Shtojca për Kulturë

Perceptimet e ndërhyrjes së NATO-s deri në qershorin e 1999-s

Presidenti francez, Jacques Chirac, më 10 qershor 1999 në portin Toulon viziton trupat dhe 15 tanke luftarake “Leclerc”, që janë gati të nisen drejt Maqedonisë për të hyrë në Kosovë

Presidenti francez, Jacques Chirac, më 10 qershor 1999 në portin Toulon viziton trupat dhe 15 tanke luftarake “Leclerc”, që janë gati të nisen drejt Maqedonisë për të hyrë më pas në Kosovë ku Franca dërgoi 7 mijë ushtarë në kuadër të forcave paqeruajtëse

Foto: Associated Press

Nga më të zëshmit kundërshtarë të intervenimit në Francë ishin rrymat majtiste “antiimperialiste”. Kundërvënien ndaj intervenimit të NATO-s, në vitin 1999, këto qarqe e mbështetnin në dy “arsyetime-argumente” kryesore: ata e cilësonin intervenimin e NATO-s si intervenim i “fuqive imperialiste” për ta realizuar “sundimin e tyre imperialist” në Ballkan e kundër “Serbisë si shtet sovran”. “Argumenti” i dytë shpalohej me mohimin e plotë të krimeve të shtetit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës. E ky operacion, në të vërtetë, ndërpreu masakrat e shqiptarëve nga serbët e njëherësh e bëri të mundur kthimin e afro 1 milion shqiptarëve në vendin e tyre, në Kosovë në qershorin e 1999-s

Ndërhyrja e NATO-s, në fund të marsit 1999 u prit si ngjarje e rëndësishme dhe shpresëdhënëse nga një pjesë e madhe e opinionit francez, e veçmas nga të gjithë ata që vepruan gjatë dhjetë vjetëve që të bëhet i ditur realiteti i rëndë në Kroaci, Bosnjë apo në Kosovë. Një pjesë tjetër e opinionit ishte kundër intervenimit. Por kundërvënia ndaj intervenimit bëhej nga pozita të ndryshme etike dhe politike. Disa, si bie fjala, pacifistët, e kundërshtonin parimisht intervenimin si një dhunë që nuk mund të sjellë zgjidhjen politike të problemit, sado që shumica e tyre dëshmoi deri simpati dhe mbështetje për Kosovën dhe shqiptarët si viktima të regjimit serb. Disa të tjerë, republikanët e suvrenistët, nga spektri politik i majtë apo i djathtë (Chevenementi, ministri i Punëve të Brendshme) dhe Pasuqa (ish-ministër i Punëve të Brendshme), e kritikonin intervenimin si “përzierje jolegjitime në punët e brendshme të një shteti sovran”. Disa të tjerë kritikonin këtë ndërhyrje në emër të interesave gjeopolitike të Francës në Ballkan, kurse një pjesë e mirë e së majtës ekstreme në saje të bindjeve të tyre antiamerikane e “antiimperialiste”. Kësodore u hap një debat më i dendur e më dinamik ku ndesheshin argumente e pikëpamje nga më të ndryshmet, të cilat fillonin me problemet e Kosovës e pastaj dilnin te çështje të politikës së jashtme të Francës, të BE-së, tek interesat gjeopolitike e ekonomike të këtyre vendeve, pyetje këto që duke u nisur nga problemi i Kosovës problematizonin ambiciet dhe parimet e BE-së, vlerat dhe orientimet politike të intelektualëve apo të politikanëve. Mund të thuhet se çështja e Kosovës shërbeu si një katalizator për një debat polemik e përplot pasione rreth këtyre çështjeve gjatë këtyre muajve. Numri i artikujve i botuar në gazetat e përditshme dhe në revista ishte tejet i madh. Krahas analizave të holla e lucide historiko-politike botoheshin edhe artikuj të sipërfaqshëm, të ngarkuar me emocione e indinjim. Disa dëshmonin se këto çështje dhe polemika shkaktonin ndarje që shfaqeshin nga strukturat politike dhe qarqet intelektuale e shkonin deri te familjet. 

Mendoj se produksioni i shkrimeve për Kosovën nga këta muaj mars-dhjetor 1999 ofron një spektër tejet të begatshëm të analizave dhe problemeve të Kosovës nga intelektualë, gazetarë, historianë e politikanë francezë, nga pikëvrojtime të ndryshme e të kundërta. Ky produksion përbën një material të çmuar për studime historike e politike që sillen rreth pyetjes se si shikohej e si trajtohej çështja e Kosovës në Francë në përgjithësi.

Takimi i parë me Presidentin Chirac

Në fillim të muajit prill, si anëtarë të Komitetit të Kosovës, na priti në një takim presidenti Jacques Chirac në pallatin e Elisesë. Ishin të pranishëm Antoine Garaponi, Olivier Mongeni, Alain Finkielkraut, Pierre Hassner, Pascal Bruckner, Alain Joxi dhe autori i këtij shkrimi. Kisha përshtypjen se dukej i tronditur dhe i preokupuar me atë që po ndodhte në Kosovë: filluan të arrijnë lajmet e para për masakrat masive të shqiptarëve pas ndërhyrjes së NATO-s. Chiracu dha mendimin e vet pse e mbështeti ndërhyrjen e pastaj deshi të dëgjonte mendimet e mysafirëve lidhur me atë se në çfarë drejtimi mund të shkojnë ngjarjet në Kosovë dhe çfarë perkusionesh mund të kenë ato në raportet midis aleatëve perëndimorë. Ai kritikoi qasjet e disa gazetarëve në kanalet televizive, paraqitjet e tyre të sipërfaqshme, imazhet e shumta për krimet që nuk i përcjellin me shpjegime politiko-historike dhe mbesin kësisoj në rrafshin e përshkrimit të emocioneve.

Në rastin e Kosovës, shtoi Chirac, jemi pajtuar në fund se ndërhyrja ishte e paevitueshme. Ai foli pastaj se çfarë masash parashihen për mbrojtjen e refugjatëve kosovarë në Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi. E pyetëm se a parashihet një intervenim tokësor në mënyrë që të pengohet gjenocidi, na tha se tani për tani do të vazhdojë ndërhyrja ajrore dhe se pret që ajo do të çojë te zgjidhja e problemit. Në ndërhyrjen time shkurtazi rikujtova disa fakte historike me problemin e Kosovës, që më pak zihen në gojë në medie, e në anën tjetër, bindjen se regjimi i Beogradit do të orvatet të shkojë deri në fund të realizimit të projektit të vet, zbrazjes së Kosovës nga shqiptarët. Këtë e thashë, ngase disa propozonin mundësinë e një kompromisi me Millosheviqin, edhe tani, për “ta shpëtuar si Kosovën ashtu edhe Serbinë”.

Politika e Millosheviqit – barbari e organizuar

Ndryshe nga Vedrini, ish-ministër i punëve të jashtme, që pas intervenimit ra në heshtje, Chiracu dilte një herë në javë, i drejtohej publikut francez përmes kanaleve televizive për ta sqaruar domosdonë e ndërhyrjes dhe qëllimet e saj. Në ndërhyrjen e parë, ai e cilësoi politikën e Millosheviqit në Kosovë si një “barbari të organizuar”: ky ishte vlerësimi më i rëndë që një politikan francez kishte bëre në llogari të regjimit të Beogradit. 

Një rezyme të qëndrimeve të presidentit francez e gjejmë në disa fjalime të tij, me të cilat ai i drejtohej opinionit francez, sikurse edhe në vëllimin e dytë të “Memorareve” të tij me titull “Le temps présidentiel. Mémoires 2”, botuar nga “NiL éditions”, Paris 2011, fq. 236-250.

Chiracu rikujton këtu se acarimi i situatës së rëndë në Kosovë u arrit më 1989 kur Serbia e Millosheviqit e suprimoi në mënyrë të njëanshme statusin e autonomisë që Kosova kishte në Kushtetutën e Jugosllavisë. Ai cek se karshi kësaj politike, në Kosovë u organizua një rezistencë së pari paqësore e pastaj edhe një rezistencë e armatosur, e cila “u transformua duke filluar nga viti 1996, në luftë për pavarësi”. Ai shton se Millosheviqi dërgoi pastaj atje trupa për ta shuar kryengritjen me një represion të përgjakshëm. “Pas dështimit të tij në Bosnjë e Hercegovinë, humbja e Kosovës do të shënonte për të mbarimin e projektit të tij për një ‘Serbi të Madhe’”. Ai saktëson në vijim se si rrjedhojë e operacioneve të ushtrisë serbe “qindra mijëra kosovarë u eliminuan apo u deportuan me qëllim që të ndryshohet rrënjësisht drejtpeshimi demografik i territorit në dobi të pakicës serbe. Pasi i hyri një aventure të tmerrshme për t’i imponuar planet e tij dhe të mbahet në pushtet, Milosheviqi vendos të tregohet radikalisht i ashpër duke llogaritur sërish se bashkësia ndërkombëtare do të tregohet pasive dhe e përçare”. Është kjo një mënyrë shumë e thukët për ta rezymuar orientimin dhe synimin e Milosheviqit në Bosnjë dhe Kosovë, në njërën anë, dhe dobësitë e bashkësisë ndërkombëtare karshi politikës së tij.

Chiracu rikujton se në nëntor të vitit 1997 Franca dhe Gjermania kishin bërë propozimin e parë për zgjidhjen e konfliktit, por ky propozim nuk u pranua. Ndërkaq më 1998, Britania e Madhe, shton Chirac, mori vendimin “ta sensibilizojë SHBA-në për këtë dramë të re humanitare”. Ai cek pastaj se kishte kërkuar nga Rusia t’i bëjë presion aleatit të saj për ta gjetur një marrëveshje politike “para se të bëhet vonë”.

Kurse në mars të vitit 1998, pra pas sulmit të trupave serbe në Prekaz, Chiracu rikujton se u riaktivizua Grupi i Kontaktit, i përbërë nga Franca, Britania e Madhe, Gjermani, Rusia dhe SHBA-ja, i cili u drejtoi një ultimatum udhëheqësve të Serbisë. Ky Grup ishte formuar me qëllim që të ballafaqohet me sfidat e luftës në Bosnjë. 

Ai shtoi njëherësh se Këshilli i Sigurimit i OKB-së nxori një rezolutë me të cilën u vu një embargo në shitjen e armëve për Serbinë.

Mund të hetohet se Chiracu në fillim të kësaj analize të qëndrimit francez ndaj çështjes së Kosovës kishte theksuar se bashkë me kryeministrin britanik, Tony Blair, pas diskutimeve që kishin pasur në disa takime në Francë, arritën tek ideja se duhet vepruar më në fund karshi acarimit të gjendjes në Kosovë. Blair kishte cekur, sikurse edhe burime të tjera madje amerikane, se ia kishin konfirmuar hezitimet e disa zyrtarëve amerikanë lidhur me ndonjë ndërmarrje apo aksion të vendosur karshi Serbisë për shkak të krimeve në Kosovë. 

Edhe filmi i njohur britaniko-amerikan “The special relationship” (2010) mbi intervenimin në Kosovë vë në pah gjithë aktivitetin politik që kryeministri britanik kishte zhvilluar për ta bindur Presidentin amerikan Clinton se duhet vepruar më në fund. Po kështu, studiues të shquar amerikanë kishin vënë në pah më parë se Clintoni hezitonte dhe evitonte të ndërmarrë aksione karshi praktikave gjenocidale në Bosnjë. Sa i takon Kroacisë, amerikanët i kishin ofruar një ndihmë logjistike nga mbarimi i luftës, e kjo ndihmë logjistike u tregua efikase dhe trupat serbe në Kroaci u mposhtën me sukses.

Njëherazi, kur është fjala për pozicionin e Chiracut ndaj Kosovës duhet cekur se ai shënoi një ndryshim e madje një kthesë të rëndësishme në krahasim jo vetëm me qëndrimet e Mitterandit, por edhe të një pjese të konsiderueshme të klasës politike të Francës dhe diplomacisë së saj karshi Serbisë, si aleate shumëvjeçare e Francës.

Vendimi që Franca të marrë pjesë në ndërhyrjen e NATO-s

Më 24 mars 1999, presidenti i Francës, Jacques Chirac, në një paraqitje televizive e njoftoi opinionin francez se kishte marrë vendim për pjesëmarrjen e aviacionit francez, me më shumë se 100 aeroplanë në bombardimet e Serbisë, përkatësisht të caqeve ushtarake e strategjike të saj. Asokohe Franca nuk bënte pjesë në NATO. 

Në këtë fjalim Chiracu shpjegon arsyet dhe qëllimet e këtij intervenimi: “Kemi marrë vendim t’u japim fund praktikave barbare të regjimit serb, spastrimeve etnike, masakrave dhe dëbimeve masive të shqiptarëve nga Kosova”. Ai thekson se kanë marrë vendim t’i kundërvihen “vullnetit metodik” të regjimit serb “për ta zhdukur një popull të tërë”. Këto praktika, saktëson Chiracu, rikujtojnë orët më të errëta të barbarisë. Sikur t’i pranonim këto praktika dëshmitarë të të cilave jemi, kjo do të thoshte të humbasim shpirtin tonë, të lejojmë që gangrena e të pathënshmes (l’innomable) të vendoset sërish në kontinentin tonë […]. Brezave të cilët nuk e kanë njohur luftën, lufta e sotme është shembullore, ajo nuk bazohet mbi konsiderata ekonomike apo strategjike, por në një ide të caktuar të “moralit” dhe “të drejtës së kombeve”.

Dimensioni etiko-politik i qëndrimit të Presidentit Chirac ndaj çështjes së Kosovës shpërfaqet qartazi edhe në këto formulime. 

Presidenti Chirac do t’i drejtohet opinionit francez rregullisht (së paku një herë në javë) për t’ia sqaruar hollësisht qëllimet e intervenimit të NATO-s kundër Serbisë. Ai e dinte se një pjesë e opinionit ishte e ndikuar nga qarqet politike, shoqatat e mediat proserbe, të cilat sistematikisht i mjegullonin dhe deformonin faktet dhe realitetin e ngjarjeve, sidomos në dy vjetët e fundit.

Nga më të zëshmit kundërshtarë të intervenimit në Francë ishin rrymat majtiste “antiimperialiste”. Kundërvënien ndaj intervenimit të NATO-s, në vitin 1999, këto qarqe e mbështetnin në dy “arsyetime-argumente” kryesore: ata e cilësonin intervenimin e NATO-s si intervenim i “fuqive imperialiste” për ta realizuar “sundimin e tyre imperialist” në Ballkan e kundër “Serbisë si shtet sovran”. “Argumenti” i dytë shpalohej me mohimin e plotë të krimeve të shtetit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës: ato qarqe i cilësonin pohimet për krimet masive serbe si “gënjeshtra e shpifje: negacionizëm ky si ai që mohonte dikur krimet mbi hebrenjtë, kurse intervenimin e NATO-s, të udhëhequr nga SHBA-ja, e cilësuan si “agresion”. Ndërkaq, ky operacion, në të vërtetë, ndërpreu masakrat e shqiptarëve nga serbët e njëherësh e bëri të mundur kthimin e afro 1 milion shqiptarëve në vendin e tyre, në Kosovë. Kësisoj kundërshtimi i intervenimit të NATO-s ishte faktikisht mbështetje e vazhdimit të krimeve masive mbi shqiptarët.

Në fjalimin e pestë që nga fillimi i bombardimeve të NATO-s Chirac-u, sipas “Libération” më 4 maj 1999, në kanalin televiziv TF1, ai përsëriti sërish se qëllimi i bombardimeve është që të ndalet ”gangrena e të pathënshmes” (“l’innommable” term që emërton krimin më të ndyrë, shprehje kjo që ishte sajuar në analizat mbi Shoa-n.). Ndaj vlerësimeve mediatike për lirimin e tre pilotëve amerikanë nga pushteti serb Chiracu tha: “Kurrfarë besimi nuk mund të kemi sot tek autoritetet e Beogradit. Pikërisht në momentit kur ata lironin tre të burgosurit, forcat e tyre përndiqnin dhjetëra mijëra kosovarë nga qyteti i tyre i Prizrenit”. Ai thekson se bombardimet do të vazhdojnë dhe do të jenë më intensive. Në këtë fjalim ai cek po kështu se “do të zhvillohet përforcimi i kapaciteteve ajrore të Aleancës për t’i arritur caqet e veta pa ndërprerje”. “Kemi arritur”, shton ai, “...t’i ndërpresim linjat e furnizimit, kësisoj regjimi i Beogradit ka mbetur i privuar pashmangshëm nga mjetet e pushtetit të vet”. Në këtë fjalim Chiracu ka qenë shumë i ashpër, në veçanti, ndaj Milosheviqit dhe “vullnetit të tij metodik për ta zhdukur tërë një popull dhe praktikat që rikujtojnë orët më të errëta të barbarisë”. 
Dimensioni etiko-politik i qëndrimit të Presidentit Chirac ndaj çështjes së Kosovës shpërfaqet fuqishëm edhe në këto formulime.

Takimi i dytë me Presidentin Chirac

Në takimin e dytë me Presidentin Chirac, në pallatin e Elysesë, në fund të muajit qershor (1999), ai na falënderoi që ia kishim dërguar librin “Le Kosovo, un drame anoncé” (Kosova, një dramë e paralajmëruar) Michalon, Paris,1999). Ai shprehu respektin për analizat e ngjarjeve, për pikëpamjet dhe vlerat me të cilin orientohej kjo vepër e përbashkët e autorëve.

Veç disa anëtarëve të Komitetit të Kosovës, në takimin me Chiracun ishin edhe Ismail Kadare, Jean d’Ormesson, e njëherësh edhe drejtori i të përditshmes “Le Monde” Edwy Plenel dhe editorialisti i të përditshmes “Le Figaro”, Gérard Slamma. 

Chiracu dukej i shtendosur, i kënaqur me përfundimin e suksesshëm të operacionit ushtarak ndërkombëtar. 

Ai rikujtoi, megjithatë, se paralajmërimi i një ndërhyrjeje tokësore të NATO-s kishte shkaktuar kriza në koalicionet e majta të qeverive në Francë, Itali e Gjermani. Komunistët dhe të gjelbërit ishin kërcënuar se do ta braktisin qeverinë nëse lufta në Kosovë thellohet dhe zgjatet. Ai tha se Millosheviqi kishte kalkuluar me këto përçarje, mirëpo, paralajmërimi i një ndërhyrjeje tokësore megjithatë e kishte detyruar të tërhiqet, me qëllim të ruajtjes së pushtetit.

Biseda u soll në këtë takim sa rreth ardhmërisë së Kosovës, aq edhe asaj të Serbisë dhe Milosheviqit. Chiracu shprehu rezervë ndaj opsionit të pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se “duhet evituar të hapet kutia e Pandorës në Ballkan”. Në fjalën time, pasi e falënderova për mbështetjen që i dha ndërhyrjes së NATO-s, e cila solli çlirimin e Kosovës, ia rikujtova se kutia e Pandorës ishte çelur më herët, me shpërbërjen e Jugosllavisë në entitete të Federatës. Shtova se pasi popujt jugosllavë që e kishin krijuar Jugosllavinë, vendosën të ndahen, shqiptarët nuk mund të mbeteshin në një strukturë të vdekur, në të cilën më parë u detyruan, përkundër vullnetit të tyre, të jetojnë. Bëra krahasimin edhe midis kërkesës së Malit të Zi për pavarësi, megjithëse atje nuk është shënuar ndonjë terror serb, me kërkesën për pavarësi të Kosovës. Kadareja e Bernard-Henri Lévy mbështetën kërkesën për pavarësi të Kosovës, si dhe nevojën që UÇK-ja të transformohet në ushtri të rregullt.

Me intensifikimin e debateve në skenën publike franceze lidhur me statusin e Kosovës, Chiracu do ta mbështesë pavarësinë e Kosovës. Mirëpo, meqë mandati i tij merr fund në vitin 2007, ai e realizoi këtë mbështetje brenda qarqeve diplomatike e politike të Francës, si dhe me komunikimin që kishte me shefat e shteteve perëndimore.