Kosova, Serbia, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi e deri te Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka qenë gjeografia e vendeve prej nga kanë ardhur trembëdhjetë muzikantë dhe ka qenë muzika ajo që i ka bashkuar. Për ta gjetur harmoninë nuk ka qenë punë e zorshme për ta. Lehtë e kanë kapur ritmin për “OneBeat Balkans”, siç është pagëzuar kjo ngjarje. Secili ka sjellë tis prej melosit të vendit e popullit që i takon dhe produkti final ka qenë mozaiku i muzikës si gjuhë e përbashkët. Një miksim i tillë solli një atmosferë të gjallë e tejet unike, e cila u reflektua edhe në sallë.
Në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar në Prishtinë, si rrallëherë, janë mbledhur njerëz nacionalitetesh të ndryshme. Koncerti nisi me zërat e katër vokalisteve – Marta Kolega, Sara Renar, Minela Bogdanoviq dhe Agona Shporta – të cilat përsërisnin të njëjtin refren, por duke filluar në kohë të ndryshme. Kënga ka në intro nota të ulëta, me zërin e Marta Kolegas së cilës dalëngadalë iu bashkuan edhe zërat e tri të tjerave. Në dëgjim të parë, tingëllon një lloj çakordimi, por esenca është gjetja e harmonisë. Në fund të këngës, teksa tingujt vinin duke rënë, në qetësinë e sallës, jazz-këngëtarja nga Prizreni, Agona Shporta, këndoi refrenin e njohur të këngës shqipe “Qengji vogël rri mendueshëm”.
Bendi i “OneBeat Balkans” përbëhet nga artistët Chad Brown në bateri, Leland Baker në saksofon, Oliver Nastovski Batka në mandolinë, Iliriana Gjoni në piano, Mak Murtiq në saksofon dhe flaut, Granit Paçarada në bateri si dhe Tomor Kuçi në kitarë elektrike. Në pjesën e dytë, në skenë doli lideri i grupit “Gipsy Groove”, Bajram Kafu Kinolli, ardhja e të cilit u prit me shumë duartrokitje. Këndoi këngën “Romae” në refrenin e së cilës ai inkuadroi edhe publikun. Kënga himn e muzikës rome, e ka të paracaktuar mirëpritjen prej publikut.
Në repertor ka qenë edhe kënga e njohur nga folklori maqedonas, “Oj devojče, devojče”, e cila u këndua nga vetë artisti maqedonas, Oliver Nastovski Batka.
“OneBeat Balkans” kishte pasur një ndërprerje gati trevjeçare për shkak të pandemisë. Koncerti i cili u mbajt të premten mbrëma, ishte paraparë të mbahej qysh në vitin 2020. Drejtori artistik i “OneBeat Balkans”, Bajram Kafu Kinolli, është shprehur i lumtur që më në fund kanë arritur të performojnë live para publikut të Prishtinës. Ndonëse nuk ka dhënë ndonjë informacion konkret, ai ka paralajmëruar qysh tani, se “OneBeat Balkans” do të ketë edhe një edicion të tretë.
“Pas krejt periudhës pandemike, organizimi ka shkuar shumë mirë, edhe pse kemi pasur një pauzë për shkak të situatës që ndodhi. Tani jemi shumë mirë, kemi pasur artistë të ndryshëm, por jo të gjithë grupin siç e kemi pasur më herët. ‘OneBeat Balkans’ është një projekt i cili do ta ketë edhe edicionin e tretë vitin që vjen dhe po presim të ketë diçka pak më ndryshe”, ka thënë Kinolli.
Në rolin e organizatorit, Kinolli ka thënë se koncerti ka për synim të thyejë barrierat midis shteteve të Ballkanit si dhe të krijojë mundësi të reja për të rinjtë e këtyre shteteve.
“E di që në Prishtinë është shumë vështirë me dëgju edhe gjuhë të tjera, përveç shqipes dhe anglishtes, dhe po më doket që ka ardhur koha që ne të gjithë t’i themi fqinjit tonë, e di çfarë na kanë bërë, por veç ka ardhur koha që të rinjve t’u japim hapësirë, sepse më duket se të rinjtë s’na kanë bërë asgjë. Një gjë e tillë duhet të vijë si nga ana e atyre, ashtu edhe nga ana jonë, në mënyrë që të ndalohet me propaganda të ndryshme”, është shprehur Kinolli.
Artisti kroat, Mak Murtiq, solli një frymë tjetër në sallë teksa bëri një improvizim të atypëratyshëm. Artisti i cili gjatë koncertit luajti në saksofon por edhe në flaut, doli para publikut dhe tregoi për mënyrën se si bëhet një improvizim. Për ta bërë më të qartë, e ndau publikun në tri pjesë dhe kërkoi prej tyre që të krijonin ritme të ndryshme nga njëri-tjetri. Pas kësaj, e udhëhoqi publikun në një përzierje tingujsh, e cila krijoi një melodi që, nisur nga duartrokitjet e shumta, rezultoi si një eksperiment i suksesshëm. Pas publikut, Murtiq iu rrok improvizimit edhe me kolegët në skenë dhe të njëjtën matricë si me publikun.
“Është një lloj programi që bashkon të gjithë njerëzit e Ballkanit dhe ata të Shteteve të Bashkuara, duke krijuar art dhe muzikë të re. Ky program ishte planifikuar të mbahej në vitin 2020 kur ishte koha e COVID-it, kështu që ne patëm filluar provat online. Ne bëmë një rezidencë online, e cila më vonë u zhvillua në një rezidencë të plotë në një vend afër Novi Sadit, ku ne në fakt ushtruam muzikën që do ta luajmë sonte. Më pas erdhëm në Prishtinë dhe filluam të bënim prova. Turneu përfshin Prishtinën dhe Novi Sadin dhe ai lidh njerëzit dhe muzikën në një proces të përbashkët”, ka thënë Murtiq i cili gjithashtu luajti rolin e prezantuesit të mbrëmjes.
I ftuar special i mbrëmjes ishte edhe violinisti i njohur, njëherësh anëtari i Filharmonisë së Kosovës, Visar Kuçi. Ai ka kujtuar kohën kur kishte nisur bashkëpunimin me këtë grup dhe vlerësoi lart bashkëpunimin dhe kreativitetin që ata kanë treguar në këtë rrugëtim.
“Jam shumë i lumtur të jem këtu sonte dhe të performoj me këta muzikantë të mrekullueshëm dhe do të doja të falënderoja ‘OneBeat Balkans’ dhe Ambasadën Amerikane që e kanë organizuar këtë ngjarje. Para tre vjetësh ishte e pamundur ta realizonim atë. Pas projektit që bëmë tre vjet më parë, unë u infektova me COVID, kështu që ishte mjaft e vështirë. Çfarë dua të them është se jam shumë i lumtur të jem këtu. Është një gjë të jesh kreativ, sepse ne zakonisht jemi kreativë kur jemi vetëm dhe secili këtu është një artist apo krijues individual dhe kanë projektet e tyre. Por, të jesh kreativ në bashkësi me një grup të madh njerëzish, që kanë përvoja të ndryshme, që ndajnë kultura plotësisht të ndryshme është vërtet e mrekullueshme”, ka mjeshtri i violinës, e që në “OneBeat...” ka interpretuar në kitarë.
Së bashku me artistët e tjerë të “OneBeat Balkans”, Kuçi performoi veprën e kompozuar nga vetë ai, “Iternal space”. Ka përzgjedhur këtë vepër për shkak se kishte menduar se, nga veprat e tij, ajo i përshtatej më së shumti këtij formacioni.
“’Internal space’ domethënë hapësirë pa fund, por jo në kuptimin e pafundësisë fizike, por si pafundësi shpirtërore më shumë. Është kompozuar në vitin 2015, ndërsa në vitin 2017 është publikuar për herë të parë në albumin ‘Visar Kuçi Trio’ dhe gjatë pandemisë kur më kanë ftuar këta që të punoj diçka me ta. Unë e kam zgjedhur këtë këngë, sepse kam analizuar biografinë e secilit veç e veç dhe atë çfarë ata kanë bërë dhe kam menduar që me këtë këngë secili prej tyre mund ta shprehë veten”, ka thënë Kuçi.
Pianistja shqiptare nga Mali i Zi, Iliriana Gjoni, për t’iu bashkuar “OneBeat...” ka ateruar në Prishtinë nga Brukseli. Gjoni, e cila ka përfunduar studimet master për piano dhe muzikë dhome në Universitetin e Muzikës në Karlsruhe në Gjermani si dhe studimet evropiane në KU Leuven të Belgjikës ka thënë se një koncert i tillë mund të shërbejë si frymëzim i gjeneratave të reja në Ballkan.
“Me të vërtetë që jam kënaqur shumë sot në Prishtinë, sepse këtu ndihemi pothuajse si në shtëpi. Aktualisht jam aktive në Bruksel, kështu që kam marrë një forcë jashtëzakonisht të madhe edhe për të qenë prezente, sepse besoj shumë te ky lloj projekti aq më tepër që kanë rreth 10-15 vjet që jetojnë në Evropën Perëndimore. Për mua është përherë kënaqësi që t’u kthehem rrënjëve dhe të punoj me artistë të Ballkanit. Të punojmë diçka të bukur bashkë dhe të frymëzojmë mbase një gjeneratë të re që i tejkalon sfidat që kemi”, ka thënë Gjoni, fituese e disa çmimeve në Mal të Zi e më gjerë.
Vokalistja nga Zagrebi, Sara Renar, e cila ofroi një performancë të shkëlqyer artistike teksa performoi pothuajse gjatë tërë koncertit, është shprehur e lumtur që më në fund ia dolën t’i këndonin këto këngë para publikut.
“Pothuajse të gjithë anëtarët, përveç Mak Murtiqit, i cili gjithashtu është nga Zagrebi, i kam takuar gjatë projektit që filloi në 2020 dhe duhej të kishim një rezidencë dhe një turne nëpër Ballkan. Megjithatë, këtë vit patëm mundësi që më në fund ta realizonim atë, pasi që kishin kaluar tashmë dy vjet e gjysmë prej kur nuk e kishim parë njëri-tjetrin. Bëmë shkurt disa ditë parapërgatitje dhe përfundimisht ia dolëm që t’i shfaqim këto vepra përpara publikut dhe kjo është ndjenjë e mrekullueshme”, ka thënë Renar.
Koncerti përfundoi me a cappella të interpretuar nga katër vokalistet, Bajram Kafu Kinollin dhe Iliriana Gjonin. Këngë nisi me zërin e Agona Shportës së cilës ngadalë iu bashkuan edhe katër zërat e tjerë. “Kalle malin, kalle lamën o, edhe sot do t’ jesh me nanen o” shkon duke u përshkallëzuar dhe finalizohet me një lojë fjalësh. Për ta rritur edhe më shumë dramacitetin e këngës, e cila shquhet nga nota folklorike shqiptare, vokalistëve iu bashkua edhe i ftuari tjetër special, kori i grave “Okarina”. I tërë ky miksim zërash të ndryshëm, fitoi vëmendjen e plotë të publikut i cili u pa i përqendruar krejtësisht në performancë.
“OneBeat Balkans” është pjesë e aktivitetit global “OneBeat” që së pari filloi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për herë të tretë në Prishtinë ngjarja u organizuara nga “Balkan Art Zone”. Edicionin e parë e kishte zhvilluar në shkurt të vitit 2019. Aktivitetet e ndryshme ishin zhvilluar, ndër të tjera, edhe në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë, në teatrin “ODA” në Prishtinë e në qendrën kulturore “Tulla” në Tiranë. Në përfundim të tij organizatorët kishin dalë me përfundime se pasuria kulturore e rajonit është manipuluar për të theksuar ndarjet mes vendeve. Ishin përfshirë gjuhë e zhanre të ndryshme si hip-hop, jazz modern, elektronikë eksperimentale dhe polifoni tradicionale maqedonase. Me edicionin e parë “OneBeat Balkans” kishte ndërprerë aktivitetin në formë fizike deri më tani për shkak të situatës me pandeminë. Edicionin e dytë e kishte zhvilluar në formë virtuale në prill të vitit 2020.
Në prezantimin e “OneBeat” bëhet e ditur se në kuadër të këtij projekti organizohen rezidenca njëmujore një apo dy herë në vit për të shkruar, prodhuar dhe performuar muzikën origjinale dhe për të zhvilluar strategji për angazhim social të bazuar në art. Ishte themeluar në vitin 2012. “Deri më sot ‘OneBeat’ ka vizituar 34 qytete të SHBA-se në 21 shtete, ndërsa ka mbledhur mbi 1.5 milion dollarë për të financuar projekte të reja krijuese që trajtojnë çështjet kryesore me të cilat përballen komunitetet në mbarë botën, duke përfshirë fuqizimin e grave, angazhimin e të rinjve, shkrim-leximin digjital, sipërmarrjen, zgjidhjen e konflikteve dhe shumë të tjera”, shkruhet në njoftim, ku theksohet se programet e saj dekurajojnë rritjen e përçarjes dhe ekstremizmit.
“OneBeat Balkans” është pjesë e projektit global “OneBeat”, i cili filloi në SHBA, me iniciativën e Byrosë së Çështjeve Arsimore dhe Kulturore të Departamentit të Shtetit të SHBA-së. Për herë të tretë “OneBeat Balkans” zbatohet nga organizata “Balkan Art Zone”, me mbështetje shtesë nga ambasadat e SHBA-së në Kosovë dhe Serbi dhe organizata “Found Sound Nation” nga SHBA-ja. Pas Prishtinës, më 10 prill “OneBeat Ballakn” do të mbajë koncert edhe në Novi Sad, ku përveç Visar Kuçit, të ftuar specialë do të jenë edhe Marko Louis dhe “Pop Hor Radio”.