Rreth mesit të shekullit XV si figurë gjurmëlënëse u shqua argjipeshkvi Pal Engjëlli nga Drishti. Nga fundi i shekullit XV e në fillim të shekullit XVI, u mblodh një rreth i tij i vogël në Venedik, kryesisht priftërinj, shkrimet e të cilëve formësuan fotografinë e së kaluarës së afërt të Shqipërisë. Në këtë rreth shoqëror të Pal Engjëllit u krijua portreti perëndimor i Skënderbeut. Në Perëndim ai shikohej si luftëtar i fesë, si “Athlet Christi” (Kalorës i Krishterimit), siç e cilësoi Papa Kalixt III. Por, në vitet ‘60 të shekullit XV vërehet një ndryshim i theksuar i fjalorit politik të Skënderbeut, gjë që shpjegohet me forcimin e kontaktit kulturor me Italinë
Bartësit e dijes dhe shkrimit në Shqipërinë e Mesme e Veriore gjatë mesjetës së vonë, rridhnin më shumë prej rrethit të klerikëve të qyteteve të Arbërisë veriore, Shkodra dhe veçanërisht Drishti. Këta klerikë e ndërthurën katolicizmin me një prejardhje ballkano-romane. Përmes emigrimit në Dalmaci dhe Itali, ata vunë kontakte me rrymat e mendimit humanist. Kështu që ata nuk i ndërprenë kontaktet me vendlindjen e tyre dhe ndikuan si ndërmjetës kulturorë. Rreth mesit të shekullit XV si figurë gjurmëlënëse u shqua argjipeshkvi Pal Engjëlli nga Drishti. Nga fundi i shekullit XV e në fillim të shekullit XVI u mblodh një rreth i tij i vogël në Venedik, kryesisht priftërinj, shkrimet e të cilëve formësuan fotografinë e së kaluarës së afërt të Shqipërisë. Në këtë rreth shoqëror të Pal Engjëllit u krijua portreti perëndimor i Skënderbeut.
Në trajtimin e çështjes mbi përmbajtjen dhe funksionin e teksteve të sipërpërmendura, si dhe mbi ndërlikimet e përvetësimit të traditës së antikitetit duhen ndjekur dy linja: nga njëra anë tradita familjare e derës së Engjëllorëve, e aristokracisë feudale shqiptare dhe e shtresës së patricëve qytetarë, pra përpjekja e kësaj elite të deklasuar – pjesërisht për shkak të arratisë dhe ekzilit – për të paraqitur si bartëse kryesore të luftës kundër osmanëve në tërë shtresën e fisnikëve shqiptarë dhe jo një personalitet të vetë, domethënë Skënderbeun. Kjo ishte e një rëndësie të veçantë për arsye të meritave në luftën kundër osmanëve dhe duhet ta argumentonin dhe justifikonin pozitën shoqërore dhe pretendimin e fisnikëve të mërguar në Itali për barazi sociale me elitën italiane. Nga ana tjetër, linja e dytë është përqendruar tërësisht mbi figurën e Skënderbeut. Ajo çka i bashkon dy linjat është se fillimet e tyre datojnë qysh nga vitet e fundit të jetës së Skënderbeut dhe se ato morën trajtë nën ndikimin e Engjëllorëve dhe rrethit të tyre venedikas. Ndryshimi që konstatohet është se në thelb figura e Skënderbeut u vlerësua dhe u karakterizua më qartazi në krahasim me vetëvlerësimin e elitës shoqërore mbi rolin e saj, vlerësim i cili paraqitet shumë jo unik. Mirëpo, në të dy rrymat vend qendror zë antikiteti.
Kodiku i Engjëllorëve
Kodiku i Engjëllorëve, që si burim kryesor në këtë çështje të shtruar, lëviz në tri fusha të argumentimit, të cilat mbajnë në vetvete elemente antike, bizantine dhe bashkëkohore dhe që të gjitha kanë një synim të njëjtë: ato duhej të çmonin lart familjen patrice jo shumë të rëndësishme të Engjëllorëve drishtianë, si dhe të mbështesnin programin politik të përfaqësuesit udhëheqës të saj, argjipeshkvin Pal të Durrësit. Kështu konstruktohen dy linja vazhdimësie të pandërprera: nga njëra anë, nëpërmjet radhitjes së provincave të Ilirisë së antikitetit të vonë argumentohet pretendimi për rolin prijës të argjipeshkvisë në Durrës; nga ana tjetër, trajtesa e papërpunuar e gjenealogjisë i shërben përforcimit të pretendimit, se Engjëllorët drishtinanë e kishin prejardhjen prej Dinastisë Perandorake Bizantine dhe asaj Princërore Epirote të Angeloit. Kjo gjenealogji jo vetëm që shkon prapa deri në shekullin XII, por ajo zgjerohet sa më shumë i afrohet së tashmes, duke lidhur Engjëllorët me dyert e prijësve shqiptarë e serbë të shekullit XV; kjo gjë, së bashku me dokumentet që theksojnë pasurinë dhe lidhjen e ngushtë të Familjes me Venedikun, duhej t’i paraqiste Engjëllorët si derën më të vjetër dhe më të respektuar të Shqipërisë në të kaluarën dhe në të tashmen.
Ky program nuk shërbente vetëm si diferencim përkundrejt familjeve aristokrate më të vjetër e më të fisme. Për më tepër, ai paraqiste një tërësi argumentesh, të cilat duhej të bindnin Papa Piu II mbi ligjshmërinë e pretendimeve të argjipeshkvit. Por, nuk dihet nëse ky program iu parashtrua ndonjëherë Papës.
Megjithatë, nuk mund të vihet në dyshim fakti se ky program u hartua në kuadrin e planeve për kryqëzatë të Papa Piccolominit, pasi për këtë bëjnë fjalë shumë pjesë të kodikut. Se argjipeshkvi mbante lidhje me Papa Piu II, dëshmon fakti se që nga prilli 1463 Papa miratoi statutet e kapitelit të katedrës së vendlindjes së Engjëllit, Drishtit. Përveç kësaj, Pal Engjëlli luajti një rol vendimtar si kokë drejtuese e politikës së Skënderbeut për politikën e kryqëzatës: dhe jo më kot ai zë një vend aq të rëndësishëm si dëshmitar në dokumentin kredencial të përpiluar me 29 tetor 1463 nga Skënderbeu, “domunus Albanie”, për ndërmjetësin e tij pranë Krujës (“nuntius specialis ac procurator“), Martin Muzaka (Martinus Musachi). Nisur nga ky fakt dhe nga sinodi i mbajtur në Mat, mund të nxirret përfundimi se ekzistonte një përgatitje e vetëdijshme e kishës katolike të Shqipërisë për kryqëzatën e parashikuar. Ishte argjipeshkvi ai, i cili arriti që për hir të kauzës kryqtare të fitojë bashkëpunimin e dy fisnikëve aq të armiqësuar të Shqipërisë Veriore, Skënderbeut, Demetrio Franco, se Sulltan Mehmeti II kishte caktuar një shumë të madhe si shpërblim për kokën e argjipeshkvit.
Piu II për imazhin historik të shqiptarëve në Itali
Piu II ishte figura kyçe në imazhin historik të mërgimtarëve shqiptarë në Itali. Kështu Gjon Muzaka shkruan se fisnikëria shqiptare e kishte varur tërë shpresën e saj tek kryqëzata, “ma dopoi ch’el detto Papa morse, incominciò a perdere detta speranza.“ Shqipëria luante një rol qendror në strategjinë e Piut II, këtej do të duhej të kalonin nga toka ushtritë e kryqëzatës për t’u bashkuar me trupat aleate të Skënderbeut dhe Lekë Dukagjinit, të cilat njihnin mirë territorin dhe kishin përvojë në luftën kundër osmanëve. Prej një kohe të gjatë Papa ishte në lidhje me këtë vend në bregun lindor të Adriatikut dhe me fisnikët më në zë të tij, sikundër tregojnë shkrimet “De Europa“ dhe para së gjithash ”Commentarii”. Qysh në fillim të ushtrimit të detyrës së tij ai vazhdoi me politikën e nisur nga Papa Kalixt III dhe iu përkushtua me vendosmëri kishës shqiptare, e cila ishte rrënuar mjaft prej luftërave ndërvëllazërore të fisnikëve dhe sulmeve osmane.
Pal Engjëlli nga kryqëzata shpresonte jo vetëm një lehtësim të arkidioqezës së tij. Me veprimtarinë e tij si ndërmjetës i Shqipërisë ai shpresoi jo më pak se në njohjen e Shqipërisë si anëtare e barasvlershme në botën e shteteve perëndimore, gjë që do të kurorëzohej me faktin që pas zbarkimit të ushtrisë së kryqtarëve në Durrës, Papa do ta emëronte Pal Engjëllin në pozitën e kardinalit, ndërsa Skënderbeun mbret. Këtij qëllimi ambicioz i shërbente kodiku i sipërpërmendur. Por, ndërmarrja e kryqëzatës dështoi dhe ngritja në këtë rang nuk u realizua kurrë – megjithatë në traditën familjare të Engjëllorëve dhe të shkrimtarëve të tjerë të ndikuar prej tyre, argjipeshkvi njihej si kardinal dhe Skënderbeu si mbret, dhe për këtë arsye këto dy terma – të futur fillimisht në tekst duke shpresuar tek suksesi ushtarak, që dukej fare afër – u bë traditë në kodik edhe gjatë shekullit XVI. Engjëllorët rridhnin prej shtresës së patricëve qytetas dhe manipuluan të kaluarën në ekzilin italian në mënyrë që të bënin të harrohej statusi i tyre si homines novi.
Ndryshe, ndodhi me rastin e brezave vërtetë të vjetër: edhe këto e shpinin prejardhjen e tyre të thellë në antikitet, Dukagjinët, kundërshtarët kryesorë të Skënderbeut, cilësoheshin si pasardhës të trojanëve dhe theksonin farefisninë e tyre me Anzhuinët e Napolit; Muzakajt, që i përkisnin një rangu më të ulët, e shpjegonin emërtimin e derës së tyre me një formë të tjetërsuar të emrit të Molosëve në Molosi. Këto nuk ishin lojëra, por më tepër armë politike në luftën e ashpër për mbizotërim, që zhvillohej midis familjeve të vjetra fisnike dhe Skënderbeut, i cili rridhte prej një familjeje të ulët fisnike; pas vdekjes së Skënderbeut apo kundërshtarët e tij fisnikë; pas vdekjes së Skënderbeut më 1468, kjo luftë u ndez sërish. Nuk dihet nëse Skënderbeu apo kundërshtarët e tij fisnikë përdorën të parët një fjalor politik të mbështetur në simbolikat e antikitetit.
Instrumentalizimi i antikitetit nëpërmjet Skënderbeut
Por, shumë më e rëndësishme është se instrumentalizimi i antikitetit nëpërmjet Skënderbeut paraqet dëshminë më të rëndësishme për riorientimin kulturor dhe politik të sundimit të tij në momentin kur po përgatitej faza vendimtare e luftës kundër Sulltanit.
Këtu nuk është fjala për gjë tjetër veçse për rivlerësimin e figurës së Skënderbeut nga një Athleta Christi, ballkanik dhe luftëtar i krishterë antiosman në traditën e luftës fetare mesjetare, në një princ të Rilindjes sipas shembullit italian, pra bëhet fjalë për integrimin e sundimit të Skënderbeut në konstelacionin e pushteteve evropiane.
Për të kuptuar se sa i ri dhe radikal ishte instrumentalizimi i antikitetit për gjuhën politike në Shqipërinë e Skënderbeut, vlen të kujtojmë se Skënderbeu rridhte prej një ambienti të mbrujtur nga ortodoksia serbe, se babai i tij i kishte dhuruar Manastirin e Kilandarit në Atos, se në vitin 144 ai kishte ngritur pretendimin për të qenë trashëgimtar i derës së shquar fisnike arbërore-veriore të Balshajve, dhe se në Romën e vitit 1455 nuk dihej akoma me siguri se Skënderbeu nuk ishte një mysliman(sic).
Veç kësaj, botëkuptimi i Skënderbeut ishte mbrujtur nga qëndrimi i gjatë në Oborrin e Sulltanit dhe veprimtaria e tij në administratën osmane në Shqipëri. Deri në vjeshtën e vitit 1460, kur ai ishte plot 55 vjeç, ai nuk e kishte shkulur për kohë të gjatë tokën perëndimore. Skënderbeu i përkiste kubaturës aristokrate të Ballkanit të brendshëm, e cila ishte më shumë bizantino-serbe sesa bregdetare-katolike. Dhe deri në ngritjen e Pal Engjëllit si argjipeshkëv i Durrësit në vitin 1460, Skënderbeu veproi në përputhje me këto linja. Në Perëndim ai shikohej si luftëtar i fesë, si “Athlet Christi” (Kalorës i Krishtërimit), siç e cilësoi Papa Kalixt III. Por, në vitet ‘60 të shekullit XV vërehet një ndryshim i theksuar i fjalorit politik të Skënderbeut, gjë që shpjegohet me forcimin e kontaktit kulturor me Italinë. Prej vjeshtës 1461 e deri në fund të dimrit të vitit 1462 vetë Skënderbeu shkoi me trupat e tij ushtarake në ndihmë të mbretit Ferranto të Napolit në luftë kundër pretenduesit francez të fronit, Johann von Anjou, dhe gjatë kësaj kohe pati kontakte të përditshme me pjesëtarë të Familjes Mbretërore Napolitane, me aristokracinë e lartë të Italisë së jugut dhe me Alessandro Sforza von Pesaros, bashkë me të cilin luftuan në terren. Dhe midis viteve 1460 dhe 1467 u zhvilluan një sërë vizitash në Itali të këshilltarit të tij politik, Pal Engjëllit. Ishte Engjëlli, ai i cili u përmend se kishte hartuar programin politik të shqiptarëve për kryqëzatën e Papa Piu II. Kurorëzimi i Skënderbeut si mbret do të duhej të argumentohej me një gjuhë politike bashkëkohore dhe të theksohej me anë të simboleve lehtësisht të kuptueshme.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë
Ky studim është botuar te F. Fuchs (Hrsg.): “Osmanische Expansion und europäischer Humanismus” (Pirckheimer Jahrbuch Bd. 20). Wiesbaden, 2005, fq. 123-144. Fusnotat janë hequr nga redaksia dhe janë shtuar mestitujt. Përktheu nga gjermanishtja: Sylë Ukshini