Shtojca për Kulturë

Politikat turke për islamizimin e Ballkanit

Pas viteve ‘30 të shekullit XVII, administratën turke e hasim në një aktivitet të mirorganizuar në islamizimin e Ballkanit. Pas luftërave turko-venedikase kah mesi i shekullit XVII, kleri i krishterë intensifikoi organizimin e aktiviteteve për të nxitur kryengritje antiturke, kështu dhe turqit filluan të kërkojnë tatime të mëdha nga të krishterët. Në të njëjtën kohë, një i krishterë që konvertohej në mysliman, lirohej plotësisht nga këto tatime

Për të kuptuar si duhet politikat e turqve me krijimin e sistemit të Timarit (sistemi i pronave, shënim i përkthyesit) në Shqipëri dhe Ballkan, vepra e shkencëtarit të mirënjohur turk, prof. Halil Inalxhik, “Arnavut Defteri 1431/2”, na ofron të dhëna shumë të rëndësishme. Kjo vepër në një masë të madhe ndriçon edhe periudhën para turqve. Siç kuptohet nga ky Defter, nga gjithsej 335 timare, spahinjtë vendorë të krishterë kishin 56 timare, ndërsa të ardhurat e feudalëve myslimanë ishin dhjetë herë më të mëdha se të atyre të krishterë. Këtu shohim edhe një shpronësim/shuarje të hovshëm të klasës feudale vendore.

Ata që dëshironin të ruanin pozitat dhe koncesionet materiale qenë të detyruar të pranonin fenë islame, dhe kështu hynë në klasën sunduese të shoqërisë. Feudalët shqiptarë në një masë të madhe duke shfrytëzuar këto mundësi, kaluan në fenë islame. Nga 335 pronarë tokash (timarxhi) të regjistruar në defterin e sipërpërmendur të vitit 1432, 175 ishin myslimanë shqiptarë. Kurse një pjesë tjetër ishin spahinj të vegjël, të feudeve, të shërbëtorëve të feudalëve të cilët quheshin “gulam-i mir”, thënë ndryshe këta ishin bijtë e feudalëve shqiptarë, të cilët ishin islamizuar dhe përgatiteshin të hynin në sistemin feudal të turqve. Në fillim me këta, pastaj nëpërmjet içogllanëve, turqit eliminuan klasën vendore feudale dhe në të njëjtën kohë e përhapën fenë islame. Këta feudalë vendorë të islamizuar ushtronin presion ndaj rrethit ku jetonin dhe kështu duke tubuar rreth vetes të afërmit e tyre që kishin pranuar fenë islame, ngjiteshin në pozitat më të larta ushtarake, administrative dhe fetare. (Më gjerësisht, Nedim Filipoviq, “Princ Musa i Shejh Bedreddin, Sarajevo 1971”, fq. 208 – 249). Sipas turqve që kishin kuptuar drejt shpirtin kozmopolit të fesë islame, ai që pranonte fenë islame e kishte rrugën të hapur deri në pozitën e sadriazemit (kryeministrit). Në shumë dokumente historike lexojmë reagime ndaj avancimit dhe përkrahjes shumë të madhe të bashkëkombësve të tyre nga shqiptarët që kishin zënë pozita të larta në Perandori. Për shembull, Koxha Sinan Pasha, i cili qe zgjedhur pesë herë në postin e kryeministrit, ishte akuzuar se po i avanconte bashkëkombësit e tij shqiptarë në poste të larta në administratën turke. (Tarihi Peçevi II. 145). Kjo politikë islamizuese e turqve jo vetëm që ishte në interes të turqve, por ishte edhe në interes të vetë shqiptarëve. Sepse shqiptarët që kishin arritur pozita të larta shtetërore nxitën shtrirjen dhe zhvillimin e gjithanshëm të shqiptarëve në rajon.

Pas viteve ‘30 të shekullit XVII, administratën turke e hasim në një aktivitet të mirorganizuar në islamizimin e Ballkanit. Pas luftërave turko-venedikase kah mesi i shekullit XVII, kleri i krishterë intensifikoi organizimin e aktiviteteve për të nxitur kryengritje antiturke, kështu dhe turqit filluan të kërkonin tatime të mëdha nga të krishterët. Në të njëjtën kohë, një i krishterë që konvertohej në mysliman, lirohej plotësisht nga këto tatime. Ky qëndrim pati ndikim të madh, sepse shohim se një pjesë e madhe e të krishterëve kalojnë në fenë islame. (Më gjerë: N. Tomić, O Arnautima u staroj Srbiji i Sandzaku, Beograd, 1913, 23-24). Si shembull mund të tregojmë Gjakovën, ku brenda 35 vjetëve, 80 familje katolike me gjithsej 600 persona kishin kaluar në fenë islame. Por ajo që është më me rëndësi për temën tonë dhe që është një realitet i pamohueshëm është se sllavët e islamizuar fillojnë të shqiptarizohen. Për këtë do ta tregojmë një shembull. Në historiografinë shqiptare është vendosur kjo tezë: nëse në njërin nga vendbanimet e Kosovës, Maqedonisë dhe jug të Serbisë jetojnë katolikë, aty duhet kërkuar shqiptarë dhe dubrovnikas. Por një gjë e tillë nuk është e vërtetë. Sipas raporteve të inspektorëve katolikë, tregohet se shumë serbë kanë qenë katolikë. Siç dihet - siç thotë edhe Bixhi/1610 - gjysma e fisit Kuç ka qenë pravosllavë e gjysma tjetër katolikë, gjithashtu edhe gjysma e Pashtroviqëve kanë qenë katolikë. Petar Masarechi në raportin e vitit 1621 pohon se katolikët e Prizrenit flisnin serbisht dhe shqip. Kryepeshkopi Giergio Bianchi në raportin e vitit 1637 deklaron se të gjithë katolikët e Prokupljes, Novobërdës, Trepçës, Janjevës, Shkupit dhe Malit të Zi flisnin serbisht. Bianchi në Kratova takon shqiptarë të cilët kishin emigruar nga “dalli monti di Albania”. Këta ishin shqiptarë katolikë, por që flisnin serbisht dhe turqisht. Priftërinjtë e tyre ishin shqiptarë, por flisnin serbisht. Tani shtrohet pyetja se çfarëdo të ndodhte me katolikët e Prizrenit, malësisë së Shkupit, Shkupit dhe Trepçës të cilët flisnin serbisht? Mendoj që nuk ka përgjigje tjetër: ose të shqiptarizoheshin e të mbetnin në fenë e tyre, ose të konvertoheshin në fenë islame. Ata qenë të detyruar të shqiptarizoheshin, sepse ishin të rrethuar me popullatën shqiptare e cila në këto vise ishte vendosur me ndihmën e administratës turke. Nga ana tjetër, deri kah mesi i shekullit XVII, Kuçët katolikë që flisnin shqip duke mbetur bashkë me fiset malazeze në rajonet malore, kaluan në fenë ortodokse dhe zgjodhën gjuhën serbe. Është një realitet i ditur se në Thesali disa shqiptarë ishin vendosur në fund të shekullit XIV e disa në fund të shekullit XVII. Ata duke zbritur nga këtu u vendosën në Atika dhe Peleponez. Përgjatë vitit 1418 në Peleponez ishin vendosur deri në 18.000 familje shqiptare. (“Starine XX”, 199). Por sot nuk kemi asnjë gjurmë nga shqiptarët e Atikës dhe Peleponezisë. Dhe kjo është më se e qartë se këta ishin ortodoksë dhe njëherë u asimiluan nëpërmjet shkollës ortodokse romake dhe më pas nëpërmjet administratës dhe në këtë mënyrë u përzien me romanët.

Shkëputur nga kumtesa e lexuar në Kongresin I Ndërkombëtar të Turkologjisë në Stamboll, 15-20 tetor 1973. Kumtesat janë botuar nga gazeta “Terxhuman” dhe Instituti i Turkologjisë, Stamboll, 1979. Po ashtu, kjo kumtesë është botuar edhe në “Südosteuropa unter dem Halbmond, prof. Georg Stadtmuler zum 65, Geburstag gewidmet, dr. Rudolf Trofenik” Munih, 1975, faqe 125-139. E plotë, në tri pjesë, qe botuar në Shtojcën për kulturë të “Kohës Ditore” më 11, 18 dhe 25 korrik të vitit 2015. Përktheu nga turqishtja: Abdulla Rexhepi