Në vitin 1928, gazeta turke “Aksham” në një numër të saj të shkruar me shkronja latine, në të cilën përgënjeshtronte lajmin për shpalljen e Ataturkut mbret, do të bënte të ditur publikisht alergjinë e Babit të turqve ndaj sistemit monarkik me fjalët: “Një agjenci telegrafi e huaj ka botuar një lajm të rremë. Populli turk dashka që Mustafa Kemal të bëhet mbret. Budallenjtë të cilët shkruajnë një gjë të tillë, nuk e dinë që Turqia nuk është Shqipëri dhe as reisi turk i Republikës nuk është Ahmet Zog! T’i thuash Mustafa Kemal Gaziut ‘do të të shpallim Mbret”, do të thotë ta ofendosh rëndë atë. Kurora e mbretit për Gaziun është po kaq e patolerueshme sa pushtimi i armikut. Sepse ai i ka luftuar të dyja me të njëjtën forcë, i ka mundur që të dyja. Populli turk e urren këtë akuzë të turpshme dhe të rëndë të këtyre budallenjve arrogantë dhe injorantë”
Sipas raportimeve të korit diplomatik shqiptar në Stamboll, ndryshimin e regjimit në Shqipëri shtypi turk e priti me një indiferencë të plotë, dhe siç i ka hije një personi të tretë, që nuk ka të drejtë të përzihet në punët e brendshme të një shteti tjetër. Kjo situatë vazhdoi pa përjashtim për katër ditë me radhë, deri në intervistën e famshme të Ataturkut për të përditshmen franceze “Le Petit Parisien”. Qëndrimi i prerë i Ataturkut për refuzimin e monarkisë shqiptare inkurajoi shtypin turk të bëjë komente tendencioze, shpeshherë të mbushura me ironi dhe tallje për Mbretin e shqiptarëve. Kjo fushatë diskredituese e shtypit turk do të udhëhiqej nga gazeta e njohur turke “Republika”, e cila në fakt ishte zëdhënëse e regjimit republikan në Turqi. Më 7 shtator 1928, në një artikull të saj që mban titullin “Vendosja e mbretërisë në Shqipëri. Cili duhet të jetë atitudi i qeverisë sonë”, kjo gazetë do të shkruante: “Vendosja e regjimit mbretëror në Shqipëri dhe preferimi që i ka bërë Ahmet Zogu kurorës mbretërore duke e lënë kryesinë e Republikës, ka shkaktuar kudo një habi të thellë. Reaksioni i bërë në Shqipëri, në këtë epokë ku sovraniteti kombëtar mbretëron si zot i vetëm në vendin tonë, ka shkaktuar ndër ne jo vetëm habi, por dhe zemërim. Punët e brendshme të kombeve të tjera neve nuk na interesojnë aspak, por kujtojmë se hapi i hedhur mbrapa në Shqipëri ka shkaktuar një impresion në të gjitha qarqet qeveritare. Prandaj nga kjo ide duhet të themi se do të ishte fort oportune për qeverinë tonë që të mos e ratifikonte aspak proklamimin e mbretërisë në Shqipëri. Në anën tjetër, jemi të bindur se ka ardhur momenti që ministri jonë në Tiranë duhet të kthehet”.
Vetëm dy ditë më vonë, gazeta “Republika” do të tallej publikisht me Mbretin e shqiptarëve, duke e quajtur ceremoninë e kurorës shqiptare “shfaqje opere”. Komentet tallëse për Mbretin shqiptar nuk do t’i kursente as Babai i turqve në takimin që pati me përfaqësuesin shqiptar në një darkë zyrtare të organizuar në hotelin e famshëm “Pera Palace”. Duke iu referuar fotografive në shtyp në të cilat Mbreti Zog shfaqej me uniformën e rëndë ceremoniale, Ataturku do të deklaronte: “Asaf bej, po shoh shumë karikatura në gazeta. Çfarë po ndodh në Tiranë? A mos vallë po përgatisni një shfaqje opere?!”. Fushata tallëse në shtypin turk do të vazhdonte për muaj me radhë, përderisa gazetat turke vazhdonin t’i referoheshin Zogut, jo si Mbreti Zog, por si Ahmet bej.

Tirana zyrtare: “Nëse doni na njihni, nëse jo, we don’t care!”
Përfaqësuesit shqiptarë në Turqi në krye me Nezir Leskovikun u kujdesën që autoritetet shqiptare në Tiranë të informoheshin me kohë për valën e fushatës denigruese në shtypin turk në lidhje me proklamimin e mbretërisë shqiptare. Nuk ishin të pakta rastet kur Ministrisë së Punëve të Jashtme, kryesuar prej Ilias Vrionit, i vinin nga Angora dhe kryeqyteti moral i Turqisë kopuret e gazetave turke me lajmet mbi Shqipërinë dhe mbretin e saj. Madje, në një rast i ngarkuari me punë atje propozon që t’i jepet urdhër i menjëhershëm Zyrës së Shtypit në Tiranë, për t’ua dhënë përgjigjen e meritueshme fletoreve turke dhe për t’i tërhequr vërejtjen në një formë të arsyeshme ministrit turk në Tiranë. Duke parë që demarshet e autoriteteve shqiptare pranë legatës turke në Tiranë ishin të pasuksesshme, njësoj si protestat e diplomatëve shqiptarë pranë ministrit turk të Punëve të Jashtme, përfaqësuesit shqiptarë si brenda dhe jashtë vendit filluan të mos shqetësoheshin shumë ndaj faktit se Turqia nuk po njihte mbretërinë e tyre. Duke qenë të informuar mirë për ndjeshmërinë e Babait të turqve ndaj alkoolit, nuk munguan komentet nga pala shqiptare që pretendonin se në momentin e dhënies së intervistës për gazetën franceze, Ataturku kishte qenë i dehur. Sidoqoftë, në paraqitjet publike të tyre përfaqësuesit e institucioneve shqiptare vazhdonin të tregonin kujdes për të bërë të dukshme indiferencën e tyre në çështjet që kishin të bënin me miqtë e vjetër. Ky qëndrim do të vulosej nga ministri i Jashtëm shqiptar, Iljaz Vrioni, në takimin e tij me nënsekretarin e legatës turke në Tiranë. Në takim ministri shqiptar do të deklaronte: “Ju keni përdorur fjalë të ashpra për mbretin tonë. Siç i thashë Tahir Lutfi beut, Shqipëria kërkon që Turqia të njohë mbretërinë, në të kundërtën nuk i intereson shumë kjo çështje”. Më tutje shtroi pyetjen ironike: “A keni ndërmend të na shpallni luftë?!”.

Angora nuk uron 28 Nëntorin
Megjithëse përfaqësuesit shqiptarë silleshin sikur ishin indiferentë në raport me Turqinë pranë diplomatëve të huaj, e vërteta është se legata shqiptare në Turqi mbante të informuar në mënyrë të vazhdueshme Tiranën zyrtare mbi sjelljet e autoriteteve turke ndaj lozhës shqiptare. Kështu, për shembull, i ngarkuari me punë në Turqi, Nezir Leskoviku, nuk e fshihte kënaqësinë që ndiente për faktin se kishte qenë i ftuar në festimet zyrtare, ashtu sikurse në darkën e shtruar nga presidenti turk në “Ankara Palace”, për nder të 29 tetorit, e cila edhe sot mbahet si dita më e rëndësishme në historinë kombëtare të popullit turk. Gëzimi nga pjesëmarrja në darkën e presidentit, një darkë e rezervuar për vetëm 80 persona, duket se nuk zgjati shumë. Më 28 nëntor 1928, shefi i protokollit nga Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë nuk shkoi në legatën shqiptare në Ankara për të bërë urimet e zakonshme në emër të qeverisë turke me rastin e festës kombëtare të popullit shqiptar, ashtu siç e donte rendi. Gjithashtu, nga telegramet zyrtare kuptojmë se përveç ministrit të Mbrojtjes Kombëtare, i cili ishte me prejardhje nga Janina, askush nga autoritetet vendore turke nuk dërgoi kartolinë urimi për Ditën e Flamurit në legatën shqiptare në Ankara. Kjo e fundit u mjaftua me urimet e bashkatdhetarëve shqiptarë që shkuan në mënyrë të organizuar për të shprehur urimet e tyre me rastin e festës kombëtare. Nuk kishin munguar as vizitat pas darke të trupit të huaj diplomatik, i cili e kishte bërë zakon intimiteti të vinte për urime në legatën shqiptare me rastin e festave.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë
LEXO EDHE: