Shtojca për Kulturë

Përpjekja serbe për t’i fshehur dëshmitë e krimit

Shenjat e luftës në Çikatovë të Vjetër, Drenas (Foto: Driton Paçarada)

Fshehja e kufomave të civilëve shqiptarë të Kosovës, të vrarë gjatë operacioneve të përbashkëta të ushtrisë dhe policisë së Serbisë, janë provë e fortë se vrasjet në masë ishin pjesë e një plani të përbashkët për ta terrorizuar popullatën shqiptare, me qëllim të dëbimit nga Kosova. Kjo kishte qenë pjesë e një doktrine shtetërore, që synonte një “zgjidhje përfundimtare” për çështjen e Kosovës

Kryeprokurorja e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ), Louise Arbour, në mars të vitit 1999, dy ditë pas fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s kundër Jugosllavisë, i kishte dërguar letër Sllobodan Millosheviqit dhe dymbëdhjetë zyrtarëve të tjerë politikë, ushtarakë dhe policorë të Jugosllavisë së mbetur dhe Serbisë, në të cilën ajo i paralajmëronte se – në kuadër të mandatit, të cilin ia ka besuar Këshilli i Sigurimit i KB-së – me kujdes do të ndiqte se çfarë po ndodh në Kosovë.

Në të njëjtën letër, Arbour ua kishte përkujtuar zyrtarëve serbë se e drejta ndërkombëtare i obligon që t’i parandalojnë krimet e luftës ose t’i dënojnë vartësit, të cilët i kanë kryer këto krime.

”Nuk ka kufomë – nuk ka krim”

Me gjithë vërejtjen e kryeprokurores së Hagës, në Beograd lidershipi i nivelit të lartë politik dhe policor kishte marrë masat se si të pamundësohen hetuesit ndërkombëtarë të zbulojnë provat mbi krimet e kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës. Sipas një shënimi të ditarit të gjeneralit policor serb, Obrad Stevanoviq, metoda sipas së cilës do të zhduken gjurmët e krimit dhe do të mbrohen nga përgjegjësia penale ata që ishin prezentë, është hartuar personalisht nga kryetari Sllobodan Millosheviq. Ai gjithashtu e pranoi para Tribunalit vërtetësinë e ditarit të luftës së tij, kur gjatë një takimi me Millosheviqin ai shkroi një shënim gjakftohtë: ”Nuk ka kufomë – nuk ka krim”.

Përpjekjet e Serbisë për fshehjen e provave të krimeve të kryera ishin të njohura edhe nga luftërat në Kroaci dhe Bosnjë, ishte një metodologji e njëjtë. Në këtë kuadër hyn edhe fshehja e dëshmive arkivore, edhe në periudhën kur Beogradi ishte i detyruar të bashkëpunonte me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (NPNJ), si dhe me gjykatat e tjera të vendit. Edhe pas rënies së Millosheviqit kujdeseshin që në Tribunal dhe në gjykatat e tjera më me qejf të mos i dorëzojnë disa dëshmi të ndjeshme, të cilat do të mund të shërbenin si prova për ta dënuar Serbinë e Millosheviqit për gjenocid në hapësirën e ish-Jugosllavisë. Dënimin e tij për përgjegjësi individuale e mbështesnin. Në këtë kontekst, u bë publike dhe u përdor edhe çështja e varrezës kolektive të Batajnicës.

Mohimi sistematik i masakrave

Në anën tjetër, vazhdonte mohimi sistematik i masakrave, minimizimi i tyre, paraqitja e civilëve të varë si luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), justifikimi i krimeve dhe, më pas, fshehja e kufomave të civilëve të ekzekutuar, si dhe pengimi i qasjes në arkivat e shtetit, duke i shpallur ato sekret për shkak të rrezikut të “interesave të sigurisë nacionale” të gjoja interesave, e shpalli gjithë arkivin e Brigadës 37 sekret (shtetëror) për 30 vjetët e ardhshëm. Madje, në vitin 2003, Serbia e kishte bindur kolegjin gjyqësor të rastit të Millosheviqit në Tribunalin e Hagës që t’ia lejonte kufizimin e përdorimit të dokumenteve të Këshillit Suprem të Mbrojtjes (KSM) vetëm për procesin e Millosheviqit, përdorimin e tyre për gjykatat e tjera apo për publikun e gjerë. Serbia kishte një qëllim madhor: mbajtjen mbyllur të shumicës së dokumenteve të ndjeshme të kreut shtetëror dhe ushtarak, që përmes të cilave do të vërtetohej se Serbia e kishte shkelur Konventën e OKB-së, të vitit 1948, për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit.

Meqë zyrtarët serbë edhe vetë ishin të bindur se arkivat e Komandës së Përbashkët mund të shkaktonin dënimin e Serbisë për krimet e luftës në Kosovë, Serbia ndërmori të gjitha hapat për ta parandaluar përdorimin e dokumenteve të arkivit shtetëror. Beteja e Tribunalit për dokumentet e arkivit shtetëror të Beogradit, siç vëren Nevenka Tromp, nxori në pah se elitat politike serbe, pas rënies së Millosheviqit nga pushteti (tetor 2000), ndoqën dy qëndrime të ndryshme në raport e TPNJ-së. Nga njëra anë, qeveritë e reja në Beograd zbatonin politikën e bashkëpunimit, duke dorëzuar të akuzuar për krime të luftës, si Millosheviqi, Pavkoviqi, Stanishiqi, Shainoviqi, Simatoviqi e të tjerë, për t’i dhënë përgjegjësi individuale për krimet e bëra në Kosovë. Ndërkaq, në anën tjetër, këto autoritete qeveritare serbe angazhoheshin me konsistencë për dërgimin e limituar dhe selektiv të dokumenteve që kërkoheshin nga TPNJ-ja, në mënyrë që të shmangej çdo mundësi e bërjes publike të këtyre dokumenteve dhe, me këtë, edhe dënimi i Serbisë së Millosheviqit për gjenocid.

Pra, ato ishin të gatshme ta dënonin Millosheviqin për përgjegjësi individuale, por e kundërshtonin mundësinë e marrjes së përgjegjësisë shtetërore për krimet e bëra në Kosovë, Bosnjë dhe Kroaci, edhe pse të gjitha dëshmitë konfirmonin se bëhej fjalë për një ndërmarrje të përbashkët shtetërore kriminale. Qasja në dokumentet arkivore do të mund t’i ekspozonte përmasat e barbarisë serbe gjatë luftës dhe një e tillë do ta dëmtonte edhe më shumë imazhin e Serbisë. Siç pohon edhe Hannah Arend në librin saj “Eichmanni në Jerusalem”, një brengë të ngjashme për RFGJ-në e kishte pasur edhe kancelari Konrad Amdenauer, pas arrestimit dhe gjykimit të Eichmannit në vitin 1960. Para së gjithash, qëllimi i kryeministrit të atëhershëm serb, Zoran Gjingjiq, ishte ekskluzivisht i interesit të brendshëm politik, delegjitimimi i Millosheviqit dhe dobësimi i ndikimit të strukturave të ish-regjimit, të cilat ende ishin të konsoliduara.

Image
Që çështja e masakrave dhe varrezave masive të mbetej vetëm si spekulim propagandistik i shqiptarëve dhe i komunitetit ndërkombëtar, operacioni i fshehjes së viktimave, i urdhëruar nga Millosheviqi, u bë qindra kilometra jashtë territorit të Kosovës. Prandaj, nuk ishte e rastit që autoritetet e larta serbe përzgjodhën terrenin e njësiteve speciale serbe antiterroriste në Batajnicë (në foto) dhe Petro Sello

Rasti i Kosovës: djegie kufomash e rivarrime

Në këtë linjë, institucionet e larta shtetërore serbe, policia dhe ushtria, duke pasur përvojën e rastit të Bosnjës dhe të Kroacisë, qysh gjatë luftës ishin angazhuar t’i mënjanonin dëshmitë për krimet e bëra ndaj shqiptarëve të Kosovës. Rasti më i njohur është i masakrës serbe në Reçak, kur regjimi i Millosheviqit pati penguar një hetim të pavarur ndërkombëtar, duke mos e lejuar hyrjen në Kosovë të prokurores së atëhershme të Gjykatës Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish- Jugosllavisë, Louise Arbour. Kjo ndërmarrje ka qenë sistematike – fshehja ose zhdukja e krimit përmes fshehjes së kufomave të viktimave dhe fshehja apo shkatërrimi i dokumenteve dhe provave të tjera ka qenë faza e fundit e një procesi të shoqëruar edhe me deklarata mohuese dhe me refuzim zyrtar për t’u distancuar nga kjo e kaluar kriminale.

Për dallim nga lufta në Bosnjë, në rastin e Kosovës u bë përpjekje të asgjësohen dëshmitë për krime përmes djegies së kufomave ose me rivarrim në vendndodhje të fshehta. Veprimet e ndërmarra për t’i fshehur krimet kishin qenë pjesë e përpjekjes së përbashkët publike për përhapjen e dezinformatave në lidhje me krimet e luftës, që ilustronte koordinimin ndërmjet zyrtarëve shtetërorë në Serbi dhe zyrtarëve ushtarakë dhe policorë. Që çështja e masakrave dhe varrezave masive të mbetej vetëm si spekulim propagandistik i shqiptarëve dhe i komunitetit ndërkombëtar, operacioni i fshehjes së viktimave, i urdhëruar nga Millosheviqi, u bë qindra kilometra jashtë territorit të Kosovës dhe në vende të paqasshme, në mënyrë që të mos zbuloheshin kurrë nga hetuesit ndërkombëtarë. Prandaj, nuk ishte e rastit që autoritetet e larta serbe përzgjodhën terrenin e njësiteve speciale serbe antiterroriste në Batajnicë dhe Petro Sello, të cilat ishin vende sekrete dhe të paqasshme për publikun e gjerë.

Lidhur me këtë, eksperti i njohur dhe dëshmitari ekspert i Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, James Gow, në librin e tij “The Serbian Project and Its Adversaries: A Strategy of War Crimes” (London: Hurst, 2003), në kuadër të analizës ushtarako-politike të konflikteve jugosllave, duke argumentuar se Slobodan Millosheviqi dhe aleatët e tij serbë përdorën spastrimin etnik si një metodë për krijimin dhe konsolidimin e kufijve, ofron dëshmi se trupat e civilëve të vrarë ishin rivarrosur brenda Serbisë, kryesisht në vende sekrete, të kontrolluara dhe të mbrojtura mirë nga njësitë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, njësitë speciale antiterroriste dhe Shërbimi i Sigurimit të Serbisë.

Strategjia serbe e spastrimit etnik

Gow argumenton se strategjia e qëllimshme e spastrimit etnik të Serbisë ishte në qendër të luftës dhe se ajo, në thelb, ishte kriminale; me fjalë të tjera, ishte një strategji e krimeve të luftës. Duhet shtuar se metodologjia e zhvarrosjes së kufomave të viktimave civile shqiptare në Kosovë ishte e ngjashme me atë në Bosnjë, fakt ky që dëshmon se krimet në Kosovë dhe ato në Bosnjë e Kroaci kishin qenë një ndërmarrje kriminale e përbashkët për krijimin e Serbisë së Madhe.

Operacioni i rihapjes/zhvarrosjes së varrezave masive dhe fshehja e kufomave kishte qenë pjesë e kësaj strategjie, për të penguar zbulimin e varrezave masive. Autoritetet më të larta të regjimit të Millosheviqit kishin ndërmarrë masa që krimet e tyre të mos zbuloheshin pas vendosjes së forcës ndërkombëtare të NATO-s (KFOR) në Kosovë. Për këtë arsye, Beogradi kishte ndërmarrë operacionin e fshehjes së kufomave të shqiptarëve të Kosovës në territorin e Serbisë, pasi atje do të mbeteshin të pazbuluara dhe larg mundësisë për t’u zbuluar nga ekipet e hetuesve ndërkombëtarë të Tribunalit të Hagës. Përveç kësaj, Tribunali i Hagës, në aktgjykimin e liderëve serbë, kishte konstatuar se ka pasur një “konspiracion heshtjeje” në të gjitha nivelet shtetërore të policisë dhe të ushtrisë serbe dhe se një pjesë e madhe e dokumenteve të shkruara ishin shkatërruar ose ishin bërë raporte gojore, për të shmangur çdo provë për hetuesit ndërkombëtarë. Ishte e qartë se personat përgjegjës në zinxhirin shkakësi gjenocidale nuk dëshironin të linin gjurmë për veprimet e tyre kriminale.

Shumë studime për krimet e Holokaustit kanë treguar se sa vështirë ka qenë të sigurohen dokumente të shkruara, të cilat do të dëshmonin përndjekjen e hebrenjve dhe të krimeve të tjera të nazistëve. Sipas Christopher Harding (“Criminal Enterprise: Individuals, Organisations and Criminal Responsibility”), “dihet mirë, për shembull, se Hitleri kurrë personalisht nuk ka qenë dëshmitar i një akti gjenocidal ose se ka shkruar ndonjë urdhër për vrasjen e të gjithë hebrenjve; në një rast të tillë ka vetëm prova rrethanore që e lidhin një aktor të tillë kryesor me rezultatet e një plani gjenocidal”. Dhe një mungesë e provave të shkruara paraqet një ndër problemet më të mëdha për një ndërlidhje ndërmjet niveleve të ndryshme të personave përgjegjës.

Përmes fshehjes së provave të krimeve, regjimi serb vazhdonte propagandën e brendshme dhe të jashtme, për t’i demantuar hetuesit ndërkombëtarë, të cilët kishin marrë informacione nga të mbijetuarit e masakrave dhe nga familjarët e viktimave se ishin bërë krime. Sipas Tribunalit të Hagës, përpjekjet për fshehjen e kufomave të civilëve shqiptarë të Kosovës, të vrarë gjatë operacioneve të përbashkëta të ushtrisë dhe policisë së Serbisë, janë provë e fortë se vrasjet në masë ishin pjesë e një plani të përbashkët për ta terrorizuar popullatën shqiptare, me qëllim të dëbimit nga Kosova. Kjo kishte qenë pjesë e një doktrine shtetërore, që synonte një “zgjidhje përfundimtare” për çështjen e Kosovës.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për Kulturë