Shtojca për Kulturë

Parlamentarizmi dhe shqiptarët në Mal të Zi

Kemi të bëjmë me kohën e shkatërrimit të shtetit të ish-Jugosllavisë, formimin e bashkësisë së re shtetërore RFJ e përbërë nga Serbia e Mali i Zi dhe së fundit me pavarësinë e Malit të Zi, në saje të referendumit të mbajtur më 21 maj 2006. Nga ajo kohë e deri më tash proceset politike në Mal të Zi dëshmojnë se kemi të bëjmë me një mjedis të pakonsoliduar, sepse qytetarët të cilit ishin kundër pavarësisë se Malit të Zi, vazhdojnë me qasjen e tyre, që është dëshmuar në mënyrë praktike disa herë deri më tash, dhe së fundit në zgjedhjet parlamentare më 2020

Periudha tridhjetëvjeçare në lidhje me skenën politike në Mal të Zi (1990-2020), përkatësisht parlamentarizmin, është e mjaftueshme për analiza e përfundime për zgjedhjet parlamentare, pjesëmarrjen e partive politike, pozitën, opozitën e sidomos partitë politike të pjesëtarëve të popujve pakicë. Janë pikërisht këto parti të cilat kanë luajtur rol të rëndësishëm në demokratizimin e skenës politike në këtë mjedis multinacional e multikulturor.

Në veçanti do të trajtohen modelet e sistemeve zgjedhore të cilat janë miratuar sipas shijes së shumicës parlamentare, duke mos përfillur vërejtjet dhe propozimet nga partitë politike të popujve pakicë. Dhe nga një qëndrim i tillë dëshmon se kemi të bëjmë me një mjedis të pakonsoliduar, çështje e cila mbetet gjithnjë e hapur për të gjetur zgjidhje të pranueshme për të gjithë. Në këtë aspekt do të trajtohet pjesëmarrja e shqiptarëve në jetën parlamentare në Mal të Zi sipas pesë modeleve zgjedhore, përkatësisht sfidat e tyre në skenën politike në favor të barazisë qytetare e nacionale në këtë mjedis multinacional, sipas standardeve ndërkombëtare. Po ashtu jepen edhe propozime për modelin zgjedhor që do të ishte më i përshtatshëm dhe i pranueshëm për shqiptarët, përkatësisht përfaqësimin e tyre autentik në Mal të Zi.

Nga monizmi në pluralizëm

Për ta pasur të qartë këtë periudhë tridhjetëvjeçare e kemi ndarë në tri faza, të cilat kanë veçoritë e veta, në saje të ngjarjeve politike të cilat kanë qenë me ndikim në Mal të Zi. Kemi të bëjmë me kohën e shkatërrimit të shtetit të ish-Jugosllavisë, formimin e bashkësisë së re shtetërore RFJ e përbërë nga Serbia e Mali i Zi dhe së fundit me pavarësinë e Malit të Zi, në saje të referendumit të mbajtur me 21 maj 2006. Nga ajo kohë e deri më tash proceset politike në Mal të Zi dëshmojnë se kemi të bëjmë me një mjedis të pakonsoliduar, sepse qytetarët të cilit ishin kundër pavarësisë se Malit të Zi, vazhdojnë me qasjen e tyre, që është dëshmuar në mënyrë praktike disa herë deri më tash, dhe së fundit në zgjedhjet parlamentare (30.8.2020).

Faza e parë (1990-1997)

Kjo fazë ka të bëjë me kohën postmoniste, e cila në saje të papërvojës në shumë aspekte i ngjasonte kohës së monizmit. Dhe nuk kishte si të ishte ndryshe sepse në pushtet e qeverisje ishin ata që ishin më parë, ndonëse deklaroheshin të moderuar të paktën në retorikën e përdorur, duke mos reflektuar se kemi të bëjmë ne demokracinë pluraliste.

Në këtë kohë kishim në praktikë dukuritë paradoksale, sepse të gjithë ata të cilët deklaroheshin së janë për pavarësinë e Malit të Zi cilësoheshin si armiq (!) ku bënin pjesë pjesëtarët e popujve pakicë (pakicat kombëtare) kryesisht shqiptarët e boshnjakët, e nga ata malazias ishin anëtarët e Partisë Liberale të Malit të Zi (LSCG). Një qëndrim i tillë nga ana e pushtetit, ishte dëshmi se ata ishin në mbështetje të politikës serbomadhe, ku bënte pjesë partia e DPS-it si dhe të gjitha partitë tjera serbe e proserbe në Mal të Zi.

Në këtë kohë me shpalljen e pavarësisë së Sllovenisë e Kroacisë me 25.6.1991 përfundoi së ekzistuari shteti i ish-Jugosllavisë. Deri në prill të vitit 1992 edhe dy republikat tjera Bosna e Hercegovina dhe Maqedonia kanë miratuar deklaratën për pavarësi, duke lënë në federatë vetëm Serbinë dhe Malin e Zi. Në lidhje me këtë çështje në Mal të Zi është mbajtur referendumi me 1 mars 1992, për të përfillur disponimin e qytetarëve se a janë së bashku me Serbinë për të formuar shtetin me emrin Republika Federative e Jugosllavisë. Dhe pas një referendumi të tillë, i cili ishte për një shtet të përbashkët me Serbinë, me 27 prill 1992 formuan Republikën Federative të Jugosllavisë (RFJ). Në këtë krijesë shtetërore ishin edhe Vojvodina dhe Kosova, me status pothuaj kolonial, në saje të eliminimit të autonomisë në vitin 1989.

Në aspektin politik, partia kryesore (DPS) deri në vitin 1997 ishte unike në të njëjtin kurs politik sikurse partia e S. Milosheviqit në Serbi. Por, në këtë vit ndodhi distancimi nga politika e tillë nga ana e M. Gjukanoviqit, që ndikoi në ndarjen e kësaj partie (DPS) në dy pjesë: atë promalazeze e distancuar nga politika serbe në Beograd dhe partia tjetër (SNP) që ishte mbështetëse e politikës serbe në Beograd. Një ndarje e tillë ishte në favor të rrjedhave dhe të skenës politike në Mal të Zi, duke eliminuar monopolin e një partie politike, sikurse në monizëm. Kjo periudhë kohore veçohej me krizë ekonomike dhe inflacionin të panjohur deri më tash në përmasa botërore. Nga një situatë e tillë dhe rrethanave shoqërore dhe mbështetjes ushtarake të politikës serbe nga ana e pushtetit të Malit të Zi, një numër i konsideruar i shqiptarëve emigruan në botën e jashtme. Ishte ky vazhdimi i një pastrimi të heshtur etnik, që ndikoi në rënin e numrit të popullsisë shqiptare si dhe shpopullimin e vendbanimeve të tyre.

Në saje të dekompozimit politik të partisë–shtet (DPS), në vitin vijues u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe u formua qeveria e re me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të popujve pakicë (shqiptarët e boshnjakët).

Faza e dytë (1998-2005)

Kemi të bëjmë me një periudhë dinamike, sepse gjatë kësaj kohe në Mal të Zi kemi qeverinë pluraliste sepse për të parën herë marrin pjesë partitë politike të popujve pakicë duke ndikuar në avancimin e pozitës dhe statusit të tyre. Enkas në lidhje me këtë çështje u formua Ministria e Popujve Pakicë dhe të Drejtave të Njeriut e cila fillimisht dhe kryesisht është udhëhequr nga shqiptarët. Në këtë kohë kemi edhe ngjarjet rreth Kosovës dhe shpërthimi i luftës aty nga pushteti neofashit serb i S. Millosheviqit. Duke filluar nga shtatori i vitit 1998 e deri në qershor 1999, kur përfundoi lufta në Kosovë me ndërhyrjen e NATO-s, në Mal të Zi janë strehuar rreth 80.000 refugjatë nga Kosova, të cilët kanë qëndruar këtu nga Rozhaja në veri e Ulqini në jug, të cilët një pjesë e madhe e tyre më pas janë vendosur në vende të ndryshme të botës.

Po ashtu duhet cekur se në këtë kohë ndryshoi edhe statusi shtetëror nga RFJ në Bashkësia Shtetërore Serbia e Mali i Zi (4.2.2003). Emërtimi i bashkësisë shtetërore nga dy ish-republikat ishte sinjal i mjaftueshëm për të kuptuar së në Mal të Zi ndjenja e pavarësisë ishte në rritje, ndërsa mbajtja e referendumit për pavarësi ishte bërë temë dominuese te qytetarët në Mal të Zi.

Faza e tretë (2006-2020)

Në saje të Deklaratës kushtetuese të Bashkësisë Shtetërore Serbia e Mali i Zi të miratuar me 4.2.2003, ku secili shtet mund të kërkojë pavarësinë përmes referendumit, dëshmon se në këtë shtet së shpejti do të kemi ndryshime konstitucionale. Pikërisht duke marrë parasysh këtë mundësi dhe disponimin e qytetarëve u bënë përgatitjet për mbajtjen e referendumit për Pavarësinë e Malit të Zi që është mbajtur me 21.5.2006. Në saje të rezultateve të referendumit ku për pavarësi janë deklaruar 55.5 për qind e qytetarëve, ndërsa kundër ishin 44.5 për qind e tyre. Kemi të bëjmë me ndarje të qytetarëve në dy blloqe politike, pro malazias e pro serb, dukuri kjo që është e pranishme edhe në vitet në vijim.

Në referendumin për pavarësinë e Malit të Zi rolin vendimtar e kanë pasur popujt pakicë, shqiptarët e boshnjakët, sepse pa mbështetjen e tyre nuk do të realizohej pavarësia nga Serbia. Mali i Zi e shpalli pavarësinë më 3.6. 2006, ndërsa edhe Serbia e shpalli më 5.6. 2006, ku mori fund Bashkësia Shtetërore Serbia e Mali i Zi.

Në vitin 2007, Kuvendi i Malit të Zi miratoi Kushtetutën e cila është e para në shtetin e pavarur, ndërsa në aspektin e mbrojtjes pranohet në NATO (5.6.2017).

Në këtë periudhë kohore pas pavarësisë, ndarjet politike në Mal të Zi kanë mbetur konstante, që është dëshmuar përmes zgjedhjeve lokale e atyre parlamentare, duke dëshmuar se kemi të bëjmë me një mjedis të pakonsoliduar politikisht.

Zgjedhjet parlamentare të mbajtura me 30.8.2020, pas tre dekadave të udhëheqjes së pushtetit nga ana e DPS-it në koalicion më parti të tjera, kësaj here opozita ia arriti qëllimit duke arritur fitore në zgjedhje. Kemi të bëjmë me një koalicion heterogjen i përbërë nga shumë parti politike, ide dhe programe të ndryshme, të cilat i ka bashkuar energjia për të larguar nga skena politike pushtetin e DPS-it që ishte vazhdimësi e monizmit edhe në pluralizëm si në asnjë vend tjetër ne ish-kampit socialist në Evropën Juglindore. Se si do të funksionojë pushteti i ri përkatësisht qeverisja e re a do të ofrojë risi apo do të jetë identike si pushteti i mëparshëm mbetet të shihet në të ardhmen.

Pjesë nga kumtesa e paraqitur në Konferencën shkencore “Pluralizmi dhe shqiptarët ndër vite”, në organizim të Fakultetit Filozofik të UP-së, mbajtur në Prizren më 10.6.2021