Shtojca për Kulturë

Pajtimi i madh

Kur njeriu sot analizon video-materialet e këtyre seancave të fascinon ajo energjia që ka bartur një aso lloj tubimi te masat prezente. Në shumicën prej tyre, në skenat e improvizuara zakonisht ka qenë Anton Çetta, njeriu që u bë simbol i këtij aksioni

Kur njeriu sot analizon video-materialet e këtyre seancave të fascinon ajo energjia që ka bartur një aso lloj tubimi te masat prezente. Në shumicën prej tyre, në skenat e improvizuara zakonisht ka qenë Anton Çetta, njeriu që u bë simbol i këtij aksioni

Fatkeqësisht, aksioni i pajtimit të gjaqeve në Kosovë ka ngelur nën hijen e ngjarjeve të tjera më dramatike që pasuan dhe nuk e ka pasur vëmendjen e duhur. Gjeneratat e reja në Kosovë nuk besoj që dinë të ketë ekzistuar. Dhe kjo është për të ardhur keq, se jam i sigurt që ca mësime mund të nxirren, e që ndoshta mund të na shërbejnë për këto kohë të turbullta në të cilat po jetojmë

Sivjet është 35-vjetori i aksionit të pajtimit të gjaqeve, një ndërmarrje historike që i dha fund gjakmarrjes në Kosovë. Deri atëherë, qindra mijëra familje shqiptare në Kosovë ishin të hasmuara e “në gjak”, e cikli i gjakmarrjes kishte marrë formë të një qarku vicioz, me gjaqet që trashëgoheshin ndër breza. E numri i vrasjeve të ndërsjella ndonjëherë shkonte deri në tridhjetë.

Ajo që u nis si nismë e vogël pajtimi nga një grup ish-të burgosurish politikë, studentësh dhe intelektualësh, shpejt u transformua në një forum publik kombëtar, me nëna, baballarë, familjarë, të cilët dilnin në skenë dhe para publikut ia falnin gjakun familjes së personit që kishte kryer vrasjen. U organizuan dhjetëra “seanca” publike dhe në to u pajtuan qindra mijëra familje. Gjithsej u falën 1,275 gjaqe dhe ngatërresa. Në seancën e fundit publike të pajtimit, morën pjesë mbi gjysmë milioni njerëz.

Falja, pajtimi, solidariteti dhe uniteti – këto ishin shtyllat themelore të kësaj ndërmarrjeje që synonte ta transformonte dhe unifikonte shoqërinë kosovare, në agun e një lufte që pritej se do të ndodhte shpejtë.

Kur njeriu sot analizon video-materialet e këtyre seancave të fascinon ajo energjia që ka bartur një aso lloj tubimi te masat prezente. Në shumicën prej tyre, në skenat e improvizuara, zakonisht ka qenë Anton Çetta, njeriu që u bë simbol i këtij aksioni. Por ishin rreth tij edhe përfaqësues religjiozë, të rinj e të reja, intelektualë të tjerë e njerëz me autoritet në popullatë. Njerëzit ngrenë dy gishtërinjtë në formë të “V”-së, fjalimet përmbanin fjalë të reja për popullatën; “shpresa”, “solidariteti”, “ardhmëria”, “bashkimi”… Në tërësinë e saj, seanca ishte njëlloj shpërfaqje e plotë, performative, e një imazhi të ri, post-komunist, të një populli që po zgjohej. Një imazh i ri, e një mesazh politik – madje, politik mbi të gjitha – që synohej t’i përcillej regjimit në Beograd, si boshti prej nga buronte shtypja dhe dhuna e atij fundshekulli.

Fatkeqësisht, aksioni i pajtimit të gjaqeve në Kosovë ka ngelur nën hijen e ngjarjeve të tjera, më dramatike që pasuan, dhe nuk e ka pasur vëmendjen e duhur. Gjeneratat e reja në Kosovë nuk besoj që dinë të ketë ekzistuar. Dhe kjo është për të ardhur keq, se jam i sigurt që ca mësime mund të nxirren, e që ndoshta mund të na shërbejnë për këto kohë të turbullta në të cilat po jetojmë. Në mos për asgjë, aksioni i pajtimit të gjaqeve mund të na dëshmojë për forcën e një shoqërie për ta tejkaluar vetveten dhe për përpjekjen për të afirmuar e aspiruar disa vlera njerëzore, të cilat janë shtylla të transformimit, emancipimit e angazhimit social e politik.

Ky tekst fillimisht është botuar në “Novosti” të Zagrebit 

Botohet në shqip me leje të autorit.