Një kishë e të varfërve për të varfrit, ishte motoja e Jorge Mario Bergoglios, i njohur botërisht si Papa Françesku, i biri i një familjeje emigrantësh italianë që kishin mbërritur në kryeqytetin argjentinas të Buenos Aires gati 100 vjet më parë. Kur u bë Papë, zgjodhi emrin Françesk, si shenjë nderimi për murgun Françesko D’Assis që, referuar angazhimit të tij humanitar afro një mijë vjet më parë, u cilësua sinonim i të varfërve dhe i paqes. Vetë Papa u bë i tillë. Jeta dhe mesazhet që ua la edhe shqiptarëve, janë testament
“Një kapitull në historinë e Kishës është mbyllur”, do të thoshte Gerhard Ludwig Müller, kur u dha kumti për vdekjen e Papës. Ky kardinal drejtoi Kongregacionin për Doktrinën e Besimit dhe shpesh nuk ishte dakord me Françeskun, që njihej për pikëpamjet e tij tradicionaliste.
Së paku 400 mijë, është numri i atyre që i japin lamtumirën Papës. Në mesin e tyre: më shumë se 130 delegacione, 10 monarkë e 50 krerë shtetesh, përfshirë presidentin e SHBA-së, Donald Trump. Por, jo vetëm ata.
Vatikani zyrtar njoftoi se të varfrit dhe nevojtarët u ftuan në homazhe. Dhe, një ftesë si kjo zbërthen filozofinë e Papa Françeskut. Ai prehet përjetësisht në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe të Romës. Ishte amaneti i tij që të varrosej aty. Devijoi traditën dhe jo vetëm. Lamtumira iu dha të shtunën e 26 prillit.

Jeta në thjeshtësi e përulësi
Një kishë e të varfërve për të varfrit, ishte motoja e Jorge Mario Bergoglios, i njohur botërisht si Papa Françesku, i biri i një familjeje emigrantësh italianë që kishin mbërritur në kryeqytetin argjentinas të Buenos Aires gati 100 vjet më parë.
Kur u bë Papë, zgjodhi emrin Françesk, si shenjë nderimi për murgun Françesko D’Assis që, referuar angazhimit të tij humanitar afro një mijë vjet më parë, u cilësua sinonim i të varfërve dhe i paqes. Vetë Papa u bë i tillë.
Iacopo Scaramuzzi, gazetar dhe autor libri për pontifikatin e Papa Françeskut thotë se karakteristikat e Papës së parë latino-amerikan janë të rrënjosura në biografinë e tij, dhe nuk mund të kuptohet Françesku pa e njohur Bergoglion. Para se t’i përkushtohej tërësisht shërbimit ndaj Zotit, Bergoglio kishte punuar si pastrues në një fabrikë çorapesh dhe rojtar në një klub nate.
Ai ishte shuguruar si prift më 1969 dhe ishte bërë udhëheqës i jezuitëve të një province të Argjentinës në periudhën ndërmjet viteve 1973-1979. Më 1988 ishte emëruar peshkop i Buenos Airesit. Tre vjet më vonë, Papa Gjon Pali II e kishte ngritur atë në Kolegjin e Kardinalëve.
Në vitin 2013 u zgjodh lideri shpirtëror i 1.4 miliardë katolikëve në mbarë botën, dhe u bë Papa i parë i lindur jashtë Evropës që u ngjit në krye të Selisë së Shenjtë, në më shumë se një mijë vjet.
Don Fatmir Koliqi e ka përshkruar momentin e zgjedhjes së Françeskut si një surprizë, për shkak se Françesku fillimisht nuk njihej nga opinioni i gjerë publik.
“Ne zakonisht themi që këto surpriza i bën shpirti i Zotit. Kështu që, ajo surprizë ndodhi që të jetë e mirë, ishte e këndshme, dhe që shumëçka për këta 12 vjet ka ndodhur dhe që i kanë shërbyer jo vetëm kishës, por edhe njerëzimit mbarë”, ka thënë Koliqi, famullitar i Stubllës.
Që në fillim të papatit të tij, Françesku sinjalizoi një largim nga normat tradicionale papale. E braktisi Pallatin Apostolik për një dhomë të thjeshtë në Casa Santa Marta, një rezidencë e përdorur nga peshkopët dhe kardinalët që vizitonin Romën. Përpos kësaj, ai udhëtonte me një makinë modeste dhe vishte rroba të zakonshme papale, duke treguar se përulësia nuk ishte thjesht fjalë për të, por mënyrë jetese.
Publicisti i shquar, Veton Surroi, në shkrimin “Si u bë kosovar Papa Françesku dhe ç’porositi?”, nënvizon një tjetër akt simbolik, ku Ati i Shenjtë shpërfaqi thjeshtësinë e përulësinë, pjesë qendrore e karakterit të tij.
“Në vend të bekimit tradicional që ai duhej t’u jepte besimtarëve të mbledhur në shesh, kërkoi fillimisht që populli i mbledhur në shesh ta bekonte atë. U përkul thellë për ta pranuar atë dhe vetëm pastaj përmbushi traditën duke e bekuar masën që qe mbledhur për të uruar një Papë të veçantë, një që po lë tashmë një gjurmë të thellë në botë”, ka shkruar Surroi.
Përkushtimi për dialog ndërfetar
Sfida e madhe për Françeskun ishte adresimi i skandaleve seksuale të klerikëve katolikë që po bënin namin në publik. Forcoi mekanizmat e përgjegjësisë dhe u takua me viktima për të dëgjuar nga afër përjetimet e tyre. Punoi fort në hapjen e dialogut ndërfetar, që synonte të zvogëlonte hendekun mes krishterimit dhe islamit.
“Mendoj se nuk është e drejtë të identifikojmë islamin me dhunën. Mendoj se pothuajse në të gjitha religjionet ka grupe të vogla fundamentaliste. Edhe ne katolikët i kemi ato”, do të thoshte ai.
Angazhimi i tij për transparencë dhe reformë i hapi rrugën një procesi të shërimit institucional që dikur dukej i pamundur. Reformoi Kodin Penal të Vatikanit, ku përafroi dënimet me ato të ligjeve ndërkombëtare, si dhe ashpërsoi ligjet kundër korrupsionit e krimeve ndaj të miturve.
Reformat e guximshme të Françeskut i vlerëson edhe publicisti e redaktori Enver Robelli, duke i listuar përmes një shkrimi disa nga ndryshimet madhore gjatë periudhës sa Papa ishte në krye të Vatikanit.
“Nuk pranoi që gratë të ushtrojnë funksionin e priftëreshave, por gjatë pontifikatit të tij ai avancoi shumë gra në pozita të rëndësishme në Vatikan, reformoi (pastroi) bankën e Vatikanit, ndaloi bizneset e kishës me mafinë, ashpërsoi ligjet kundër keqpërdorimeve të mëdha seksuale nga ana e dinjitarëve kishtarë. Këto keqpërdorime kanë luajtur një rol të madh në largimin e shumë njerëzve nga Kisha Katolike”, ka shkruar Robelli, redaktor në të përditshmen zvicerane “Tages Anzeiger”, kolumnist i rregullt në “KOHA Ditore”.
Shqipëria, vendi i parë që shkeli si Papë
Gjatë Papatit të tij, Ati i Shenjte vizitoi 66 vende të botës, me 47 udhëtime episkopale. Ka një simbolikë vizita e tij e parë pas zgjedhjes në krye të Selisë së Shenjtë. Është Shqipëria, vendi i parë që shkeli si Papë. E, kjo e fuqizoi dhe i dha tjetër kuptim lidhjes me shqiptarët.
Vizita e 21 shtatorit të vitit 2014 në Tiranë u prit me entuziazëm. Si rrallëherë, me qindra mijëra besimtarë, të krishterë e myslimanë, kishin mbushur bulevardin qendror të kryeqytetit shqiptar, për të pritur Papa Françeskun. Thelbi i mesazhit të tij ishin shpresa dhe shembulli i bashkëjetesës ndërfetare.
U prit në shtëpinë e shqiptarit, që është e Zotit dhe e mikut.
Në Tiranë, ku u shpall qytetar nderi nga kryetari i atëhershëm i Bashkisë, Lulzim Basha, Françesku e quajti bashkëjetesën paqësore midis katolikëve, ortodoksëve dhe myslimanëve dhuratë e çmuar për vendin, teksa ngriti zërin kundër ekstremizmit fetar, që e cilësoi si shtytës të dhunës dhe konfliktit.
“Klima e respektit dhe besimit të ndërsjellë mes katolikëve, ortodoksëve dhe myslimanëve është një dhuratë e çmuar për vendin, e cila merr rëndësi të veçantë në kohët tona, kur shpirti i vërtetë fetar po keqpërdoret nga grupet ekstreme, dhe ku dallimet fetare po keqinterpretohen dhe instrumentalizohen, duke i bërë ato një faktor të rrezikshëm konflikti dhe dhune”, kishte thënë Papa Françesku në Tiranë më 21 shtator 2014.
Me lartësimin e 40 martirëve shqiptarë, shenjtërimin e Nënës Terezë dhe me ngritjen në rang kardinali të Dom Ernest Simonit, Papa Françesku tregoi se përkushtimi i tij ndaj Shqipërisë ishte i thellë dhe i sinqertë.
Vizita e Papës në Shqipëri përveçse ka peshë simbolike, sipas shkrimtarit Ndue Ukaj, shërben po ashtu si dëshmi e dorës së parë që Françesku e njihte kombin shqiptar dhe e pranonte atë në gjirin e vet.
“Vizita e Papës në Shqipëri ishte shumë simbolike në kuptimin e raporteve që kishte kombi shqiptar me Vatikanin historikisht. Papa përmes përzgjedhjes që vizitën e parë jashtë ta bënte në Shqipëri, dëshmoi kujdesin e Vatikanit për shqiptarët, dhe fjalitë e tij të njohura, mesazhet e tij të qëndrueshme, njohja e vlerave dhe thellësive historike. Përmendja e Skënderbeut, e Nënës Terezë ishte dëshmi që ai e njihte kombin shqiptar dhe e pranonte në gjirin e vet”, ka thënë ai.
Dy vjet më vonë, më 19 nëntor të vitit 2018, Ati i Shenjtë priti në Vatikan përfaqësues nga të gjitha trevat e banuara me shqiptarë, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeu, “Atletit të Krishtit”.
Referuar udhëzimeve për ruajtjen e unitetit midis shqiptarëve duke respektuar dallimet dhe kuptimin e “dinjitetit të thellë” të kundërshtarëve, publicisti Veton Surroi e lartëson qasjen paqësore të Françeskut, duke tërhequr njëkohësisht disa paralele me gjendjen e shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve ‘90. Mbi të gjitha, ai e cilëson shenjtërimin e Nënës Terezë nga Françesku si moment vendimtar.
“Në të është pashmangshmërisht edhe Nëna Terezë”
“Në të është pashmangshmërisht edhe Nëna Terezë, të cilën e shenjtëroi mu ky Papë dhe të cilën e quajti ‘një simbol, një ikonë e kohëve tona’. Kur je i okupuar, i dhunuar në përditshmëri, dhe kur je i angazhuar në një politikë jodhune, e cila, thotë Papa në Porosi, nga të tjerët ‘nganjëherë kuptohet si dorëzim, mosangazhim dhe pasivitet’, është me rëndësi, siç qe për neve, që të kemi një simbol të kuptueshëm, global, një ikonë e kohëve tona, siç qe ai i Nënës Terezë”, ka shkruar Surroi.
Në vitin 2023, në videomesazhin drejtuar të rinjve shqiptarë, Françesku theksoi se “uniteti nuk është njëtrajtshmëri”, porse diversiteti është dhuratë hyjnore.
Ai ftoi të rinjtë që të ndërtojnë të ardhmen mbi paqe, dialog dhe respekt, teksa u bëri thirrje të mos e lëshojnë atdheun e tyre. “Atdheu ka nevojë për ju”, do të thoshte ndër të tjera Papa në videomesazhin e shpërndarë nga Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë.
Ati i Shenjtë e vlerësoi Shqipërinë si model për botën, shembull që edhe kombet e vogla me të kaluar të vështirë mund të jenë dritë për të tjerët. Këtë pikëpamje e afirmon edhe Don Fatmir Koliqi, teksa e përmend modelin e bashkëjetesës si faktorin vendimtar që e veçon kombin shqiptar prej të tjerëve.
“Për një aspekt tjetër, që e ka thënë edhe vetë, nuk kemi nevojë të shpikim asgjë, sepse ai thotë vetë pse, për shkak të një tolerance dhe bashkëjetese, një model që populli ynë mund ta japë, që e ka dhënë për veten, por edhe për botën”, ka thënë Koliqi. Sipas tij Papa ka dashur që jo të shkojë së pari tek ata që janë të fuqishëm e që ndoshta kanë harruar pak nga ajo përvujtëria e tyre.
“Por tek ata të cilët e realizojnë një përvujtëri, një thjeshtësi, e cila i bën të veçantë si popull dhe luftojnë për çdo ditë për të ardhmen e tyre. E ky është populli ynë shqiptar i cili kishte dalë nga një periudhë e errët e komunizmit, por që e ka dhënë një shembull jashtëzakonisht të madh që duhet të qëndrojmë deri në fund kundër së keqes”, ka thënë ai.
Papa Françesku kishte premtuar ta vizitonte edhe Kosovën në takimin që e kishte me presidenten Vjosa Osmani.
“‘Do të vij në Kosovë’, ishte premtimi i Papa Françeskut gjatë audiencës që kisha me të, në Selinë e Shenjtë, duke treguar sa shumë dashuri kishte për vendet më të vogla, sidomos për popullin e përvuajtur të Kosovës. Këtë vizitë, fatkeqësisht nuk arriti ta realizonte, sepse Shenjtëria e Tij, Papa Françesku, kaloi në amshim, por do të kujtohet si një udhëheqës shpirtëror që me përulësinë, mençurinë dhe dashurinë e tij të pakufishme i dha botës një shembull të rrallë njerëzie dhe shërbimi”, ka kujtuar presidentja Osmani.
Mesazhet si testament
Përtej detyrave zyrtare, Papa Françesku njihej për ngrohtësinë e tij njerëzore. Ai përqafoi fëmijët, u lut me të sëmurët, madje nuk ngurroi në një rast të ndalte makinën papnore për të bekuar një fëmijë me aftësi të kufizuara.
Në kujtimet e tij “Jeta: Historia ime përmes historisë” ndan rrëfime personale: një dashuri e hershme që e tronditi, humbja e një mushkërie në rini, vetmia në seminar dhe pesha e dhimbjeve që mbante si Papë. Kishte pasion muzikën, poezinë dhe ishte tifoz i zjarrtë i ekipit futbollistik San Lorenzo.
Për formimin e personalitet të Papës, publicisti Ndue Ukaj e sheh si të patejkalueshme të kaluarën dhe prapavijën e tij, teksa nënvizon traditën e leximit, e cila në sytë e Françeskut ishte njëra nga mënyrat më të mira për të ushqyer dhe edukuar zemrën njerëzore.
“Pa dyshim që ka ndikuar. Ai ishte Papë i detajeve, ishte i thjeshtë, lante këmbët e të burgosurve, i puthte këmbët e të tjerëve, shkonte periferive, nuk zgjodhi që të jetonte në luks, zgjodhi një jetë të thjeshtë, dhe këto ishin mesazhet e një njeriu të madh. Ai kishte një shpirt artisti, e donte tangon, e donte muzikën, e donte letërsinë. Së fundmi shkroi edhe një letër, përmes së cilës kërkonte që të mos harrojmë traditën e leximit, sepse leximi ishte njëra nga mënyrat e mira për të edukuar zemrën njerëzore”, ka thënë Ukaj.
Para se të ndërronte jetë, Papa Françesku u shtrua dhe qëndroi për 38 ditë në spitalin Gemelli të Romës, për shkak të bronkitit që më vonë u zhvillua në pneumoni të dyfishtë. Kur u lirua nga spitali, doktorët i kishin rekomanduar të paktën dy muaj pushim.
Në të kaluarën, ai ishte përballur edhe me dhimbje kronike të gjurit dhe shpinës, si dhe shpeshherë kishte përdorur karrige lëvizëse. Pavarësisht gjendjes shëndetësore, ai pati agjendë të ngjeshur, dhe i kreu detyrat e një Pape ashtu siç kërkohej. Deri në frymën e fundit.
Më 20 prill, një ditë para vdekjes, mbajti bekimin e fundit publik për Pashkë, teksa ua uroi festën të gjithë besimtarëve katolikë të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit dhe jo vetëm. Edhe pse zëri i tij ishte i dobët, mesazhi ishte i fuqishëm: paqe, dashuri dhe kujdes për planetin.
Shumë liderë botërorë pas kumtit për vdekjen e Papës kanë rikujtuar thirrjet e tij për paqe dhe tolerancë.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka thënë se lajmi për vdekjen e Papa Françeskut është arsye e fortë për trishtim, për shkak se iku në amshim një njeri i madh, i cili ka bërë çmos për t’iu dhënë fund luftërave në botë.
“Papa Françesku nuk ka reshtur së bëri thirrje për paqe, për t’iu dhënë fund luftërave që i japin fund njerëzimit, nga Ukraina e torturuar në Lindjen e Mesme, duke kaluar nëpër Sahel. Ai e bëri këtë edhe kur e dinte se disa mund të mos kuptonin dhe se fjalët e tij mund të shtrembëroheshin dhe shfrytëzoheshin. Por thirrjet e tij të shumta për paqe janë për ne një kujtesë e mëtejshme e përgjegjësisë”, ka thënë ajo.
Për presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Papa Françesku frymëzoi miliona njerëz, përtej Kishës Katolike, me përulësinë dhe dashurinë e tij të mirëfilltë për të varfrit.
Komenteve të saj u bëri jehonë presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili ka thënë se Papa ishte një njeri i përulur, që mbante anën e më të pambrojturve dhe më të brishtëve.
E presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në nderim të Papa Françeskut lëshoi urdhër ekzekutiv që flamujt në SHBA të ulen në gjysmështizë.
“Sapo kam nënshkruar një urdhër ekzekutiv, për t’i ulur flamujt e vendit tonë në gjysmështizë, të gjithë flamujt federalë dhe flamujt shtetërorë, në nderim të Papa Françeskut. Ai ishte një burrë i mirë, që ka punuar shumë. Ai e donte botën, dhe prandaj është nder ta bësh këtë”, ka thënë Presidenti Trump.
Në atdheun e tij, në Argjentinë, është shpallur zi shtatëditore.
Françesku u përpoq ta rindërtonte qasjen e Kishës Katolike ndaj sfidave moderne, duke theksuar dhembshurinë mbi doktrinën dhe afrimin mbi rregullin. Do të mbahet në mend jo vetëm për reformat strukturore, por edhe për theksin që vuri te mëshira, dialogu dhe ripërtëritja shpirtërore.
Ky stil përbën një pjesë të madhe të trashëgimisë së tij. Françesku ishte një Papë që nuk donte asgjë nga madhështia e papatit. Shqetësimi i tij për ata që janë më të prekur nga vështirësitë ekonomike, lufta dhe politika, si dhe vala e refugjatëve që po kalonin nëpër Evropë dhe Amerikë, u përputh me ndjeshmërinë e tij për ata që u ndikuan nga kriza klimatike.
Bota vajton ikjen e Papa Françeskut, por edhe e përjeton jetën e tij si frymëzim. Vdekja e tij ringjall mesazhet që i ka lënë si testament. Ndërtoi ura midis popujsh dhe feve. Synonte që njeriun ta udhëhiqte drejt dritës. U dha zë të heshturve dhe e drejtoi Kishën me mëshirë dhe përulësi.
Ishte Papa i të varfërve dhe i paqes.