Shtojca për Kulturë

Politika e emergjencave në kulturë

Votimi ne Kosove

Foto: Driton Paçarada

Kur kryeqyteti po buçiste prej fushatave zgjedhore që marrin flakë në prag të ditës së zgjedhjeve, mori flakë një monument midis qendrës. Sot kur qytetarët u drejtohen kutive të votimit, është mbyllur edhe fushata zgjedhore. Arti e kultura janë diku nga fundi i programeve a zotimeve të partive politike. Në takime gjithandej vendit, kultura është përmendur prapë. Janë dhënë premtime e shifra investimesh që mohohen lehtë, veç me një shikim të planeve buxhetore të shtetit

Mbrëmjen e së premtes ekipe të zjarrfikësve, policisë, Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore e prokurorë të shtetit ia mësynë qendrës së kryeqytetit. I doli tymi një prej ndërtesave që bart më vete histori jo veç të kohës së njëfarë rrjeti të kinemave në Kosovë, por tregon periudhën kur arti nisi të marrë frymë tjetër në këto anë. Arsyet se përse ajo që ishte “Kino Rinia” mbrohet si aset i trashëgimisë kulturore janë të shumta, por jo aq të vlefshme që tash e më shumë se dy dekada të mbetet objekt i lënë pas dore. Rastisi dy ditë para zgjedhjeve parlamentare që një monument i Prishtinës të çojë në këmbë një varg institucionesh. U shndërrua në rast që duhet ndërhyrë me urgjencë. E në raste të tilla shteti menjëherë pas bën një projekt për ndërhyrje emergjente. Kësisoj ngjan tash e më shumë se dy dekada. Trashëgimia kulturore është çështje emergjencash. Qindra projekte janë hartuar e implementuar në emër të ndërhyrjeve emergjente. Thjesht: mbahet në këmbë një monument dhe i kthehet shpina. Më pas s’ka menaxhim, s’ka vizitorë, nuk i hyn kujt në punë. 

Kosova s’ia ka dalë që t’i tejkalojë emergjencat. Edhe në këto zgjedhje partitë politike në zotimet e tyre e kanë trajtuar krejt kulturën si emergjencë.

Detaj nga Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë (Foto: Driton Paçarada)

Premtime me ide

Rasti i “Kino Rinisë” mund të merret si shembull konkret i qasjes së shtetit ndaj kulturës. E ndërtuar në vitet ‘50 të shekullit të kaluar, me hapësirë të brendshme e të jashtme “Kino Rinia” një lloj adrese e kulturimit të qytetarëve të Prishtinës e më gjerë. Me filma të zhanreve të ndryshme, salla e ndërtesës është vend i kujtimeve të shumta. Në një vend ku para Luftës së Dytë Botërore, aktiviteti publik i familjeve përfundonte në ndonjë ëmbëltore, pas Luftës kinematë e teatrot do të nisnin të fusnin artin në aktivitet familjare. Pas luftës së fundit ndërtesa shërbeu pak si kinema e më pas herë diskotekë, e herë hapësirë e lojërave të fatit. Posterët e vajzave që hedhin zaret në tavolina qenë aty deri vonë. E shteti sikur bëri sehir. E nxori ta japë me qira e pas reagimeve të shumta u shndërrua në aset të mbrojtur të trashëgimisë kulturore. Më 2022 iu dha nën menaxhim Komunës së Prishtinës. E gati tre vjet më vonë u përfshi nga flakët. Krejt afër saj, në rrugën “Luan Haradinaj” tash e disa vjet, një ndërtesë e njohur si “Shtëpia e Musli Hoxhës” është e rrethuar me skele. Shteti paguan qira për ato skele si ndërhyrje emergjente. Çështjet pronësore kanë bërë që monumenti të jetë në kontekst pronësor në gjykatë dhe muret amortizohen dita-ditës madje edhe duke rrezikuar kalimtarët. Nuk duhet të lëvizet fare nga qendra e qytetit për të përcaktuar diagnozën e marrëdhënies së shtetit me kulturën: Çështje emergjencash. 

Sot kur qytetarët u drejtohen kutive të votimit është mbyllur edhe fushata zgjedhore. Arti e kultura janë diku nga fundi i programeve a zotimeve të partive politike. Në takime gjithandej vendit, kultura është përmendur prapë. Edhe kur është përmendur, janë dhënë premtime e shifra investimesh që mohohen lehtë, veç me një shikim të planeve buxhetore të shtetit. Kosova me përjashtim të disa qendrave kulturore në disa komuna, ka trashëguar e shfrytëzon ndërtesat e ish-sistemit. Krejt institucionet qendrore të kulturës funksionojnë ashtu. Prej vitit 2006 ka nisur zallamahia e ndërtimit të Teatrit të Operës dhe Baletit. U konsiderua si çështje emergjente, pasi Prishtina s’ka një sallë të vetme që akomodon as 100 veta dhe i plotëson kushtet për t’u mbajtur një koncert i muzikës serioze. 
Por pas një projekti e një gur themeltar të vitit 2009 kur i shpenzuan mbi një milion euro, punët u ndërprenë. 

Kryeministri i tanishëm, javën e kaluar ka thënë se ndërtimi do të nisë në vitin e ardhshëm, por menaxhmentit aktual të Ministrisë së Kulturës i janë dashur katër vjet për ta pasur një dokument bazik: planin ideor.

Salla e “Kino Rinisë” në qershorin e vitit 2020 (Foto: Alban Bujari)

“Partitë politike kulturën e shohin si barrë”

Para nja dhjetë ditësh kur u prezantua projekti i ideor i Teatrit të Operës dhe Baletit – i dyti në këto 26 vjet të pasluftës së fundit – ushtruesi i detyrës së drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj në foltore me ironi tregoi një bashkëbisedim me kompozitorin e dirigjentin, Rafet Rudi. “Profesori më tha se: ‘Unë kam hequr dorë nga ajo se do të dirigjojë ndonjë koncert në një sallë me kushte, por kam frikë se as ju Dardan nuk do ta arrini këtë kohë’", rrëfeu ai. Është një muhabet që në qarqet artistike përmendet shpesh dhe qeshet me këto fjali. Është aso e qeshure sikur përballë ndonjë situate tragjikomike. Tragjedia është se Filharmonia e Kosovës mban koncertet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit, çatia e së cilës nuk e mban as ujin. Sa për akustikën që ka ai ambient s’është e pranishme as për një DJ krejt lokal. E komedia hyn në lojë për faktin se krejt partitë politike tash e të paktën 15 vjet e kanë në zotimet e tyre këtë investim kapital, më të madhin që shteti e synon sa i përket infrastrukturës kulturore. Për Baletin Kombëtar të Kosovës historia e kohëve të fundit është rrëfim qiraxhiu që s’di nga t’ia mbajë. Në ditën kur u prezantua projekti i ri i danezit Bajrke Ingels bashkë me një partner vendor u mor vesh se Ministria e Kulturës me Komuna e Prishtinës po përplasen për hapësirën prapa Pallatit të Rinisë ku ishte paraparë të ndërtohet Teatri i Operës dhe Baletit. Ministria ka paditur Komunën pasi institucioni lokal ka nisur një projekt urbanistik aty pa kërkuar pëlqim nga institucionet e trashëgimisë kulturore dhe cenon hapësirën e Teatrit bashkë me 2.5 milionë eurot për këtë projekt. E projekti i Komunës kushton 6.5 milionë euro. Tashmë dy kontratat janë të nënshkruara kurse lënda është në Prokurorinë Speciale. 

Sipas regjisorit Agim Sopi, i cili për një mandat ka udhëhequr Teatrin Kombëtar të Kosovës, programet e partive politike janë goxha stereotipa në dy-tri gjëra që konsistojnë në disa objekte. 

“Madje kryesisht në një objekt legjendar që s’bëhet tash e 20 vjet, e që është Teatri i Operës dhe Baletit. Duhet program strukturor që shtrihet gjithandej vendit”, ka thënë ai. Sopi është një vrojtues i vëmendshëm i politikave kulturore dhe zhvillimeve në këtë sektor. Sipas tij, një parti politike ka deri diku një program që mbledh ndërtesat kulturore në një kompleks të përbashkët dhe nëse do të realizohej do të mund të ishte një arritje jo e vogël. 

“Është ide goxha reale nëse nuk është aso logjike e tenderomanisë. Me një investim serioz me mbështetje edhe nga donatorët e jashtëm është i realizueshëm”, thotë ai. 

Sipas Sopit, duhet funksionalizuar edhe përmbajtja e nja dhjetë teatrove regjionale. 
“Nëse financohen nga qendra dhe kanë pavarësi financiare e përmbajtjesore, besoj se mund të ketë ringjallje kulturore. Partitë politike kulturën e shohin si një barrë që u ka ngelur nga e kaluara dhe thonë 'hajt se edhe ne duhet të kemi kulturë. Kultura është shtylla kurrizore e një kombi dhe një shteti. Është shkronja A”, thotë ai. Sipas Sopit, ka politikan që kulturën e përziejnë edhe me estradën dhe mundohen ta qeverisin atë me këtë mendësi. 
Aktorët e institucionit që ai e ka udhëhequr dikur, Teatrit Kombëtar të Kosovës, janë në grevë prej mesit të nëntorit të vitit të kaluar. S'ka asnjë shenjë se kur do të përfundojë greva. E Teatri s’ka dhënë shfaqje prej atëherë.

Sukseset e pushteteve në prerje shiritash

Driton Selmani është artist i artit bashkëkohor që shpesh provokon me ndërhyrjet e tij. Trajton tema të ndryshme dhe emri i tij në listat e përfituesve të buxhetit shtetëror është tejet i rrallë. Selmani thotë se s'ka parë produkte të mëdha në qeverisjet e deritashme. 

“Projekti më i madh është Muzeu i Artit Bashkëkohor që është ende në letër”, thotë ai për një synim të shtetit që numëron gati dy dekada. Tash ka një koncept në letër dhe është caktuar lokacioni, ish-shtypshkronja e “Rilindjes”. Duke parë zhvillimet në këtë çerekshekull të pasluftës, Selmani ka dyshime të mëdha. 
“Kam frikë se mos ndoshta pushtetet, sukseset më të madha të tyre i kanë nëse mbërrijnë të bëjnë çfarë kanë bërë paraardhësit e tyre, të presin shirita të flasin dhe t’i lënë bretkosat të krijojnë simfoni sikur ai rasti te Fakulteti Teknik”, ka thënë ai. Ka aluduar në gropën e ish-projektit të Tetarit të Operës ku zhvillonin aktivitete bretkosat derisa në atë hapësirë nisi një tjetër projekt, ai për ndërtesa të disa fakulteteve të Universitetit të Prishtinës. Selmani e ka një vepër në të cilën thotë: “Gjithçka mund të shkojë keq këtu pos gjërave të këqija”. Është njëfarë skanimi i një artisti të pavarur. 
Një muze arkeologjik, një tjetër i paqes, një i luftës e një i gjenocid janë pjesë e zotimeve të partive politike. Për atë të gjenocidit ka edhe një vendim qeveritar të marrë para gati dy muajsh. Por pasi shteti s’ka një ligj për muze, Qeveria ka vendosur që fillimisht të krijohet një sektor i këtij muzeu në Muzeun Kombëtar e kur të plotësohen kushtet ky muze i ri të vendoset në ambientet e Ministrisë së Kulturës. Një teatër i ri kombëtar është prapë në premtime. Kishte qenë edhe më herët por më pas u tha se do të restaurohet komplet ndërtesa aktuale. U bënë gati tre vjet prejse u mbyll e vjet në vjeshtë nisën punimet me një kontratë që peshon 7 milionë euro. Edhe ndërtesa e TKK-së është monument.

“The Noise”, Driton Selmani, intervenim publik në Prishtinë,  maj 2019 (Foto: Majlinda Hoxha) 
 

Domosdoshmëria për ndërrim të vizionit

E sa u përket monumenteve, rrjetet sociale të politikanëve kanë parë shumë ndërhyrje që ua kthejnë ngjyrat këtyre objekteve. Por aty përfundon gjithçka. 

“Do të duhej të ndërrohej krejtësisht qasja ndaj trashëgimisë. Nuk është veç barrë investimi, por edhe burim i të ardhurave për shoqërinë. Duhet menaxhim e program i qëndrueshëm që shoqëria ta ketë trashëgiminë si resurs zhvillimi. Kjo do të duhet të ishte qasja e re. Duhet ndërrim i krejtësishëm i vizionit”, thotë Sali Shoshi, i cili udhëheq me fondacionin kosovar, Trashëgimi Kulturore pa Kufij, (CHwB Kosova). 

Sipas Shoshit, deri tash ka pasur investime në aspektin teknik, në restaurim, por jo në funksionalizim si resurs për shoqërinë. 

“Njerëzit në vendet ku jetojnë përkundër që kanë monumente përreth nuk kanë ndonjë interaksion me to. Si rrjedhojë motivi për të jetuar aty është i vogël. S’po them se trashëgimia është zgjidhja por mund të ndihmojë në bashkimin e njerëzve. U ndihmon njerëzve lokalë për t’u mbledhur për aktivitete të ndryshme”, thotë Shoshi, i cili ka kohë që bën thirrje që shteti t’i tejkalojë emergjencat në trashëgimi kulturore. Prapë ka thënë se shpesh muzetë shihen si ndërtesa dhe nisin pa koncept të qartë se si duhet të jetë kurimi e çka do të prezantohet. 

“Ndërtimi i ndërtesës së muzeut është e fundit që duhet të vijë në proces. Shpesh gabohet dhe ndërtesa nis e para. Shembull është Muzeu i Natyrës që ka nisur pa koncept dhe është ndalur. Jam ithtar i funksionalizmit të monumenteve aktuale e jo i ndërtimit të ndërtesave të reja. Kjo është qasje që shihet në shumë vende”, thotë ai. 

Në emergjencë nuk është vetëm trashëgimia kulturore por edhe sektori i artit. Shteti ka arritur që t’i rrisë në shuma stratosferike mbështetjet për skenën e pavarur kulturore dhe kjo ka bërë që me vështirësi të gjenden akterë të skenës së pavarur që kanë kritika për politikat e kulturës. Madje ka prej atyre që haptas thonë se kanë vërejtje por s’duan të flasin pasi kanë marrë përkrahje gjeneroze. Andaj rrëfimet mund të jenë diametralisht të ndryshme. Për dike kultura në vend është në ditët më të mira e për dikë institucionet aktualisht janë me vështirësi të shumta. 

Teatri i Operës dhe Baletit sipas vetë projektuesit do pesë vjet për ndërtim, pasi të përfundojë projekti zbatues. Do t’i nxirrte nga emergjenca katër institucione si Baletin Kombëtar të Kosovës, Filharmoninë e Kosovës e ansamblin kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”. Madje edhe atë që është Opera e Kosovës që praktikisht prej themelimit më 2022 është njëfarë agjencie me tre a katër veta që angazhon qindra të tjerë në projekte ku realizohen opera që jepen dy herë dhe merr fund historia e tyre. 

“Kino Rinia” do të jetë aty edhe pas zgjedhjeve në pritje të një projekti për ndërhyrje emergjente, pasi kultura në përgjithësi është emergjencë tash e më shumë se çerek shekulli. E kur do të dalë në ndonjë “repart” tjetër, mbetet të shihet.