Si e para revistë e tillë me karakter institucional, “PrishtinArt” mëton të shërbejë si platformë ku artistët mund të gjejnë hapësirën, të ndajnë punën e tyre, si kontribut për skenën kulturore në kryeqytet. Krahas kësaj, ajo do të shërbejë gjithashtu dhe si kalendar i ngjarjeve kulturore në Prishtinë. Ofron reportazhe me profile të ndryshme nga arti dhe kultura, shkrime editoriale dhe guida të tipit “10 vende që duhet të vizitoni në Prishtinë” tok me reklama biznesesh
Kishte qenë ide e kahershme, e cilësuar e domosdoshme, për t’u jetësuar tek tash me synime që revista të hapë një tjetër kapitull të Prishtinës së artit e të kulturës. Është pagëzuar “PrishtinArt”, Komuna e Prishtinës qëndron prapa saj, drejtoresha e Kulturës, Arta Balaj, është themeluese dhe drejtoreshë kreative, numri i parë nuk ka temë konkrete, por njashtu sikurse logoja në ballinë – koka e Hyjneshës në Fron e ngjyrosur me spektrin e ngjyrave – shkrimet janë larushi.
Duket se në shikim të parë ky publikim synon të jetë një dritare nga e cila shihet pulsi krijues i qytetit. E shtrirë në 175 faqe, revista ngjan në botim të tipit komercial e ngjeshur me promovime biznesesh që në faqet e para, si çmim që duhej paguar, që ky projekt të jetësohej. “PrishtinaArt” si e para me karakter institucional mëton që të shërbejë si platformë ku artistët mund të gjejnë hapësirën të ndajnë punën e tyre, si kontribut për skenën kulturore në kryeqytet. Krahas kësaj, ajo do të shërbejë gjithashtu dhe si kalendar i ngjarjeve kulturore në Prishtinë. Duke pasur edhe turistët në mendje, revista vjen edhe në gjuhën angleze, duke e bërë atë të qasshme në njohjen e aspekteve kulturore të Prishtinës edhe nga të huajt. Do të gjendet edhe në aeroplanë.
Në promovimin plot opulencë, me pjesëmarrje të disa prej akterëve të skenës kulturore të kryeqytetit, ku nuk mungoi as kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës u festua numri i parë. Krahas ushqimit dhe verës që servohej për të pranishmit, pati edhe dhurata nga bizneset mbështetëse, bashkë me kopje të revistës. Të shoqëruar nën tingujt e pianos, pas fjalës së drejtoreshës së Kulturës, Arta Balaj, dhe kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, të pranishmit patën mundësinë të dëgjojnë dhe interpretime live nga këngëtarja Jehona Sopi.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ndër të tjera, ka thënë se Prishtinës i është dashur kaherë një revistë e tillë. Ka uruar e lavdëruar drejtoreshën Balaj.
“Zakonisht asgjë nuk besoj verbërisht, vetëm kur e shoh një ekip fantastik që e do me shpirt atëherë, po, çlirohem. Kryeqyteti ka talentë të jashtëzakonshëm dhe nuk e di se çka hamë apo çka pimë këtu, unë kam udhëtuar në shumë vende të botës, por një koncentrim aq të madh të talentëve në një vend të vogël si Prishtina nuk kam hasur asnjëherë. Por jam i lumtur që jam pjesë e këtij vendi e kësaj kulture që u jep frymë talentëve të rinj”, ka thënë Rama në nja pesë minuta fjalim. Ka thënë se duhet përpjekje që ky vrull i madh i veprimtarisë artistike në Prishtinë të ruhet e të mos humbet.
Në këtë revistë, hapësirë u ofrohet profileve të veçuara të personazheve të kulturës në kryeqytet, e deri tek institucionet kulturore. Armend Rexhepagiqi, Petrit Halilaj, Jehona Sopi, Besa Llugiqi, Violeta Rexhepagiqi, Rebeka Qena dhe shumë të tjerë.
Por aty nuk mungon as vetë kryetari Përparim Rama me një intervistë. Hapësirë i jepet trashëgimisë kulturore, asaj materiale dhe shpirtërore. Te “PrishtinaArt” lexuesi mund të gjejë shkrime për Eposin e Kreshnikëve, skulpturën e rezistencës, e lokalitetin arkeologjik “Ulpiana”.
Ngjarjet kulturore që shënuan vitin 2023 në kryeqytet janë po ashtu në vazhdën e promovimit të jetës kulturore në vend, teksa krejt në fund ofrohet dhe një guidë me mundësi ku vizitorët në Prishtinë mund të vizitojnë hapësira kulturore, si dhe sugjerime për restorante të ndryshme. Me një shfletim, hasen edhe gabimet drejtshkrimore. Mbi të gjitha, në “PrishtinaArt” kryeqyteti – ku as pushteti lokal e as ai qendror tash e një çerek shekulli s’e bëjnë dot një sallë koncertale – duket oazë e kulturës.
Arta Balaj, drejtoreshë e Kulturës në Komunën e Prishtinës, njëherësh iniciatore për themelimin e kësaj reviste, ka thënë se konceptin për një revistë të tillë e kishte qysh në marrje të mandatit, por për shkak të mungesës së mjeteve financiare, kishte qenë e pamundur që të realizohej para këtij viti.
“Diku në shtator e nënshkruam një marrëveshje bashkëpunimi me Unionin e Turizmit të Kosovës dhe e kemi konsideruar si mundësi të mirë që ata të na ndihmojnë në realizimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm për kryeqytetin”, ka thënë Balaj, duke theksuar se rëndësia e kësaj reviste ka qenë e madhe, për shkak se nuk ekziston asnjë e tillë e destinuar vetëm për art dhe kulturë.
Për shkak të problematikave që dolën gjatë rrugës, kjo revistë e paraparë që të publikohej në fund të vitit të kaluar si përmbyllje e vitit 2023, doli tek tash por për numrat e radhës ka plane konkrete.
“Numrat e radhës të revistës do të jenë të konceptuar të tilla që do të kemi në fokus një temë specifike çdo herë që i takon artit dhe kulturës, pastaj dhe kalendari artistik”, ka thënë Balaj.
“Një revistë frymëzuese për shpirtin krijues”, e cilëson ajo këtë botim, në editorialin e numrit të parë. Muaji maj është caktuar për numrin e dytë të “PrishtinaArt”. Do të shpalosë aktivitetin kulturor që do të ketë kryeqyteti gjatë sezonit të verës.
Synimet janë që kjo revistë të publikohet me karakter kuartal dhe të pasurohet secilën herë me njoftime dhe të dhëna të cilat kanë edhe karakter paralajmërues mbi ngjarjet e ndryshme në kryeqytet, përtej dokumentimit.
Arta Balaj tregoi dhe për planin e promovimit të kësaj reviste dhe qasjen në të.
“Në faqen e parë të revistës gjendet një QR kodi, dhe mund ta keni në formën digjitale, përndryshe do të shpërndahet falas edhe nëpër institucione publike, pastaj ‘Eurokoha’ pasi që është edhe sponsor, do t’i shpërndajë ato përmes aviokompanisë dhe do të jenë në duart e bashkatdhetarëve tanë që do të vijnë këtu, pastaj nëpër hotele, restorante, njëfarë lloj promovimi”, ka thënë ajo.
Besa Luzha, profesoreshë e muzikës e pranishme në promovim ka thënë se është e lumtur që një revistë e tillë tashmë u jetësua, sepse sipas saj, ka qenë shumë e nevojshme për jetën kulturore.
“Ne që organizojmë ngjarje kulturore, vazhdimisht kemi kërkuar diçka si një dokument, ne i bëjmë ato katalogët për festivalet tona, por disi pasi të përfundojë festivali, dikush i mban e dikush jo dhe i kanë vetëm ata që vijnë, e kjo është një revistë më e përgjithshme që i informon njerëzit, dhe shpresoj që do të vazhdojë, sepse Prishtina faktikisht po lulëzon prej ngjarjeve dhe këto ngjarje duhen dokumentuar”, ka thënë Luzha, duke e quajtur këtë revistë si iniciativë simpatike.
I pranishëm në këtë promovim të revistës ishte dhe Hektor Gjurgjiali, frontman i rock-grupit të njohur “403”, personazh edhe në numrin e parë të “PrishtinaArt”.
“Kjo revistë për Prishtinën është diçka shumë e qëlluar, është një udhëzues shumë i mirë që me e pa se çka ka në këtë Prishtinë, sepse këtu ka shumë kulturë, muzikë, art, kinematografi, njerëzit që vijnë këtu të mos ngelen vetëm në sheshe”, ka thënë Gjurgjiali.