Gjithçka që kompozoi Rexho Mullaj ishte shqiptare. Për një periudhë të gjatë, një nga diskutimet e shumta nga kritikët dhe jo vetëm ishte origjina e kompozitorit dhe shpesh u dalluan disa tendenca për të krijuar një identitet inekzistent. Megjithatë, ajo çfarë është e rëndësishme është krijimtaria dhe veprimtaria muzikore e Rexho Mullajt, ajo e cila filloi në Kosovë, duke e bërë atë një ndër kulturat më të reja në Evropë
Zhvillimi i muzikës artistike në Kosovë nga muzikologjia kosovare ndahet në tri periudha (faza) e edhe shkolla kompozuese është e ndarë në atë mënyrë, tërë kjo bazuar në karakteristikat stilistike dhe mënyrën e shprehjes muzikore në Kosovë.
Ky kualifikim shfaqet si rezultat i implikimit të stileve të ndryshme në opusin kompozicional dhe jo në bazë të moshës/kohës kur jetuan kompozitorët. Megjithatë, padyshim ka edhe çështje të tjera socio-politike-ekonomike që ndikuan në këtë kriter ndarjeje.
Pjesë përbërëse e gjeneratës së parë të kompozitorëve shqiptarë është pikërisht kompozitori Rexho Mullaj. Së bashku me kompozitorin Lorenc Antoni (përfaqësues të gjeneratës së parë) jetuan dhe kompozuan në kohën e ish-Jugosllavisë (po ashtu gjenerata e dytë dhe e tretë dhe pjesë e kompozitorëve të gjeneratës së katërt), kur Kosova kishte fituar autonominë brenda Jugosllavisë (një sistem i trilluar edhe ky) (1946-1990). Megjithatë, kishte edhe momente brenda kësaj periudhe kur artet filluan me kultivimin e tyre, si dhe u ngritën institucionet universitare e performuese profesionale të ndryshme.
Duke qenë ndër iniciatorët e themeluesit të këtij zhanri në vend, domosdoshmërisht krijimtaria kompozicionale e kompozitorëve të lartpërmendur karakterizohet nga një shprehje muzikore e nxjerrë nga koleksionet e muzikës popullore shqiptare, e cila në fazat e mëvonshme të krijimtarisë identifikohet përmes elementeve melodike dhe ritmike.
Rexho Mullaj njihet si pionier i muzikës artistike në Kosovë, jo vetëm për faktin se ka krijuar bazat moderne të një krijimtaria muzikore, por edhe për bartjen e përvojave nga puna me amatorë në këtë fushë. Ai konsiderohet të jetë personazhi kryesor i muzikës artistike të shqiptarëve.
Ai është përfaqësues i identitetit kulturor kombëtar të Kosovës, tek i cili inspirimi nga folklori vërehet të jetë prezent në veprat e tij, por gjithmonë i trajtuar në suazat e hapësirave të tjera krijuese evropiane. Nga moduset e veprimtarisë së përbashkët në relacionin folklor-kompozitor, relacioni e tij është me karakter dhe shfaqet me përfshirjen e idiomës folklorike në gjuhën e tij.
Të dhëna biografike – origjina dhe arsimimi
Kompozitori Rexho Mullaj ka lindur në Guci të Malit të Zi më 18 mars të vitit 1923. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen e ndoqi në Medresenë e Shkupit, të cilën më pas e vazhdoi në Prishtinë në Shkollën Normale (1941-44). Studimet muzikore në drejtimin e kompozimit i ndoqi në Akademinë e Muzikës në Beograd te profesor M Trajçeviq (1948-53), ku para se të diplomonte, ai u burgos për motive politike dhe qëndroi në burg 33 muaj.
Vitet e tij si student lidhen edhe me periudhën kur zhvillimi i muzikës artistike të Kosovës merr një rrjedhë serioze për sa i përket zgjimit të vetëdijes kombëtare dhe dëshirës për të krijuar një krijimtari karakteristike, të ndryshme nga muzika moderne evropiane-perëndimore në suaza botërore.
Rexho Mullaj ishte një nga kompozitorët i cili në ambientin kosovar angazhimin e tij profesional e realizon edhe si kompozitor, profesor dhe krijues muzikor, iniciator në formimin e jetës muzikore. Në vitin 1957-58 ai punoi në Prizren në shkollën e muzikës atje si pedagog i lëndëve teorike dhe njëkohësisht ai angazhohet si dirigjent i korit të shoqërisë kulturore-artistike “Agimi”, si shoqëri e parë gjysmëprofesionale muzikore te shqiptarët e Kosovës. Rexho Mullaj ishte i angazhuar në redaksinë e muzikës pranë Radio Prishtinës dhe një kohë ai ka dirigjuar edhe korin gjysmëprofesional të kësaj Radioje.
Për qëllime të futjes së programit muzikor në gjuhën shqipe në radio dhe për të pasuruar literaturën muzikore në vend, Rexho stilizoi shumë këngë dhe valle popullore në gjuhën shqipe, duke pasur parasysh se ajo ishte shpesh e privuar dhe e mangët gjatë kësaj periudhe. Gjithçka që kompozoi Rexho Mullaj ishte shqiptare. Për një periudhë të gjatë, një nga diskutimet e shumta nga kritikët dhe jo vetëm ishte origjina e kompozitorit dhe shpesh u dalluan disa tendenca për të krijuar një identitet inekzistent. Megjithatë, ajo çfarë është e rëndësishme është krijimtaria dhe veprimtaria muzikore e Rexho Mullajt, ajo e cila filloi në Kosovë, duke e bërë atë një ndër kulturat më të reja në Evropë.
Për punën e tij të palodhshme gjithmonë kushtuar muzikës artistike, ai u nderua me çmime të ndryshme.
Nëse analizojmë opusin krijues të Rexho Mullajt, do të arrihet në përfundimin se përbëhet nga forma dhe zhanre të ndryshme muzikore, duke filluar nga zhvillimi i këngës popullore, këngët korale a cappella të përcjella edhe nga orkestra, muzikë orkestrale, kompozime kamerale, muzikë skenike (jo operë) dhe kantatë.
Rexho Mullaj dallohet për aftësinë e tij për të përzgjedhur atë që ishte tipike në muzikën popullore shqiptare dhe për të krijuar forma organike mbi bazën e saj. Ishte ky orientim i përgjithshëm stilistik i shkollës kompozuese vendore.
Muzikologu i njohur shqiptar, prof. Engjëll Berisha, i cili e njihte personalisht Mullajn, thoshte: “Ideali i Mullajt ishte ‘populli ynë’”. “Ai ishte i përkushtuar të krijonte një muzikë që komunikon me një gamë të gjerë amatorësh e me audiencë të muzikës artistike”.
Krijimtaria e Mullajt filloi me veprat korale, të bazuara në meloditë popullore shqiptare. Ky kompozitor harmonizoi e stilizoi mbi 50 këngë popullore, ndër të cilat dallohen: “Një lule”, e shkruar për solo soprano, kor dhe orkestër, “Lulëzoi fusha lulëzoi mali”, për dy solistë, kor dhe orkestër dhe “Zambaku i bardhë” po ashtu për solist, kor e orkestër.
Njëra nga këngët më të popullarizuara të tij, këngë kjo e invencionit origjinal është “Baresha”, sipas vargjeve të poetit Rifat Kukaj. Kjo këngë i ishte dedikuar artistes sonë të madhe, Nexhmije Pagarushës. Është kjo këngë me motive të muzikës shqiptare, të cilat autori i krijoi në mënyrë mjaft inventive. Karakteristike në këtë këngë janë edhe elementet koloraturë brenda melodisë me një diapazon të gjerë, çka nuk e bën të lehtë këtë këngë për interpretim.
“Muzika e kësaj kënge është vesë, e ngjyrosur me material popullor dhe motive të muzikës shqiptare”.
Për kor mikst, ky kompozitor ka lënë dy këngë: “Vendi im” dhe “Vjeshta”, sipas vargjeve të Rexhep Hoxhës, këngë kjo të cilën muzikologjia shqiptare e Kosovës e cilëson si një nga veprat antologjike të muzikës korale shqiptare, jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj. E rëndësishme në opusin e Rexho Mullajt është kantata e tij “Poema për ata”, vepra e parë e kësaj forme e krijuar në Kosovë.
Rexho Mullaj është edhe kompozitori i dy veprave kamerale “Elegjia” - 1955, dhe “Legjenda” - 1956, e para është për violonçel dhe piano kushtuar poetit Esad Mekuli (1916-1993) dhe e dyti për violinë dhe piano kompozuar gjatë viteve 1955-56. Veprat e lartpërmendura të Mullajt përfaqësojnë veprat e para të këtij lloji në muzikën artistike te ne.
Veçanërisht i rëndësishëm është kontributi i tij në fushën e muzikës orkestrale ku dallohen veprat: “Akularelet e Prizrenit”, dy simfoni, e para e papërfunduar, e dyta “Kosovarja”, (Simfonia e parë te muzika artistike e shqiptarëve të Kosovës), dhe Pastorala dhe loja për violinë dhe orkestër. Titujt e këtyre veprave na tregojnë që janë vepra programore, të gjitha të mbështetura nga bukuritë e vendeve të ndryshme në Kosovë.
Interes ky kompozitor tregoi edhe për muzikën skenike e kjo më së miri tregohet me kompozimin e dy baleteve të tij “Nita”, i cili mbeti i papërfunduar, dhe baleti ”Legjenda mbi ngadhënjimin” .
Rexho Mullaj kompozoi edhe muzikë filmi, ku mund të dallojmë muzikën për filmin: “Kapetan Leshi”, “Uka i Bjeshkëve të Nemuna”, “Nita”, “Fosilet” e të tjera.
Kompozitor me orientim stilistik kombëtar
“Simfonia Kosovare” (1972), simfonia e dytë e kompozitorit Rexho Mullaj, paraqet një nga veprat me interes të veçantë në fondin e muzikës artistike të Kosovës, e cila njëkohësisht e dallon kompozitorin për kontributin e tij në fushën e muzikës orkestrale. Sipas muzikologjisë kosovare, kjo simfoni merr epitetin e simfonisë së parë të kompozitorit, gjithmonë duke pasur parasysh se simfoninë e parë të tij, të shkruar rreth viteve pesëdhjetë, Mullaj nuk arriti ta përfundojë. Vetë titulli flet për frymëzimin e kompozitorit dhe përmban të gjitha karakteristikat tonale, simfonia përmban të gjitha kriteret e përpunimit simfonik për t'u njohur si simfoni në formën klasike të saj.
Rexho Mullaj duke qenë një kompozitor me orientim stilistik kombëtare dhe duke marrë parasysh përmbajtjen e veprës, do ta kishte të pashmangshme përdorimin e elementeve të muzikës popullore, tërë kjo e arritur në mënyrë diskrete nga motivi, shndërrimi me anë të tingëllimës (krijimi timbrit të instrumenteve popullore), lëvizjet e realizuara në intervalin e sekondës së zmadhuar, etj. Simfonia e titulluar “Kosovare” tregon përpjekjet e kompozitorit për të shprehur përvojat më të vështira që ka përjetuar Kosova dhe si rezultat merr karakterin e saj elegjiak, por fakt i dukshëm është prania e dramaticitetit brenda saj.
Ky kompozim paraqet shprehjen themelore stilistike të Rexho Mullaj.
“Simfonia Kosovare” për herë të parë u regjistrua në vitin 1972 nga Orkestra Simfonike e Radio Lubjanës, me dirigjent Samo Hubad.
Kompozitori Rexho Mullaj nuk ka përdorur teknika moderne për muzikën e tij kompozicionale, të cilat dallojnë nga shumica e bashkëkohësve të tjerë evropianë.
Rexho Mullaj jetoi dhe kompozoi në të njëjtën periudhë kohore kur dy kompozitorët shqiptarë nga Shqipëria, Tish Daija dhe Çesk Zadeja, zhvilluan veprimtarinë e tyre të muzikës artistike. Këta kompozitorë kishin pak lidhje me kompozitorët shqiptarë të Kosovës. Ky është rezultat i marrëdhënieve të ngrira midis dy shteteve (të iniciuara nga Shqipëria) dhe politikës sulmuese (komunizmi 1944-1990) që u zhvillua atje. Me rënien e qeverisë së atëhershme në Shqipëri, situata politike në Kosovë u përkeqësua.
Domethënë Zadeja, si Mullaj në Kosovë, është kompozitori i parë në Shqipëri që kompozoi Simfoninë (1956).
Rexho Mullaj vdiq në Prishtinë (Kosovë) në vitin 1982. Meqenëse ishte viti i konfliktit për shqiptarët e Kosovës (filluan konfliktet ndëretnike), shumë miq dhe adhurues të tij nuk i dhanë nderimet e fundit në ceremoninë mortore për arsye objektive apo barriera politike. Nuk kemi asnjë ide se ku ka dashur konkretisht të varroset, përveçse të prehet në vendlindje me një ceremoni modeste dhe të lërë trashëgimi e detyrim veprën kompozicionale, pasurinë artistike. Asnjë nga meloditë e tij nuk u dëgjua gjatë ceremonisë mortore.
Pikërisht për karakteristikat e përgjithshme të lartpërmendura, Rexho Mullaj mund të jetë dhe konsiderohet si kompozitori që ka bërë që muzika shqiptare të forcojë themelet e saj në Kosovë, duke kontribuar jo vetëm si artist, por edhe si mësues dhe drejtues i ansambleve të ndryshme që ishin themeluar në atë kohë.
Krijimtaria e tij është në stilin nacional romantik. Sipas kësaj, ai është i saktë në përdorimin e formave klasike, të mbushura me zgjidhje harmonike, në të cilat qarkullon kombëtarja pa citate, me linja të thjeshta melodike të frymëzuara nga karakteristikat e këngëve dhe valleve shqiptare.
Pikërisht për këtë, në muzikologjinë kosovare Rexho Mullaj konsiderohet si kompozitor i cili plotësoi atë ngecje të muzikës shqiptare në Kosovë, duke i kontribuar asaj jo vetëm si krijues, por edhe si pedagog e drejtues i ansambleve të ndryshme të krijuara në atë kohë.
Ky tekst u botua për herë të parë në Shtojcën për kulturë të “KOHËS Ditore” me 27 shkurt të vitit 2022, me rastin e 40-vjetorit të vdekjes së Rexho Mullajt. Ribotohet në 100-vjetorin e lindjes së tij.