Shtojca për Kulturë

Përvjetorët e zbehtë: Harrohet Kafka dhe katër veta për At Zef Pllumin

Takimi për 100-vjetorin e lindjes së At Zef Pllumit, të shtunën në Panairin e Librit në Prishtinë nuk ka mbledhur më shumë se katër veta në audiencë

Takimi për 100-vjetorin e lindjes së At Zef Pllumit, të shtunën në Panairin e Librit në Prishtinë nuk ka mbledhur më shumë se katër veta në audiencë

Përderisa shënimi i 100-vjetorit të vdekjes së Franc Kafkës ka dështuar, ai për 100-vjetorin e lindjes së At Zef Pllumit, të shtunën ka mbledhur jo më shumë se katër veta në audiencë. Tjetër imazh ka pasur takimi për 90-vjetorin e lindjes së akademik Ali Aliut në të cilin, ndër të tjera, ai është cilësuar si figurë e çmuar e botës së letërsisë shqipe dhe njeriu i parë i letërsisë që ka nuhatur talentet e reja

Shpeshherë Panairit të Librit, frekuentuesit e tij i referohen dhe si festë e fjalës dhe e dijes. E si e tillë nuk u kufizua vetëm me shitje librash. Përveç ushtrimit të praktikës së blerjes së librit – e cila shpesh humb fillin e mjegullohet prapa motiveve që shpesh ngjajnë në ekonomike – në këtë edicion të 24-t të Panairit, u organizuan edhe një sërë aktivitetesh që gravitonin rreth librit, figurave të shquara letrare e përvjetorëve. 2024-shi është vit i disa jubileve, sidomos personaliteteve me të cilat emri i tyre shkon një drejtim me letërsinë, qoftë botërore apo shqipe. 

I pari ishte planifikuar të mbahej në ditën e dytë të Panairit, më 6 qershor. Për 100-vjetorin e vdekjes së emrit të madh të letërsisë botërore të shekullit të 20-të, Franz Kafka, organizimi dështoi. Nuk u paraqit asnjë folës, as publik nuk kishte. 

Diçka më pak se një dështim ishte paneli kushtuar 100-vjetorit të lindjes së At Zef Pllumit. Hapësira mbi foaje – aty ku ishin vendosur shtandet e librave – e rezervuar për këto aktivitete këtë radhë krijoi përshtypjen se ishte më e madhe seç ishte vërtet. Ulëset i zunë vetëm katër të pranishëm. Ndërkaq për veprën kolosale të At Zef Pllumit, në panel u paraqitën  studiuesi Behar Gjoka dhe gazetarja Vera Pelaj. Për dishepullin e Gjergj Fishtës, nuk u kursyen, por kryefjala qe kryevepra e tij “Rrno vetëm për me tregue”.

“Vepra ‘Rrno vetëm për me tregue’, është vepra me përfaqësuese e At Zef Pllumit. Ajo zë një vend të veçantë në historinë e letërsisë shqiptare, por është rast unik dhe në dimensionet rajonale. Natyrisht pervujtnia, karakteri, forca e fjala e At Zef Pllumit, për shqiptarët e droguem nuk ka se si me i zgju kaq shpejt, por megjithatë ai ka lënë ato fjalë me gjithë vlerat e tyre dhe ka kohë që ato të dalin e të kuptohen”, ka thënë Behar Gjoka.

Në këtë panel At Zef Pllumi u përmend edhe si i fundit i plejadës së intelektualëve me prapavijë françeskane, të cilët e donin Shqipërinë pa asnjë lloj dallimi. 

Një kumtesë për librin “Rrno për me tregue” në kuadër të panairit  u lexua nga gazetarja Vera Pelaj, autorja e këtij shkrimi. 

“At Zef Pllumi na ka lënë veprën më të arritur të letërsisë paskomuniste, një trilogji që është pasqyra më e mirë e historisë sonë të gjysmëshekullit të fundit. Ai rrëfen kujtimet e tij jo si kujtime thjesht personale, por edhe kolektive. Jo më kot vepra ka këtë titull, sepse kjo lidhet me misionin e tij në jetë dhe me brendinë e vetë veprës”, ka thënë Pelaj. 

Pikërisht kjo vepër u vlerësua si ndër më të rëndësishmet në zhanrin e memoaristikës për historinë e letërsisë shqiptare. Mesazhi i kësaj vepre është shumë i thellë sipas fjalëve të Behar Gjokës, ai fshihet përtej titullit. 

“Kodi që përçon kjo vepër është më shumë se një emblemë është një thirrje ekzistencialiste. Rron edhe kafsha, por ajo nuk ka se çka me nda, dhe kështu ai na tregon fuqinë që kemi ne. Kjo buron nga një fat i mbrapshtë që e ka përcjellë figurën e tij, një jetë të rëndë”, ka thënë ai. 

Në vazhdën e përvjetorëve për figurat e shquara të letërsisë kishte nga ta vepra e të cilëve u vlerësua edhe për së gjalli. 

Për veprimtarinë e akademik Ali Aliut u fol në një panel diskutimi duke e përshkruar rrugëtimin e tij me disa nga pikat më të veçuara të veprimtarisë së tij letrare dhe akademike. Për shënimin e 90-vjetorit të tij ishin mbledhur njohës të fushës, ku i pari me një fjalë rasti pritu botuesi dhe shkrimtari Abdullah Zeneli.  

Për Zenelin, Ali Aliu është figurë e çmuar e botës së letërsisë shqipe. 

“Është njeriu i parë i letërsisë që ka nuhatur talentet e reja dhe nuk ka hezituar asnjëherë t’u japë dorën shkrimtarëve të rinj, por nuk ka munguar as kritika. Ai gjithnjë ka qenë kaherë i zëshëm në kritikën për letërsinë”, ka thënë Zeneli. 

U vlerësua edhe Panairi, përulësia ndaj letërsisë dhe respektimi i përvjetorëve dhe figurave të veçanta. 

Ligjësia studimore e analitike e veprës së studiuesit Ali Aliu ishte natyrisht qendra e diskutimit, por shpeshherë përmendej dhe “Don Kishoti shqiptar”, vepra e mirënjohur Aliut. U vlerësua si një libër referues për shumë mësimdhënës e studiues, ndër veprat më të përkthyera shqipe. 

Për veprimtarinë e akademik Ali Aliut u fol në një panel diskutimi duke e përshkruar rrugëtimin e tij me disa nga pikat më të veçuara të veprimtarisë së tij letrare dhe akademike

Pedagogia dhe shkrimtarja Majlinda Rama, ka thënë se Ali Aliu ka lënë gjurmë të dukshme përveçse në veprimtarinë shkencore dhe në atë qytetare  e patriotike. Ka thënë se ai mbetet model i shquar intelektual  me një rol të rëndësishëm në formimin e kulturës dhe letërsisë shqiptare. 

“Profesor Aliu nuk ndërton mure por ura në studimin e letërsisë. Për mua ai në kritikë është thellësisht refleksiv sepse reaksionet e shpirtin i përçon në mënyrë të përsosur saqë kur e lexon duket se puna e tij nuk është e lodhshme, librat studimorë të tij lexohen si një ese, një krijim estetik që të rrëmben në vete”, është shprehur Rama, duke e falënderuar akademik Aliun edhe publikisht për kontributin e tij.

Ka treguar se shpesh puna e tij edhe e ka inspiruar. 

Studiuesi Behar Gjoka ndau një nyje e cila e lidh Ali Aliun me emrin e Petro Markos. Ai kishte doktoruar në Universitetin e Prishtinës më 1973 duke mbrojtur tezën “Jeta dhe vepra e Petro Markos”. Sipas Gjokës, “njerëzit që jetojnë me letërsi dhe për letërsinë dinë të lënë dhe gjurmë, e Ali Aliu është njëri nga ta”.  

Vetë Ali Aliut fjala iu dha në fund. Qe fjalëpakë, me modesti tregoi se nuk i ka shumë qejf përvjetorët e ditëlindjes, i bie ndërmend për to vetëm kur kujtohen familja e tij. Por këtë ftesë të Panairit e përshëndeti duke i falënderuar organizatorët. 

“Vëmendja e këtij institucioni ndaj meje ma fryu zemrën dhe shpirtin. Ftesa nga familja Zeneli këtu më bën të ndihem mirë dhe ju uroj suksese në punë. Është një familje që identifikohet me vlerat shpirtërore, me librin”, ka thënë Aliu. 

Përmbylljen e këtij paneli e bëri e bija e akademikut, profesoresha Lindita Aliu-Tahiri. Ka treguar se si është të rritesh në një ambient me një akademik, teksa dha dhe mesazh për librin. 

“Kam pasur fatin që lartësinë e leximit e kam mësuar nga shtëpia jo në shkollë dhe e shoh librin si një shkathtësi jetësore për të shprehur kreativitetin, kritikën. Uroj që në këtë kohë kur librat janë lehtë të qasshëm në çdo formë, në këtë parajsë të letërsisë, ku letërsi dëgjohet më shumë se kurrë nga tekstet e këngëve, shpresoj që shkathtësia e interpretimit do të kuptohet si e mësuar gjatë jetës. Unë e mësova atë në shtëpi dhe u bë një pasion, por edhe profesion i imi”, ka përfunduar ajo.