Shtojca për Kulturë

Pranverë e vitit 1901: Shekulli i ri me halle të vjetra

Prishtina në vitet e para të shekullit XX

Prishtina në vitet e para të shekullit XX

“Prishtina e cila është një nga qendrat më të rëndësishme ma la një përshtypje jashtëzakonisht të keqe e të trishtueshme. Nuk është kënaqësi e as gëzim të shëtisësh nëpër këtë qytet, kur shikon majtas e djathtas njerëz të rreptë, të gjatë, me fytyrë ngjyrë bronzi, me plisa të bardhë në kokë, që vjedhurazi shikojnë me bisht të syrit dhe kanë tipare sikur ato të djallit në ferr...“, shkruante prozatori dhe gazetari rus Aleksandar Valentinoviç Amfiteatrov, i cili erdhi në Vilajetin e Kosovës me mision

“Në pranverë të vitit 1901, komandat i xhandarmerisë në Prishtinë u emërua bimbasha Sherif beu i lindur në Gjakovë. Vetëm pak muaj pas marrjes së postit, prishtinasit nisën të ankoheshin. Ankesat vinin sidomos prej pakicës joshqiptare”, ka shkruar gazetari e emisari serb, Pera Todoroviq.
Ndonëse rrethanat dhe kushtet e jetesës për nënshtetasit e krishterë që nga Tanzimati kishte ecur në kahe pozitive, qarqet zyrtare ruse, por edhe ato në fqinjësinë e shqiptarëve, tanimë gradualisht kishin fituar terren veprimi, prandaj edhe duhej të shfrytëzohej çdo trysni që faktori ndërkombëtar e ushtronte mbi qeverinë osmane në favor të kinse përmirësimit të jetës së krishterëve në Turqinë Evropiane.

Reformat në Turqinë Evropiane dhe refuzimi i të krishterëve

Kështu në gusht të vitit 1902 madje vetë pushteti i Stambollit nisi të flasë për reformat në Turqinë Evropiane, ndërsa qysh më 1 dhjetor sulltani e bëri publike iraden mbi fillimin e zbatimit të tyre. Qeveria osmane më pastaj e emëroi Hilmi pashën si inspektor të vilajeteve të Rumelisë dhe njëra prej detyrave kyçe ishte reformimi i xhandarmerisë, pasi në formacionet e reja pritej të përfshiheshin edhe të krishterët, kuptohet në përputhje me rrethanat lokale të çdo vendbanimi. 

“Në fakt, emërimi i Hilmi Pashës ishte mjaft i djallëzuar. Për shembull nëse prefektët dhe guvernatorët e ulët (kajmemakamë dhe mytesarifë), në vend që të raportonin për ngjarjet në vendet përkatëse nëpërmjet valinjve, ata tani ishin në marrëdhënie të drejtpërdrejta me Hilmi Pashën. Ndërsa vetë ai ishte i rrethuar me spiunë, dhe komandantët ushtarakë ishin veçanërisht të shqetësuar për të kufizuar autoritetin e tij. Pra, me emërimin e inspektorit të vilajeteve, u krijua njëfarë rrëmuje e ndërlikuar, por megjithatë ajo ia mundësonte sulltanit që të ndihej absolutisht i sigurt edhe pse prezenca e Hilmi Pashës në hapësirat e vilajeteve ishte e kufizuar. Ai e kalonte kohën midis Shkupit, Selanikut dhe Manastirit, duke e ndarë kohën në tre ose katër muaj në secilën prej këtyre qendrave të mëdha administrative”, shpreheshin njohësit e rrethanave në Ballkanin e atëhershëm. Megjithatë, sipas tyre ardhja e Hilmi Pashës si inspektor, i defaktorizoi valinjtë ekzistues sepse ata mbetëm të papunë dhe e kalonin kohën duke luajtur lojëra të ndryshme si shah dhe shprehja më e shpeshtë që dëgjohej midis përfaqësuesve të pushtetit ishte  “yavash, yavash”. 

Për çudi përkundër garancive të afruara të ndërkombëtarëve në favor të reformave “të krishterët refuzuan të përfshiheshin në forcat e reformuara të xhandarmerisë dhe numri i atyre që ishin të gatshëm të vishnin  uniformën në disa pjesa të Vilajetit të Kosovës thuajse ishte simbolik”. 
“Pardje Hilmi Pasha mu vërsul duke më akuzuar për refuzimin e të krishterëve që të përfshiheshin në radhët e zaptive. Pashai më tha se në Preshevë një i krishterë pa kurrfarë kundërshtimi pranoi ta vishte uniformën e zaptisë, duke deklaruar se ishte serb, por njëkohësisht pushteti e kishte refuzuar përfshirjen e dy të krishterëve të tjerë, po ashtu në Preshevë që kishin deklaruar se ishin bullgarë”, raportonte konsulli serb në nga kryeqendra e Vilajetit të Kosovës, Shkupi në shkurt të vitit 1902. Vlen të theksohet se në këtë kohë pushteti qendror kishte ndarë para për ndërtimin e rrugës Preshevë – Gjilan edhe pse nuk janë dhënë detaje se në cilin drejtim do të hapej rruga.

“Stambolli dha leje për ndërtimin e kishës serbe në Prishtinë”

Megjithatë, refuzimi i të krishterëve dhe atmosfera e përgjithshme në Vilajetin e Kosovës por edhe në Prishtinë, duhej të instrumentalizohej edhe me tepër, pra ashtu siç e kërkonin rrethanat edhe aq më tepër kur në shprehje vinte opinioni rus. 

Kjo çështje i ra hise prozatorit dhe gazetarit rus, Aleksandar Valentinoviç Amfiteatrov (1862 – 1938), i cili qëndroi në Vilajetin e Kosovës, përgjatë vitit 1903 mu atëherë ku qëndrimet rreth reformave ishin në antagonizimin më të madh.  

“’Në male nuk ka kush t’i lexojë fermanët!’,  thotë krenarisht një proverb shqiptar“, shkruante Amfiteatrov, duke iu kthyer çështjes së ndërtimit të kishës në Prishtinë e cila tashmë ishte një ngjarje e kaluar.

“Stambolli kishte dhënë leje për ndërtimin e një kishe ortodokse (serbe - patriarshiste) në Prishtinë. Mytesarifi i Prishtinës e firmosi dokumentin për të filluar ndërtimin e saj”, vazhdonte Amfiteatrov, duke afruar edhe detaje tjera. “Por, kundërshtimi i myftiut vendor dhe i shqiptarëve, rezultoi të ishte shumë më i fortë se sa pushteti turk, duke mos përjashtuar dhe vetë vullnetin e padishahut. Mjeshtri, i cili u mur me ndërtimin, humbi shuma të mëdha parash, ra në dëshpërim të plotë dhe qau e ankua tek myslimanët: 

Çfarë po bëni me mua? Përse po më vrisni?

Dhe së fundi me çfarë guximi e mbroni veten kaq shumë? A nuk e shikoni që unë e kam firmën dhe vulën e mytesarifit.  Duke i dhënë vetes rëndësi, myftiu e përkëdheli mjekrën dhe me butësi iu përgjigj mjeshtrit:

Sa i marrë po më dukesh biri im! Shih si të kanë dalë thinjat dhe ti akoma nuk ke arritur të kuptosh që në të gjithë Sharrin nuk ka mytesarifë?

Ky është një fakt i vërtetë.

Myftiu kishte shumë të drejtë.... Anarkia e sotme atje, përtej maleve të larmishme të Sharrit me majën madhështore të mbuluar me borë na i kujton malin e Kazbekut të zhveshur e të rrafshuar”, ka shkruar Amfiteatrov. (Mali Kazbek ose Kazbeg është njëri prej maleve më të mëdha në Kaukaz, i vendosur në kufirin ruso-gjeorgjian –  në rajonin e Osetisë së Veriut. Nën malin e Kazbekut ekzistojnë edhe vullkane të fjetura – S. L.). Por, Amfiteatrov megjithatë, duhej të mos e linte pas dore qëllimin kryesor të “vizitës së tij” dhe ai ishte që imazhin e shqiptarëve dhe të Vilajetit të Kosovës ta formatizonte mu, ashtu siç e kërkonte Rusia cariste, por edhe një pjesë e fuqive që ishin të interesuara seriozisht për deosmanizimin e Ballkanit.  

“Në ‘Serbinë e vjetër’ nuk do të mbetet asnjë serb”

“Në qoftë se gjendja vazhdon të jetë kështu, në qoftë se qeveria e Stambollit nuk heq dorë nga dobësia që ajo e ka nga frika prej shqiptarëve, atëherë nuk do kalojnë as dhjetë vjet dhe në ‘Serbinë e vjetër’ nuk do të mbetet asnjë serb, pasi të gjithë serbët do të theren, vriten ose do detyrohen të emigrojnë,  ka shtuar ai, ndërsa në vazhdim ai i ka paraqitur edhe mbresat e tij rreth gjendjes në Prishtinë. Por, siç duket vetë qyteti nuk i kishte lënë atij ndonjë përshtypje të veçantë! 
“Prishtina e cila është një nga qendrat më të rëndësishme ma la një përshtypje jashtëzakonisht të keqe e të trishtueshme. Nuk është kënaqësi e as gëzim të shëtisësh nëpër këtë qytet, kur shikon majtas e djathtas njerëz të rreptë, të gjatë, me fytyrë ngjyrë bronzi, me plisa të bardhë në kokë, që vjedhurazi shikojnë me bisht të syrit dhe kanë tipare sikur ato të djallit në ferr, mu në çastin kur ai synon t’i hedhë mëkatarët në kazanin përvëlues të të dënuarve...  ‘A e shihni atë dyqanin atje?’, më tha konsulli serb në Prishtinë z. Avramoviq (Sima Avramoviq shërbeu si konsull i Serbisë në Prishtinë në vitet 1900 – 1903 – S. L.) që është një njeri i dashur e mikpritës.
E çfarë të veçante ka ai vend?

Ai është një vend historik për ne! Aty u vra konsulli i parë serb, paraardhësi im.
Për çfarë u vra – prej kujt?

Arsyeja, e vetme ishte se një shqiptari iu desh të shkrepte armën! Shqiptari e shtriu përtokë ‘kaurin’ kur ky i fundit as që e priste këtë. ‘Myslimanët’ nuk e donin konsullin, prandaj dhe e qëlluan atë.
Çfarë i dhanë familjes së konsullit të vrarë për këtë?

Të vejës së konsullit qeveria turke i pagoi njëqind mije franga. Të them të drejtën, kjo për turqit në një botë tjetër do të ishte ‘hangover’ (mamurllëk)...Shqiptarët mendojnë  se e meritojnë gëzimin e të drejtave ligjore si nënshtetas të Perandorisë Osmane, por ata njëherësh sillen sikur të mos e kenë asnjë detyrim të vetmin ndaj shtetit! ‘Paguani të paktën ndonjëfarë takse!’ – kot u bën thirrje shqiptarëve Stambolli i ndrojtur.

‘Mblidhini taksa po mundët!’- ia kthejnë ata.

“E po nëse nuk mund të paguani, atëherë plotësoni detyrimet duke i dhënë së paku prodhimet e  bujqësisë apo duke i rregulluar rrugët’. 

‘Për shembull?’

‘Rregulloni rrugët malore: sepse ato janë kaq të dëmtuara sa që edhe djalli i thyen këmbët nëse kalon nëpër to!’

‘Nuk duam. Për ne rrugët janë shumë të mira, ndërsa për të huajt, në qoftë se atyre nuk u pëlqejnë atëherë të mos vijnë te ne! Ne t’i rregullojmë rrugët? Sa dinakë që jeni! Që pastaj nëpër këto rrugë t’i nisni lirshëm batalionet tuaja dhe të na detyroni të bëjmë gjithçka që ju doni?’
Dhe kështu nuk ka para, por nuk ka edhe punë. Njoftimi për dekretin e Sulltanit për rregullimin e rrugëve në Vilajetin e Kosovës, qëndron në sirtar, pa vlerë e pa u vënë në zbatim. Nëse merr masa vendimtare kundër kokëfortëve atëherë valiu kërcënohet dhe shqiptarët në refren e përsërisin duke qeshur:.

‘Në male nuk ka kush t’i lexojë fermanët!’”, ka përfunduar rusi Amfitetarov pas shfryrjes së mllefit në Prishtinën e fillimshekullit të XX. 

Ndërsa në një dokument arkivor bëhej e qartë se për çfarë në fakt ishin të interesuar fqinjët e shqiptarëve, për reforma dhe barazi apo për okupimin e territoreve shqiptare! 

“Një serb i cili po udhëtonte me tren i kishte takuar dy udhëtarë po ashtu serbë të armatosur me revole. Ata udhëtonin prej Beogradi për në Vranjë.  Ata rrëfyen rrugës se ishin duke iu bashkangjitur kryengritësve (çetnikëve) dhe atyre u kishte mbetur vetëm t'i marrin pushkët në Vranjë. Pasi një informacion i tillë ka arritur në veshët e mi,  kam frikë se ai ka arrirë edhe  në veshët e pushtetarëve turq“, shkruante i frikësuar i autorizuari i konsullit serb në Shkup, M. Markoviq, pak para se Amfietatrov të arrinte në Prishtinë.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë