin vetëm 7 nxënës. Si nëpunës që shkruanin, që njihen edhe si sekretar, ishin vetëm 2 persona.
Një informatë e përgjithshme që e sqaron më tepër kontekstin demografik të Prishtinës së atij viti, është se ishin gjithsej 1.135 shtëpi, që shtriheshin në 18 lagje. Prej tyre, 73 për qind ishin myslimanë, 26 të krishterë dhe 1 për qind hebrenj. Lagja më e madhe myslimane ishte ajo e Junus Efendiu me 117 shtëpi, e më e vogla ajo e Xhamisë së Sagirit apo Xhamisë së Vogël me 27 sosh. Pos tyre, sipas renditjes së numrit të shtëpive ishin edhe lagja e Alaudinit (109), Ramazanije (92), Hatunije (79), Jusuf Çelebiu (69), Xhamia e Kebirit apo Xhamia e Madhe (67), Lagjja e Romëve (63), Hasan Beut (54), Hasan Eminit (51), e Jararqeribashit (39), e Pirnazërit (35) dhe e Mehmet Beut (29). Lagjet e krishtera ishte ajo e Varoshit me 94 shtëpi, pjesa e krishterë e lagjes së Jarar Qeribashit kishte 41 shtëpi, lagjja e romëve të krishterë kishte 59, ndërsa 104 shtëpi të tjera të krishterësh ishin të shpërndarë në lagje të ndryshme. 6 shtëpi ishin me hebrenj.
Monografitë
Në librin “Prishtina ime”, ish-kryetari i kryeqytetit Sherafedin Sylejmani, ia kishte dedikuar një pjesë zejeve e profesioneve. Ai flet për rreth 365 dyqane zejtare, që kanë funksionuar në prag të Luftës së Dytë Botërore, që kanë qenë të ndërtuara kryesisht nga tjegullat, qerpiçi e druri, siç shkruante ai, pjesa e përparme e së cilave ishte e zbukuruar në stilin oriental dhe me qepena.
“Ekzistonin edhe të ashtuquajturat ‘baraka’, në të cilat kryesisht shiteshin cigaret, duhani, shkresat, si dhe pajisje të imta për zyre si lapsat, fletoret, zarfet, pullat postare etj.”, shkruante Sylejmani, tashmë i ndjerë.
Sylejmani përmendte edhe kujunxhinjtë, si zanatlinj që merreshin kryesisht me punimin e stolive të ndryshme, si dhe me shitblerjen e arit, argjendit dhe gurëve të çmueshëm, pastaj kazanxhinjtë, që merreshin me punimin enëve të ndryshme nga bakri e plumbi, teneqexhinjtë që prodhonin stufa e shporeta, por edhe qynga, ollukë, skara, tangarë e tenxhere nga llamarina, e për gërnçarët që ishin të shkathët në prodhimin e figurave të ndryshme, qypave e tavave nga argjila që piqej.
“‘Asurxhinjtë’ prodhonin kashtë ose thupra të thurura, të cilat shërbenin për t’i shtruar mbi dysheme, ndërsa ato më të trasha për t’i vënë mbi tavane, në mes të dy kateve gjatë ndërtimit të shtëpive. Përveç kësaj, ata thurnin edhe shporta të ndryshme, të cilat kishin përdorim të gjerë”, shkruante Sylejmani.
Si asurxhi, as nallanxhi nuk ka më në Prishtinë. Nallanexhinjtë prodhonin nallane, mbathje prej druri, derisa Sylejmani thotë se “i mbanin kryesisht gratë nëpër oborr apo gjatë larjes”. Por, jo vetëm kaq.
“Këta zejtarë prodhonin edhe sofra, si dhe fuçi për përdorime të ndryshme”, shkruante Sylejmani.
Sylejmani fliste për nallbanxhinjtë, si një grup i veçantë i zejtarëve që u vënin patkonjtë kuajve, qeve e gomarëve.
“Ky lloj shërbimi në radhë të parë shfrytëzohej nga fshatarët, meqenëse ata përdornin qerre të drurit që tërhiqeshin nga kafshët gjatë ditëve të tregut, ose kryenin shërbime të transportit si ‘pajtonxhinjë’”, shkruante ai.
Në Prishtinë kishte edhe qylaxhinj, që prodhonin plisa të bardhë, por edhe kapele të tjera si “fesat” e kuqe a të zeza, sikurse edhe pantallona të njohur si “çakshirë”.
Sylejmani tregon edhe për prezencën e “kovaçëve” (farkëtarëve) që janë edhe sot prezent, ndërsa kur fliste për zdrukthëtarët e një kohe të shkuar i vlerësonte si mjeshtër me stil origjinal. Përmendte edhe jorganxhinjtë, që “mbështillnin pambukun e përpunuar me pëlhura të bukura të satenit, të cilat me punë dore i zbukuronin me ornamente të llojllojshme”.
“Ata, gjithashtu, bënin edhe dyshekë, si dhe qepnin këllëfë të pëlhurës për jastëkë, jorganë, dyshekë dhe për nevoja të tjera të amvisërisë. Specialiteti i veçantë ka qenë, qepja e rrobave për syneti”, thoshte Sylejmani.
E, pas Luftës së Dytë Botërore, Prishtina po tentonte të ndërronte “fytyrën”. Socializmi po synonte krijimin e një njeriu të ri punues. Krahas kësaj, nën konceptin e njohur tashmë “ta rrënojmë të vjetrën, ta ndërtojmë të renë”, nuk ishte vetëm arkitektura ajo që do të pësonte ndryshim. Prishja e Çarshisë në vitin 1947, në të cilën qenë të koncentruar shumica e zanatlinjve, do të linte pasoja.
Një monografi për Prishtinën, e botuar në vitin 1959, botim i Këshillit Populluer të Komunës, e përshkruante këtë ndryshim.
“Deri para nja dhetë vjetësh Prishtina mbante vulën e nji qyteze orientale. Mirëpo, sot kjo merr gjithnji e ma tepër pamje të nji qyteti modern”, thuhet ndër të tjera në këtë monografi, që disa fjalë i thotë edhe për zejet.
“Në këto vitet e fundit disa degë të vjetra të zejetarisë janë tue u zhdukë gradualisht. Vendin e tyne po e zanë dita-ditës zejet që plotësojnë industrinë dhe shërbejnë për nevojat familjare. Kështu, gjatë vjetëve të fundit kanë fillue të zhvillohen shumë zeje moderne, të cilat nuk ekzistojshin para Luftës së Dytë Botnore. Ndër to janë zeja e shkrimjes dhe pikjes së metaleve, mekanika e përpiktë, instalimet e ujit, automekanika, punimi i fasadave, e të tjera. Po zhvillohen me nji shpejtësi të veçantë zejet e ndërtimtarisë dhe ato për shërbime të ndryshme familjare. Kuadri i kualifikuem zejtar po aftsohet nëpër shkollat e nxënësve t’ekonomis”, thuhet në monografinë “Prishtina”.