Diskutimi në “Project Space 17” në Prishtinë – përballë “Galerisë 17”, ku qe hapur ekspozita “In the making” në fillim të dhjetorit të vjetshëm – është kthyer në sesion informues për rëndësinë e ruajtjes së natyrës nga plastika dhe degradimin çdoherë në rritje të saj. “Tash ka më shumë flamingo të plastikës sesa flamingo të vërtetë”, ka thënë artisti Yll Xhaferi në panel me Nora Murselin nga kolektivi “DYVÓ”
Bashkëbisedimi me artistin Yll Xhaferi dhe Nora Murselin nga kolektivi “DYVÓ” ka shënuar fundin e aktivitetit “Të ulur rreth një pasoje”. Për tri javë synoi ndërgjegjësimin ndaj trajtimit të plastikës me synim në reduktimin kreativ të mbetjeve plastike. U diskutua edhe vepra “Groundless” e Xhaferit në kuadër të ekspozitës “In the making”, e cila para të mbledhurve është zbërthyer nga autori si pasqyrim i përditshmërisë dhe mendësisë se njeriut nuk i përket diçka, deri në momentin kur ia hap qesen.
Diskutimi të enjten mbrëma në “Project Space 17” në Prishtinë – përballë “Galerisë 17” ku qe hapur ekspozita “In the making” në fillim të dhjetorit të vjetshëm – është kthyer në sesion informues për rëndësinë e ruajtjes së natyrës nga plastika dhe degradimin çdoherë në rritje të saj. Me theks të veçantë në krijimin e versioneve artificiale të objekteve e subjekteve, në bisedë është përfshirë edhe publiku në shpalosjen e përvojave personale. Sa për ta ilustruar, Yll Xhaferi ka konsideruar para të mbledhurve se “tash ka më shumë flamingo të plastikës sesa flamingo të vërtetë”.
Tërë kohën sa diskutimi është zhvilluar, prapa folësve kanë shoqëruar pamjet e projektuara nga aktivitetet e programit edukativ në kuadër të ekspozitës “In the making”. Instalacionet aty për aty kanë qenë veç ilustrim se sa dëm i shkakton natyrës hedhja e mbeturinave nga vetëm një komunitet minor krahasuar me botën. Të pranishmit ishin mbledhur në formë rrethi, ku si biletë hyrëse kishte qenë sjellja e një shisheje plastike.
“Kemi filluar të mbushim vendin me shishe dhe të përballemi aty për aty me faktin se sa shumë bëjmë bërllok. Kubi tjetër ka qenë prej reflektimeve të njerëzve, e kemi trajtuar si artefakt të mendimeve të të gjithë njerëzve se si e shohin ata problemin dhe si do të mund të kontribuonin në zgjedhjen e atij problemi”, ka thënë Murseli, e cila ka konsideruar se diskutimi i fundit ka qenë tejet interesant për shkak të prezencës së fëmijëve dhe shprehjes së mendimeve të tyre rreth ndryshimeve klimatike.
Temat e diskutuara për gjashtë ditë në kuadër të serisë së diskutimeve “Të ulur rreth një pasoje” të “DYVÓ” përfshiheshin temat “Ujin që e pive, shishen ku e le?”, “M’fal a ta shti ndërgjegjen në kese?”, “Ato nuk hahen, janë vetëm për dekorim”, “Plastika s’tretet kur don toka, plastika tretet kur don vet”, “A ka markete pa plastikë? A ka plastikë përtej marketeve?” dhe “’Na ishte njëherë’… Si do të flasim për biodiversitetin në të ardhmen?”.
Iniciativa sipas Murselit ishte marrë me idenë se “secili prej nesh i bën katër kilogramë mbetje plastike në vit. “Mund të duket pak, por kur ajo shumëzohet e sheh që është goxha efekt masiv”, ka thënë Murseli, e cila shton se secili person përdor mesatarisht 156 shishe në vit. Nëse do të mblidheshin shishet e përdorura prej krejt njerëzimit për një vit, sipas kolektivit do të punoheshin mbi tetë miliardë “instalacione” ku numri mesatar i shisheve të përdorura është 1.2 trilionë.
Aspekti pozitiv i gjashtë diskutimeve e trajtimi me plastikën, Nora Murseli thotë të kenë qenë mendimet e të tjerëve dhe ndikimi për ndryshim. Ka shpjeguar se thelbi ka qenë që plastika jo vetëm të riciklohet, por të futet në përdorim të përhershëm duke krijuar diçka krejt të re dhe të bukur.
“Na duhet të bashkëpunojmë me natyrën dhe jo ta interpretojmë atë”, ka qenë mesazhi i Murselit për të mbledhurit në “Project Space 17”.
Të njëjtën temë, por nëpërmjet artit, e ka trajtuar artisti Yll Xhaferi me veprën e tij “Groundless”. Ajo qe si ftesë për reflektim e ngritje të vetëdijes mbi qasjen e njerëzimit ndaj natyrës. Para të pranishmëve Xhaferi ka thënë se ka dashur të kopjojë relievin e në të njëjtën kohë edhe ta sfidojë teknologjinë nëpërmjet printimit tredimensional.
“E kam vendosur një copë natyre, pra një copë dheu dhe mbi të kam vendosur një qese të madhe. Është si njëfarë obsesioni të blejmë gjëra të reja dhe pa e hapur nga qesja nuk e konsideron atë gjë tënden. Kështu thashë ta sjell natyrën si dekor dhe po e paketoj. Me pëlqeu kombinimi mes plasticitetit të vrazhdë dhe dheut dhe desha të kopjoja diçka që nuk ka nevojë te kopjohet, pra natyrën”, ka thënë Xhaferi.
Derisa ka shpjeguar punën e tij në vepër, ka vlerësuar se natyra është shpëlarje e identiteteve që merren në zona urbane. Në vepër ka përdorur rërë artificiale duke e quajtur si tejet absurd zëvendësimin e dheut prej toke me materialin e marrë nga një prej dyqaneve të kryeqytetit.
“Kam thënë ta krijoj edhe një pellg të ndërtuar prej materiali gjysmë plastikë. Mandej anash kam vendosur rërë artificiale, kam parë që po shitej dhe çfarë na duhet ajo për dekor. Kam luajtur me ngjyrën, idenë e identiteteve të ndryshme dhe i kam vënë në bashkëveprim me dheun. Dheu me fascinon shumë, aty janë krejt komponentët e jetës, por në anën tjetër është edhe material prej të cilit mund të formësosh”, ka shpjeguar Xhaferi, derisa ka vlerësuar se ka futur veten në situata të reja.
kjo nuk është puna e vetme e tij që i kushtohet natyrës. Në kuadër të bienales nomade “Manifesta 14” kishte ringjallur kopshtin në oborrin e ish-bibliotekës “Hivzi Sylejmani”, e cila prej korrikut të vjetshëm është shndërruar në Qendër për Praktikë Rrëfyese. “Change of Nature as a Nature of Change” kishte lulëzuar me lule e lloje të ndryshme të bimëve që kishe shërbyer si gjetje se cilat do të lulëzonin në atë mjedis dhe sa do të kishte kujdes për to.
Prej 1 dhjetorit vepra qëndroi krahas dy instilacioneve “Të ulur rreth një pasoje” të kolektivit “DYVÓ” dhe rrugëtimin e përfundon të hënën. Mbyllja e saj e shënon hapjen e programit të “Galerisë 17”, e cila funksionon në kuadër të “Fondacionit Shtatëmbëdhjetë”.
Sihana Klisurica, koordinatore për komunikim dhe informim e “Shtatëmbëdhjetë”, ka thënë se ekspozita ka qenë e katërta për vitin e kaluar. “Ne si ‘Shtatëmbëdhjetë’ kemi punuar një program me aktivitete, ligjërata, prezantime e biseda me artistë, të cilat për ne kanë qenë shumë të rëndësishme duke marrë parasysh që ‘ekologjia queer’ është goxha e re për ne. Kemi dashur që për edicion të parë të ekspozitës të sjellim edhe aspektin teorik dhe të kemi një mundësi të kuptojmë se si t'i qasemi natyrës”, ka treguar ajo.