Shtojca për Kulturë

Politika e jashtme gjermane më 1993: Kosova nën hijen e luftës në Bosnjë

Dosjet e politikës së jashtme gjermane – fashikulli për Kosovën – të prezantuara në dhjetor të vitit 2024 në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë në Berlin (Foto: Sylë Ukshini)

Dosjet e politikës së jashtme gjermane – fashikulli për Kosovën – të prezantuara në dhjetor të vitit 2024 në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë në Berlin (Foto: Sylë Ukshini)

Në aktet diplomatike gjermane të prillit të vitit 1993, në të cilat flitet për takime dhe biseda me përfaqësues politikë nga Kosova, nënvizohej qartë se për Qeverinë Federale të Gjermanisë “duhej shmangur gjithçka që forcon shpresat e shqiptarëve të Kosovës se ata mund të arrijnë qëllimet e tyre përmes një kryengritjeje të armatosur”

I ndodhur në kryeqytetin gjerman, në Berlin, për hulumtime në Arkivin Politik të Ministrisë së Jashtme Gjermane lidhur me studimin shumëvjeçar mbi rolin e shtetit gjerman për Kosovën, kisha mundësinë të jem i pranishëm në prezantimin e vëllimit “Akten zur Auswärtigen Politik der Bundesrepublik Deutschland 1993”, një vëllim voluminoz i botuar nga Instituti i Historisë Bashkëkohore dhe Ministria e Jashtme e Gjermanisë në Berlin. Në këtë prezantim të dosjeve të politikës së jashtme gjermane, të organizuar më 2 dhjetor 2024 në ambientet e kësaj ministrie, pjesë e panelit ishte edhe gjenerali në pension dr. hc. Klaus Naumann, ish-kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s në vitet 1996-1999, i cili solli përvojat e tij në misione ushtarake paqeruajtëse të Bundewehrit në periudhën e pas ribashkimit. Në këtë kontekst, ai u ndal edhe rreth luftërave në Jugosllavi, angazhimit në Bosnjë-Hercegovinë dhe pjesëmarrjes së Bundeswehrit gjerman në luftën e Kosovës si dhe për rreziqet e luftës aktuale agresive ruse në Ukrainë.

Përballë kësaj sfide, Ministria e Jashtme Gjermane dhe Instituti i Historisë Bashkëkohore paraqesin një koleksion të rëndësishëm dokumentar, që është jo vetëm një kronikë e përpjekjeve diplomatike, por edhe një analizë e thellë e dinamizmit të politikës ndërkombëtare dhe të pasojave të politikave të dëmshme të nacionalizmit ekstremist. Përmes këtij vëllimi ofrohet një pasqyrë e detajuar dhe e thellë e përpjekjeve diplomatike gjermane gjatë një periudhe kritike të politikës ndërkombëtare, me fokus të veçantë në Ballkanin Perëndimor dhe në luftën e ish-Jugosllavisë, duke përfshirë edhe Kosovën përgjatë vitit 1993.

Para së gjithash, është e nevojshme të merren parasysh se politika e jashtme kishte filluar ta rifitonte vetëbesimin e saj vetëm tre vjet pas ribashkimit të Gjermanisë pas 41 vjetësh ndarjeje. Me rrëzimin e diktaturës komuniste në tokën gjermano-lindore, pra zhbërjen e Republikës Demokratike Gjermane (RDGJ), u zhduk nga harta politike kampi real-socialist në Evropë.

Sipas disa vëzhguesve, fundi i Luftës së Ftohtë dhe finalizimi i unitetit gjerman dukej se paralajmëronte një epokë të re në politikën e jashtme gjermane. Vlerësimet se çfarë mund të pritej nga kjo politikë e re e jashtme gjermane u shprehën herët dhe në numër të madh. Disa zëra parashikuan se Gjermania do të ngrihej në një status hegjemonist në Evropë (Mearsheimer, 1990); dhe të tjerë kundërshtuan me një sërë arsyesh që sugjeronin se politika e jashtme e Gjermanisë do të mbetej thelbësisht e pandryshuar.

Përfundimi i konfliktit Lindje-Perëndim, shënoi  kthesë historike jo vetëm për  Gjermaninë dhe Evropën, por edhe për rajonin e Evropës Juglindore, ku edhe një herë u rikthye ideja e vetëvendosjes dhe e krijimit të shteteve kombëtare. Këto dokumente në fakt tregojnë se në çfarë mase ka ndryshuar politika e jashtme e Republikës Federale të Gjermanisë dhe me çfarë është përshtatur ajo. Çfarë roli luante NATO-ja, OKB-ja dhe Bashkimi Evropian për shtetin gjerman të bashkuar, si dhe çfarë ishte roli i Gjermanisë në krizën e ish-Jugosllavisë dhe cilët ishin partnerët e saj të rinj në Evropën Lindore pas vitit 1990, si Rusia, Polonia apo Republika Çeke.

Është evidente dhe e rëndësishme të përmendet se roli i historisë së shekullit të 20-të për politikën e jashtme gjermane dhe mësimet historike të nxjerra nga e kaluara e Luftës së Dytë Botërore u bënë përcaktuese për një politikë të vetëpërmbajtjes dhe hezituese. Në këtë kontekst, periudha e ribashkimit shënon një moment kthese dhe dileme për atë nëse duhet ndryshuar kursi i politikës së jashtme apo duhet ndjekur qasjen e vetëpërmbajtjes. Por, politika e jashtme gjermane përgjatë viteve ’90-ta, e ndodhur përballë luftërave brutale dhe të përgjakshme në ish-Jugosllavi, vrasjeve masive dhe spastrimit etnik, u detyrua të ndryshonte në vazhdimësi.

 Ministria e Jashtme gjermane dhe Instituti i Historisë Bashkëkohore paraqesin një koleksion të rëndësishëm dokumentar që është jo vetëm një kronikë e përpjekjeve diplomatike, por edhe një analizë e thellë e dinamizmit të politikës ndërkombëtare dhe të pasojave të politikave të dëmshme të nacionalizmit ekstremist (Foto: Sylë Ukshini)

Luftërat në ish-Jugosllavi shërbyen si katalizator për transformimin e politikës së jashtme gjermane dhe forcimin e rolit ndërkombëtar të Gjermanisë. Ajo u rreshtua pranë SHBA-së, Francës dhe Britanisë së Madhe, duke formuar në vitin 1994 Grupin e Kontaktit, një forum diplomatik që vepronte si një zëvendësues i Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Rritja e fuqisë së Gjermanisë e shtyu atë të përpiqej të rrisë ndikimin në institucionet ndërkombëtare dhe t’i përdorte ato për zgjidhjen paqësore dhe multilaterale të konflikteve, në ish-Jugosllavi dhe gjetiu në botë.

Gjermania po shfaq një rritje të fuqisë dhe natyrshëm do të kërkojë të rrisë ndikimin e saj në institucionet ndërkombëtare, duke i përdorur ato për zgjidhjen paqësore dhe multilaterale të konflikteve. Kjo ka kërkuar nga Republika Federale të përcaktojë interesat e saj kombëtare, veçanërisht në politikën e jashtme të Evropës Lindore, duke marrë përgjegjësinë pan-evropiane. Një Gjermani e bashkuar dhe sovrane e mbështet një “fuqi civile” bashkëpunuese për zgjerimin e institucioneve shumëpalëshe. Disa teza të politikës gjermane përfshijnë ekuilibrin e fuqive evropiane dhe përgjegjësinë historike të Gjermanisë për paqen, përfshirë ruajtjen e paqes në Evropë dhe mbështetjen e të drejtës së popujve për vetëvendosje. Elemente kyçe të mësimeve historike të politikës së jashtme gjermane janë: mosfillimi i luftës nga territori gjerman, përgjegjësia për ekzistencën e Izraelit, dhe ruajtja e paqes dhe stabilitetit në Evropë.

Me çfarë sfidash përballet politika e jashtme gjermane?

“Lufta nuk duhet të fillojë më kurrë nga toka gjermane”, ishte parimi i kancelarit federal Helmut Kohl për politikën e jashtme gjermane të Gjermanisë së bashkuar. Ky parim zbatohet i pandryshuar. Me rritjen e përgjegjësisë, e cila u kërkua kryesisht nga qeveria amerikane në Washington dhe partnerët evropianë, por edhe nga shtetet aziatike, Gjermania tashmë çoi në rritjen e përfshirjes ndërkombëtare në zonat e krizës në fillim të viteve ‘90-ta. Si rezultat i situatës së ndryshuar të sigurisë që nga viti 1990, Bundeswehri përdoret gjithashtu për masa paqeruajtëse jashtë Republikës Federale të Gjermanisë. Menjëherë pas ribashkimit, filloi një debat i ashpër në lidhje me vendosjen e Bundeswehrit jashtë zonës së traktatit të NATO-s (debat jashtë zonës). Pranueshmëria kushtetuese e dislokimeve në përputhje me nenin 24, paragrafi 2 Ligji Themelor (al - kështu brenda mandateve të NATO-s ose OKB-së) ka sqaruar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese Federale të 12 korrikut 1994. Për më tepër, ky gjykim përmban bazën për rezervën parlamentare për përdorimin e forcave të armatosura gjermane jashtë vendit.

Viti vendimtar për politikën e jashtme gjermane

Qeveria federale në Bonn dërgoi gjithashtu ushtarë në Somali si pjesë e një misioni të OKB-së. Si pjesë e një politike të re ndaj Azisë, kancelari Kohl dhe ministri i Jashtëm Kinkel udhëtuan në Lindjen e Largët, ndërsa në Moskë, presidenti Jelcin dhe parlamenti po shkonin drejt një konfrontimi, rezultati i të cilit nuk mund ta linte Bonnin indiferent. Fokusimi gjerman në ish-Jugosllavi pa dyshim, konflikti më serioz për politikën e jashtme gjermane dhe evropiane ishte Ballkani në vitet ‘90-ta. Shpërbërja e Jugosllavisë rezultoi në një ferr dhe konflikte të dhunshme. Brutaliteti i forcave serbe përbuzi parimet e rendit të ri të paqes evropiane të shpallur në vitin 1990 dhe eklipson gjithçka që Evropa kishte përjetuar që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Propozimi i Ahrensit për Kosovën

Në nëntor 1991, Gjermania kushtëzoi njohjen e pavarësisë së Kroacisë me garantimin e të drejtave të pakicave dhe harmonizimin me qëndrimet e shteteve të tjera evropiane. Ministri i Jashtëm gjerman, Hans-Dietrich Genscher, theksoi se njohja ndërkombëtare do të varej nga zgjidhja e kënaqshme e kësaj çështjeje, ndërsa pretendimet nga Zagrebi, që ngrinin pyetje përse Kroacia duhej t’u garantonte serbëve në territorin e saj privilegje të gjera, ndërkohë që Serbia refuzonte t’u jepte të drejta të barabarta shqiptarëve në Kosovë apo kroatëve në Vojvodinë, nuk u pranuan në Bonn. Zagrebi e kuptoi se përmbushja e kushteve gjermane ishte e domosdoshme. Në mënyrë të përmbledhur, argumentimi gjerman paraqitet në një shënim nga Geert-Hinrich Ahrens, i cili më 26 nëntor 1991 iu dërgua ambasadës në Beograd dhe konsullatës së përgjithshme në Zagreb për t’u njohur. Sa i përket kërkesave (jo vetëm kroate) për t’i dhënë popullsisë shqiptare në Kosovë të drejtat e barabarta me pakicën serbe në Kroaci, thuhet: “Kjo është një kërkesë e drejtë në parim. Megjithatë, kroatët tani dëshirojnë njohjen, dhe për këtë qëllim duhet të avancojnë me një rregullim të arsyeshëm për pakicat. Ky rregullim do t’u sigurojë njohjen, do t’i bëjë ata më të pranueshëm për të gjithë Evropën dhe përfundimisht do të vendosë një standard për Jugosllavinë, të cilin Evropa me siguri do t’ua paraqesë serbëve”.

Megjithatë, në fund të vitit 1991 dhe në fillim të vitit 1992, fillimisht Republika Federale e Gjermanisë dhe më pas Komuniteti Evropian njohën republikat pasardhëse jugosllave të Sllovenisë dhe Kroacisë sipas ligjit ndërkombëtar. Mbeti e paqartë se çfarë statusi do të merrnin në të ardhmen Kosova dhe pakicat serbe në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë. Njohja u bë përpara se marrëdhëniet e ardhshme të shteteve të reja me pakicat e tyre të vendoseshin fort dhe të mund të testoheshin. Fakti që u ndez shkëndija për konflikte të dhunshme në të ardhmen ishte e parashikueshme të paktën që nga fitorja zgjedhore e presidentit serb Slobodan Millosheviq, sepse pakica serbe jetonte në Kroaci (Krajina) dhe në Bosnjë-Hercegovinë. Në fillim të janarit 1993, Ambasada Gjermane në Beograd shprehu skepticizmin e saj për një zgjidhje paqësore të problemit përmes një raporti me titull: “A po vjen Lufta e Madhe Ballkanike?” Në këtë raport të përgatitur nga diplomati gjerman Schrömbgens vihet re se rezultati i zgjedhjeve të 20 dhjetorit 1992 e bëri Milosheviqin figurën kryesore dhe vendimtare. Nuk ka rëndësi nëse ky rezultat erdhi përmes votimit të ndershëm ose mashtrimeve masive. Gjithashtu, sipas tij ishte mashtrim të mendohej se humbja e shumicës absolute të partisë së Millosheviqit (SPS) në parlamentin serb, dhe nevoja për një koalicion, mund të interpretohet si një arsye për ngushëllim. Pa marrë parasysh nëse një koalicion i ardhshëm do të përfshijë Partinë Radikale të Sheshelit (një mundësi ende e pasigurt) ose nëse do të përpiqen të krijojnë një kabinet “ekspertësh” me një spektër më të gjerë partiak, Millosheviqi mbetet, ndoshta më shumë se kurrë, figura qendrore e Serbisë dhe e Federatës së Jugosllavisë. Shesheli kishte të drejtë kur thoshte në një intervistë për revistën “NIN” se presidenti Qosiq ka pozitat e një “njeriu të humbur”.

Pavarësisht nëse Millosheviq e përdor Sheshelin vetëm si “djalin e keq” apo nëse Shesheli, për shkak të ndikimit të tij në parlament, synonte të luante një rol më të pavarur, ai do ta forconte politikën kombëtare të Millosheviqit.

Diplomati gjerman nga Beogradi paralajmëronte se përhapja e dhunës, veçanërisht akteve terroriste, mund të shtrihej jo vetëm në Ballkan, por edhe në rajone të tjera. Disa besonin se ky skenar mund të shmanget dhe se serbët do të tërhiqen, por kishte dyshime mbi këtë. Ky raport e mbështeste këtë dyshim.

Në rast se ndodh një goditje ushtarake që do të detyronte serbët të dorëzoheshin, është e mundur që kjo të mos i sjellë atyre një proces shpërblimi dhe ndihme për ndryshimin e mentalitetit kombëtar, siç ndodhi me gjermanët pas Luftës së Dytë Botërore. Sipas raportit të diplomatit Schrömbgens, një humbje mund t’i forconte serbët në besimin se ata janë gjithmonë populli i dëmtuar që ka mbijetuar shumë luftëra, përfshirë Betejën e Kosovës në vitin 1389.

Vëmendja në vitin 1993 u përqendrua në situatën dhe statusin e ardhshëm të Bosnjë-Hercegovinës. Në këtë ish-republikë jugosllave multietnike, kryesisht myslimane, konfliktet e rajonit ishin të përqendruara si në një llupë dhe në një formë të zmadhuar. Shpërthimi i tyre i dhunshëm, i cili mezi u frenua, alarmoi shtetet evropiane si dhe SHBA-në. Prandaj, trajtimi i konfliktit në vëllimin e paraqitur këtu me akte të AA është i kuptueshëm në të gjitha nivelet e politikës së aleancës. Ishte një temë konstante në komitetet e NATO-s dhe BE-së, dhe pothuajse asnjë takim dypalësh nuk shkoi pa diskutuar problemin e “ish-Jugosllavisë”. Konferenca e Jugosllavisë ishte mbledhur vazhdimisht në Gjenevë që nga viti 1992 për të zgjidhur konfliktin përmes negociatave. Dy kryetarët e konferencës David Owen dhe Cyrus Vance paraqitën një plan përkatës në fillim të vitit 1993, por ai kishte pak shanse për sukses që në fillim. Ministria e Jashtme e Gjermanisë gjithashtu e shikoi të ashtuquajturin Plan Vance-Owen me skepticizëm të konsiderueshëm dhe kritikoi një qëndrim tepër të butë ndaj serbëve. Nga këndvështrimi i Ambasadës Gjermane në Beograd, dështimi i tij ishte i pashmangshëm sepse po punonte me premisa false dhe asnjëra palë nuk ishte në gjendje të kënaqte “ndarjen efektive trepalëshe të vendit” të shpallur. Fillimisht, përgjegjësia e vetme për përshkallëzimin dukej se ishte i serbëve. As Millosheviqi në Beograd dhe as Radovan Karaxhiqi si president i Republikës Serbe të saposhpallur në territorin e Bosnjë-Hercegovinës nuk u shfaqën të gatshëm për të negociuar. Megjithatë, fotografia u bë më e ndërlikuar gjatë vitit 1993 pasi presidenti kroat Tugjman gjithashtu tërhoqi kritika në rritje. Nga njëra anë Tugjman gëzonte solidaritetin dhe mbështetjen kryesisht të pakufizuar të gjermanëve. Nga ana tjetër, ishte e pagabueshme që ai po bënte lojën e tij në Bosnjë-Hercegovinë dhe nuk iu shmang masave drastike për të konsoliduar territorin kroat atje. Nga këndvështrimi i Bonnit, Kroacia mbante përgjegjësi të konsiderueshme për shpërfilljen sistematike të planit Vance-Owen, si dhe “për luftimet e përgjakshme midis kroatëve dhe myslimanëve në Bosnjë-Hercegovinë”. Politika gjermane në mënyrë të përsëritur dhe urgjente u përpoq të ndikonte te Tugjmani për të moderuar qëllimet dhe metodat e tij. Duke pasur parasysh ngërçin pushtet-politik-ushtarak në ish-Jugosllavi dhe konfliktin e zgjatur mbi Bosnjë-Hercegovinën, Ministria e Jashtme e Gjermanisë formuloi një qëllim të dyfishtë të politikës gjermane: nga njëra anë, përfundimi paqësor i konfliktit sa më shpejt të jetë e mundur në kuadrin e një zgjidhjeje të zbatueshme për të gjithë, por nga ana tjetër, gjithçka duhej lejuar “sipas modeleve fatkeqe historike, për shembull kroatët dhe boshnjakët. Qëllimi i Gjermanisë është përpjekja për marrëdhënie të mira politike, ekonomike dhe kulturore me të gjithë popujt dhe shtetet në rajon, duke përfshirë Serbinë - natyrisht vetëm pas përfundimit të regjimit të Millosheviqit”, nacionalizmi serbomadh i të cilit në Bonn shihej ende si përgjegjës kryesor për përshkallëzimin e dhunës. Matur kundrejt këtyre synimeve, viti 1993 mbeti një vit i humbur për politikën gjermane, evropiane dhe ndërkombëtare të Jugosllavisë. Në fillim të dhjetorit, Konferenca e Gjenevës për Jugosllavinë u ndërpre pa ndonjë rezultat të prekshëm. Është e qartë se evropianët nuk kishin arritur të kontrollonin konfliktin dhe viti përfundoi me pasiguri më të madhe se kurrë. Në këtë sfond, tashmë po shfaqej një rol më i fortë për NATO-n dhe SHBA-në. Njësitë e NATO-s me pjesëmarrjen gjermane kishin monitoruar hapësirën ajrore mbi Bosnjë-Hercegovinë që nga viti 1992, duke përdorur gjithashtu sistemin AWACS. Diplomacia amerikane tregoi qysh në korrik/gusht 1993 se sulmet ajrore kundër serbëve do të mund të konsideroheshin gjithashtu për të arritur përparim. Nuk bëhej fjalë vetëm për mbrojtjen e trupave të OKB-së (UNPROFOR) të vendosura në Bosnjë-Hercegovinë, por edhe për fatin e qytetit të rrethuar të Sarajevës. Opsioni në mënyrë eksplicite ushtarake që u premtua krijoi një dilemë të rëndësishme për politikën gjermane. Nga njëra anë, pritej një rezistencë e qartë franceze. Megjithatë, divergjencat me partnerët evropianë nuk u konsideruan të përshtatshme dhe izolimi i Gjermanisë në Evropë shihej si një rrezik. Nga ana tjetër, kishte një interes të jashtëzakonshëm për një konsensus transatlantik në Ministrinë e Jashtme Gjermane në Bonn veçanërisht pasi kishte “më shumë simpati për pozicionin amerikan për këtë çështje”. Rezultati, natyrisht, sugjeroi rezervën që është tradicionalisht karakteristikë e politikës së jashtme gjermane, e cila mund të justifikohet duke thënë se, marrë parasysh problemet e njohura, Gjermania nuk “mund të ekspozohet në një debat të natyrës së politikës ushtarake”.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë