Shtojca për Kulturë

Prapaskena e përplasjes austro-hungareze e serbe në Kosovë

Kur më 17 tetor 1912 filloi Lufta e Parë Ballkanike midis Lidhjes Ballkanike, përfshirë Serbinë dhe Perandorisë Osmane, njësitet e ushtrisë së 3-të serbe përparuan me shpejtësi në Vilajetin e Kosovës. Ata hynë në qytetin e rëndësishëm të Prizrenit më 30 tetor 1912. Më shumë se tre javë nuk pati informacione të sakta për gjendjen e konsullit Prochaska, pasi ai mbahej i izoluar në mënyrë që t’i pamundësohej të raportonte për mizoritë serbe ndaj civilëve shqiptarë. Çështja Prochaska mbartte implikime më të thella për përpjekjet austro-hungareze për të penguar serbët, ngaqë, pos territoreve të deriatëhershme të pushtuara, synohej të aneksohej pjesa më e madhe e Shqipërisë së bashku me disa porte shqiptare në Adriatik

Oskar Prochaska, diplomati me origjinë nga qyteti çek i Bërnos, dikur qytet i shtetit perandorak austro-hungarez, shërbeu si konsull i Austro-Hungarisë në qendrën e rëndësishme politike administrative të Vilajetit të Kosovës, në Prizren (1902-1912). Për shkak të trajtimit brutal nga trupat pushtuese serbe në nëntor 1912, të cilave u pengonte prania e një diplomati evropian, i cili kishte alarmuar Vjenën zyrtare për masakrat mbi shqiptarët e pambrojtur, rasti Prochaska mori dimensione ndërkombëtare dhe ky incident solli Austro-Hungarinë dhe Serbinë në prag të një lufte evropiane në kohën kur po zhvillohej Lufta e Parë Ballkanike në nëntor të vitit 1912. Kur më 17 tetor 1912 filloi Lufta e Parë Ballkanike midis Lidhjes Ballkanike, përfshirë Serbinë dhe Perandorinë Osmane, njësitet e ushtrisë së 3-të serbe përparuan me shpejtësi në Vilajetin e Kosovës. Ata hynë në qytetin e rëndësishëm të Prizrenit më 30 tetor 1912. Më shumë se tre javë nuk pati informacione të sakta për gjendjen e konsullit Prochaska, pasi ai mbahej i izoluar në mënyrë që t’i pamundësohej të raportonte për mizoritë serbe ndaj civilëve shqiptarë.

Synimi serb për ndarjen e Shqipërisë

Çështja Prochaska bartte implikime më të thella për përpjekjet austro-hungareze për të penguar serbët, ngaqë, pos territoreve të deriatëhershme të pushtuara, synohej të aneksohej pjesa më e madhe e Shqipërisë së bashku me disa porte shqiptare në Adriatik. Në këndvështrimin austriak, synimi serb për ndarjen e Shqipërisë ishte mohimi i parullës së saj fillestare “Ballkani i popujve të Ballkanit”, pasi ajo tani po pretendonte të aneksonte një territor të një popull tjetër, me të cilin nuk kishin asgjë të përbashkët. Çështja e Adriatikut shqiptar ishte e rëndësishme për Vjenën në rrugën e saj drejt Otrantos dhe për ushtrimin e ndikimit në Ballkanin Jugperëndimor. Në këtë kuptim, ajo e shihte me dyshim ndërhyrjen e Rusisë në Ballkan dhe sidomos bashkërendimin e saj në Serbinë. Në këtë rrethanë u krijua në mënyrë të planifikuar çështja e konsullit Oscar Prochaska, i cili ishte një diplomat me eksperiencë në fushën e diplomacisë, por përplasja me ushtarakët serbë ndodhi pasi ai përfaqësonte një shtet kundërshtar për Serbinë dhe njëkohësisht ishte një dëshmitar ndërkombëtar i krimeve dhe masakrave serbe në Vilajetin e Kosovës, përkatësisht në Prizren. Në një raport të konsullit Prochaska, lidhur me sjelljen e trupave serbe në Prizren, konsulli Prochaska i raporton Vjenës se gjatë marshimit të trupave serbe në Ferizaj më 24 tetor 1912, te Caraleva ishte ndaluar post-kavazi i Konsullatës austro-hungareze në kundërshtim me të drejtën themelore ndërkombëtare dhe i ishte marrë posta e stampuar (vulosur) me shkresa dhe dokumente të tjera, e cila po i dërgohej konsullatave të tjera austro-hungareze. Siç shkruan edhe konsulli austro-hungarez në Beograd, Ugron, serbët i kishin gjetur kavazit (rojës) së Konsullatës në Prizren edhe një letër private të konsullit, në të cilën ai kishte përshkruante “fill e për pe barbarizmat serbe.”

Në të njëjtin raport, Prochaska raportonte në Vjenë se pasi kalorësia serbe më 30 tetor kishte hyrë në qytet dhe në ditët vijuese kishte ngritur flamurin serb mbi kalanë e qytetit, disa ditë më pas në Prizren kishte arritur edhe gjenerali famëkeq Jankoviq me ushtrinë e tij të madhe dhe një numër të konsiderueshëm vullnetarësh, më 10 nëntor e kishin rrethuar ndërtesën e Konsullatës së Austro-Hungarisë, si dhe konsullin Prochaska e kishin kërcënuar me demonstrata dhe në të njëjtën kohë, komandantit serb të Regjimentit 11 të Infanterisë nuk do t’i lejohej akses askujt, pos zyrtarëve dhe personelit tjetër zyrtar. Më pas, rojet serbe kundër vullnetit të konsullit Prochaska ishin vendosur brenda shtëpisë së kavazit dhe pastaj sekuestruan shtëpinë me urdhër të një oficeri, i cili herë pas here hynte në shtëpi. (HHStA P.A.XII – 415 Türkei Liasse XLV/5 Balkankrieg).

Në këtë mënyrë, autoritet okupuese serbe pamundësuan punën normale të Konsullatës së Austro-Hungarisë dhe të konsullit Prochaska dhe në të njëjtën kohë me prezencën e tyre synonin të mbanin larg komunikimin mes udhëheqësve lokalë shqiptarë, si dhe kërkimit të ndihmës nga popullata civile shqiptare, e cila po përndiqej në mënyrë më të egër dhe brutale.

Ndaj këtyre sjelljeve, konsulli Prochaska, pos që protestoi drejtpërdrejt dhe verbalisht me ushtarakët serbë, më 10 nëntor ai u dërgon dy nota zyrtare gjeneralit serb, njërin lidhur me rastin e marrjes së dërgesës postare dhe tjetrën për çështjen e protektoratit kulturor. Pavarësisht këtyre protestave, autoritetet serbe, të nxitura edhe nga pala ruse, vazhduan me brutalitetin e tyre dhe injorimin e kërkesave të palës austro-hungareze. Madje në mbrëmjen e së njëjtës ditë, një oficer dhe 40 ushtarë serbë në oborrin e Kishës Katolike dhe nën kërcënimin me bajoneta dhe thirrjes “Poshtë Austria”, “Poshtë Gjermania” do të kërkonin gjoja njerëz të fshehur aty. Por, pas denoncimeve që kishte bërë Prochaska, më 20 nëntor, autoritetet ushtarake i kishin dhënë një përgjigje gojore me tone të njohura demagogjike, pikërisht ashtu siç bëjnë edhe në ditët e sotme.

“Hetimet për çështjen e Kishës kanë rezultuar se deklaratat e mia janë të pavërteta, gjë që duket edhe nga deklaratat e klerikëve në procesverbal. Gjenerali u mërzit shumë për ankesat që i kisha bërë, pa i verifikuar ato paraprakisht”, thuhet në raportin e konsullit Oscar Prochaska dërguar eprorëve të tij në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Vjenë. Ndërsa, sa i përket ankesës së tij për rastin e materialeve të postës zyrtare, gjenerali serb e konsideronte atë triviale, gjëra që ndodhin në luftë si rrjedhojë e pakujdesisë. Veç kësaj, gjenerali serb kishte deklaruar se kishte dëshmi në duar (gjoja letra), se ai kishte bërë një pakt me shqiptarët për kundërshtimin e ushtrisë serbe.

Loja demagogjike e autoriteteve ushtarake serbe

E gjithë kjo lojë demagogjike dhe presion i autoriteteve ushtarake serbe ndaj Konsullatës së Austro-Hungarisë në Prizren bëhej edhe pretekstin se ishin pezulluar të gjitha kapitulacionet dhe të drejtat dhe protektorati konsullor. Në këtë kuptim, Beogradi dëshironte që situatën e fakteve të kryera në Vilajetin e Kosovës, edhe pse në rrafshin e të drejtës ndërkombëtare këto territore konsideroheshin si pjesë të shtetit osman.

Sipas këtij skenari të përgatitur, ushtarakët serbë pohuan se Prochaska dhe bashkëpunëtorët e tij qëlluan mbi ushtrinë e tyre. Kjo ishte shumë e pamundur, meqë Prochaska ishte një diplomat i sprovuar me përvojë të gjatë në Ballkan. Serbët, po ashtu, bënë akuza të tjera se konsulli hungarez në Prizren, Prochaska, kishte agjituar në mesin e popullatës shqiptare që ajo duhej të mos u dorëzohej serbëve. Në shtypin e Beogradit po ashtu hidheshin poshtë raportimet e konsullit Prochaska mbi mizoritë e ushtrisë serbe mbi shqiptarët, duke u justifikuar se këto praktika nuk “i përgjigjen as karakterit kombëtar të serbëve dhe as ata të stërvitur dhe kanë disiplinë ushtarake”. Sipas dokumenteve dhe akteve të kohës, të cilat ndodhen në arkivin e ish-Ministrisë së Jashtme të Austro-Hungarisë, konsulli Prochaska gjatë detyrës së tij nuk i nënshtrohet kërcënimeve të autoriteteve ushtarake serbe dhe me një vullnet dhe vendosmëri te jashtëzakonshme, duke shfrytëzuar eksterritorialitetin e Konsullatës austro-hungareze në Prizren, u del në ndihmë civilëve shqiptarë, para së gjithash grave dhe fëmijëve, të përndjekur nga ushtria serbe. Pavarësisht kësaj dhe parimit të eksterritorialitetit që i njihte e drejta ndërkombëtare dhe përkundër rezistencës së konsullit Prochaska se “kjo pronë është zonë neutrale dhe se të gjithë të pranishmit aty gëzonin mbrojtjen e Monarkisë austro-hungareze dhe se mbi këto mure valon flamuri austro-hungarez dhe ai i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar”, ushtarët serbë me arrogancë u përgjigjën “përse këto fjalë të kota”. Kjo sjellje tregonte se ushtarët serbë kishin urdhra për të mos përfillur parimin e ekstra-territorialitetit mbi diplomatin dhe ndërtesën e misionit konsullor, sipas të cilit, ndërtesa e misionit gëzonte paprekshmëri dhe si e tillë askush nuk mund të hyjë brenda.

Image
Oskar Prochaska, konsull austro-hungarez në Prizren, i cili u bë cak i serbëve pasi pushtuan Kosovën, më 1912

Por, sipas raportimeve që dolën edhe në mediat e atëhershme vjeneze, ushtarët serbë nuk u ndalën, përkundrazi morën urdhër nga udhëheqësi i tyre për të hyrë me forcë në ambientet e konsullatës dhe terrorizuan civilët shqiptarë, gra, fëmijë dhe persona të lënduar të cilët po mjekoheshin aty. Sipas dëshmive të kavasit të dytë të Konsullatës (kavas është një emër historik për një oficer policie osman ose roje e ambasadave apo konsullatave dhe që njihen edhe nga veprat e autorit gjerman Karl May), më pas ushtarët serbë depërtuan mes thirrjeve dhe thirrjes fyese ndaj Austro-Hungarisë, shembën dyer, si dhe depërtuan brenda në ndërtesë së Konsullatës, pavarësisht protestës solemne të konsullit kundër këtij akti të dhunshëm të ushtarëve serbë.

”...fisi i Lumës do të shfaroset krejt, me gra e fëmijë”

Gjatë këtij aksioni të planifikuar, “ushtarët serbë kishin plaçkitur edhe arkivin e Konsullatës, si dhe i kishin djegur të gjitha shkresat zyrtare, si dhe i kishin vjedhur të gjitha paratë dhe gjësendet me vlerë dhe e gjithë Konsullata ishte demoluar nga themeli deri në kulm. Konsulli, sekretari dhe unë (Kavazi: shënim S.U.) u dërguan në kampin serb, ku u mblatëm si robër”, raportonte dy muaj pas ngjarjes gazeta “Volksblatt für Stadt und Land”. Në këtë mënyrë, konsullit Prochaska do t’i pamundësohej komunikimi me qeverinë e tij në Vjenë. Por, pas kërkesës së tij, Prochaska ishte liruar nga paraburgimi dhe me ndihmën e kavazit të tij ia kishte dalë të dilte në mal dhe prej andej me ndihmën e shqiptarëve pas shumë ditësh kishte arritur të shkonte në Shkup. Lidhur me sjelljen e ushtrisë serbe ndaj konsullit Prochaska në Prizren dhe popullatës shqiptare, flet edhe raporti i konsullit austro-hungarez nga Shkupi, Heimroth (27 nëntor 1912), i cili njofton Vjenën se ka marrë informacione nga konsulli Prochaska “për hyrjen e serbëve në kishën katolike në Prizren dhe poshtërsitë e tyre”, për “përcjelljen e konsullit me domate të kalbura, gurë, fjalë të ndyra... prej zuzarëve të nxitur nga oficerët serbë”. Ndërsa mbi ngjarjet e tjera të ndodhura kohët e fundit, Heimroth mes të tjerash shkruan: “Pasi ushtarët serbë ishin nisur nga Gjakova e patën shkelur anembanë Mirditën dhe ushtarët e divizionit të Shumandisë kishin vajtur nga Prizreni për në Bicaj, më 15 të këtij muaji, lumjanët nën komandën e Isa Boletinit, që ka marrë me vete dhe 4 topa, ngritën krye papritur e pa kujtuar”, duke shtuar se në takimin e klerit katolik me gjeneralin serb, më 21 nëntor, ushtaraku serb kishte deklaruar se “sa u përket lumjanëve, ai ka marrë urdhër që fisi i Lumës do të shfaroset krejt, me gra e fëmijë.” Në këtë telegram dërguar Vjenës, që mbështetet në shënimet e konsullit Prochaska, nënvizohet se barbarizmat ende vazhdojnë në Prizren, çdo ditë burgosen shumë njerëz dhe pa iu bërë gjyqi po vriten natën dhe se në qytet gjenden qindra kufoma të pavarrosura ende. “Komitët ‘bëjnë pallë’ nëpër fshatra si ujku në stan pa bari”. Disiplina po shthuret aq tepër sa grabitjet e plaçkitjet janë bërë në rend të ditës. Ndonëse punët kanë arritur deri në këtë shkallë, komandanti i qytetit, me kobure në dorë, e shtrëngoi këshillin e bashkisë për t’i nisur mbretit Pjetër një telegram falënderimi dhe për t’i kërkuar lirimin e vendit të tyre. Këtë gjë u shtrënguan ta bëjnë edhe katolikët. Atë ditë që unë u nisa, ata detyruan përdhunshëm mbajtjen e një meshe falënderimi sepse Zoti i çliroi. Në vendin e priftërinjve ishte krekosur gjenerali serb”, thuhet në raportin e lartpërmendur.

Largimi i detyruar i konsullit

Në këtë rrethana, Prochaska kishte vendosur që më 23 nëntor të largohej së bashku me dragoman Vuçaj dhe kavazin Ibrahim, të cilët po ashtu ishin kërcënuar me vdekje dhe mbikëqyrja e godinës së Konsullatës mbretërore dhe perandorake, si dhe godinës italiane dhe aktives dhe çështjet e tjera të mbetura do t’i besoheshin zyrtarit të nderit, Sanzin. Më pas në marrëveshje me komandantin e ushtrisë serbe ishte arritur marrëveshja që më 24 nëntor të largohej për në Shkup në shoqërim të një ushtari serb dhe 6 kavaleristve, si dhe 2 infanterë për karrocën dhe bagazhin e tij. Siç rrëfen konsulli Prochaska, në ditën e largimit të tij të detyrueshëm nga Prizreni, “në rrugën kryesore nga Kisha Katolike e deri te rruga e gurit të Bistricës ishte vendosur popullata serbe si në kafaz, në mesin e tyre edhe ushtarë dhe pjesëtarë të bandës, të cilët zhurmonin dhe thërrisnin “Poshtë Austria” , “Poshtë Gjermania”, Rroftë Bosnja e jonë”. “Ndërsa djemtë adoleshentë vraponin pas karrocave të mia dhe hidhnin kanoçe, kazan bakri, shkopinj, gurë, koka lakre e të ngjashme. Po ashtu, edhe kundër karrocës tjetër të dragomanit u protestua. Para karrocës qëndronin dy ushtarë, të cilët nuk bënë asgjë për t’i penguar demonstruesit“. Sipas një telegrami drejtuar Vjenës nga konsulli austro-hungarez në Shkup, Hemroth, mësohet se më në fund më 27 nëntor 1912 bëhej e ditur se konsulli Prohaska kishte arritur në Shkup dhe se ishte takuar edhe me konsullin Edel, i cili ishte caktuar nga Vjena që të shkonte në Prizren për të hetuar në vendin e ngjarjes çështjen e konsullit Oscar Prochaska.

Kjo ikonografi dhe dalldi nacionaliste serbe, e cila ka qenë prezente në Kosovë gjatë gjithë shekullit XX e deri më sot, pa dyshim e kishte qenë dizajnuar politika zyrtare në Beograd, të cilët i pengonin diplomatët e huaj, sidomos ata austro-hungarezë, për shkak se Vjena zyrtare ishte një nga qendrat kryesore evropiane që mbështeste idenë e krijimit të shtetit shqiptar dhe mbetej barrierë e depërtimit serb në Shqipërinë veriore dhe daljen në Adriatikun shqiptar. Se kjo mënyrë e dëbimit e konsullit Prochaska ishte skenar e përgatitur nga lartë, tregon dëshmia e tij se ai deri atëherë “me serbët në Prizren kishim pasur gjithmonë raporte të mira. Vetëm se urrejtja, e cila u inskenua kundër meje, nëse nuk më ka vënë direkt në pozitë të vështirë, një ngjarje e tillë indirekt më ka dëmtuar”.

Është e qartë se gjithë situata e krijuar me konsullin Prochaska edhe një lloj hakmarrje e autoriteteve ushtarake serbe për shkak të raportimeve të konsullit austro-hungarez për eprorët e tij në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Vjenë për atë çfarë kishin ushtarët serbë me rastin e hyrjes në Prizren, ku megjithëse nuk ishin zhvilluar luftime kishte ndodhur një kasaphanë në Prizren mbi popullatën shqiptare duarthatë nga ushtria serbe nën komandën e gjeneral famëkeq Jankoviqit.

© KOHA Ditore

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë