Tema është serioze, ka krim e korrupsion, por “Policë për kokë” i trajton ato, lehtas e duke qeshur. Vjen si kontrast me atë që shpalos dhe ky është qëllimi. Filmi me skenar e regji të Aldo Markut ka mbërritur edhe në kinemanë e Prishtinës, e në premierë ka ardhur bashkë me kastën. Në mesin e tyre është edhe aktori i njohur, Nik Xhelilaj
Pushteti, korrupsioni, lufta midis së mirës e së keqes, të mbështjella me tis komedie, janë kryetemat e filmit shqiptar “Policë për kokë”. Premiera e tij në Kosovë u dha të premten mbrëma, vetëm një ditë pas premierës në Shqipëri. Të pranishëm qenë edhe aktorët dhe bashkëpunëtorët e tjerë të filmit, të cilët u shprehën të kënaqur me realizimin e këtij produksioni.
Holli i kinemasë “Cineplexx” në Prishtinë ka qenë përplot me figura të njohura të botës filmike dhe të artit shqiptar në përgjithësi. Megjithatë, të veçantë natën e ka bërë prania e kastit të aktorëve dhe bashkëpunëtorëve të tjerë të filmit, përfshirë edhe regjisorin e “Policë për kokë”, Aldo Marku.
Në njëqind minuta, filmi tregon historinë e policit Xhino (Olsi Bylyku) jeta e të cilit është plot ngjarje qesharake, dhe që pavetëdijshëm e gjen vetën pjesë të një aksioni për zbulimin e një misteri ku janë grabitur disa miliona euro dhe ka mbetur i vdekur një njeri. Për ta zgjidhur këtë çështje atij i duhet të punojë me një oficer të lartë, Maksimiljan Muratin (Nik Xhelilaj) karakteri i të cilit dallon shumë nga ai i veti. Kontradiktat në karakterin e tyre dhe në mënyrën se si e bëjnë punën e policit, sjellin çaste nga më interesantet e më komiket. Një bashkëpunim i cili fillimisht nis prej zori, përfundon me një miqësi për kryekreje.
“U përpoqa që të sillja disa shqetësime dhe disa problematika, të ngrija disa pikëpyetje, por të sjella në një formë që të bën për të qeshur. E rëndësishme ishte që ky film të vinte në një formë të lehtë dhe për të qeshur, sepse njerëzit deri diku sikur janë lodhur duke gllabëruar lëndë të rënda dhe nganjëherë kur janë të lehta sikur impaktin e jep sërish, por e jep në një formë më të butë në psikologji dhe subkoshiencë, për ta sjellë gjithë mesazhin dhe historinë”, ka shpjeguar idenë e tij regjisori i filmit, Aldo Marku.
Marku i cili është regjisori edhe i filmit tjetër të metrazhit të gjatë, “Once upon a time in Albania” dhe atij të metrazhit të shkurtër, “Big fish”, ka folur edhe për ecurinë e filmi të tij të fundit, “Policë për kokë”.
“Xhirimi i filmit është bërë për njëzet e pesë ditë. Është bërë në një kohë relativisht të shkurtër. Ndërsa si projekt i gjithi, nga fillimi deri në lansim, domethënë nga fillimi i skenarit deri në premierë, ka zgjatur një vit. Kushdo që e kupton filmin e kupton që është pak e vështirë ta bësh në këtë formë, por ashtu ishte situata dhe e bëmë brenda vitit. Kishim fat që gjithçka shkoi shumë mirë dhe produkti ishte shumë i mirë”, ka deklaruar Marku.
Si regjisor dhe skenarist i filmit, Marku ka zbërthyer mesazhet që përçon te publiku.
“Mendoj se janë dy - tri mesazhe në film, por mesazhi i filmit është që e mira fiton, domethënë pozitivja fiton gjithmonë. Brenda nesh gjendet gjithmonë ana pozitive dhe sado që mund të kemi shembuj të këqij, nuk janë të gjithë të tillë. Kudo ka mollë të prishura, por nëse i largon ato, atëherë rregullohet situata”, ka përfunduar Marku.
“Policë për kokë” ka në kastë emra të shquar, e njëri prej tyre është edhe Nik Xhelilaj i njohur tash për karrierën e tij në Turqi. Roli i tij si Maksimiljan Murati i kishte shërbyer për ta provuar veten në një zhanër më ndryshe.
“Në këtë rast ne kemi të bëjmë me një produkt shumë dinjitoz të zhanrit të tij. I qëndron atij parametri. Mendoj që ka parametra që mund ta shfaqësh edhe jashtë trevave shqiptare. Unë edhe vetë mendova të provoj diçka të re. Të futem në këtë zhanër pak aksion, pak komedi pse jo”, ka thënë Xhelilaj, i njohur për rolet e tij në “Der Albaner”, “Seven Lucky Gods”, “Alive” “3 Yol”, “Winnetou” si dhe pjesëmarrjen në disa seriale gjermane e turke si: “We children from Bahnhof Zoo”, “The Great Seljuks: Guardians of Justice”. Për rolin në “Seven Lucky Gods” mori Çmimin për aktorin më të mirë dhe me Çmimin special të jurisë në “WorldFest-Houston International Film Festival”. Më 2011 nga European Film Promotion, u fut në mesin e “Shooting Stars”. Karrierën e bujshme e nisi me “Trishtimin e zonjës Shneider” të Pirro e Eno Milkanit.
“Mashallah” ka qenë përgjigjja e tij kur është pyetur për karrierën në Turqi. Ai kishte shkruar atje nga Gjermania dhe gjeti më shumë angazhime, edhe pse jo pak projekte u anuluan për shkak të pandemisë.
“Tani sa doli një projekt që është xhiruar në Stamboll. Nuk e di nëse e keni parë në ‘Netflix’: “Rise of Empires: Ottoman” sezoni i dytë. Jemi duke diskutuar për sezonin e tretë. Unë e kam rolin e një Veziri të Madh, Mahmud Pashës. Më duket se ka prejardhje nga Kosova por ka qenë njëkohësisht edhe përgjegjës për kryengritjet që bëheshin në Ballkan. Ndoshta do të ketë luftuar me Skënderbeun”, ka thënë Xhelilaj në humor.
Teksa ka folur për dashurinë ndaj Stambollit dhe energjisë që ka ai vend, Xhelilaj ka njoftuar edhe për një projekt të ri, i cili pritet ta rikthejë përsëri në Kosovë.
“Kemi një projekt të ri, por jemi ende në hapat e parë. Është një projekt fitues në Qendër (Kinematografike) nga një regjisore relativisht e re: Val Jashari. Unë do të kem rolin kryesor si protagonist dhe me shumë gjasa këtë vit mund të jem me xhirime në Prishtinë”, ka bërë të ditur Xhelilaj teksa ka shtuar se viteve të fundit, kinematografia e Kosovës, ka një ngritje mbresëlënëse.
Krah Xhelilajt, si mik për kokë, qëndron Olsi Bylyku, i njohur veçmas për paraqitjet e tij televizive. Bylyku i cili luan njërin nga rolet kryesore, ka vlerësuar lartë ndihmën dhe bashkëpunimin me Xhelilajn.
“Unë kam qenë pjesë e filmit që nga fillimi dhe pastaj, kur është zhvendos ideja si ‘Policë për kokë’, Niku është bashkuar për të dhënë idetë e tij. Profesionalisht mua më ka ndihmuar shumë nga ana profesionale e aktrimit, duke qenë se ai ishte më me eksperiencë. Për mua ky është filmi i dytë që marr pjesë. Në fakt filmi fillimisht ka qenë menduar për t’u bërë serial, por ne vendosëm që të japim shpirtin për ‘Policë për kokë’ për të sjellë produktin që nuk është parë kurrë më parë”, është shprehur ai.
Bylyku, i cili gjithashtu është edhe bashkëproducent i filmit, ka folur edhe për atë çka publiku do të gjejë te ky film.
“Besoj se njerëzit do ta pëlqejnë shumë. Është shumë aktuale. Janë fenomene që i prekin si shqiptarët e Shqipërisë si ata të Kosovës dhe plus nuk ka më mirë sesa ta nisësh filmin me të qeshura, sepse po vijmë nga një pandemi dhe nga një tërmet kështu që besoj se me këtë film do t’i fusim në një 2023 të qeshur”, ka përfunduar Bylyku.
Aktorja tjetër e filmit, Sara Kolami, e cila luan të dashurën e Xhinos, Minën është shprehur se pret me padurim t’i dëgjojë komentet e njerëzve rreth filmit. Është shprehur tejet falënderuese që regjisori Marku kishte përzgjedhur atë për një film kaq të vlefshëm për të.
“U ndjeva shumë mirë që regjisori më kishte zgjedhur mua për njërin ndër rolet kryesore për një projekt që ai e ka shumë për zemër dhe për të cilin ka shumë kohë që po punon. Kur një njeri të beson një produkt që e ka për zemër, përveç investimeve të tjera që ka bërë, ndihem e vlerësuar dhe u mundova të jap maksimumin tim”, ka thënë Kolami.
Përveç kësaj, Kolami ka vlerësuar edhe ndihmën që ekipi i filmit i kishte ofruar asaj si një aktore ende në hapat e parë.
“Më ka ndihmuar shumë orientimi i Aldos, i Olsin dhe i Nikut që kanë më shumë përvojë dhe ishin aty për mua të shohin se çfarë mund të bëjë më mirë dhe të më nxisin të jem më e mirë. Besoj që në industrinë që jemi është shumë e rrallë që dikush të të mbështes dhe të besoj në ty”, ka deklaruar ajo.
Armenda Filipaj, e cila kishte ardhur për ta parë premierën e “Policë pa kokë” ka thënë se filmi ofroi momente shumë emocionuese e komike.
“Më pëlqeu shumë. Pati skena shumë të lezetshme edhe e mbajti adrenalinën në nivel. Në fakt s’e prita. Është hera e parë që po më pëlqen kaq shumë një film nga Shqipëria. Mendoj se filmat e tillë i mungojnë kinematografisë sonë”, ka thënë ajo.