Kosova ndjek modelin më evropian që ekziston në Evropë. Por, në kontekstin e sotëm, një pjesë e nenit 7 në marrëveshjen apo planin e ashtuquajtur franko-gjerman, që u pranua nga Kosova dhe Serbia më 27 shkurt 2023, mund të jetë pika më nevralgjike për funksionimin e ardhshëm të trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe vetë së ardhmes paqësore të Kosovës me Serbinë. Andaj, ka nevojë për ta hapur sadopak pamjen. Së pari formulimi “trashëgimi fetare e kulturore serbe” në këtë nen është krejtësisht politike, joetike dhe aspak në linjë me konventat, standardet, ligjet e parimet e klasifikimit, mbrojtjes, ruajtjes e promovimit të trashëgimisë kulturore në BE
Nga ajo që mbahet në mend në sferën politike publike, gjatë shekullit të kaluar, trashëgimia kulturore ka qenë më shumë objekt i ideologjisë së shkatërrimit sesa i paqes dhe harmonisë. Kur qe krijuar UNESCO-ja, më 1945, ideja e “paqes në mendjet e njerëzve” ishte ideja themeltare, sepse synohej pajtim nëpërmjet kulturës e edukimit për diversitetin kulturor. Si pasojë e shkatërrimeve të mëdha të Luftës së Dytë Botërore, kërkohej një rehabilitim i mendjes e gjendjes shoqërore.
Pak a shumë, edhe BE-ja u krijua po mbi këtë premisë: “in varietete concordia” apo “të bashkuar përmes diversitetit”.
Kosova ka qenë objekt i shkatërrimit total gjenocidal të trashëgimisë kulturore gjatë luftës së viteve 1998-1999. Forcat serbe kanë shkatërruar qindra objekte të kulturës, qindra kulla, qindra mijëra shtëpi, për të përmendur vetëm aspektin arkitekturor të shkatërrimit të trashëgimisë kulturore gjatë luftës. Fatkeqësisht, në vitin 2004, huliganë shqiptarë të revoltuar e të nxitur nga euforia e pasluftës, shkatërruan dhjetëra kisha e manastire serbe. Para syve të forcave ndërkombëtare e zyrtarëve të UNMIK-ut. Ky qe dëmi më i madh që ua bënë manastireve e kishave serbe, të cilat ishin ruajtur në Kosovë me shekuj, por u bë edhe fytyra e zezë e Kosovës diplomatike në negociatat vijuese për status e për ligje.
Por, asnjë hetim i plotë nuk ndodhi, as nga ndërkombëtarët që rrahin daullet sot, as nga vendorët e heshtur. Nga ana tjetër, mbi 70 për qind e kishave e manastireve të dëmtuara gjatë vitit 2004 janë restauruar menjëherë, prej 2004 deri në 2012. Në Planin e Ahtisaarit, që u bë amza e Kosovës, kishat dhe manastiret serbe u vendosën në qendër të vëmendjes dhe në ligjet pasuese, ato gëzuan një mbrojtje speciale sui generis në Evropë. Hiq disa përplasje të arsyeshme për procedura ligjore, Kosova ka pasur marrëdhënie solide me Kishën Ortodokse Serbe.
Në raportet e progresit të BE-së dhe monitorimet tjera, edhe për të voglën ngritje vetullash mes institucioneve të Kosovës dhe Kishës Ortodokse Serbe, për çështje të përfilljes së ligjeve, ka pasur nënvizime qortuese aty-këtu. Por, në përgjithësi, marrëdhëniet kanë qenë solide, hiq rastin e propagandës së përfaqësuesve të Kishës Ortodokse Serbe kundër Kosovës në UNESCO në vitin 2015. Kjo acaroi marrëdhëniet deri diku, sepse ata ishin obstruktivë dhe treguan fytyrën politike prapa maskës religjioze, jo idealin për të qenë pranë komunitetit ku vepron.
Diskursi pedant për Kishën Ortodokse Serbe
Megjithatë, gjithmonë ka ekzistuar një diskurs tepër pedant i bashkësisë ndërkombëtare, për një ngritje në nivel më të lartë apo riformalizim të statusit special të Kishës Ortodokse Serbe dhe zonave të kishave dhe manastireve, pavarësisht mbrojtjes veçse speciale që ka ofruar Kosova, të cilën e kanë pranuar shqiptarët në dialogun e Vjenës si kompromis për pavarësinë e Kosovës, gjegjësisht Planin e Ahtisaarit.
Ky diskurs ka dalë nga një finesë e vogël e përhatërimit hipokrit të Kishës prej disa zyrtarëve të vegjël të zyrës së BE-së në Kosovë, nga disa ambasadorë dragomanë të disa vendeve fqinje, nga insistenca e Serbisë, nga neglizhenca e disa politikanëve kosovarë dhe nga hemofiliakizmi religjioz i Kishës Ortodokse Serbe me institucionet e Kosovës. Një fjalë me e folë dikush, përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe janë ankuar në të gjitha zyrat e mundshme të ndërkombëtarëve në Kosovë. Dhe, nuk ka pasur mjaftueshëm narracion real për këtë dalldi ankuese.
“Cenimi” i sigurisë së Patrikanës nga fëmija shitës
Njëherë një fëmijë pati vendosur një paketë për të shituar “lemenka” anë rrugës për Rugovë, pak kilometra tutje Patrikanës së Pejës, siç bëjnë shpesh, gjatë verës, fëmijët në rrugët drejt vendeve turistike në Kosovë. Në takimin e Këshillit të Zbatimit e Monitorimit, një organ me anëtar ndërkombëtar që mbikëqyr zonat mbrojtëse të kishave e manastireve, kjo çështje qe bërë temë diskutimi sepse përfaqësuesit e Kishës kishin lajmëruar anëtarët e Këshillit (OSBE, BE, MKRS, MPH, etj.) se ishin cenuar në zonën e tyre mbrojtëse nga ky akt i këtij fëmije.
Diskutimi pati zgjatur një orë në takim duke diskutuar se si mund të prishet qetësia e klerikëve në Patrikanë nga ky akt i një fëmije, disa kilometra larg Patrikanës. Madje përfaqësuesi i OSBE-së pati qenë shumë i shqetësuar për cenimin e sigurisë, duke kërkuar masa për të parandaluar çdo cenim të tillë në të ardhmen.
Leximi i nenit 7 dhe “modelet evropiane” të mbrojtjes
Kështu, falë mungesës së taktit të politikanëve të qeverisë së sotme, por edhe neglizhencës së qeverive të kaluara për të qenë më vigjilente e proaktive, dhe falë frymës së politikës përhatëruese ndërkombëtare për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë, del në pah prapë, krejt pa nevojë, neni 7 në marrëveshjen apo planin e ashtuquajtur franko-gjerman, i cili u pranua nga Kosova dhe Serbia më 27 shkurt 2023. Në këtë plan, që doli si shteghapje për finalizim të dialogut mes Kosovës e Serbisë, në nenin 7, thuhet kështu:
“Të dyja palët zotohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci të veçanta, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.
Palët do ta formalizojnë/zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”.
Si mund të lexohet ky nen?
Marrëveshjet që lëvizin nga status-quoja janë të domosdoshme për të ardhmen e Kosovës dhe rajonit. Pa dyshim, duket se miqtë e Kosovës kanë punuar shumë që kjo marrëveshje të jetësohet duke konsideruar kohën e tanishme politike në vend e jashtë vendit. Dhe, ndoshta për kohën e sotshme, kjo kornizë duket shteghapëse për të lëvizur para. Megjithatë, çdo projeksion futurologjik politik ka një të kaluar, e cila mund të shqyrtohet në kontekst të gjendjes ligjore dhe politike. Konceptet e “vetëmenaxhimit” dhe “kanali i drejtë i komunikimit” janë çështje që lidhen kryesisht me qeverisjen lokale dhe nuk do t’i shqyrtojmë këtu.
Në nenin 7 të kësaj marrëveshjeje, në paragrafin e dytë, përmenden “trashëgimia fetare e kulturore serbe” , “Kisha Ortodokse Serbe” dhe “modelet evropiane”. Këtu shtrohen pyetjet: çfarë mbrojtje të trashëgimisë kulturore mbi manastiret e kishat ortodokse ekziston sot dhe cilat janë “modelet evropiane” të ofrimit të një mbrojtjeje të re për të? Po të shihet objektivisht, në një botë më normale, ky nen nuk është fare problematik për Kosovën. Sepse, shkurt: Kosova ndjek modelin më evropian që ekziston në Evropë. Por, në kontekstin e sotëm, kjo pjesë e nenit mund të jetë pika më nevralgjike për funksionimin e ardhshëm të trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe vetë së ardhmes paqësore të Kosovës me Serbinë. Andaj, ka nevojë për ta hapur sadopak pamjen.
Gjuha në shpërputhje me “ambiguitetin kreativ”
Së pari, duhet të shohim se si mbrohen kishat e manastiret serbe në Kosovë dhe çfarë statusi ka “Kisha Ortodokse Serbe”, sipas Planit të Ahtisaarit dhe ligjeve të Kosovës, që kanë dalë nga ai plan. Por, para se të sqarojmë këtë duhet theksuar, për hir të së vërtetës, se fjala “trashëgimi fetare e kulturore serbe” në këtë nen është krejtësisht politike, joetike dhe aspak në linjë me konventat, standardet, ligjet e parimet e klasifikimit, mbrojtjes, ruajtjes e promovimit të trashëgimisë kulturore në BE.
Kjo, sepse gjuha e normativitetit të Këshillit të Evropës, së cilës i referohet kjo marrëveshje, është profane dhe e nuk cilëson trashëgiminë si përkatësi e një etnie, e aq më pak në dokumente të negocimit e pajtueshmërisë së ndërsjellë si në këtë rast të ndjeshëm mes dy shteteve. Në këtë nen, gjuha nuk është aspak në linjë me të ashtuquajturin “ambiguiteti kreativ”. Megjithatë, nuk po hyjmë në interpretime të mëtutjeshme të kësaj shkarjeje.
Mbrojtja e veçantë që zë 0.21 për qind të territorit të Kosovës
Nga Aneksi 5 i Planit të Ahtisaarit, kanë dalë një sërë ligjesh të cilat lexohen “sui generis” në botë për kishat dhe manastiret serbe. Ligji për Zonat e Veçanta të Mbrojtura (03/L-039), i cili po ashtu gjeneron edhe ligje të tjera, secili më specifik se tjetri, si Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit (04/L-066) dhe Ligji për Fshatin Hoçë e Madhe (04/L-062). Po ashtu edhe një sërë ligjesh tjera horizontale abonohen në “mbrojtjen e veçantë” për këto zona.
Zonat janë përreth manastireve e kishave serbe, ato janë një lloj perimetri i mbrojtjes dhe nuk lejohet as ndërtim as intervenim brenda tyre. Disa prej tyre kanë qindra hektarë zonë mbrojtëse, disa kanë vetëm disa hektarë. Për shembull, Manastiri i Graçanicës ka 156.45 hektarë zonë mbrojtëse ku nuk mund të bëhen ndryshime në urbanizëm, arkitekturë e të ngjashme, ndërsa Manastiri i Draganacit në Gjilan ka 2.3 hektarë zonë të tillë mbrojtëse. Kjo nuk do të thotë se toka përreth është e manastirit, por për arsye të rëndësisë, nuk mund të bëhen ndërtime e intervenime përreth objektit të mbrojtur.
Pra, pranë njërit nga këto manastire nuk mund të bëhet një fabrikë apo një urë. Dhe, për hir të së vërtetës, duhet sqaruar se shuma totale e sipërfaqes së zonave me mbrojtje të veçantë, 44 sosh në total, është 2257,11 hektarë që është 0.21 për qind e territorit të Kosovës. Andaj, ideja e “ekstraterritorialitetit”, që dikur vizatohej në ngjyrë të zezë të hartës së Kosovës, si 20 për qind e Kosovës, nuk qëndron.
Duhet theksuar se disa nga këto ligje kanë edhe këshilla drejtues, pjesë e të cilave janë serbët lokalë dhe Kisha Ortodokse Serbe, dhe pa lejen e tyre nuk mund të merret asnjë vendim. Po ashtu, Kisha Ortodokse Serbe ka diskrecion të plotë në menaxhimin e objekteve të saj dhe madje pa lejen e saj as nuk mund të hyhet në ato objekte.
Në shumicën e rasteve nuk ndalohet askush. Po ashtu, ekziston edhe Këshilli për Monitorim dhe Zbatim, këshill me përbërje ndërkombëtare me dispozita ligjore, ku zë vend Kisha Ortodokse Serbe, BE-ja, OSBE-ja, institucionet shtetërore të Kosovës, përkatësisht Ministria e Kulturës dhe Ministria e Planifikimit Hapësinor. Ky Këshill monitoron zbatimin e ligjeve specifike të Kosovës për këto zona specifike. Këto janë siguresa të shumta ligjore mbrojtjeje, ku edhe institucionet më të larta ndërkombëtare marrin pjesë në vendimmarrjen për këto zona. Evidenca ekziston se ky këshill ka funksionuar mirë që nga viti 2012 dhe në mandatin e vet ka marrë vendime të shumta, duke ndërtuar mirëbesim mes Kishës Ortodokse Serbe dhe institucioneve të shtetit të Kosovës.
Kishat e manastiret serbe si “ishuj” brenda kushtetutshmërisë
Pra, duhet theksuar se kishat dhe manastiret serbe, janë fortifikuar sikurse të ishin “ishuj” brenda kushtetutshmërisë së Kosovës, që të sigurojnë mbrojtje të fortë për to. Pra, kemi një mbrojtje ekzistuese mjaft e fortë. Nuk duhet të harrojmë, siç potencuam edhe më lartë, se kishat dhe manastiret e dëmtuara gjatë vitit 2004 i janë nënshtruar procesit të restaurimit, ku mbi 70 për qind e tyre janë restauruar plotësisht nën mbikëqyrjen e institucioneve ndërkombëtare dhe me mbikëqyrjen e organeve të përcaktuara edhe nga vetë Kisha Ortodokse Serbe. Miliona euro e dollarë (mbi 13 milionë) janë shpenzuar për të restauruar këto objekte të dëmtuara, siç edhe ka raportuar Këshilli i Evropës (2012). Po ashtu, Kosova ka ndarë fonde (rreth 3 milionë) për të restauruar dhe 30 për qind të pjesës së mbetur, fonde të cilat janë kthyer në buxhetin e Kosovës sepse Kisha Ortodokse Serbe nuk i ka pranuar, evidencë që mund të shihet në projeksionet vjetore buxhetore, të paktën që nga viti 2015 deri në vitin 2018, dhe në programet e institucioneve shtetërore relevante për mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.
Cilat janë modelet evropiane për mbrojtje më të fortë të trashëgimisë kulturore? Realisht nuk ka. Mbrojtje më “sui generis” të një trashëgimie kulturore nuk ka në Evropë. Ky është modeli më evropian në listën e modeleve evropiane të sotme, në kontekst të parimeve të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Më herët, në diskursin publik janë përmendur modele si Vatikani dhe Mali Atos në Greqi, por këto dy raste janë krejt historike e specifike, të cilat nuk mund të merren shembull për kohën dhe rastin e Kosovës. Nëse aludohet te këto raste në këtë marrëveshje, atëherë realisht brenda Kosovës do të instalohej një lloj “kishë-shteti” që do ta destabilizonte shtetësinë e Kosovës.
Nuk do mend se Serbia ka provuar disa herë, që të shtyjë këtë lloj “ishullimi ligjor” brenda Kosovës, në emër të mbrojtjes super-speciale të kishave dhe manastireve serbe. S’do mend se kjo do të krijonte tension edhe më të madh në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, sidomos në të ardhmen, sepse nacionalizmi radikal është në rritje, sidomos në Serbi, dhe ky lloj ishullimi super-special ligjor nuk do t’i mbronte këto kisha e manastire, që janë trashëgimi kulturore e Kosovës, rajonit, Evropës dhe gjithë njerëzimit. Sepse, kishat, manastiret e gjithë trashëgiminë kulturore të Kosovës i mbrojnë njerëzit e Kosovës, të gjithë që jetojmë këtu. Nëse një lokalitet i trashëgimisë kulturore nuk bëhet pjesë e vlerave të asaj shoqërie, atëherë krijon pezëm e alibi për të qenë pjesë e cakut të antagonizmit radikal ndaj saj. Në vend të parimit “paqe në mendjen e njeriut” krijohet “urrejtja në mendjen e njeriut” dhe kjo çon kah mohimi e shkatërrimi.
Andaj, neni 7 nuk do të dukej krejt sfidues për Kosovën, po të mos ishte dyshimi ekzistues për “super-specialitetin” potencial për kishat dhe manastiret. Asgjëmangut, tani e tutje, duket se çështja qëndron te derivatet e kësaj marrëveshjeje/plani.
Ky tekst u botua për herë të parë më 5 mars të këtij viti, në Shtojcën për Kulturë të KOHËS Ditore.