Orët e vona të së dielës, kur do të ndahen çmimet “Oscar” në 23 kategori, duket se do të jenë përcaktuese të realiteteve të reja në industrinë e filmit. Me shërbimet e streamingut që po mbizotërojnë gjithnjë e më shumë, edhe falë pandemisë, “Academy Awards”, me edicionin e vet të 93-të, po hyn në histori për shumë arsye. Me larushinë më të madhe të nominimeve të bëra ndonjëherë, kritikë e njohës kanë hedhur “zaret” e parashikimeve. Më i favorizuari për “Oscarin” e filmit më të mirë mbetet filmi dramë i regjisores Chloé Zhao, “Nomadland”. Nga vendet e rajonit është Bosnja që është bërë sy e vesh nëse juria do t’i ndajë një trofe filmit me subjekt nga masakra e Srebrenicës, “Quo Vadis, Aida?” e ku luan edhe aktori nga Kosova, Alban Ukaj
Ndërsa koha po numëron së prapthi për ceremoninë shkëlqimplotë që mbahet në orët e vona të së dielës, parashikimet e pritjet përshkruajnë më së miri gjendjet e të nominuarve, industrive filmike, si dhe mediave nga mbarë bota. Nën ethet e pritjes janë edhe banorët e qytezës islandeze të Husavikut. Vendbanimi me pak më shumë se 2 mijë banorë ka shtruar në një nga rrugët kryesore një qilim të kuq në pritje të lavdisë së madhe në natën e “Oscarëve”. Arsyeja? Balada e fuqishme “Husavik (My Hometown)”, që shoqëron komedinë e Will Ferrellit dhe Rachel McAdamsit “Eurovision Song Contest: The Story of Fire Saga”, është e nominuar për këngën më të mirë origjinale.
Por është edhe një vend tjetër ku të gjithë janë bërë sy e vesh për të pritur vendimin e jurisë në natën glamuroze.
Bëhet fjalë për filmin e regjisores boshnjake, Jasmila Zhbaniq, “Quo Vadis, Aida?”, i cili është një nga nominimet në kategorinë e filmit më të mirë ndërkombëtar. Në shtetin që përjetoi gjenocid nga forcat ushtarake dhe policore serbe, nominimi është përjetuar si një sukses i madh për të thënë në mënyrë artistike të vërtetën e plojës së Srebrenicës.
Zhbaniqi e kishte cilësuar filmin si “më shumë sesa film” për t’i përkujtuar botës se gjenocidi i ndodhur në Srebrenicë nuk duhet dhe as nuk mund të harrohet.
Skenë nga filmi “Quo Vadis, Aida?” i Bosnjës, i nominuar për “Oscar” në kategorinë ndërkombëtare
“Ky film nuk është bërë për të ndarë apo konfliktuar njerëzit, por përkundrazi për të mirëkuptuar më mirë njëri tjetrin”, kishte thënë filmbërësja 46-vjeçare nga Sarajeva kur ishte bërë i ditur lajmi i nominimit në garë me filma si “Another Round” (Danimarkë), “Better Days” (Hong Kong), “Collective” (Rumani), si dhe “The Man Who Sold His Skin” (Tunizi).
Drama në kohëzgjatjen e saj prej 1 orë e 41 minutash, sipas një recensioni në “Guardian”, paraqet “një rindërtim shterues të masakrës së Srebrenicës gjatë luftës në Bosnjë”.
Parashikimet kanë nisur…
Sikundër edhe me shumë ceremoni të tjera shpërblimesh, edhe festa e “Oscarit” do të zhdrivillohet nga distanca. Me parashikimet se kush do ta marrë në shtëpi statuetën e artë, pyetjet nuk kanë të ndalur: “A do t’ia dalë më në fund që Netflixi të marrë çmimin për filmin më të mirë pas kaq vitesh?”, “Si do t’ia dalin filmat britanikë?”, “A do të jetë hera e tetë me fat për Glenn Closein”, e të ngjashme.
Gazeta londineze “City A.M.”, në një artikull ku ka ravijëzuar disa prej parashikimeve të saj, ka zgjedhur filmin e regjisores Chloé Zhao “Nomadland”, si një nga kandidatët më të gjasshëm për çmimin kryesor të natës të së dielës.
“Ka fituar për filmin më të mirë në ‘Golden Globes’, në London Film Cristics Circle, BAFTA si dhe dhjetëra sosh në ceremoni e festivale të tjera. Do të duhet goxha mund për ta zhvendosur dramën e mahnitshme të Chloe Zhaos nga çmimi kryesor, jo më pak se për ne është më e mira në një kategori kaq të fortë. Gjëra të çuditshme kanë ngjarë, por në këtë pikë do të ishte tronditje po të mos fitonte”, ka shkruar kritiku dhe njohësi i filmit, James Luxford.
Skenë nga “Nomadland”, favorit për çmimet kryesore “Oscar”
Regjisorja favorite e shumëfishtë
Si parashikim “wild card”, në artikull është apostrofuar filmi i Aaron Sorkinit, “The Trial Of The Chicago 7”. Teksa shkruan se “Oscarët” gjithmonë në njëfarë mënyre janë politikisht të motivuar, Luxford kujton se “Revenant” nuk ishte performanca më e mirë e DiCaprios, porse “Oscari” i ishte thënë atij më 2016 pjesërisht edhe për shkak se ishte ndier që ishte “koha e tij”.
Në vazhdën e vet të parashikimeve, artikulli i “City A.M” ka favorizuar për trofe Chloé Zhaon si regjisoren më të mirë, Chadwick Bosemanin për aktorin më të mirë dhe Carey Mulliganin si aktorja më e mirë.
Uebfaqja kushtuar pop-kulturës dhe sportit, “The Ringer” ka bërë një përmbledhje parashikimesh për “fituesit që ne i duam”.
Në parashikim, Viola Davis është përmendur si fituese e mundshme e çmimit për aktoren më të mirë, përderisa Anhony Hopkins i gjasshmi për aktorin më të mirë.
“Chloé Zhao…fenomenale”
Kompania digjitale mediatike në Amerikë, “PureWow”, ka renditur disa prej parashikimeve në natën e së dielës.
Në kategorinë e aktores më të mirë, ky medium ka favorizuar aktoren Andra Day në filmin “The United States vs. Billie Holiday” si një performancë e pabesueshme.
“Day sjell kaq shumë shtresa në këtë rol, për të cilin ne parashikojmë se do t’i sjellë asaj një ‘Academy Awards’ këtë vit”, thuhet në artikull përderisa fitorja e Bosemanit, në kategorinë e aktorit më të mirë, “duket si basti më i sigurt në të gjitha kategoritë kryesore këtë vit”.
Nga tetë nominimet në garën kryesore për filmin më të mirë, “PureWow” ka vënë bastin te filmi “Nomadland”, regjisoren e të cilit, Chloé Zhao, e ka cilësuar si fenomenale.
“Mbani vëmendje. Filmi më i mirë mund të mos jetë fitorja e vetme e ‘Oscarit’ për Zhaon. Ajo është e nominuar edhe në kategorinë për regjisorin më të mirë”.
“Historia e këtij sezoni të çuditshëm”
Ndërkaq, kolumnisti dhe kritiku i filmit, Pete Hammond, në një analizë të botuar në “Deadline”, ka dhënë parashikimet e fundit për edicionin e 93-të të “Academy Awards”. Me këtë rast, ai ka përkujtuar faktin se ky edicion, me përjashtim të edicionit të gjashtë në historinë e “Academy Awards” më 1932-33, do të përfshijë këtë vit dhe një pjesë tjetër të vitit të kaluar, që do të thotë se çmimet e sivjetme do të jenë teknikisht të kategorizuara si 2020-21.
“Derisa shumë teatro kanë mbetur të mbyllur, transmetues si Netflix dhe Amazoni u bënë më të shquar se kurrë më parë – një ndryshim sa një det saqë edhe Akademia kinema-centrike u detyrua ta njohë duke i pranuar automatikisht filmat edhe nëse fillimisht kanë debutuar në transmetues, të paktën për këtë vit”, ka shkruar Hammond.
Tutje në artikull, ai ka nënvizuar se megjithatë studiot tradicionale, qoftë vetë, qoftë me ndihmën e sektorëve të specializuar, “ende duken se do të triumfojnë sapo të shkruhet historia e këtij sezoni të çuditshëm”.
Filmi “Nomadland” – i pashmangshëm
Faqja e njohur amerikane e recensioneve të filmave, “Rotten Tomatoes”, ka favorizuar si shumë faqe të tjera, filmin “Nomadland”.
“Ka një frymë pashmangësie rreth tij”, shkruan kjo faqe teksa përkujton se filmi i regjisores Zhao ka fituar mbi 150 çmime në ceremoni të ndryshme.
“E megjithatë nëse është një film që mund ta zhvendosë ‘Goliatin’, ai është filmi i Aaron Sorkinit ‘The Trial of the Chicago 7’”.
Në bastet editoriale të kësaj faqeje si kandidat i mundshëm për aktorin më të mirë është përmendur Chadwick Boseman, aktorja më e mirë Viola Davis, regjisorja më e mirë Chloé Zhao, animacioni më i mirë “Soul”, kurse te filmi më i mirë ndërkombëtar “Another Round (Druk)”, e të tjerë.
Një edicion i pazakontë
Edicioni i sivjetmë, i 93-ti me radhë, ka gjithsej 23 kategori garuese. Disa nga kategoritë me kandidimet më interesante janë: regjia më e mirë (Thomas Vinterberg për “Another Round”, David Fincher për “Mank”, Lee Isaac Chung “Minari”, Chloé Zhao “Nomadland” dhe Emerald Fenell “Promising Young Woman”); aktorja më e mirë (Viola Davis në “Ma Rainey’s Black Bottom”, Andra Day në “The United States vs. Billie Holiday”, Vanessa Kirby në “Pieces of a Woman”, Frances McDormand në “Nomadland” dhe Carey Mulligan, “Promising Young Woman”); aktori më i mirë (Riz Ahmed në “Sound of Metal” Chadwick Boseman në “Ma Rainey’s Black Bottom”, Anthony Hopkins në “The Father”, Gary Oldman në “Mank” dhe Steven Yeun në“Minari”); montazhi më i mirë (“The Father”, “Nomadland”, “Promising Young Woman”, “Sound of Metal” dhe “The Trial of the Chicago 7”); skenari më i mirë (“Judas and the Black Messiah”, “Minari”, “Promising Young Woman”, “Sound of Metal” dhe “The Trial of the Chicago 7″); skenari më i mirë i përshtatur (“Borat Subsequent Moviefilm”, “The Father”, “Nomadland”, “One Night in Miami” dhe “The White Tiger”); dokumentari më i mirë (”Collective” “Crip Camp” “The Mole Agent” “My Octopus Teacher” “Time”) e të tjerë.
Ceremonia e edicionit të 93-të i “Academy Awards” do t’i nderojë filmat më të mirë të realizuar mes datave 1 janar 2020 deri më 28 shkurt 2021. Ajo do të mbahet në Los Angeles, në Dolby Theatre dhe Union Station, dy muaj më vonë sesa që ishte planifikuar më herët për shkak të pandemisë së COVID-19.
Ndryshe, edicioni i 93-të shënon historinë edhe për faktin që paraqet larushinë më të madhe në “Oscars” që është bërë ndonjëherë, ku nëntë nga 20 nominimet vijnë nga pakicat etnike.
Po kështu dy femra, Chloé Zhao dhe Emerald Fennell janë nominuar për kategorinë e regjisë më të mirë – duke shënuar kështu herën e parë ku nominohet më shumë se një grua në historinë 93-vjeçare të çmimeve. Sivjet, “Oscars” hyjnë në histori edhe me faktin që për të parën herë një ekip producentësh, i tëri me afro-amerikanë, është nominuar për çmimin e filmit më të mirë. Producentët Shaka King, Ryan Coogler dhe Charles D. King janë vlerësuar për punën e tyre në “Judas and the Black Messiah”.
Nominimet e bëra sjellin edhe rekordin tjetër, ku për të parën herë dy aktorë me prejardhje aziatike nominohen në kategorinë për aktorin më të mirë (në edicionin e kaluar kishte qenë vetëm një aktor i tillë). Steven Yeun ka marrë një përnjohje për punën e tij në “Minari” ashtu sikundër edhe Riz Ahmed për “Sound of Metal” – ky i fundit bëhet edhe i nominuari i parë mysliman në këtë kategori. Vetëm për këtë vit, për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme, organizata ka lejuar që të kandidohen edhe filmat që nuk janë shfaqur në kinema, por që kanë debutuar në shërbime streamingu.
Mediat e cituara: “cityam”, “purewow”, “theringer”, “reuters”, “deadline”, “rottentomatoes”