Shtojca për Kulturë

Prejardhja e shqipes dhe kontaktet me gjuhët simotra

Nëse e shohim shqipen në përqasje me gjuhët e tjera, bien në sy ngjashmëri dhe dukuri të veçanta, si rezultat i zhvillimit të brendshëm dhe ndikimit nga gjuhët fqinje. Prej burimeve potenciale, dijetarët kanë arritur të formojnë një pasqyrë sa u përket kontakteve me gjuhët e tjera, edhe pse nuk dihet saktësisht trualli gjuhësor i formimit të saj. Pra, huazimet nga greqishtja, latinishtja, gjuhët sllave, turqishtja marrin peshë të rëndësishme, sepse na japin indicie për gjendjen e gjuhës në kohën kur ato kanë hyrë

Me anë të gjuhës, shërbehemi gjatë gjithë kohës për t’i përçuar mendimet, ndjenjat, informatat etj. Për shkak të karakterit kompleks dhe nevojave, si rrjedhojë e zhvillimit socio-ekonomik, gjuhët ndryshojnë në vazhdimësi, duke i plotësuar kërkesat veçanërisht leksikore të folësve. Ndryshimet janë rrjedhojë e proceseve të brendshme, kushteve fonetike, të cilat janë pashmangshmërisht të pranishme në gjuhë. Por, kur e krahasojmë një gjuhë (p.sh. shqipen) edhe me materialin e disa gjuhëve të tjera, konstatimet e ngjashmërive na japin shtysë për t’i hulumtuar ato historikisht.

Nëse kthehemi në retrospektivë shkallë-shkallë në histori të gjuhës, rreth shek XVIII-XIX, është bërë një hap i madh shkencor, sepse janë hetuar bashkëpërkime mjaft serioze mes disa gjuhëve, që kërkojnë një shpjegim Ajo që dihet shkencërisht, falë shumë intelektualëve, është se gjuhët indoevropiane kanë rrënjë të përbashkët, që është zbuluar me anë të krahasimeve të jashtme. Ato kanë gjuhë mëmë të vetme, meqë vazhdojnë të ruajnë disa tipare të përbashkëta, edhe pse diversiteti në të gjitha sistemet dhe në krejt gjuhët e kësaj familjeje ka qenë i madh.

Një prototip i përbashkët

Megjithëse gjuhësia indoevropiane ka marrë përmasat e një shkence të konsoliduar, nuk është ndjekur trajektore e drejtë në formimin e kësaj shkence. Fillimisht, gjetjet kanë qenë intuitive, të pjesshme, pastaj janë shtuar argumentet. Mbi dëshminë e analogjive në strukturën gramatikore, e cila merret gjithmonë për bazë, meqë është më e qëndrueshme, për dallim nga leksiku që është më elastik, me argumentim, është arritur në përfundimin që këto gjuhë rrjedhin nga një prototip i përbashkët. Por, lëvizshmëria e strukturave gjuhësore ka qenë e madhe, për ç’arsye kanë lindur shumë gjuhë të diferencuara në shkallë të ndryshme. Madje edhe sot, gjuha përditësohet, pasurohet duke iu përgjigjur nevojave të vazhdueshme të folësve. Sipas Antillas, defekti kryesor i spekulimeve të shek. XIX për origjinën e gjuhës është ndarja e prerë e kulturës dhe e biologjisë nga gjuha. Pra, teoria e evolucionit, tash është aplikuar edhe në gjuhësi, duke dhënë ndihmesë në hetimin e zhvillimeve në gjuhë.

Sa i takon gjuhës shqipe, janë shkruar artikuj dhe kumtesa shkencore, ka pasur qëndrime të shumta, ndonjëherë edhe subjektive sa i përket prejardhjes, pastaj edhe vendit të saj, pra nuk është bërë gjithmonë studim shkencor i hetimit të bashkëpërkimeve e ndryshimeve të gjuhës shqipe me gjuhë të tjera. Diskutimet kryesisht flasin për prejardhjen nga ilirishtja, kompleksi iliro-trak, dako-miz, të cilat pastaj, janë zgjeruar me të tjera komplekse lidhjesh. Shpjegimet për raportet mes shqipes dhe rumanishtes kanë shtyrë të supozohet për një substrat në lidhje me kompleksin trako-dakas.

Prirjet e gjuhëve që ndryshojnë me kohë

Për çdo diskutim që lidhet me prejardhjen e shqipes, duhet një njohje e thellë e historisë së saj, edhe pse materiali shkencor që ofrohet, është mjaft i kufizuar dhe i vonë, për shkaqe historike tashmë të njohura, në krahasim me gjuhët e tjera. Duhet, pra, depërtim në të gjitha gjuhët indoevropiane. Siç potencon edhe Rexhep Ismajli, afritë gjenetike të shqipes me gjuhët e tjera IE janë më të largëta në kohë, prandaj shpesh më vështirë të identifikueshme, për shkak të shkrimit të saj të vonë. Por, sado mbi bazë evidencash të reduktuara, sipas tij, diskutimet lidhur me këto aspekte të krahasimit, kanë qenë pasionante. Në këtë kuadër, na ndihmon dokumentimi më i hershëm i gjuhëve që paraqesin më shumë afri me shqipen si: gjuhët sllave, greqishtja, gjuhët keltike, baltike, armenishtja, gjuhët gjermanike, të cilat janë burim ndihmese për caktimin e vendit të saj.

Mjaft gjykime të shprehura lidhen edhe me shqetësimin që lind fillimisht për prejardhjen e shqipes, për çka janë dhënë pikëpamje që nuk janë bashkuar në një pikë të vetme. Megjithëse studimi apo rezultatet shkencore në fushën e albanologjisë, si nga dijetarët shqiptarë e të huaj, nuk është operacion pa baza, këto vështirësi e mëdyshje e pengojnë trajtimin plotësisht të saktë të problemeve që shtrohen.

ndryshimin e shpejtë të fjalëve e të vështirë për t’u studiuar, Robert Beeks thotë se meqë fjalët e përfaqësojnë realitetin, ose, atë që ne e mendojmë si realitet, ato ndryshojnë në të gjitha mënyrat e mundshme dhe për këtë arsye, zhvillimi i një mënyre sistematike për kategorizimin e këtyre ndryshimeve është i vështirë. Gjithashtu, numri i rasave është reduktuar, disa janë mënjanuar tërësisht, si dhe faktorët fonologjikë, në rrjedhë të kohës kanë vepruar fuqishëm, p.sh. theksi është rrëgjuar, kanë ndryshuar e janë zhdukur mjaft fjalë e rrokje të patheksuara. Pra, prirjet e gjuhëve ndryshojnë me kohë, nuk janë statike dhe shtrojnë dilema për arritjen e rindërtimit të saktë e preciz të formave të mëhershme.

Pyetja se bijë e cilës gjuhë të vjetër të Ballkanit është shqipja

Kontaktet, këmbimet e gjërave të ndryshme mes njerëzve kanë ekzistuar gjithmonë, e rrjedhimisht, edhe në gjuhë ka pasur, krahas zhvillimeve të brendshme, edhe huazime gjuhësore për shkaqe pushtimi, kulture, prestigji etj.

Nëse e shohim shqipen në përqasje me gjuhët e tjera, bien në sy ngjashmëri dhe dukuri të veçanta, si rezultat i zhvillimit të brendshëm dhe ndikimit nga gjuhët fqinje. Prej burimeve potenciale, dijetarët kanë arritur të formojnë një pasqyrë sa u përket kontakteve me gjuhët e tjera, edhe pse nuk dihet saktësisht trualli gjuhësor i formimit të saj. Pra, huazimet nga greqishtja, latinishtja, gjuhët sllave, turqishtja marrin peshë të rëndësishme, sepse na japin indicie për gjendjen e gjuhës në kohën kur ato kanë hyrë.

Një çështje mjaft komplekse, e shtruar nga studiuesit më të thellë të historisë së shqipes, e pazgjidhur, e ndoshta e pazgjidhshme në mënyrë të pastër është edhe burimi i shqipes, d.m.th. pyetja se bijë e cilës gjuhë të vjetër të Ballkanit është shqipja, bashkë me problemin tjetër: Cilët qenë paraardhësit e shqiptarëve? Errësia e mosnjohja shkencore e këtyre përgjigjeve shtron dilema për të përcaktuar më mirë rrethanat dhe ligjësitë e zhvillimit të gjuhës sonë. Çështjet problemore nuk mund të kenë përfundime kompakte të arsyetuara mjaftueshëm. Përgjigjja e këtyre pyetjeve është e rëndësishme për përcaktimin e vendit të shqipes në kuadrin indoevropian.

Hipoteza mbizotëruese është prejardhja e shqipes nga ilirishtja. Sipas kërkimeve, edhe pse nuk dihet me saktësi, ilirët në epokën greko-romake kanë banuar në lindje të Adriatikut. Ata shtriheshin nga Istria e gjer te kufijtë e Adriatikut me Detin Jon. Krejt çka përfshijnë burimet e mbetura, janë emrat e vendeve, personave, disa fjalë me kuptime greke e latine që janë mbledhur nga Hans Krahe. Gjuhëtarët që përkrahin origjinën ilire janë: Meyeri, Thunmani, Hahni, Pederseni, Bartolii, Cimohovski. Ka pasur teza për prejardhjen dako-meze (Georgievi), trakase, iliro-trake etj.

Siç thotë Çabej, karakteri indoevopian i shqipes duhet të kuptohet drejt, në këtë vështrim, jo gjithë pasuria gjuhësore e saj rrjedh nga fondi i trashëguar. Do të thotë se shqipja me kohë ka humbur nga indoevroianishtja, duke u plotësuar leksikisht nga huazimet dhe krijimet vetjake.

Kështu, gjuhëtarët janë përpjekur t’i veçojnë shtresat e elementit të trashëguar dhe atij të huaj.

Bashkë me këto, ngrihen probleme të pafundme, që do të mbetet mister, sepse është e vështirë të përcaktohen kufijtë e leksikut vetjak dhe të huazuar. Nëse e analizojmë, do të gjejmë ngjashmëri të qarta me gjuhët lindore e veriore në të gjitha sistemet, jo vetëm në leksik.

Interes për gjuhëtarët kanë paraqitur bashkëpërkimet me rumanishten që nuk janë thjesht leksikore, madje kanë fjalë që paraqiten vetëm te këto dy gjuhë, me përmbajtje dhe forma fonetike të ngjashme. Sipas disa gjuhëtarëve, siç sqarohet edhe nga Demiraj (1986), këto fjalë e kanë burimin te ndonjë gjuhë e vjetër e Ballkanit (hipoteza e substratit). Sipas disa të tjerëve, ato e kanë burimin te gjuha e shqipe, nga e cila janë marrë kur kontaktet mes këtyre dy gjuhëve nuk ishin ndërprerë nga dyndjet e sllavëve në Ballkan. Kjo e fundit, me të drejtë, nuk është pranuar nga shumë studiues seriozë, meqë shqipja gjithmonë ka qenë gjuhë inferiore në raport me gjuhët fqinje. Të gjitha këto duhen parë me kujdes, meqë në një masë, shqipja përfaqëson gjendjen e trashëguar, por ka edhe zhvillime karakteristike të gjalla.

Epokë e re në çështjen e afrive të shqipes me gjuhët e tjera

Epokë e re në çështjen e afrive të shqipes me gjuhët e tjera është hapur me artikullin e Gustav Meyerit “Vendi i shqipes në rrethin e gjuhëve indogjermane”(1883), i cili e kishte ndarë pasurinë vetjake të shqipes nga elementet huazuese, e gjithashtu kishte bërë analizë të sistemit fonetik. Ai arriti në përfundimin e argumentuar bindshëm dhe të pranuar nga albanologë të rëndësishëm (Pederseni, Jokli, Cabej, Hamp, Desnickaja etj), se “shqipja është një gjuhë indoevropiane lindore dhe njëkohësisht, gjuhë indoevropiane veriore”.

Si gjuhë lindore e bëjnë reflekset e palataleve indoevropiane në spirante s,z,th,dh, kurse veriore (me baltishten, sllavishten, gjermanikishten) e bën refleksii i o-së indoevropiane në a (noctis-natë, ostis-asht), zhdukja e perfektit me dyfishim. Edhe pse Meyeri disa forma foljore i lidhi me latinishten, Pederseni ia preu udhën këtij pohimi, duke e vërtetuar shkencërisht se ndikimi i latinishtes në këtë sistem është baraz me zero.

Por, Pederseni vuri në pah edhe lidhjet e shqipes me armenishten, që do të thotë se u kombinuan lidhjet edhe me gjuhët jugore, madje edhe me greqishten. Kurse Barici e afroi shqipen me kompleksin trako-frigo-armenas, bazuar në lidhjet me armenishten. Kështu, u komplikua mjaft çështja e vendosjes së shqipes në djepin indoevropian. Ndërsa Çabej solli një modifikim, duke thënë se: shqipja është gjuhë satem, me lidhje të veçanta me gjuhët veriore dhe jugore (greqishten dhe armenishten).

Ismajli, lidhur me këto paqartësi thotë: Kjo mbase do të supozonte një afërsi gjeografike të hershme me gjuhët veriore dhe një tjetër pak më të vonë me jugoret. Mbetet megjithatë të shpjegohet më mirë çështja e afrisë me keltishten, latinishten, e ndonjëherë madje edhe me indoiranishten e tokarishten. Pra, konstatimet e dëshmuara e shpien shqipen me lidhje të shumanshme dhe rrjedhimisht, qartë kriteri që merret parasysh për caktimin e vendit të saj me saktësi e lidh atë me grupin satem dhe me gjuhët balto-sllave.