Shtojca për Kulturë

Prishtina e trazuar në pranverën e vitit 1910

Përveç përshkrimit të pazarit të Prishtinës, mbresëlënëse janë edhe imazhet që francezi Francezi Gabriel Louis-Jaray i ka paraqitur duke vështruar nga ballkoni i Konsullatës së Serbisë

Përveç përshkrimit të pazarit të Prishtinës, mbresëlënëse janë edhe imazhet që francezi Francezi Gabriel Louis-Jaray i ka paraqitur duke vështruar nga ballkoni i Konsullatës së Serbisë

Në rrjedhën E kryengritjeve dhe pakënaqësive të shqiptarëve, gjendje e rëndë u krijua në Prishtinë në pranverën e vitit 1910. “Ushtria që është e kufizuar në numër është e vendosur që ta pengojë hyrjen e kryengritësve në Prishtinë. Nesër pritet ardhja e shqiptarëve të Drenicës. Në Prishtinë është shkaktuar panik i madh”, raportohej më 5 prill të vitit 1910. “Arritjes së paqes mund t´i besohet vetëm nëse Llapi qetësohet”, raportohej pesë ditë më vonë

Francezi Gabriel Louis-Jaray, duhet të ketë qenë i fundit prej të huajve që qëndroi në Prishtinën e para Luftës së Parë Ballkanike

“Qeveria dhe Komiteti i Turqve të Rinj mund të ushtronin një veprim më efektiv“, shkroi ai me të zbritur në kryeqendrën e Kosovës.

“Rreth mesditës, treni i vogël ndaloi në stacionin e Prishtinës. Me shumë dashamirësi aty më priti zëvendëskonsulli i Serbisë, nga konsullata e vetme e huaj që banon në këtë vend. Fusha mbi të cilën jam duke kaluar është dukshëm pjellore, është një tokë e bukur e zezë, e yndyrshme, e cila ndonjëherë prodhon dy kultura në vit, por pjesa më e madhe e saj është shterpë… Hyjmë në Prishtinë… Qeveria turke e kishte ende njëfarë autoriteti, por me kusht që të mos ndihej shumë”,  ka shkruar Jaray me të mbërritur në Prishtinë.

“Është natë dhe tani asgjë nuk lëviz”                      

Përveç përshkrimit të pazarit të Prishtinës, mbresëlënëse janë edhe imazhet që ky autor i ka paraqitur duke vështruar nga ballkoni i Konsullatës së Serbisë.

“Është koha kur nëpër rrugën kryesore të Prishtinës kalojnë njerëz e kafshë duke u kthyer nga puna në shtëpi. Të parat hyjnë dhitë, pastaj kopetë e deleve shtyhen dhe ngacmohen prej qenve e barinjve të vegjël, më në fund, rëndë në stallë kthehen buajt dhe më pas vijnë fshatarët duke mbajtur veglat e tyre. Në ndërkohë bie mbrëmja, përballë hanit shkëlqejnë fenerët, ndërsa kalimtarët e fundit nxitojnë dhe portat e shtëpive mbyllen. Është natë dhe tani asgjë nuk lëviz. Hëna shfaqet dhe ndriçon me dritën e saj astrale minaren e xhamisë...”

Megjithatë, qëndrimi i Gabriel Louis-Jaray në Prishtinë përputhet me kohën kur u pa qartë se përpjekjet e Turqve të Rinj për rimëkëmbje të Perandorisë Osmane nuk i dhanë rezultatet e pritura.

“Gjatë verës së vitit 1910, duke më shpjeguar këndvështrimin e qeverisë, kreu i Partisë Xhonturke i dëshpëruar më tha se të krishterët duhej t´i shihnin edhe t´i pranonin ata si ‘Qeveri të Atdheut“, ka shkruar W. F. Crawfurd-Price.

“Në raportet e mëhershme ua kam bërë me dije shpeshherë se shqiptarët e të gjitha krahinave janë të pakënaqur. Pakënaqësitë e tyre janë të orientuara kundër gjendjes që është duke mbretëruar sot. Por pakënaqësia sot është shumë më e dukshme dhe shumë më e madhe se më herët. Përmbysja që ndodhi në shtet, ndryshimi i marrëdhënieve të pushtetit në raport me qytetarët, predikimi i barazisë pavarësisht përkatësisë fetare, obligimi i përgjithshëm ushtarak, të gjitha këto ishin arsye të fuqishme të pakënaqësisë së shqiptarëve me regjimin e ri… Shqiptarët nuk mund të ishin të kënaqur me rendin e ri, edhe pse ishin të bindur se gjendja e mëparshme nuk do të zgjaste shumë. Por, më vonë kur regjimi i ri korri sukses në Stamboll, atëherë ai vazhdoi me përpjekjet  që këtu (tokat shqiptare – S. L.)  t’i kthente ato që i kishte humbur regjimi i vjetër dhe me këtë rast ai përdori dhunë kundër shqiptarëve. E tërë kjo gjendje rezultoi me shpërthimin e kryengritjeve të vërteta të shqiptarëve dhe pushteti shpeshherë u luftua nga ana e tyre edhe me armë. Pakënaqësia u rrit gradualisht dhe kulmi arriti kur Xhavit pasha në ekspeditën e ndërmarrë, rrënoi shumë kulla shqiptare dhe i burgosi figurat e njohura të shqiptarëve (ekspedita ishte e egër sidomos në krahinën e Gjakovës në verën e vitit 1909)”, e përshkruanin gjendjen raportet diplomatike në kohën kur nisi dështimi i realizmit të kauzës së Turqve të Rinj.

Pamje nga Prishtina e vjetër

5 prill 1910: Në Prishtinë është shkaktuar panik i madh

Në rrjedhën e kryengritjeve dhe pakënaqësive të shqiptarëve, gjendje e rëndë u krijua në Prishtinë  në pranverën e vitit 1910.

“Ushtria që është e kufizuar në numër është e vendosur që ta pengojë hyrjen e kryengritësve në Prishtinë. Nesër pritet ardhja e shqiptarëve të Drenicës. Në Prishtinë është shkaktuar panik i madh”, raportohej më 5 prill të vitit 1910.

“Komunikacioni me Prishtinën është ndërprerë. E vetmja rrugë e lirë është ajo drejt stacionit hekurudhor. Ushtria është pozicionuar brigjeve përreth Prishtinës dhe nuk e lejon hyrjen e askujt në qytet. Delegacioni i shqiptarëve të këtushëm tani sapo u nis drejt Llapit për t’u këshilluar që situata e tensionuar të përmbyllet me marrëveshje paqësore. Tani për tani duket se shqiptarët nuk lëshojnë pe dhe ata kanë paralajmëruar se do ta afrojnë përgjigjen përfundimtare sot në drekë. Mytesarifi i Prishtinës, beson se shqiptarët nuk do t’i pranojnë kushtet e ofruara, prandaj pritet që luftimet të nisin sonte ose më së largu nesër. Vetë shqiptarët ua kanë ndaluar fshatarëve të rrethinës që të vijnë në Prishtinë dhe mu për këtë në qytet ndihet mungesa e madhe e druve dhe ushqimit. Më në fund shqiptarët kanë pranuar që ditën e nesërme, të hënën t’i dërgojnë në Prishtinë dyzet përfaqësues të tyre që do të negociojnë me pushtetin për t’u arritur paqja përfundimtare. Por, arritjes së paqes mund t´i besohet vetëm nëse Llapi qetësohet, përndryshe situata është shumë e tensionuar”, paraqitej gjendja më 10 prill të vitit 1910 në Prishtinë dhe rrethinë.

Autonomia e Shqipërisë, fundi i “Serbisë së vjetër”

“Dje bisedova me valiun e Kosovës në Shkup. Në lidhje me Lëvizjen Shqiptare ai më tha se inspirues të saj janë personalitetet e njohura shqiptare në Selanik dhe Stamboll, të cilët kanë synime autonomiste dhe në këtë qëllim ata me shkathtësi janë duke i shfrytëzuar pakënaqësitë me gjendjen aktuale të figurave të njohura të Shqipërisë. Nëse ky është fillimi i realizimit të autonomisë së Shqipërisë, ky njëherësh është fundi i ’Serbisë së vjetër’” , thuhej në shkëmbimin e raporteve midis konsullatës së Serbisë në Prishtinë dhe qarqeve qeveritare në Beograd, në pranverën e vitit 1910.

Një ditë më vonë, pra më 11 prill në Prishtinë arriti lajmi se Gjakova tashmë kishte rënë. Po në këtë ditë nga ana e pushtetit u shpërnda lajmi se u arrit marrëveshja me shqiptarët duke u afruar detaje të tjera se “dhjetë krerët kryesorë të shqiptarëve sonte kanë mbërritur në Prishtinë për të garantuar se kryengritësit do të shpërndahen. Ata tani ndodhen në shtabin e ushtrisë dhe pushteti është duke i trajtuar si mysafirë, prandaj pritet që ata të darkojnë te komandanti i ushtrisë. Më pastaj jepen detaje se si rrodhën bisedimet në njërin prej haneve të Prishtinës.

Situata në fund të prillit

“Delegacioni i përbërë prej dhjetë shqiptarëve natën vonë midis 11 dhe 12 prillit mbërriti në Prishtinë. Fillimisht ata u vendosën në një han. Mund të vlerësohet se kryengritja shqiptare mori fund. Është me rëndësi që pushteti e ka shtyrë zbatimin e masave të rrepta për më vonë. Mirëpo, regjimi i ri në lidhje me shqiptarët ka vepruar ashtu siç vepronte ai i vjetri. Procedura e njëjtë, prolongimi dhe hamendje e njëjtë! Pra e njëjta përpjekje që problemet të zgjidhen me rrugë paqësore, por edhe nënçmim i njëjtë i pushtetit. Kur Shefki pasha (njëri prej gjeneralëve që e luftoi kryengritjen e shqiptarëve) u bind se deputacioni i shqiptarëve të Prishtinës nuk po lëshonte pe, atëherë ai e vendosi që vetë të shkonte në han (në raport thuhet banesë) ku ata po qëndronin. Ai e dërgoi lajmëtarin te shqiptarët dhe ata iu përgjigjën se ai mund të vinte, por i paarmatosur dhe nën përcjelljen e vetëm dhjetë ushtarëve, që gjithashtu nuk guxonin të ishin të armatosur. Shefki pasha i pranoi kushtet dhe u nis drejt Hanit të Vranidollit ku u prit prej delegacionit shqiptar që ishin të armatosur. Vetë gjenerali e përpiu tërë këtë turp vetëm që të arrihej paqja (13 prill). Por, ato ditë si komandant i ushtrisë për Prishtinë arriti Shefqet Turgut pasha. Në fund të prillit komandanti i ftoi në këshillim personalitetet me ndikim në Prishtinë që të ndikonin në qetësimin e situatës, ndërsa lajmet për sulmet e kryengritësve shqiptarë ndaj trenit në Kaçanik ishte shpërndarë si rrufeja”.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë