“Këtu në Prishtinë, turqit flasin shqip dhe e quajnë veten shqiptarë. Më herët deri sa nuk ra nën Tanzimat, Prishtina e kishte pashain e saj, dhe tani këtu qëndron kajmekami nën pushtetin e të cilit ndodhet nahija e Vushtrrisë, Prishtinës dhe ajo Kaçanikut. Të gjitha këto nahije janë të përfshira në Pashallëkun e Prizrenit. Prishtina është e rëndësishme jo vetëm për shkak të rrethinës së pasur dhe të pëlleshme, por edhe për atë se ajo është qendra tregtare e Bosnjës dhe Rumelisë. Prishtina i ka rreth 15 000 banorë, dhe prej tyre një e treta janë të krishterë serbë, ndërsa midis tyre janë edhe rreth 30 familje cincare. Cincarët në Prishtinë e kanë detyruar mësuesin nga Serbia që t’i mësojë fëmijët e tyre në greqisht dhe serbisht, ndërsa në kishë predikohet vetëm greqisht”, do ta përshkruante Prishtinën e vitit 1852, françeskani kroat, Ivan Franjo Jukiq. Interesante janë edhe përshkrimet e sllavistit rus Aleksander Fjodoroviç Hilferding më 1957 dhe ato të albanologut të njohur Johan Georg von Hahn në vitet ‘60 të shekullit XIX
Se çfarë ishte Prishtina e kohës kur tashmë aty e kishte filluar përhapjen e propagandës nacionaliste antishqiptare tregtari Vasa Gjorgjeviq dhe e cila nuk dëshmohej ende, dëshmi na ka lënë françeskani kroat, Ivan Franjo Jukiq (1818 – 1857) i cili ka shkruar se në vitin 1852, në Prishtinë ka hyrë duke zbritur prej një bregu dhe siç e quan ai qyteza e Prishtinës shtrihej në një rrafshinë duke e fituar pozitën sikur të gjendej mu në mes të Kosovës. Ai më tej e ka përshkruar qëndrimin e shkurtër në kryeqendrën e Kosovës.
“Pasi arritëm këtu ishim në hall të madh dhe mezi që e gjetëm një han të lirë për të pushuar. Të gjitha hanet ishin përplot me kalorës turq të ushtrisë së rregullt që ishte vendosur këtu në tre allaje (regjimente), ndërsa në Prishtinë nuk kishte kazermë... Më në fund mbërrini çaushi që komandonte me 120 zaptitë e Prishtinës. Ai menjëherë ma bëri një kafe dhe nisi të bisedojë me mua njerëzishëm. Kështu ra nata dhe ai doli për të patrulluar nëpër Prishtinë, andaj çaushi u ndie shumë keq që nuk kishte kohë të bisedonte më gjatë me mua. Vetëm kur ai u kthye të nesërmen herët në mëngjes, prapë e vazhduam bisedën. Unë e pyesja për Prishtinën, Kosovën, Pashallëkun e Prishtinës dhe ai më rrëfente saktë. Në Prishtinë kishte disa katolikë nga Shkodra të cilët ai i ftoi që të më takonin dhe ata erdhën. Unë e luta që të ma sillte famullitarin nga Janjeva, që ndodhej tre orë larg qytezës së Prishtinës, pasi dëshiroja që t’i rrëfehesha atij. Këtu në Prishtinë kishte zanatlinj nga Janjeva dhe ata bënë çmos që ta sillnin famullitarin. Më në fund ai erdhi duke m’i sjellë 50 grosh. Famullitari ishte një burrë pesëdhjetëvjeçar. Quhej Josif Bogdani dhe ishte shkolluar në Romë në ‘Propaganda fide’. Për disa vite me radhë ai ishte famullitar në Janjevë, e cila i numëronte rreth 300 shtëpi, gjysma prej tyre ishin katolike dhe flisnin boshnjakisht, ndërsa banorët e quanin veten kiroatë. Këtu në Prishtinë, turqit flasin shqip dhe e quajnë veten shqiptarë. Më herët deri sa nuk ra nën Tanzimat, Prishtina e kishte pashain e saj, dhe tani këtu qëndron kajmekami nën pushtetin e të cilit ndodhet nahija e Vushtrrisë, Prishtinës dhe ajo e Kaçanikut. Të gjitha këto nahije janë të përfshira në Pashallëkun e Prizrenit. Prishtina është e rëndësishme jo vetëm për shkak të rrethinës së pasur dhe të pëlleshme, por edhe për atë se ajo është qendra tregtare e Bosnjës dhe Rumelisë. Prishtina i ka rreth 15 000 banorë, dhe prej tyre një e treta janë të krishterë serbë, ndërsa midis tyre janë edhe rreth 30 familje cincare. Cincarët në Prishtinë e kanë detyruar mësuesin nga Serbia që t’i mësojë fëmijët e tyre në greqisht dhe serbisht, ndërsa në kishë predikohet vetëm greqisht”.
Në vijim françeskani Jukiq, ka shkruar rreth rrëfimit që ai e ka dëgjuar lidhur me Betejën e Kosovës.
“Bashkë me mulazimin po udhëtonim për herë të parë në këtë zonë, prandaj rrëfimin e zaptisë e dëgjoja me shumë kureshtje. Ai na i tregonte vendet se në cilën anë ka qenë ushtria e Lazarit, e në cilën ajo e Sulltan Muratit. Më pastaj vendin ku Milloshi e ka therur sulltanin, bile në atë vend ishte mbjellë edhe një nishan”.

Pesë vjet më vonë, “ky ishte qyteti i Prishtinës”
Pesë vite më vonë, në verën e vitit 1857 në Prishtinë qëndroi sllavisti rus Aleksander Fjodoroviç Hilferding (Александр Фёдорович Гильфердинг 1831 – 1872).
“Në një fshat afër Graçanicës, pa ndonjë vështirësi e siguruam një qerre të kuajve dhe u nisëm drejt Prishtinës…më pastaj u ngjitëm në një breg jo të lartë ‘Veternik’ dhe prej aty e patëm rastin ta shohim tërë rrafshinën me gjithë lumin e vogël të Sitinicës që rridhte në të majtë të rrugës. Para nesh në një thellësi të gjerë, shikimi ynë u përqendrua në shumë shtëpi të vogla dhe të bukura, minare të bardha. Ky ishte qyteti i Prishtinës.
Prishtina i ka rreth 1500 shtëpi (afërsisht 1200 shtëpi myslimane dhe rreth 300 krishtere pravosllave). Qyteti është identik me qytetet e tjera të ‘Serbisë së vjetër” me shtëpi të njëjta të bëra nga qerpiçët, më së shumti të pagëlqerosura dhe të rrethuara me taraba druri… Sot në Prishtinë qëndron mudiri që është nën pushtetin e guvernatorit të Prizrenit”, ka shkruar Hilferding.
Prishtina në prag të viteve të gjashtëdhjeta të shekullit XIX
Në prag të viteve të gjashtëdhjeta të shekullit XIX, për konsullin austriak dhe albanologun e njohur Johan Georg von Hahn (1811 – 1869) Prishtina ishte një qendër e mbushur plot me ushtarë. Hahn kishte arritur në Prishtinë pas qëndrimit në Graçanicë, por mund të themi se pjesa dërmuese e shënimeve të tij gjatë qëndrimit në kryeqendrën e Kosovës ka të bëjë me fiset dhe numrin e popullsisë!
“Nga manastiri u nisëm për në qytetin e Prishtinës, rreth një orë e gjysmë në perëndim, ku kaluam edhe një herë disa lugina dhe ultësira, sepse qyteti nuk është as në rrafshinë dhe as buzë tij (manastirit), dhe nëpër të kalojnë dy përrenj që derdhën nga dy lugina dytësore, të cilët më pas bashkohen pak më poshtë…. Dymbëdhjetë minare dhe një sahat-kullë e qytetit ngrihen mbi masën e shtëpive. Zgjedhja e Prishtinës si bazë kryesore ushtarake e gjysmës perëndimore të gadishullit (Ballkanik) dhe ndoshta vendndodhja e saj ndërmjet shqiptarëve po aq të shqetësuar dardanë dhe gegë dhe fqinjësisë së xhepit të Novi-Pazarit, që është lidhja e vetme mes Bosnjës dhe pjesës tjetër të perandorisë dhe përmes së cilës serbët shpeshherë përpiqeshin t’u zgjatnin dorën malazezëve, me gjasë do të ketë qenë vendimtare në përzgjedhjen e kësaj pike qendrore ushtarake. Qyteti, pra, mbushet me ushtarë të çdo gjinie, por megjithatë Prishtina nuk është qendër administrative, por ajo është në varësi të Pashës së Prizrenit dhe është selia e një mudiri të thjeshtë. Nëpunësi aktual, një burrë i shkurtër dhe i moshuar, na kushtoi vëmendje të jashtëzakonshme, por ne nuk ramë në kontakt të afërt me autoritetet ushtarake”, ka shkruar ai.
Çatitë e shtëpive të Prishtinës të mbuluara me borë qysh më 1 nëntor
“Mëngjesin pas mbërritjes sonë (1 nëntor) pamë gjithçka të mbuluar me të bardhë, sepse gjatë natës kishte rënë borë deri në një këmbë lartësi. Dimri, pra, arriti edhe në këtë pllajë dhe sipas vendësve, zakonisht dimri ishte këmbëngulës kur u shfaqej herët, dhe për këtë arsye kishte më shumë gjasa të ashpërsohej, sesa të zbutej. Prandaj na u desh të hiqnim dorë nga plani ynë për të depërtuar nga këtu në Dardaninë malore dhe të përqendroheshim në synimin se sa më shpejt të arrinim në rajonet e poshtme në jug. Qëndruam dy ditë në shtëpinë e kryesuesit, (kajmekamit) ndonëse dhomat e errëta të shtëpisë së tij nuk ishin të përshtatshme për të përmirësuar disponimin tonë, por gjërat për ne u bënë interesante kur nëna e moshuar e kryesuesit tha se udhëtarët evropianë vijnë rrallë këtu, dhe se të fundit që asaj i kujtohen ishin dy të rinj francezë, që kishin qëndruar në shtëpinë e tyre rreth tetëmbëdhjetë vjet më parë, gjatë kohës kur bashkëshorti i saj ishte ende gjallë dhe i cili gjithashtu ishte kryesues. Kur ia përmenda emrat Boue dhe Viquesnel, ajo tha se mbante mend vetëm të parin dhe përshkrimi i saj për të ishte i saktë... Pasi që dimri na mbylli territorin e fiseve malore dardane, ne u përpoqëm të mësojmë të paktën sa më shumë për ta në Prishtinë dhe aty fillimisht mësuam ndarjen kryesore gjeografike të vendit në lindje të Fushës së Mëllenjave, në rajonin verior të Llapit dhe atë jugor të Gollakut…. Secila prej këtyre krahinave ndahet në dy nënndarje, përfundim ky i nxjerrë nga shënimi vijues: Ka 19 fshatra në Gollakun e sipërm, të cilat takimet e tyre popullore i zhvillojnë në xhaminë e Prapashticës, ndërsa 21 fshatrat e Gollakut të Poshtëm takohen në fshatin Sfircë. Nga ana tjetër, 20 fshatrat e Prishtinës bashkohen afër Orllanit dhe 22 fshatrat e Llapit në Podujevë. Prej këtij shënimi del gjithashtu se shqiptarët dardanë organizonin kuvende po aq të rregullta sa edhe malësorët në vendin amë, por fatkeqësisht nuk kishte një frat Gabriel në Prishtinë që të na përshkruante në mënyrë aq të qartë dhe shteruese natyrën e këtyre kuvendeve popullore dardane si ato në nyjën e Alpeve shqiptare. Shqiptarët dardanë, ashtu si malësorët dhe mirditorët në atdhe, janë të ndarë në fise, por dobësimi i grupit fisnor vjen nga fakti se gjakmarrja nuk është çështje fisnore, por familjare, dhe se gjakmarrja është detyrë vetëm e të afërmve të të vrarit dhe faji i gjakut bie vetëm mbi trashëgimtarin e parë të vrasësit. Por nëse parimi: ‘ai që trashëgon, hakmerret’ është absolutisht i shenjtëruar nga zakonet siç na është thënë, mbetet për t'u parë”, ka shkruar ai.

Vajzat trashëgimtare të Dediqit
“Një deklaratë tjetër në Dediq, të cilën e konfirmuan shqiptarët në Prishtinë, na tingëllonte edhe më e habitshme, përkatësisht se në mesin e tyre pasurinë e babait e trashëgon edhe vajza trashëgimtare. Pra, ajo pronë nëpërmjet martesës kalon te një fis tjetër, sepse përkundër shpërndarjes së madhe të fiseve individuale, zakoni edhe këtu nuk e lejon martesën ndërmjet anëtarëve të të njëjtit fis, gjë e cila, megjithatë, në Prishtinë mohohet të jetë një rregull i domosdoshëm dhe i padiskutueshëm. Por nëse vajza e trashëgimtarit është e aftë të zotërojë tokë dhe duhet të martohet jashtë fisit të saj, atëherë një nga atributet kryesore të fisit i mungon tashmë ndërgjegjes ligjore, pikërisht ideja e një zone të mbyllur fisnore...”. Konsulli Hahn, më pastaj ka shkruar se “në Prishtinë janë katërmbëdhjetë shtëpi emirësh, të cilët e konsiderojnë veten një degë të fisit amë me qendër në Novobërdë. Këta emirë janë të vetmit myslimanë në vend që vijnë nga Azia, ose për të përdorur termin lokal për ta, ata janë të vetmit osmanli në vend”.
Në fund duhet kujtuar se përveç tjerash qëndrimi jo vetëm në Prishtinë por edhe në viset shqiptare i konsullit austriak dhe albanologut Johan Georg von Hahn e kishte për qëllimi edhe studimin e zonave gjeografike nga pritej të ngrihej linja hekurudhore e cila do ta lidhte këtë pjesë të Ballkanit me Evropën.
Çështja e hekurudhës sidomos u aktualizua në fund të vitit 1868, kur Perandoria Osmane për këtë qëllim e dërgoi në Bruksel, Daut Pashën. Pas përpjekjeve disamujore më në fund më 17 prill të vitit 1869 u arrit marrëveshje me bankierin hebre Moritz Hirsch, që mori mbi vete ndërtimin e mbi 2000 kilometra të hekurudhës me të drejtë të ekspolatimin në afat prej 99 vitesh. Fatkeqësisht nisja e punës konkrete në ngritjen e hekurudhës u vonua për shkak të ndërskamcave tashmë të njohura ballkanike të përkrahura edhe nga qarqet qeveritare të Stambollit. Megjithatë Kosova ia pa hairin kësaj marrëveshjeje me ndërtimin e 363 kilometrave të hekurudhës, që e lidhi qytetin e Mitrovicës me Shkupin dhe portin e Selanikut.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë