Shtojca për Kulturë

“Pas luftës, kush jemi ne?!” thërret me plagën e hapur

Te finalja e “Pas luftës, kush jemi ne?!” si eho mbetet thirrja se “Kosova po flet”. Ka efektin e katarzës, por mbi të gjitha është pyetja që ende pret përgjigje

Te finalja e “Pas luftës, kush jemi ne?!” si eho mbetet thirrja se “Kosova po flet”. Ka efektin e katarzës, por mbi të gjitha është pyetja që ende pret përgjigje

Shfaqja e zhanrit dance-teatër me ideator e producent Nusret Pllanën, me koreografi e regji të Robert Nuhës, nuk ka nevojë për shumë fjalë. Lëvizjet janë të zëshme. Që në fillim shtron pyetje siç edhe është pagëzuar. Përpiqet të ngrejë zërin në mungesë të një zgjidhjeje për krimet serbe dhe fëmijët e vrarë. Është një rebelim nëpërmjet artit

“Pas luftës, kush jemi ne?!” përçon aktin sublim të artit dhe ndërgjegjësimit. Në qendër të vëmendjes është plaga që ka mbetur ende e hapur në Kosovë. Siç theksohet në shfaqje, janë të vrarë 1432 fëmijë gjatë luftës së viteve 1998-1999. Kanë kaluar më shumë se dy dekada dhe familjet e këtyre fëmijëve vazhdojnë të jetojnë në ankth duke u privuar shpirtërisht dhe emocionalisht që të çlirohen prej tij tash e 25 vjet. Jo pak, ende të zhdukur, e pritja ende vazhdon. 

Shfaqja e zhanrit dance-teatër me ideator e producent Nusret Pllanën, me koreografi e regji të Robert Nuhës, nuk ka nevojë për shumë fjalë. Lëvizjet janë të zëshme. Që në fillim shtron pyetje siç edhe është pagëzuar. Përpiqet të ngrejë zërin në mungesë të një zgjidhjeje nga politika vendore dhe ajo ndërkombëtare. Një rebelim përmes artistit që përçon mesazh të qartë tek institucionet, të cilat kanë përgjegjësi ligjore dhe morale për ta mbyllur këtë proces të dhimbshëm. 

Produksioni i shoqatës “Yjet që nuk vdesin”, në bashkëpunim artistik me “Noa Dance Theater Company”, luan me simbolika. Këpucët janë disa prej tyre. Është shfaqje avangarde, e cila shkon përtej kufijve të një qasjeje tradicionale. Ndërthur mjeshtërisht elemente të ndryshme artistike, duke mos munguar as ana e saj estetike. 

Baleti gërshetohet me tinguj të fuqishëm të muzikës rock, hard rock dhe metal, pa munguar këngët e vjetra qytetare shqiptare dhe zhanret më bashkëkohore me tis të “neoclassical dark wave”. Muzika luhet aty për aty dhe kjo e gjallëron edhe më. 

Shfaqja ka gjuhë universale. Ani pse temën e nxjerr prej ngjarjeve të një çerekshekulli më parë, “Pas luftës...”, i flet së tashmes

Salla, e cila nuk përmbush pothuajse aspak kushtet minimale për një shfaqje të këtij kalibri, nuk mund ta zbehë performacën e artistëve. Një ambient i mbushur me tym – që shpërndahet edhe në audiencë – mjegullon përqendrimin, pa i përjashtuar shkallët e improvizuara ku publiku është ulur dhe herë pas here lëkundet. 

Të gjitha këto i japin dimension dhe kontrast të thellë, duke përforcuar mesazhin. Nuk mungojnë as dialogët dhe monologët – në tekstin minimalist por plot mesazhe të Shpëtim Selmanit – të cilët sjellin përjetime reale dhe imagjinare. Rikrijon në një formë dimensionin emocional të tragjedisë: si kanë mundur të ndihen fëmijët në ato çaste dhe si do ta përjetonin “sot një Kosovë të lirë, një Kosovë që frymon shqip, flet shqip, qan shqip, zemërohet shqip dhe ëndërron shqip”, siç thërritet në shfaqje. 
Regjisori e koreografi Robert Nuha, fill pas premierës, të martën mbrëma në sallën “AMC” në dalje të Prishtinës, ka thënë se reagimi i publikut ia ka lënë përshtypjen të ketë pasur ndikim të jashtëzakonshëm. 

“Po i shoh të gjithë të ekzaltuar, një audiencë që kalon më shumë se një mijë të pranishëm dhe që rrallëherë ndodh në aktivitetet tona dhe kjo më bën të lumtur në dy aspekte: njëra sepse është një punë imja e radhës, e cila sigurisht që është më e madhja nga pikëpamja e investimit artistik, po në të njëjtën kohë është edhe ‘dance-teatër’ si fushë, si gjini e re që nuk është shumë e lëvruar në Kosovë që po merr hovin që i duhet”, ka thënë Nuha. 

Ka thënë se “Pas luftës, kush jemi ne?!”  është një tentim që përjetimet të përkthehen në një formë krejt artistike dhe me dimensione të shumta. 

“Me arte të shumta të bashkuara, të cilat sjellin një diçka që është e rrallë, është unike, është origjinale dhe flet shqip, flet shqip me botën dhe kjo është ideja. Ideja është që ne të jemi qytetarë universalë”, ka thënë Nuha. Në kastën e aktorëve, Nuha ka mbledhur aktorë të shquar në mesin e të cilëve, Adem Karaga, Donikë Ahmeti, Valmir Krasniqi, Fikrete Miftari, Florist Bajgora e shumë të tjerë. Kasta ka në përbërje njëzet aktorë. 

Është shfaqje avangarde, e cila shkon përtej kufijve të një qasjeje tradicionale. Ndërthur mjeshtërisht elemente të ndryshme artistike, duke mos munguar as ana e saj estetike

Por shfaqja nuk do të merrte formë pa idenë e profesor Nusret Pllanës, autor i disa librave që dokumentojnë krimet e luftës në Kosovë, autor i dokumentarëve dhe ekspozitave në këtë tematikë.  
“Ai ka qenë motori kryesor që ne të arrijmë të shfaqim një diçka të tillë. Përveç kryetarit të Komunës së Prishtinës, asnjë investim tjetër nuk ka qenë i institucioneve të kulturës në Kosovë”, ka thënë Nuha. Shfaqja ka gjuhë universale. Ani pse temën e nxjerr prej ngjarjeve të një çerekshekulli më parë, “Pas luftës...”, i flet së tashmes. 

“Ne sot po shohim botën që është në një pikë ku lufta vazhdon, njerëzit që pësojnë më së shumti janë fëmijët. Ne kemi një histori të lavdishme, por shumë të dhimbshme, për arsye se kemi 1432 fëmijë të vrarë gjatë gjenocidit të fundit në Kosovë dhe akoma s’kemi arritur të ndërtojmë diçka për t’i respektuar sado pak shpirtrat e tyre, e ky ka qenë qëllimi ynë kryesor, që ne me këtë eveniment ta bëjmë shoqërinë të reflektojë mbi vlerat tona kombëtare, sidomos mbi vlerat e luftës së pakontestueshme dhe të padiskutueshme”, ka thënë Nuha pas premierës, e cila ka ngjarë në prag të festës kombëtare, Ditës së Flamurit.

Simbolika e këpucëve është më kuptimplota. Te ky detaj është ndalur edhe regjisori e koreografi. 
“Këpucët që janë të vendosura në skenë, janë gjurmët që na thërrasin të bëjmë më të mirën, për të mos çuar dëm sakrificën e tyre”, ka thënë ai. E ka cilësuar veten me fat që ka bashkëpunuar me artistë të jashtëzakonshëm si: Trimor Dhomin kompozitor, Florent Çangën videoprojektor, Yann Perregaux-Dielf ndriçues, Ilir Bokshin konsulent profesional, Vesa Krajën kostumografe, bendin  e përbërë nga Leonard Canhasi, Teoman Ukça dhe Edmond Gjinolli, Besiana Mehmeti vokaliste e Lavdie Idrizi koreografe.  

Ani pse ka realizuar disa koreografi, ky projekt për Nuhën ka qenë më i madhi deri më tash. 
Me “Pas luftës...” shpreson të ketë folur në të gjitha gjuhët e mundshme, me fokus të veçantë te gjuha e trupit dhe gjuha e fjalës dhe muzikës. 

Nusret Pllana, ideatori dhe producenti i shfaqjes, e ka përshkruar atë si një porosi për politikanët vendorë dhe ndërkombëtarë se nuk janë marrë sa duhet me kryerësit e krimeve dhe të pagjeturit. 

“Pas luftës, kush jemi ne?!”  është një tentim që përjetimet të përkthehen në një formë krejt artistike dhe me dimensione të shumta

“Kjo kryevepër artistike gjithëshqiptare e dëshmon katërçipërisht një gjë të tillë, se masakrat, krimet që i ka bërë Serbia barbare meritojnë të dënohen për gjenocid, si shtet e jo vetëm individë aty-këtu, të cilët janë dënuar dhe kanë marrë dënime”, ka thënë Pllana për shfaqjen, e cila, sipas tij, është një vepër artistike që i ka munguar Kosovës dhe Shqiptarisë në përgjithësi. Ekipi që ka punuar në shfaqje, sipas tij, dëshmon edhe një tjetër gjë. 

“I ka grumbulluar kuadrot më të mira të mundshme të artit dhe kulturës, nga Tirana, Shkupi dhe nga Prishtina, prandaj kjo shfaqje në një formë ishte edhe një Shqipëri e bashkuar, një Shqipëri në miniaturë”, ka thënë ai.  

Aktori nga Shkupi, Adem Karaga, ka thënë se kishte fatin që ishte pjesë e kësaj punëtorie kaq dimensionale që kishte vallëzim, monologë, dialogë, pothuajse të gjitha zhanret e artit skenik. 
“Do të thosha se ishte një gjë privilegj dhe nder për të qenë pjesë e këtij grupi të mrekullueshëm të rinjsh, një punë kolosale me muzikën, bendin në veçanti dhe pa dyshim lojtarët dhe aktorët e rinj që kanë qenë motiv shtesë dhe promotor i gjithë kësaj”, ka thënë ai. Procesi i inskenimit nuk ka qenë fort i lehtë. 

“Gjithë kjo periudhë na ka kaluar me shumë lot, me shumë dhimbje, me shumë gjak dhe ka qenë një sfidë, një laborator, një punishte shumë e thellë, një punëtori, e cila na bëri të ballafaqohemi me të kaluarën dhe besoj që do na shërbejë për të ardhmen”, ka thënë ai. 

Te finalja e “Pas luftës, kush jemi ne?!” si eho mbetet thirrja se “Kosova po flet”. Ka efektin e katarzës, por mbi të gjitha është pyetja që ende pret përgjigje. Edhe njëzet e pesë vjet pas luftës.