Shtojca për Kulturë

Operacionet ushtarake të “detashmentit të Korçës” më 1917

Komandant shqiptar në Korçë, 1917

Komandant shqiptar në Korçë, 1917

Një përforcim i parë na erdhi nga mesi i janarit 1917, nga fakti i organizimit të elementeve të parë të “xhandarmërisë lëvizëse shqiptare”, që parashihej në protokollin e 10 dhjetorit 1916-s. Gjer atëherë, të gjitha që ishin bërë në Korçë vetë, ishte mbajtja e kontaktit me pararojat armike. Në qarkun e Maliqit, trupat e rregullta bullgare dhe austriake, kishin zënë vendin e çetave të Themistokliut, qëkur ky kishte ardhur me neve. Sa për Sali Butkën, qëndresa e tij ishte zor të dihej. Dinim që austriakët e kishin bërë të lëvizte, dhe që qe larguar nga teqeja e Melçanit, që gjykohej tepër afër Korçës, për ta drejtuar nga rruga e Sarandës

Gjeneral Henri Descoins

Si gjithë veprimet detashmentesh sigurimi që punojnë në përfitim trupash të tjera, operacionet e “detashmentit të Korçës” janë të dorës së dytë në vlerë vetvetiu. Ato s’kanë vlerë veçse në lidhje me tërësinë e operacioneve të ushtrisë të Lindjes. Megjithatë në një studim si ky, nuk mund të lihen tërësisht në heshtje sepse dhe insistojnë këtë pikë, ato janë arsyeja e prezencës të trupave frënge në Korçë. Duhet gjithashtu të tërhiqet vërejtja mbi faktin se, në përjashtim të qëndresës së vogël të divizionit të 76 - të në rrethin për të cilin flasin trupat e detashementit të Korçës kanë pasur gjithnjë për të përmbushur një mision shumë të ngatërruar dhe që, për t’u mbushur me mjete krejtësisht ushtarake. Do të kishte pasur nevojë për efektive shumë më të mëdhenj se sa ata të detashmentit.

Ishte puna që në fillim, të mbahej briri i majtë i ushtrisë frënge të lindjes (23) që vepronte midis liqeneve të Prespës dhe Ohrit, dhe të sigurohej, ose në pikëpamje të sigurimit, ose në pikëpamje të mundësisë së jetesës, komunikatave të veta përmes Follorinës dhe pjesës të madhe të ushtrisë. Në disa raste gjithashtu, elementet e krahut të mëngjër të ushtrisë kërkuan ndihmën e detashmentit të Korçës për operacionet e tyre. Kjo ndihmë iu dha gjithherë (24).

Numri i njerëzve të detashmentit ishte natyrisht shumë i dobët që të përballonte detyrime aq të shumta (25).

Një përforcim i parë na erdhi nga mesi i janarit 1917, nga fakti i organizimit të elementeve të parë të “xhandarmërisë lëvizëse shqiptare”, që parashihej në protokollin e 10 dhjetorit 1916-s (26).

Gjer atëherë, të gjitha që ishin bërë në Korçë vetë, ishte mbajtja e kontaktit me pararojat armike. Në qarkun e Maliqit, trupat e rregullta bullgare dhe austriake, kishin zënë vendin e çetave të Themistokliut, qëkur ky kishte ardhur me neve. Sa për Sali Butkën, qëndresa e tij ishte zor të dihej. Dinim që austriakët e kishin bërë të lëvizte, dhe që qe larguar nga teqeja e Melçanit, që gjykohej tepër afër Korçës, për ta drejtuar nga rruga e Sarandës. Disa nga njerëzit nën urdhrat e tij, kishin lajmëruar komandën frënge që prisnin rastin më të parë për të ardhur me ne. Nga ana tjetër disa nga togerët e Sali Butkës rrinin aktivisht të armatosur dhe na prisnin rrugët me dyfek. Njëri prej tyre, Hyseni, kishte zënë vend në rrethet e Tepezikut (Tuma e Kamenicës, v.r.) dhe tregohej shumë agresiv.

E vetmja mënyrë për të ditur një herë e mirë qëllimet e Sali Butkës, ishte t’i jepej rasti të deklarohej. Një goditje kundër çetës së Hysenit na u pa e udhës t’ia jepte këtë rast. Po një veprimtari e bërë me këtë qëllim nuk mund të ishte vetëm se me objektiv të kufizuar. Nuk duhej vënë gishti në një ingranazh, dhe të hynim në operacione ofensive që ishin jashtë misionit të detashmentit.

Pra më 25 janar 1917, u bë një veprim në drejtim të Tepezikut, prej nga u dëbua çeta e Hysenit prej zuavëve të komandantit Coste. Pyetja iu vu Sali Butkës: u përgjigj po atë ditë duke goditur zuavët me tërë çetat e tij të bashkuara. Rezerva e detashmentit të Korçës ndërhyri. Pushkët pushuan në mbrëmje.

Mësimi i pushkëve të 25 janarit ishte se mjetet ushtarake të “detashmentit” të Korçës, nuk i lejonin tjetër veçse defensivës të thjeshtë. Nuk mundte duke u mbështetur vetëm mbi fuqitë e tij të thyente gjysmërrethin që e rrotullonte që prej liqenit të Maliqit gjer në qafën e Qarit.

Në këtë kohë, gjenerali Sarrail, mendohej të bënte një goditje kundër të djathtës armike. Gjendja e vështirë e “detashmentit të Korçës e shqetësonte. Goditja për të cilën flasim do të bëhej prej divizionit të 76-të, të porsaardhur prej France. Kryekomandanti, mori vendimin të dërgojë së pari këtë divizion që të sqarojë gjendjen në rrethin e Korçës.

Duke pritur këtë arritje, detashmenti i Korçës mori me anën e një telegrami me datë 4 shkurt, urdhrin të mbajë pozitat me çdo kusht.

Sipas të rejave që kishim marrë, neve prisnim një goditje serioze. Prandaj u ngritën rreth Korçës organizime defensive serioze. Armiku kufizoi goditjet në gjëra të vogla kundër pararojave tona dhe këtë pa rezultat.

Divizioni i 76-të, në urdhrat e gjeneralit Vassart, arriti ne Korçë më 12 shkurt.

Kishte për mision: 1- të bënte definitivisht ndërlidhjen me italianët, në mënyrë që të na siguronte rrugën prej Sarande në Follorinë; 2- të zgjeronte rrethet e Korçës nga ana e Veriut dhe të okuponte lartësitë e teqesë të Melçanit gjer në Devoll; në rrethin e liqenit Maliq, në mënyrë që të mos lihej nën topat e armikut Korça dhe fusha e saj ajrore (27).

Veprimet e divizionit filluan më 15 shkurt dhe patën sukses të plotë. Në gjithë kohën që ato vazhduan trupat e “detashmentit të Korçës” u ndanë nëpër kolonat e divizionit të 76-të dhe patën misione sigurimi dhe ndërlidhjeje. Xhandarët-lëvizës shqiptarë, na bënë shërbime të mëdha. Themistokliu nguli këmbë që të ecte bashkë me “xhandarët-policë” të tij: angazhimi i tij na ishte shumë i çmueshëm për arsye të njohjes së vendit dhe atë të çetave, që kishte.

Me një fjalë, divizioni i 76-të fshiu gjithë vendin: nga njëra anë gjer në Devoll, nga ana tjetër gjer më nja 10 kilometra në perëndim të Voskopojës dhe më në fund në drejtim të jugut gjer në Ersekë.

Më 20 shkurt, divizioni i 76-të, filloi të largohej nga Korça për një tjetër drejtim. Ajo duhej të zëvendësohej në vendet ku qëndronte prej “detashmentit të Korçës”, misioni i të cilit ishte t’i mbante vendet e fituara prej divizionit Vassart.

Perimetri i tokës që duhej ruajtur kalonte pesëdhjetë kilometrat. Detashmenti kishte, pra nevojë për riforcim. Ky riforcim u bë prej dërgimit në Korçë i të 5-tit batalion i qitësve algjerianë (komandant Milliet (28). Nga ana tjetër, komandanti ushtarak i Korçës u autorizua të ngre një “xhandarmëri-lëvizëse shqiptare” të re. (29)

Batalioni i 5-të i qitësve posa ishte formuar me ushtarë, shumica e të cilëve ishin të plagosur dhe që vinin nga depot. Sa për trupat shqiptare, për t’u dhënë një vleftë të vërtetë duhej të kishim kohë t’i mësonim me disiplinë dhe mirëkuptim. Rrethanat do të na detyrojnë t’i dërgojmë në pararojat posa që formoheshin. Nuk mund t’i linim asnjë nga fshatrat shqiptare të okupuara prej trupave të gjeneralit Vassart, sepse këto lokalitete do të kishin dënime të menjëhershme prej trupave armike dhe se kjo do t’ia tregonte popullatës të Kazasë pafuqinë tonë t’i mbrojmë, ushtarakisht. Grupet e “xhandarmërisë-lëvizëse shqiptare” u përndanë pra nëpër pararojat e “detashmentit të Korçës” (30). Kjo gjë formoi një zonë vëzhgimi, prapa së cilës qëndresa u organizua.

Duke marrë parasysh natyrën e tokës, qëndresa nuk mund të bëhej veçse në kulmet që dominonin Korçën për së largu, d.m.th. me fjalë të tjera duhej mbajtur një perimetër tepër të madh për njerëzit që përbënin detashmentin.

Dy sektorë u krijuan. Njëri urdhërohej prej komandantit Milliet që kishte nën vete batalionin e tij gjuajtës, një seksion mitralozash dhe një tog gjuajtës të Afrikës (31). Me një sasi njerëzish prej afro 600 burrash, duhej të okuponte një zonë në të cilën fronti i pararojave kishte 14 - kilometra (rreth i Gjonomas-Maliqit)

Sektori tjetër, nën urdhrat e komandantit Paponnet, duhej të okuponte kulmet që mbretërojnë nga qafa e Gjonomasit gjer te qafa e Qarit dhe rrugën e Ersekës gjer në Selenicë. Kishte batalionin indo-kinezësh të tij komplet, një tog mitralozash dhe skuadrën e gjuajtësve të Afrikës Coulet (32). Pothuajse njëmijë veta për një ballë pararojash prej 20 kilometrash, të zgjatur prej ruajtjes të 19 kilometrash rrugë.

Rezerva që qëndronte në Korçë, përbëhej prej dy kompanish zuavësh, një seksioni artilerie (33) dhe një tog gjuajtësish Afrike (skuadra Mousset).

Më në fund një kompani zuavësh (34) qe ngarkuar me ruajtjen e qytetit dhe të fushës aviacionit.

Gjithë sa kemi shënuar justifikojmë të thënat në krye të këtij kapitulli mbi mjetet e vogla që kishte “detashmenti i Korçës“ për të mbushur misionin e vet.

Sidoqoftë, gjendja u përmirësua pak me arritjen më 1 prill, të 20-tit batalion senegalez. Ky ishte një trup me vleftë të madhe dhe komandohej prej një oficeri të lartë kompetent, komandanti Quique (35). Po senegalezët nuk vinin si riforcim. Ata vinin të zinin vendin e zuavëvë të thirrur gjetkë. Po numri i tyre ishte pak më i madh se ai i zuavëve; nga ana tjetër gjendja e përparimeve të punëve në rrugët, lejonte zvogëlimin e inkuadrimit të punëtorëve. Duke qëndruar gjithmonë në kuadrin e përgjithshëm të shënuar më lart, dispozitat tona mbrojtëse u përmirësuan pak.

Më 12 prill, me të gdhirë, trupa të parregullta armiqsh, të inkuadruar më trupa të rregullta, goditën pararojat tonë në drejtim të Voskopojës, d.m.th. në lidhjen e dy sektorëve. “Xhandarët lëvizës shqiptar”, mbushën mirë misionin e tyre që ishte të na mbanin në dijeni dhe të tërhiqeshin duke luftuar gjer në organizatat mbrojtëse tona. Goditja armike u ndal, po jo pa vështirësi. Të nesërmen më 13 prill, u bënë të njëjtat goditje të ndaluara prej nesh në të njëjtin vend, njëkohësisht me një goditje të re në sektorin e komandantit Paponnet. Një kundërgoditje e të vegjëlve trima anamitë, që përbënin rezervën e sektorit, e udhëhequr personalisht prej komandantit Paponnet ndaj kuota 1650 (4 km jugë perëndim të Polenës) mundi ta ndalonte. Pas dreke armiku rifilloi goditjet në rrethin e qafës të Gjonomasit. Një kundërgoditje e udhëhequr fare mirë prej komandantit Quique me rezervën e detashmentit të Korçës na lejoi t’i mbajmë gjithë pozitat tona. Por detashmenti ishte goditur tani në të gjithë frontin e vet përveç nga ana e Maliqit, ku tri kompani qitësish, mbanin një ballë shumë të madh për ushtarët që kishin dhe nuk mbetej asnjë element në dispozicion që t’i riforconte në rastin e një goditjeje nga trupat austriake të përshkuara mbi gjendjen prej trupave të parregullta. Këtë goditje, na e bënte fare të afërme vëzhgimi i aviacionit i konfirmuar prej lajmeve të dhëna nga elementet e “xhandarmërisë lëvizëse shqiptare”.

Në këto kushte, komandanti ushtarak i Korçës i kërkoi gjeneralit komandant të ushtrisë frënge të Lindjes, angazhimin e një batalioni të 157-ës këmbësori (komandant Babuty) dhe të 8-tit gjuajtës të Afrikës (nënkolonel Maurel) që ndodheshin si rezervë ushtrie në rrethet e Bilishtit. Këto njësi arritën në mëngjes të 14 prillit, në Korçë pas një ecjeje tërë natën. Po këtë ditë, goditja e paraparë ndodhi në kushtet e thëna. Qitësit e komandantit Milliet fillonin të ndodheshin në një gjendje kritike. Me lajmërimin e afrimit të ndihmës, një riforcim iu dha me shkuarjen e kompanisë që qe lërë si “garnizon” në Korçë, ku u lanë vetëm të sëmurët. Me arritjen e ndihmës, elementet e para (skuadra Bernard e të 8-tit gjuajtës të Afrikës dhe kompania mitralozash e Bernardit, i batalionit Babuty) shkuan në rrethin e Maliqit (36). Në këto kushte komandanti Milliet mundi, jo vetëm të ndalojë goditjen, por edhe nga fundi i ditës mundi të përparojë pak nga e majta nga veriu i kuotës 1400 (4 km veriperëndim i Damjanecit)

Po në atë ditë, në përgjithësi, u bënë disa fitime tokësore.

Më 15 prill, armiku rifilloi goditjet e veta. U ndaluan më çdo anë. Më 16, ofensivën e morëm neve dhe kjo vazhdoi ditët 17 dhe 18, megjithëse armiku bëri disa kundër sulme. Në mbrëmje të dt. 18, mund të thoshim se armiku kishte dështuar në aksionet që vazhdonte prej dhjetë ditësh. Nga ana tjetër, një rënie e madhe dëbore ndalonte çdo përparim në këtë rreth malor.

Trupat e “detashmentit të Korçës”, morën përsëri dispozicionet si ato që ekzistonin para periudhës së operacioneve që u përmblodhën më sipër. Mori si riforcim një kompani mitralozash. Batalioni Babuty dhe i 8-ti gjuajtës i Afrikës u larguan prej Korçës nga 20 prilli.

Kjo ishte situata nga mesi i muajit maj 1917 (37).

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë

Henri Vincent Descoins, i lindur më 10 janar 1869 në Cambray (Francë), vdiq më 10 maj 1930 në Algjer (Algjeri) ishte gjeneral brigade dhe shkrimtar ushtarak francez. Si kolonel i kalorësisë gjatë Luftës së Parë Botërore, luajti një rol të rëndësishëm në ven do - sjen e forcave franceze në Korçë (1916 – 1920). Ndër të tjera, shkroi edhe raportin “Six Mois d’histoire de l’Albanie – Novembre 1916 Mai 1917” të cilin e përktheu dhe e botoi në shqip, Vasil Gërmenji (1908 – 1988). Ky tekst i përkthyer prej tij e që botohet me vazhdime në Shtojcën për kulturë, është marrë nga monografia “Vasil Gërmenji, një jetë në shërbim të çështjes shqiptare” me autor Elez Osmanin, Botimet KOHA, tetor 2024

(23) Në pajtim me urdhrat e marra prej gjeneralit që komandonte Ushtrinë frënge të Lindjes, Shtatmadhoria e të cilit ishte atëherë në Follorinë. Në pikëpamje politike, Komandanti ushtarak i Korçës, varej drejtpërsëdrejti prej gjeneralit Sarrail që kryekomandonte ushtritë aleate të lindjes dhe që ndodhej në Selanik. Po për veprimet ushtarake, mund të merrte urdhra që vinin nga gjenerali që komandonte Ushtrinë frënge të Lindjes.

(24) Veçanërisht për çështjet e Nishavecit (21 dhjetor 1916) dhe të Shën Naumit (11 janar 1917)

(25) Në fillim detashmenti përbëhej: një batalion i 242 i këmbësorisë (komandant Voizard), i zëvendësuar në fund të dhjetorit prej batalionit të 13-të të këmbësorisë tokësore (Komandant Coste), batalioni i dytë i ecjes indo-kinez (Komandant Koechly dhe më vonë Paponnet); dy skuadra gjuajtësish të Afrikës (kapitën Mousset i regjimentit të 5-të, kapiten Durand i të I-rit); një seksion artilerie (toger Bonvin) Pas ikjes të batalionit Voizard, na u dërgua një seksion mitralozash nga Selaniku

(26) Kjo organizatë u ngrit në këmbë prej nën-togerit të rezervës Amat, nën drejtimin e komandantit Massiet. U arrit regjistrimi i pothuajse 250 xhandarëve-lëvizës. Që prej 1 marsit, ky trup, në bazë të urdhrave që erdhën nga shtatmadhoria e Selanikut, u vu nen urdhër të shërbimit të informimit (kapiten i xhandarmërisë Tubert) në shërbim të cilit u lidhen edhe disiplina dhe policia frënge. Ky shërbim që kishte qendrën në Korçë varej ushtarakisht nga komanda lokale por teknikisht nga shtatmadhoria e Selanikut. Më 30 prill, xhandarmëria lëvizëse shqiptare, e vënë nën urdhrat e kapitenit kalorësie Holtz, pushoi të jetë lidhur me shërbimin e informimit. Nuk vonoi të marrë emrin, më të përshtatshëm me rolin e saj të "qitës shqiptarë” 1918, batalioni i qitësve shqiptarë, nën urdhrat e komandantit Holtz, mori kryqin e luftës frëng, me një citosen kolektiv nga më të mirat.

(27) Një skuadër aviacioni, nën urdhrat e togerit Prevost, posa i qe dhënë detashmentit. U çmua së tepërmi.

(28) Më vonë komandant Bouin

(29) E para nga njësitë e formuara pati për bërthamë një nga çetat e Sali Butkës që erdhi dhe u nënshtrua më 26 shkurt, me armët dhe laçkat. Vinte nga fshati Kolanec që qe okupuar nga divizioni i 76-të, kur përparonte.

(30) Këto njësi okupuan sa herë që qe e mundur, rrethet nga të cilat ishin njerëzit që i përbënin

(31) Të skuadrës Mousset. Kjo skuadër është zvogëluar në tre togje nga detyrimi që kishim të bënim qendra korespondence prej Korçe në Follorinë

(32) Zëvendësoi skuadrën e I-rë të Afrikës, që ishte më parë në detashment.

(33) Në urdhrat e togerit Gratta, seksioni i të cilit zuri vendin e ati të togerit Bonvin

(34) Për arsye të ardhjes të shumë refugjatëve në Korçë, mjaftonte të ndodhte një incident i vogël, një lajm i rremë për shembull, që të krijohej një panik me gjithë pasojat që mund të kishte mbi një popullatë që jetonte në rrugë, dhe që në të shkuarën kishte qenë impresionuar dhe bile kishte vuajtur prej pasojave të disa bombardimeve nga aeroplanët armiq, veçanërisht në kohën e qëndresës në Korçë të divizionit të 76-të. Prandaj ndihej urgjentisht nevoja e ruajtjes të vetë qytetit. Kompania e katërt e batalionit të zuavëve përdorej për të inkuadruar punëtoret civilë që ndërtonin rrugët.

(35) Vdekur për Francën

(36) Elementet e tjera të batalionit Babuty dhe të 8-ti të gjuajtësve të Afrikës, nuk u angazhuan. Megjithatë patën një efekt shumë të frytshëm, mbi gjithë operacionet, vetëm me qenien e tyre.

(37) Në mbështjelljen e ngjarjeve ushtarake, duhet thënë se që në ditët e para të shkurtit, një qendër spitali, drejtuar prej majorit-mjek Canonne, që kishte personelin e ambulancës 13/21, funksionoi në Korçë. Ai mjekoi të sëmurët dhe të plagosurit e divizionit të 76-të, të detashmentit të Korçës dhe të trupave frënge që vepronin midis liqeneve të Prespës dhe Ohrit. Autoritete, shqiptare u përpoqën brenda mundësive të tyre të lehtësojnë punën e mjekëve ushtarakë. Megjithatë këtyre iu desh të bëjnë mrekulli që të sigurojnë shërbimin. Një shërbim kirurgjie u organizua dhe punonte normalisht. Të plagosurit dhe të sëmurët tanë mundën të marrin mjekimet e nevojshme në kushte që në krye ishin pa mjete dhe që u përmirësuan më vonë