Mungesa e trofeut për filmin më të mirë të shkurtër nga Akademia Evropiane e Filmit, nuk ka çuar fort peshë për ekipin e “Pa vend”. Edicioni i 34-të i European Film Awards, ka ribashkuar një pjesë të ekipit, në Prizren, prej nga e kanë ndjekur tok ceremoninë e transmetuar live nga Berlini. “Ne vijmë nga një vend në zhvillim e sipër e konkurrojmë me vendet tepër të zhvilluara, prandaj pa marrë parasysh të gjitha ne si ekip jemi krenar për suksesin e filmit dhe rrugëtimin e tij historik”, ka thënë Karahoda. “Për ne kjo ishte një mbrëmje shumë e bukur, ku i gjithë ekipi u bashkuam dhe e festuam nominimin dhe na u dha një arsye që të jemi përsëri bashkë dhe të kujtojmë ditë e bukura të kaluara së bashku”, ka thënë producenti, Eroll Bilibani. Festë ka pasur për ekipin e filmit boshnjak “Quo vadis, Aida?”, që e ka marrë çmimin kryesor. Drama për Srebrenicën ku luan edhe aktori nga Kosova, Alban Ukaj, ka marrë edhe çmimin për regjinë dhe atë për aktoren më të mirë
Me veshje serioze, këmishë të bardhë e flutur të zezë, tamam për një ceremoni prestigjioze, ani pse atë e ndoqi nga shtëpia e tij në Prizren, regjisori Samir Karahoda, të shtunën mbrëma, ishte i denjë për të pranuar çmimin për filmin me të mirë të shkurtër nga Akademia Evropiane e Filmit. Megjithatë, ceremonitë jo çdoherë përfundojnë ashtu si dëshirojnë yjet, regjisorët që japin shpirt për punën e tyre, apo ndjekësit që bëjnë tifo. Karahoda nuk arriti që me “Pa vend” të triumfojë në ngjarjen që konsiderohet si “Oscari” i Evropës. Megjithatë, rrëfimi për sportistët nga Kosova është e sigurt që ka prekur zemrat e shumë njerëzve. E Kosovës i dha diçka për t’u krenuar e mburrur. U bë i pari filmi vendor që u nominua në këtë ngjarje prestigjioze. Ekipi i filmi ka po ashtu shumë për të festuar, një rrugë të shënuar me suksese deri më tash dhe nominimet e reja që u janë bërë të ditur së fundmi.
Regjisori Samir Karahoda bashkë me regjisorët e katër filmave të tjerë të nominuar për Çmimin për filmin me të mirë të shkurtër evropian, janë lidhur direkt në ceremoninë e 34-t të Çmimeve të Akademisë Evropiane të Filmit, të mbajtur në format të kombinuar, të shtunën mbrëma në Berlin
Festë për sukseset e deritanishme
Për Karahodën – i cili ndoqi gjithë ceremoninë bashkë me miqtë e tij, producentin Erolli Bilibanin, dhe dy personazhet kryesor të filmit, Jeton Mazrekut dhe Ermegan Kazazit – mosmarrja e trofeut s’është “tragjike dhe s’duhet qenë euforik”.
“Ne vijmë nga një vend në zhvillim e sipër e konkurrojmë me vendet tepër të zhvilluara, prandaj pa marrë parasysh të gjitha ne si ekip jemi krenar për suksesin e filmit dhe rrugëtimin e tij historik”, ka thënë ai.
Shkaku i pandemisë ceremonia e ndarjes së çmimeve u organizua në formatin hibrid. Aktorja dhe shkrimtarja Annabelle Mandeng ishte nikoqire e ceremonisë që u zhvillua në “Arena Berlin Studio” në Berlin e që përfshiu edhe sekuenca të drejtpërdrejta dhe të tilla të incizuara më parë. Ajo e hapi ceremoninë duke theksuar se përkundër dallimeve në Evropë dhe ngjarjeve jo të këndshme që kanë ndodhur ndër vite, Akademia Evropiane e Filmit i bashkon këto vende nëpërmjet filmit duke shfaqur njëkohësisht edhe diversitetin.
“Pa vend” ndërtohet mbi suksesin e klubit prizrenas të pingpongut “Lidhja e Prizrenit”, duke përcjellë përpjekjet e vazhdueshme të Jeton Mazrekut dhe Ermegan Kazazit, të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifat Rifati, që të mbajnë sportin e pingpongut gjallë, duke zhvilluar breza të rinj pingpongistësh. Filmi i zhanrit docu-fiction, në 15 minuta sjell krejt peripecitë e sportistëve që pavarësisht të gjithave, nuk heqin dorë nga rruga që kanë marrë.
Filmi me producent Eroll Bilibanin u dha premierë botërore më 16 korrik në Festivalin e Filmit në Cannes. Prej aty vazhdoi në një tjetër kontinent dhe më 19 shtator mori çmimin kryesor “IMDB Pro Short Cuts” në njërin prej festivaleve më të rëndësishme në botë, “Toronto International Film Festival”. Me të zyrtarisht do të kualifikohej për kategorinë e filmit të shkurtër për “Oscars 2022”.
“Pjesëmarrja e sotme në EFA për ne ishte një moment me të vërtetë historik, pasi që është hera e parë që një regjisor nga Kosova, një film 100 për qind nga Kosova të nominohet për një çmim kaq prestigjioz, siç është çmimi i Akademisë Evropiane të Filmit. Ne nuk e shohim këtë as si humbje, as si asgjë tjetër, por e shohim si një hap tjetër të suksesit të kinematografisë kosovare, në veçanti të filmit ‘Pa vend””, ka thënë Bilibani. Ka kujtuar se “Pa vend” është filmi i vetëm dhe një nga filmat e rrallë në botë që ka qenë në tre nga pesë festivalet me të mëdha në botë.
“Për ne kjo ishte një mbrëmje shumë e bukur, ku i gjithë ekipi u bashkuam dhe e festuam nominimin dhe na u dha një arsye që të jemi përsëri bashkë dhe të kujtojmë ditë e bukura të kaluara së bashku”, ka thënë ai, duke shtuar se po presin dhe po shpresojnë për ditë të tjera dhe ngjarje të tjera ku ky film do t’i dërgojë.
Ishte pikërisht Festivali i Filmit në Cannes që e kandidoi filmin për Çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit. E nominimi dhe mundësia e së shtunës, për t’u shpallur fitues, bëri bashkë edhe protagonistët e sagës që akoma vazhdon në jetën reale, pasi që pingpongistët e Prizrenit akoma nuk kanë një shtëpi të tyren.
“Nominimi i filmit u bë shkas që të ribashkohet ekipi i filmit dhe të festojmë së bashku nominimin. Po shpresoj që do të kemi edhe nominime të tjera që do të na bashkojnë për t’i rikujtuar ato ditë të bukura të produksionit të filmit”, ka thënë Kazazi pas ceremonisë.
E një natë para ndarjes së Çmimit të Akademisë Evropiane të Filmit, ekipi bëri të ditur se “Pa vend” është në garën zyrtare të Festivalit të Filmit në Sundance. Edicioni i 40-të do të mbahet prej 20 deri më 30 janar. Ky festival nuk është i panjohur për filmat nga Kosova. Në fillim të këtij viti “Zgjoi” i Blerta Bashollit bëri histori me suksesin e trefishtë.
Edhe Akademia Evropiane e Filmit kishte ngjallur emocione të mëdha edhe më herët. Në vitin 2008 për çmimin për aktoren më të mirë në mesin e të nominuarve e pati aktoren Arta Dobroshi për rolin e saj në “Heshtja e Lornës”.
Fuqia e zërit të kinemasë
“Këta filma u prekin drejt e në zemër”, do të shprehej Mandeng para se të përmendte emrat e filmave të nominuar për filmin më të mirë të shkurtër. Bashkë me “Pa vend” në garë ishin: “Bella” nga Thelyia Petraki, “In Flow of Words” nga Eliane Esther Bots, “Easter Eggs” nga Nicolas Keppens dhe fituesi i sivjetmë “My Uncle Teudor” nga Olga Lucovnicova.
“Realizimi i këtij filmi ishte një nga vendimet me të vështira në jetën time, por kam mësuar që heshtja i jep fuqi së keqes dhe kam vendosur që duhet të marr me vete kamerën atëherë kur nuk mund të gjej fjalët, kjo pasi unë besoj në fuqinë e kinemasë”, u shpreh ajo. Ka shtuar se edhe kur e përfundoi filmin, zëri i saj, që ishte i heshtur, u bë shumë i lartë.
30-vjeçarja nga Moldavia me këtë film, që është temë diplome, mori edhe “Ariun e Artë” në edicionin e 71-të të Berlinales. Lucovnicova nuk është e panjohur për publikun kosovar. Pikërisht ky film ishte pjesë e edicionit të sivjetmë të “DokuFestit”.
Pas 20 vjetësh qetësi, regjisorja kthehet në shtëpinë e stërgjyshërve të saj, ku në moshën nëntëvjeçare, ajo u përball me sjelljen abuzuese seksuale të dajës së saj.
“Mbledhja familjare e pritur gjatë vihet përballë bisedës së regjisores jashtë ekranit me dajën e saj për ngjarjet lënduese nga fëmijëria e saj”, është përshkrimi që ia bën këtij filmi Festivali që mbahet në Prizren.
Regjisorja e “Quo vadis Aida?”, Jasmila Zhbaniq (djathtas) dhe aktorja Jasna Gjuriçiq, pas marrjes së Çmimit për filmin më të mirë evropian
Triumfi i dramës mbi Srebrenicën
Filmi nga Bosnja “Quo Vadis, Aida?” ka triumfuar në Akademinë Evropiane të Filmit, duke rrëmbyer tri çmimet kryesore. U shpall filmi më i mirë, mori çmim për regjinë më të mirë (Jasmila Zhbaniq) dhe atë për aktoren me të mirë (Jasna Gjuriçiq). Në dramën boshnjake luan edhe aktori nga Kosova, Alban Ukaj. Ai portretizon përkthyesin me emrin Tarik. “Unë kam një rol modest, por të cilin unë e dua shumë”, kishte thënë ai për KOHË-n në mars të këtij viti, kur filmi qe nominuar për “Oscarin” e madh të “Academy Awards”.
Për “Oscarin” e Evropës, të shtunën mbrëma, kasta e filmit ishte mbledhur për të pritur këtë ceremoni në të njëjtin vend, kështu që regjisorja e aktorja me rastin e pranimit të çmimit kryesor u shfaqën përkrah njëra-tjetrës dhe bashkëshortëve të tyre.
Ishte regjisorja Zhbaniq ajo që mori fjalën dhe theksoi se ky film u dedikohet grave dhe nënave nga Srebrenica dhe djemve, burrave e baballarëve të tyre të vrarë, tri gjenerata të burrave të ekzekutuar për shkak të emrave të tyre.
“Gratë e Srebrenicës kanë gjetur një mënyrë për të ndërtuar paqe në një vend plotësisht të shkatërruar. Gratë gjithmonë duhet të rregullojnë rrëmujën e bërë nga burrat. Ua dedikoj këtë çmim grave të Srebrenicës dhe nënave tona, që na kanë mësuar sesi të kthejmë shkatërrimin në dashuri. Shpresoj që do të nxisë më shumë solidaritet mes grave, rrëfime për gra, perspektiva të grave në film, politikë dhe jetë”, ka thënë ajo. Ka shtuar se është përgjegjësi e regjisorëve që t’ua japin audiencës të vërtetën, ani pse ajo mund të jetë diçka e vështirë dhe joprofitabile.
“Ne kemi nevojë për më shumë rrëfime komplekse në mënyrë që të bëjmë gati audiencën tonë për kohë shumë komplekse që na presin përpara”, ka thënë ajo.
E aktorja serbe, Jasna Gjuriçiq, gjatë pranimit të çmimit për aktoren me të mirë, ka thënë se ky çmim për të është një mundësi dhe hapësirë e madhe për të thënë gjithçka që ka menduar dhe që ndien në lidhje me luftërat në ish-Jugosllavi.
“Jasmila faleminderit që na ka dërguar atje ku askush nuk dëshiron që të shkojë. Ky çmim është për të gjithë viktimat dhe për nënat”, ka thënë ajo.
Me nga dy çmime u larguan edhe filmi “Flee” dhe “The Father”. I pari nën regji të Jonas Poher Rasmussen mori filmin për dokumentarin me të mirë evropian dhe atë për animacionin më të mirë. Kurse “The Father” nën regji të Florian Zeller mori çmimin për skenarin me të mirë që regjisori e ndau me Christopher Hampton dhe atë për aktorin më të mirë që e mori Anthony Hopkins.
Për Jonas Poher Rasmussen ky ishte filmi i tij i parë i animuar, prandaj që në fillim ka falënderuar të gjithë që e kanë vlerësuar artin e tij dhe ata që kanë pasur guximin për t’i besuar.
“Unë as që e kam ditur që ka diçka që quhet industria e animacionit, prandaj faleminderit të gjithë njerëzve që e kuptojnë këtë art dhe ndikimin e tij”, ka thënë ai, kur pranoi çmimin e parë për animacionin më të mirë. Herën e dytë teknologjia nuk ia mundësoi që mesazhi i tij të dëgjohej, mirëpo lumturia ishte e qartë në fytyrën e tij.
E Florian Zeller tregoi se që në fillim e kishte shkruar skenarin për filmin duke e pasur në mendje aktorin e njohur Anthony Hopkins – fitues i çmimeve “Academy Awards”, “Bafta” dhe “Emmy”.
i ka dhënë gjithçka këtij filmi pa frikë për ta sjellë në jetë dhe e di se skenari u bë ai që është tani për shkak të tij dhe jam jashtëzakonisht falënderues”, ka thënë Zeller, përmes videomesazhit. Ishte ai që “virtualisht” i pranoi të dy çmimet.
Çmimin për filmin me të mirë komedi e mori “Ninjababy” nën regji të Yngvild Sve Flikk, kurse çmimin për koproduksion e mori Maria Ekerhovd, e çmimi “Prix Fipresci” iu nda “Promising Young Woman” nën regji të Emerald Fennell.
Aktorja dhe shkrimtarja Annabelle Mandeng ishte nikoqire e ceremonisë së EFA-s që u zhvillua në “Arena Berlin Studio” në Berlin e që përfshiu edhe sekuenca të drejtpërdrejta dhe të tilla të incizuara më parë