Reçaku doli të ishte një pikë kthese për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të NATO-s. Siç do të thoshte sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, Reçaku tregoi se “Pranvera ka ardhur herët në Kosovë”. Ajo influencoi në relativizimin e rregullit ndërkombëtar të mosndërhyrjes dhe, bashkë me këtë, edhe u bë pikë kthese për angazhimin ndërkombëtar në luftën e Kosovës. Pa dyshim, ky intervenim ndërkombëtar, përfundoi sipas kushteve të NATO-s: serbët janë jashtë, trupat e NATO-s janë brenda, refugjatët kosovarë në shtëpi, hap shtegun e rrugëtimit të Kosovës drejt pavarësisë
Pas rastit në fshatin Reçak (Komuna e Shtimes) më 15 janar 1999, duke marrë parasysh keqësimin e gjendjes, Këshilli i NATO-s vendosi të organizonte një takim të tretë midis Wesly Clarkut dhe Klaus Naumannit nga njëra palë dhe Millosheviqit, nga pala tjetër. Takimi u zhvillua më 19 janar 1999 dhe zgjati shtatë orë. Ndër pjesëmarrësit e tjerë ishin edhe Millutinoviqi dhe Shainoviqi.
Sipas këtij dokumenti (Klaus Naumann, T. 8268-8271, 13 qershor 2006, P1767, para. 30-38: P2512, transkript i prokurorit k. Millosheviqit, Lënda IT-02-54-T, T. 6998-7009) sërish qëllimi ishte të paralajmërohej Millosheviqi që ngjarjet e llojit të Reçakut të mos përsëriteshin më dhe të bindej që të respektonte kushtet e Marrëveshjes Clark-Naumann, respektivisht dispozitat e Marrëveshjes të Tetorit (1998) dhe të bindej që të lejonte Prokuroren e Tribunalit, Louise Arbou, që të hynte në Kosovë dhe të hetonte ngjarjen e Reçakut. Millosheviqit pastaj ia dhanë një listë prej pesëdhjetë incidentesh ku MVK kishte konstatuar përdorimin e forcës së tepruar. Në përgjigjet e tij, Millosheviqi mohoi akuzat për Reçakun dhe akuzoi bashkësinë ndërkombëtare dhe Walkerin se ishin të njëanshëm. Më tej ai bëri kundërpropozime për ardhjen në Kosovës të Louise Arbourit në Kosovë, por kur Clarku e kontaktoi, ajo gjykoi se propozimet ishin të pranueshme, sepse nuk lejohej të hetonte pa kufizime.
Kthesa vendimtare e bashkësisë ndërkombëtare
Për bashkësinë ndërkombëtare, Reçaku u bë një pikë kthese vendimtare në pozicionin e saj ndaj problemit të Kosovës. Ishte e qartë se prania e Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë ishte e pamjaftueshme për stabilizimin e gjendjes dhe për afrimin e të dyja palëve, për gjetjen e një zgjidhjeje politike. Megjithatë, një ofensivë diplomatike e nisur nga Gjermania arriti të shtynte përpara nismën për fillimin e negociatave të paqes në Rambouillet me përfshirjen e Grupit të Kontaktit.
Ishte e qartë se Reçaku rriti urgjencën për një zgjidhje të shpejtë, në mënyrë që të evitohej skenari i një Bosnje të dytë në Kosovë, u rikthyen imazhet e masakrave nga Bosnja, të vuajtjeve të popullsisë civile, të masakrave, të spastrimit etnik që bënin ushtria dhe paramilitarët serbë. Ndërsa SHBA-ja ishte për një goditje të menjëhershme ushtarake, përfaqësuesit evropianë të Grupit të Kontaktit dhe të BE-së zgjodhën organizimin e një konference ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe vënien e menjëhershme në jetë të rezultateve të bisedimeve. Më në fund, në takimin e Grupit të Kontaktit, më 22 janar 1999, të zhvilluar në Londër, u mor vendimin për organizimin e Konferencës së Rambouillet, në të cilën do të provohej të ndiqej modeli i një zgjidhjeje si në Dejton, ku brenda një përudhe të limituar synohej të arrihej një marrëveshjeje e përkohshme për statusin e Kosovës.
Më 6 shkurt 1999, në kështjellën historike të Rambouillet
Një plan dhjetë pikësh, i përpunuar nga Grupi i Kontaktit (SHBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Rusia) iu dha palëve në konflikt si bazë për negocim të dorëzuar. Ky plan i garantonte Kosovës një “autonomi substanciale”, ku edhe “theksohej” “sovraniteti” territorial i Jugosllavisë së mbetur, por edhe propozimi për stacionimin e zgjatur të trupave të NATO-s(KFOR). Baza e marrëveshjes, “ndër të tjera”, përmbante një zgjidhje të përkohshme për statusin e Kosovës, e cila në një periudhë të mëvonshme trevjeçare duhet të definonte një “zgjidhje përfundimtare”.
Negociatat për zgjidhjen e konfliktit të Kosovës filluan më 6 shkurt të vitit 1999, në kështjellën historike të Rambouillet, nën drejtimin e Grupit të Kontaktit dhe me pjesëmarrjen e palës kosovare dhe asaj serbe. Pas dy fazave të bisedimeve, në të parën në Rambouillet, në harkun kohor 6-23 shkurt 1999, dhe në fazën e dytë, në Qendrën e Kongresit Kléber në Paris, 15-18 mars 1999.
Përveç mungesës së marrëveshjes politike, “Aneksi B” i traktatit luajti një rol kyç në debatin e mëpasshëm. Ky aneks parashikonte zbatimin e marrëveshjes nga trupat e NATO-s në Kosovë dhe u prezantua dy ditë para përfundimit të konferencës. Kjo shkaktoi një konflikt të pakapërcyeshëm, pasi pala serbe në thelb e refuzoi zbatimin ushtarak, ndërsa SHBA-ja në thelb refuzoi negociatat për këtë propozim. Zgjidhja politike u vonua nga negociatorët serbë, SHBA-ja refuzoi miratimin e veçantë të pjesës politike dhe zbatimin dhe kështu Konferenca u ndërpre pa rezultat. Dy vështirësi u shfaqën në negociatat me palën serbe në veçanti: ana politike e marrëveshjes nuk mund të negociohej dhe bisedime serioze nuk u zhvilluan lidhur me dokumentin e implementimit. Sipas aneksit B, që bazohej në modelin e Marrëveshjes së Dejtonit, personeli i NATO-s do të kishte ekses të papenguar me automjetet, anijet, aeroplanët, hapësirën ajrore dhe pajisjet e saj brenda gjithë Jugosllavisë së mbetur.
Kjo shkaktoi një konflikt të pakapërcyeshëm, pasi pala serbe në thelb e refuzoi zbatimin ushtarak, ndërsa SHBA-ja në thelb refuzoi negociatat për këtë propozim. Zgjidhja politike u prolongua nga negociatorët serbë, ndërsa SHBA-ja refuzoi miratimin e veçantë të pjesës politike dhe zbatimin dhe kështu konferenca u ndërpre pa asnjë rezultat. Negociatat pasuese, prej 1 deri më 18 mars të cilat u zhvilluan më 9 mars në Paris, përfunduan vetëm me firmën e palës shqiptare, e cila nën trysninë e madhe euro-amerikane, pranoi të firmoste marrëveshjen, derisa pala serbe dhe përfaqësuesi rus në Grupin e Kontaktit refuzuan nënshkrimin e Marrëveshjes së Paqes.
Annan: Jam i indinjuar me “spastrimin etnik” që po ndodhte në Kosovë
Kur Millosheviqi edhe më 23 mars nuk e pranoi ofertën e ndërmjetësit amerikan, Richard Holbrooke, Grupi i Kontaktit në të njëjtën ditë deklaroi dështimin përfundimtar të negociatave. Në të njëjtën kohë, vëzhguesit e OSBE-së u larguan nga Kosova dhe u tërhoqën në Maqedoni. Nga ky moment, kur ishte shpallur publikisht dështimi i negociatave dhe kur në Kosovë nuk ekzistonte më asnjë lloj pranie ndërkombëtare, madje as mediale, dëbimet, masakrat dhe spastrimi etnik në Kosovë arritën kulmin, duke dëbuar afro 80 për qind të popullsisë shqiptare të Kosovës brenda një harku të shkurtër kohor. Ishte e qartë se Beogradi, me këtë taktikë, synonte të impononte një zgjidhje ushtarake dhe përfundimtare në Kosovë, përmes ndryshimit të dhunshëm të demografisë, që në fakt ishte një synim i vazhdueshëm i Beogradit përgjatë gjithë shekullit XX. Se ky ishte një aksion i planifikuar qysh para fillimit të sulmeve të NATO-s.
Në këtë linjë, një argumenti se dëbimet nuk ndodhën si përgjigje nga forcat serbe të sigurisë ndaj sulmeve ajrore të NATO-as, por se ishin të planifikuara e vërteton fakti i zbulimit të planit të koduar “Patkoit”.
“Pretendimi se kjo është një përgjigje, një përgjigje barbare, por një përgjigje ndaj sulmeve ajrore të NATO-s, është thjesht e gabuar. Tani kemi informacione të besueshme se ky operacion ishte planifikuar me emrin e operacionit ‘Patkoi’ dhe se ai filloi më 26 shkurt 1999”, kishte deklaruar ministri i Jashtëm gjerman, Joschka Fischer, në një konferencë për shtyp në Auswärtigen Amt.
Në këtë situatë dramatike në Kosovë, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan, më 30 mars 1999 bëri një deklaratë indinjuese dhe shqetësimin e madh për “spastrimin etnik” që po ndodhte në Kosovë nga forcat ushtarake dhe paraushtarake serbe.
“Jam thellësisht i indinjuar nga raportet e ‘spastrimit etnik’ brutal dhe sistematik që po kryhen nga njësitë ushtarake serbe dhe forcat paraushtarake në provincën e Kosovës. Shqetësimi i madh për atë që po ndodh atje është rritur vetëm nga fakti se të gjithë vëzhguesit e pavarur ndërkombëtarë, madje edhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, tani janë detyruar të tërhiqen. Edhe një herë, civilët po paguajnë çmimin e një konflikti të pazgjidhur politik. Popullatat civile nuk duhet kurrë t’u nënshtrohet sulmeve pa dallim dhe të qëllimshme. Veprime të tilla janë shkelje flagrante të ligjit ekzistues humanitar. Kombet e Bashkuara po bëjnë gjithçka në fuqinë e tyre për të lehtësuar vuajtjet e të zhvendosurve dhe refugjatëve që ikin nga Kosova me mijëra çdo ditë. Kam ngarkuar Komisionarin e Lartë për Refugjatët të koordinojë të gjitha përpjekjet e Kombeve të Bashkuara për ndihmë në rajon. U bëj thirrje të gjitha vendeve fqinje të Kosovës që t’u ofrojnë mbrojtje dhe ndihmë civilëve të pafuqishëm që janë shpërngulur nga shtëpitë e tyre. Kufijtë duhet të mbeten të hapur [...]Çdo zgjidhje e konfliktit duhet t’i lejojë këta njerëz fatkeq të kthehen në shtëpitë e tyre vullnetarisht, me dinjitet dhe në siguri të plotë”, deklaroi Kofi Annan.
Në këto rrethana, sulmet ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe represive të Serbisë, të cilat zgjatën nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999 dhe që shpesh krahasoheshin dhe me sulmet e fuqive aleate kundër Gjermanisë së Hitlerit në fund të Luftës së Dytë Botërore, shënuan një moment të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në zhvillimin progresiv në të drejtën ndërkombëtare. Ky moment shënon rastin e parë pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, kur rregulli i mosndërhyrjes në punët e brendshme sipas nenit 2.4 të Kartës së OKB-së, nuk vlente më, pasi, siç pohoi edhe sekretari i atëhershëm i OKB-së, Kofi Annan, tani kishte mbaruar koha kur qeveritë do të kishin qenë të lira të vepronin si të donin me qytetarët e tyre, ashtu siç ato dëshironin. Nga kjo rrethanë ai nxori relativizmin e nevojshëm të rregullit të mosndërhyrjes. Pa dyshim, masakra e Reçakut ishte pikë kthese vendimtare për politikën ndërkombëtare kundrejt çështjes së Kosovës:
Reçaku doli të ishte një pikë kthese për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të NATO-s. Ata e kishin parë marrëveshjen e arritur midis Richard Holbrooke dhe Sllobodan Millosheviqit tetorin e 1998 si një mjet për të blerë kohë për të arritur një zgjidhje politike përpara rifillimit të luftimeve që priteshin në prill. Por siç i tha sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare Samuel ('Sandy') Berger, Rerger, Reçaku tregoi se “Pranvera ka ardhur herët në Kosovë”. (Daalder/O'Hanlon 2000: 64).
Njëkohësisht, kjo masakër influencoi në relativizimin e rregullit ndërkombëtar të mosndërhyrjes dhe, bashkë me këtë, edhe u bë pikë kthese për angazhimin ndërkombëtar në luftën e Kosovës. Pa dyshim, ky intervenim ndërkombëtar, përfundoi sipas kushteve të NATO-s: serbët janë jashtë, trupat e NATO-s janë brenda, refugjatët kosovarë në shtëpi, hap shtegun e rrugëtimit të Kosovës drejt pavarësisë dhe groposjes së pjesës së fundit të Versajës.