Shtojca për Kulturë

Opera e bretkosave

Hapësira te Fakulteti Teknik, ku më 2009 i ishin hapur themelet teatrit të operës dhe baletit “dr. Ibrahim Rugova”. Tash aty po ndërtohet objekt për nevojat e Universitetit të Prishtinës

Hapësira te Fakulteti Teknik, ku më 2009 i ishin hapur themelet teatrit të operës dhe baletit “dr. Ibrahim Rugova”. Tash aty po ndërtohet objekt për nevojat e Universitetit të Prishtinës

Për kulturën shteti thoshte se kishte plane të mëdha. Flitej për ndërtimin e një teatri të ri kombëtar, për muzeun kombëtar të arteve bashkëkohore, për një sallë kombëtare 'multifunksionale kulturore', flitej edhe për ndërtimin e teatrit kombëtar të operës dhe baletit dhe të një varg institucioneve që zakonisht, siç ishte në modë asokohe, e kishin edhe nga një prapashtesë ose pas-shtesë “kombëtare”.

Njëra nga sfidat kryesore më të cilën janë përballur artistët në Prishtinë, gjatë këtyre 25 vjetëve, ka qenë mungesa e hapësirave fizike kulturore. Në atë xhurulldinë e pasluftës, të dominuar nga kapitalizmi i egër e nga interesat të cilat shpesh i përcaktonte kallashnikovi, artistët kanë qenë të gjuajtur në margjina, e shteti për ta kujtohej vetëm në fushata zgjedhore e në ceremoni shtetërore për të komemoruar data e heronj lufte. Plot nga hapësirat kulturore pas luftës u zaptuan nga banditët, e të tjera hapësira, që eventualisht do të mund të ktheheshin në hapësira kulturore, u morën nga biznesmenët që kishin lidhje me politikën e me ish-komandantët e luftës. 

Në Prishtinën që po pëlciste nga rritja, kultura s’kishte shanse për frymim normal. Hapeshin farmaci, magazina produktesh ushqimore, pompa benzine, kafene, klube nate, parkingje, studio televizive, zyra partish politike, por s'kishte vend për hapësira krijuese për artistët. 

Shteti, në anën tjetër, objektet e hapësirat në pronësi publike (si ish objekti i Rilindjes së dikurshme), ua jepte zakonisht mediave private. Hapësirat më të dinjitetshme në Prishtinë u shndërruan në studio televizive, për të cilat nuk paguhej qira (paj, u shpik një term, diçka si “kontribut për pluralizmin medial”), e ku, natyrisht, nuk mund të dëgjoje kritika për qeverinë. Kjo ishte një kontratë që s'kishte nevojë për nënshkrim formal prej palëve. 

Por për kulturën shteti thoshte se kishte plane të mëdha. Flitej për ndërtimin e një teatri të ri kombëtar, për muzeun kombëtar të arteve bashkëkohore, për një sallë kombëtare 'multifunksionale kulturore', flitej edhe për ndërtimin e teatrit kombëtar të operës dhe baletit dhe të një varg institucioneve që zakonisht, siç ishte në modë asokohe, e kishin edhe nga një prapashtesë ose pas-shtesë “kombëtare”. Më së shumti nga këto ide, deri më tani, ka përparuar ideja e teatrit të operës dhe baletit, të cilës iu vu emri "Ibrahim Rugova". Një milion euro u ndanë para ndoshta 20 vjetësh, e një ekskavator hapi një gropë gjigante e cila ka qëndruar ashtu e hapur krejt këtë kohë, e ku (sipas cinikëve), pas reshjeve në pranverë, dëgjohen këngë të bukura të bretkosave. Ai projekt ideor për “operën e bretkosave” është ricikluar çdo vit, duke u ritenderuar, riofertuar, rikonceptuar, e riideuar, por për t'u ndërtuar nuk është ndërtuar kurrë. 

Prishtina është sot kryeqyteti, ndoshta, i vetëm në Evropë që nuk ka teatër të vetin të qytetit. Ndërkohë, qeveria e Kurtit pati premtuar edhe ndërtimin e një, siç e quanin 'Teatër të Ri Kombëtar'. Por pastaj, duket se u korrigjuan dhe thanë se me “të ri” e kanë menduar renovimin që kanë plan t’ia bëjnë teatrit ekzistues, Teatrit Kombëtar të Kosovës, i cili, meqë ra fjala, është mbyllur tash e gati tre vjet dhe rinovimi i tij akoma nuk ka filluar. Mirë, dakord, një shirit i kuq rrethues është vënë rreth tij, dhe kjo jep shpresë në fillimin e punëve.  

25 vjet paslufte pakgjë në Prishtinë ka ndryshuar për sa u përket hapësirave kulturore. Të njëjtat sfida, të njëjtat kërkesa, të njëjtat beteja. Duket si mallkim. Por kush mund të na ketë mallkuar? Bretkosat e gjora të asaj gropës publike të operës kombëtare “Ibrahim Rugova”? Mbase!


Ky tekst fillimisht është botuar në “Novosti” të Zagrebit. Botohet në shqip me leje të autorit.