Në mars të vitit 1999 forcat serbe i shpalosën operacionet e veta: “Një fushatë e përbashkët e planifikuar paraprakisht dhe e orkestruar mirë. Që përfshinte policinë, ushtrinë dhe paramilitarët, si dhe civilët e armatosur. Forcat serbe lëvizin nëpër Kosovë në një operacion të koordinuar për t’i dëbuar shqiptarët. Për të bërë këtë, vranë, abuzuan dhe i ndoqën mijëra civilë shkatërruan objekte fetare dhe kulturore, dogjën shtëpi dhe shumë fshatra deri në themel”, thotë ish-prokurori i Tribunalit të Hagës, Eliott Behar
Në vitet 1998/99, Serbia provoi ta realizonte qëllimin e saj për një “zgjidhje përfundimtare”. Me forcë dhe në formë të koordinuar u dëbuan burra, gra, e fëmijë nga shtëpitë e tyre. Sipas “Human Rights Watch”, vetëm në harkun kohor janar-qershor 1999 nga Kosova u dëbuan afro një milion shqiptarë ose 80 për qind e popullsisë. As në fushatën e nazistëve në Luftën e Dytë Botërore nuk kishte ndodhur një dëbim aq masiv dhe i shpejtë i shumicës dërrmuese të popullatës të një vendi, sikur bëri Beogradi vetëm në gjysmën e parë të vitit 1999.
Shumë civilë kosovarë vdiqën nga dhuna dhe kushtet e vështira gjatë udhëtimit të vështirë me qerre, traktorë nëpër male apo edhe me trena në drejtim të Bllacës, zonës kufitare Kosovë-Maqedoni e Veriut. Mijëra të tjerë u ekzekutuan në mënyrë më barbare ose u dogjën të gjallë. Mijëra gra dhe vajza u përdhunuan seksualisht. Ky fenomen, dhuna dhe përdhunimi, ishte i njohur edhe nga lufta e Bosnjës si armë nga pushtuesit serbë. Ky brutalitet kundër popullsisë në Kosovës u pasua edhe me plaçkitje dhe shkatërrimin sistematik të shtëpive dhe të pronave shqiptare. Ndërsa në listën e personave të zhdukur ishin evidentuar 6.057 raste, prej tyre në ndërkohë kanë mbetur pa i zbuluar edhe 1.647 persona.
Pavarësisht se për këto krime nuk preferohet të flitet hapur në Serbi, Tribunali i Hagës, i themeluar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së në maj 1993, në aktakuzën e shpallur në maj 1999 evidentonte përgjegjësinë e kreut shtetëror të Beogradit për veprimet e forcave ushtarake dhe të sigurisë së Serbisë për “krimet e kryera në Kosovë” dhe për deportimin me dhunë të shqiptarëve. Sipas Prokurorisë së Tribunalit, kjo ndërmarrje e përbashkët kriminale ((Joint Criminal Eterprise) kishte filluar në tetor 1998 dhe kishte vazhduar gjatë nga janari deri në qershor të vitit 1999.
Metoda e “spastrimit të dokumenteve”
Kjo ndërmarrje kriminale e planifikuar e shtetit serb, që përkon me periudhën e operimit ushtarak sipas planit të koduar ushtarak “Patkoi”, dokumentohet më tej edhe nga rrëfimet e shumicës së shqiptarëve të dëbuar në Shqipëri, Maqedoni dhe në Mal të Zi, të cilët dëshmojnë se në kufi para se të kalonin në vendet fqinje u ishin konfiskuar apo grisur dokumentet e identifikimit (certifikatë, letërnjoftim apo pasaportë, dokumente të pronësisë, librezë shëndetësore, patenta shoferi apo çfarëdo lloj dokumenti tjetër i pronësisë së pasurisë së luajtshme apo të paluajtshme. Kjo metodë e “spastrimit të dokumenteve” e dokumentuar edhe nga HRW e organizata të tjera që kanë mbledhur dëshmi, është dëshmi se ka ekzistuar një përpjekje e Beogradit për t’i zhveshur shqiptarët e Kosovës prej dëshmive e për ta bërë kështu të pamundur kthimin në Kosovë pas përfundimit të luftës.
“I kam parë ato pamje, të njerëzve që largoheshin, se si polici ua merrte pasaportat, për shembull, dhe i hidhte në qese të mëdha plastike, që të mos ktheheshin kurrë më, që të mos mund të vërtetojnë që kanë qenë ndonjëherë aty”, thotë Srgja Popoviq.
Një ndër provat më bindëse për pretendimin se ngjarjet në Kosovë ishin pjesë e një qëllimi të përbashkët dhe të planifikuar të Beogradit, është gjetja e Dhomës Themelore të Tribunalit të Hagës se “një model konsistent i ngjarjeve ka ndodhur në shumë qytete, fshatra dhe vende të tjera në të gjithë Kosovën. Shembull tipik: forcat ushtarake dhe policore serbe i afroheshin një fshati, qyteti ose lokacioni tjetër, duke përdorur tanke, automjete të blinduara dhe me armë të tjera të rënda granatonte zonat e banimit duke detyruar popullatën shqiptare të Kosovës të largohej nga shtëpitë e tyre.
Më pas, forcat serbe futeshin në këto zona duke ua vënë flakën shtëpive dhe duke plaçkitur sendet me vlerë, i ndanin burrat nga gratë dhe fëmijët e vegjël, i urdhëronin gratë dhe fëmijët të largoheshin në drejtim të Shqipërisë dhe Maqedonisë dhe më pas burrat i vritnin. Po ashtu, forcat serbe e kishin koordinuar procesin duke drejtuar lëvizjen masive të banorëve shqiptarë të Kosovës larg qyteteve dhe fshatrave të tyre, shpesh duke organizuar transportin rrugor ose hekurudhor dhe në shumicën e rasteve duke i detyruar të shkonin në drejtim të kufirit të Shqipërisë ose Maqedonisë.
Këto gjetje të Tribualit të Hagës dëshmojnë se plani i përbashkët kriminal serb ishte i hartuar me saktësi dhe në asnjë rast nuk mund të flitet për veprime spontane apo për aksione individuale. Ky plan ekzistonte me qëllime të formuluara dhe të organizuara më parë. Plani dhe qëllimi i përbashkët mundi të materializohet nga kreu shtetëror serb, që veproi së bashku për ta vënë në veprim një ndërmarrje të përbashkët, ndryshimin me dhunë të kompozicionit etnik dhe demokratik të Kosovës. Kjo fushatë e organizuar e shtetit serb ishte një dëshmi bindëse se politika e Millosheviqit nga viti 1989, po thuajse deri në detaj ishte identike me elaboratin e nacionalistit radikal serb, Vasa Çubriloviq, të hartuar ndërmjet dy luftërave botërore me titull “Dëbimi i shqiptarët”.
Zbulimi i “Patkoit” të koduar
Përcaktimi i gjenocidit varet nga aftësia për të zbuluar ose për ta konkluduar qëllimin. Ekzistenca e qëllimit ose e ndërmarrjes kriminale të përbashkët në Kosovë është dokumentuar edhe me zbulimin e planit të koduar “Patkoi”, qëllimi i të cilit ishte spastrimi dhe vrasja e një grupi kombëtar, etnik, racor ose fetar, siç specifikohet edhe në Konventën e Gjenocidit. Ekzistenca e këtij plani ishte një dëshmi që Millosheviqi dhe bashkëpunëtorët e tij mund të akuzoheshin për gjenocid.
Por, me rastin e proceseve gjyqësore ndaj udhëheqjes politike serbe për krimet e kryera në Kosovë 1998-1999, asnjëherë nuk ishte përmendur ekzistenca e planit të koduar “Paktoi”, i cili ishte zbuluar në fillim të vitit 1999 nga inteligjenca bullgare.
Ky plan jepte informacione të detajuara për synimet dhe gjeografinë e dëbimeve të shqiptarëve nga Kosova. Ndërkohë që ish-ministri gjerman i Mbrojtjes, Rudolf Scharping, në librin e tij ditar kishte shkruar se më 19 prill 1999 kishte zhvilluar një takim me Louise Arbour, asokohe kryeprokuroren e Tribunalit të Hagës, së cilës i kishte dorëzuar planin “Patkoi” dhe të gjitha incizimet e fluturimeve të avionëve pa ekuipazh, si dhe protokollet komplete të të intervistuarve të zhvilluar. Plani “Patkoi”, që në fakt bazohej më shumë në doktrinën e dikurshme të Çubrilloviqit për spastrimin etnik të Kosovës, dëshmon ekzistimin e një qëllimi, i cili është esencial te krimi i gjenocidit, shkatërrimi i një grupi apo i një pjese të rëndësishme të një populli, në këtë rast dëbimin e të gjithë shqiptarëve të Kosovës dhe vrasjet masive. Anashkalimi i një dokumenti të tillë nga Tribunali i Hagës, edhe pse ai ishte diskutuar në nivele të larta qeveritare të BE-së gjatë luftës në Kosovë dhe i ishte dorëzuar këtij institucioni të drejtësisë ndërkombëtare, mbetet një veprim i pashpjegueshëm në qëllimin ambicioz të së vërtetës, të së drejtës dhe të paanësisë. Trupi gjykues mund të ketë komprometuar pa dashur drejtësinë, duke mos e ngarkuar Milosheviqin edhe me aktakuzën për gjenocid.
Fjalët “në tërësi ose pjesërisht“ në nenin 4 të Statutit të Konventës së Gjenocidit qartë tregojnë se qëllimi i shkatërrimit nuk është i domosdoshëm që të drejtohet kundër tërë grupit për t’u kualifikuar si i tillë. Për dallim nga politika ndëshkuese e Gjykatës për ish-Jugosllavinë, gjenocidi ka figuruar në mënyrë sistematike në rastin e akuzave në Ruandë. Po ashtu, Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë është spikatur në gjykimin e gjenocidit në lidhje me “spastrimin etnik“ të kryer gjatë luftërave në ish-Jugosllavi gjatë viteve 1990-ta. Por prokurori ishte kufizuar, duke i kualifikuar ngjarjet si “krime kundër njerëzimit“ dhe si “një ndërmarrje kriminale e përbashkët”. Në rastin më të rëndësishëm, atë të Sllobodan Milosheviqit, për shembull, akuza fillestare kushtuar Kosovës nuk përfshiu gjenocidin.

Annan: Shenjat e gjenocidit janë duke u verifikuar edhe në Kosovë
Fushata e “spastrimit etnik”, e zhvilluar në mënyrë metodike nga autoritetet serbe në Kosovë duket se ka qenë objektiv i vetëm, të dëbojë ose të vrasë sa më shumë që të jetë e mundur kosovarë, duke e privuar kështu një popull nga të drejtat më themelore të jetës, të lirisë dhe të sigurisë, duke provokuar katastrofë humanitare në gjithë rajonin, kishte deklaruar sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan, në sesionin e 55-të të Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë, më 7 prill 1999. Në historinë e njerëzimit, kishte deklaruar ai, “midis gjithë dhunimeve flagrante, gjenocidit nuk ka ekuivalent...shenja të të cilit duken se janë duke u verifikuar edhe në Kosovë”.
Në mars të vitit 1999 forcat serbe i shpalosën operacionet e veta: “Një fushatë e përbashkët e planifikuar paraprakisht dhe e orkestruar mirë. Që përfshinte policinë, ushtrinë dhe paramilitarët, si dhe civilët e armatosur. Forcat serbe lëvizin nëpër Kosovë në një operacion të koordinuar për t’i dëbuar shqiptarët. Për ta bërë këtë, vranë, abuzuan dhe i ndoqën mijëra civilë shkatërruan objekte fetare dhe kulturore, dogjën shtëpi dhe shumë fshatra deri në themel”, thotë ish-prokurori i Tribunalit të Hagës, Eliott Behar. Se krimet e kryera në Kosovë nga njësitet ushtarake, paraushtarake dhe policore serbe, duke përfshirë edhe dëbimin në masë, vrasjet, ndjekjet dhe shkatërrimin e pronës fetare, nuk ishin rezultat “i incidenteve të izoluara të kryera nga individë të rastësishëm”, është konfirmuar në gjykimet për Kosovën në Tribunalin e Hagës. Këto prova ishin dëshmuar edhe nga vetë ish-ministri i Brendshëm serb, Vllastan Gjorgjeviq, i cili në procesin gjyqësor në Hagë do të pranonte se nën kontrollin e tij të drejtpërdrejtë në operacionet e përndjekjes së civilëve shqiptarë se brenda një njësie të policisë shtetërore ishin përfshirë edhe forcat famëkeqe paramilitare “Shkorpionët“.
Në këtë linjë, edhe Dhoma e Gjykatës kishte konstatuar se krimet ishin të drejtuara kundër civilëve shqiptarë. Shablloni i zbatuar nëpër disa lokalitete u përcaktua: Armata do të granatonte; banorët po të iknin; policia do të hynte me këmbësori, shpesh duke djegur shtëpitë dhe duke i plaçkitur, dhe në shumë raste duke i ekzekutuar burrat dhe djemtë më të rritur, dhe më pas do t’i dëbonin të gjithë në masë, duke i drejtuar nga kufiri në këmbë, vetura apo trena. Dhoma gjeti se forcat serbe ua kishin marrë dokumentet e identifikimit dhe targat e regjistrimit para se të kalonin në shtetet fqinje, me qëllim për t’ua bërë sa më të pamundur kthimin në Kosovë.
Spastrimi etnik – një ndërmarrje e përbashkët kriminale
Serbia që nga fundi i viteve 1980-ta e kishte bërë të qartë synimin për ndryshimin e kompozicionit etnik në Kosovë, por me fillimin e luftës, forcat serbe shpalosën operacionet e veta: një fushatë e përbashkët e planifikuar paraprakisht dhe e orkestruar mirë, që përfshinte policinë, ushtrinë, paramilitarët, si dhe civilët e armatosur. Ndërmarrja u paketua brenda rrëfimit të njëjtë që e solli Milosheviqin në pushtet dhe u përdor për të arsyetuar dhunën, se serbët ishin viktimat e padrejtësisë. Forcat serbe operonin nëpër Kosovë në një operacion të koordinuar për t’i dëbuar shqiptarët. Për ta bërë këtë, vranë, abuzuan dhe i ndoqën me mijëra civilë, shkatërruan objekte fetare dhe kulturore, dogjën shtëpi dhe shumë fshatra e qytete. Udhëheqja serbe u mundua që ta paraqiste si operacion legjitim kundër UÇK-së. Synimi i vërtetë ishte zhbërja etnike dhe dëbimi i gjithë shqiptarëve të Kosovës dhe pamundësimi i kthimit të atyre që tashmë ishin dëbuar. Ky spastrim etnik ishte një versus gjenocid.
Zhvendosja e popullsisë, qoftë me marrëveshje apo e bërë me dhunë, qe harruar për një kohë të gjatë në kujtesën dhe praktikën e vendeve evropiane pas Luftës së Dytë Botërore. Përfundimi i Luftës së Ftohtë dhe shpërbërja e dhunshme e Jugosllavisë u shfaq spastrimi etnik në luftërat e Kroacisë, Bosnjës dhe të Kosovës. Por, problematike mbetet çështja e definimit të “spastrimit etnik“, një term i cili në dokumentet e trupave ndërkombëtare filloi të shfaqej tek në vitet 1990. Komisioni i Ekspertëve i emëruar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së kishte deklaruar se “spastrimi etnik“ është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe për këtë kishte sugjeruar që në disa raste “spastrim etnik“ mund të konsiderohet si shkelje e Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit (1948). Mbase arsyeja për “spastrim etnik“ nuk konsiderohet në mënyrë eksplicite si gjenocid vjen për faktin se si term ishte i panjohur nga e drejta ndërkombëtare në kohën e hartimit të Konventës së Gjenocidit, apo edhe për faktin se aleatët nuk ishin të interesuar ta trajtonin këtë fenomen.
Pretendimi më pohues se “spastrimi etnik“ është i barabartë me gjenocidin u shpreh nga rezoluta e dhjetorit të vitit 1992 të Asamblesë së Përgjithshme, e cila evokon “politikën neveritëse të pastrimit etik“, e cila është formë e gjenocidit. Kjo u ripohua edhe në një numër rezolutash të mëvonshme të OKB-së për Kosovën.
Nëse në rastin e Kosovës marrim në konsideratë se u dëbuan me forcë 1 milion banorë ose 80 për qind e shqiptarëve, shifër kjo që krahasuar me totalin e popullsisë së Italisë, do të thoshte sikur të dëboheshin 46 milionë apo mbi 5 milionë banorë të Serbisë, atëherë ky krim i shtetit serb mund të kualifikohet si krim i gjenocidit. Po kështu, ky konstatim përforcohet me faktin se “spastrim i etnik“ është kryer përmes metodave të vrasjeve, torturës, arrestimit dhe burgosjes arbitrare, ekzekutimeve, dhunimeve dhe sulmeve seksuale, largimit të dhunshëm të popullatës, zhvendosjes dhe deportimit të popullsisë civile, sulmit të qëllimshëm ushtarak ose kërcënimit me sulm ushtarak mbi civilët dhe zonat e banuara civile dhe shkatërrimit të dhunshëm të pasurisë. Dhe të gjitha të ngjashme me ato në Kosovë, në optikën e Komisionit të Ekspertëve të Këshillit të Sigurimit konsiderohen si krime kundër njerëzimit dhe gjithashtu si krime që mund të hyjnë në kuadër të Konventës së Gjenocidit.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për Kulturë