“Njeriu në burg i numëron të gjitha”, një titull simbolik i cili ngërthen më vete akuzat, numrin e dosjeve, numrin e qelive, nenet e së drejtës, dëshirat e panumërta, ëndrrat e pabesueshme, ditët e akullta, zogjtë që kanë kaluar mbi qiellin e shëtitores, dashuritë e paharrueshme dhe kujtimet e pasosura
Dera e ish-Burgut të Prishtinës në mbrëmjen e 2 prillit ishte e hapur. Aty po mëtohet të zërë vend “Burgu i Idealit”, si simbol i kujtesës kolektive për golgotën e të burgosurve politikë ndër dekada, gjatë regjimit jugosllav. Ish- të burgosurit veç e veç apo në grupe të vogla hynin aty, ku kishin ngrysur rininë e tyre me vite, të dënuar pse kishin pasur një ideal. Me ndonjë shpoti të rastit, si: “A pak të janë dukur sa ke qenë i dënuar, por sërish erdhe këtu”, përshëndeteshin ata ngrohtësisht, por edhe krenarë për rrugëtimin e tyre liridashës. Aty ishte po ajo ftohtësi e korridoreve të burgut, ngjyra gri e mureve të qelive, ishte aty si një konstantë e zymtë kohe. Por tash, diçka tjetër i priste ata në këtë natë. Një labirint që ndërlidhte performancat artistike, që ishin krijuar në respekt të sakrificës së tyre për liri, ishte shtegu që do të kalonin për të parë si një “Deja vu” të kaluarën e tyre.
Është shoqata artistike “Molla e kuqe”, nën drejtimin e Mentor Berishës, artist, vizual e kurator dhe Alban Beqiraj, dramaturg, regjisor që po synon ta realizojë nismën e Ministrisë së Kulturës, për rifunksionalizimin e “Burgut të Idealit”, për të qenë një muze, i cili do të dëshmojë ndër breza dhunën e pushtetit jugosllav mbi rininë dhe popullin e Kosovës. Në aktivitetin e parë të kësaj përpjekjeje të emërtuar simbolikisht “Njeriu në burg i numëron të gjitha", u hapën dyert e ish-burgut, për të qenë të hapura për çdo vizitor.
Numërimi si kapërcim i absurdit dhe dhunës
“Njeriu në burg i numëron të gjitha”, një titull simbolik i cili ngërthen në vete akuzat, numrin e dosjeve, numrin e qelive, nenet e së drejtës, dëshirat e panumërta, ëndrrat e pabesueshme, ditët e akullta, zogjtë që kanë kaluar mbi qiellin e shëtitores, dashuritë e paharrueshme dhe kujtimet e pasosura. Hap pas hapi ish-të burgosurit u gjetën në pritoren e burgut. Aty ku lotët kishin qenë më të fuqishëm se fjalët. Aty ku ishin shikuar sy më sy me të dashurit e tyre. Aktori Alban Goranci andej xhamave të trashë lexonte tri letrat nga burgu të të burgosurit Martin Çuni, ku shpalosej bota e ndrydhur, komunikimi me gruan e tij, pyetjet një nga një për anëtarët e familjes. Ish-të burgosurit ndërlidheshin me kohën e ikur, lexohej letra e parë, ndërroheshin rreshtat, të tjerët dëgjonin letrën e dytë. Letra e tretë lexohej për vizitorët e fundit. Vazhdohej për të qelia numër një, ku i priste një imazh e një të burgosure, një videoinstalacion mbi motivin e numërimit, interpretuar nga aktorja Qëndresa Loki, derisa korridoreve dëgjohej recitimi i poezive të shkruara në burg nga: Hydajet Hyseni, Merxhan Avdyli, Ismail Syla, Bajram Kosumi dhe Januz Januzaj, të recituara nga aktorët Avni Dalipi, Rajmonda Ahmetaj dhe Shqipe Gashi. Poezitë bartnin frymën e lirisë, ndjenjën e vetmisë, kapërcenin hapësirën e mbyllur, ftonin për liri. Te qelia numër tre për të parë se çfarë ngjante aty nëpërmjet syrit përgjues prisnin në radhë ish-të burgosurit: Bajrush Xhemaili, Kadri Kryeziu, Murat Musliu, Ramadan Gashi e të tjerë. Ish-i burgosuri Xhemil Ismani, me pirografin e tij “digjte” mbi një dërrasë qershie një motiv lirie. Ismani kishte mësuar artin e priografisë në Burgun e Zenicës. Qelia numër pesë me derë të hapur dukej e braktisur nga koha. Aty muret ishin veshur me pasqyra, instalacion ky i mbështetur mbi idenë e mungesës së pasqyrave nëpër burgje. Nëpër burgje ishin të ndaluara pasqyrat, për të krijuar mbase ndjenjën te të burgosurit për portretet e harruara, të braktisura. Vazhdohej për tek shëtitorja e vogël, aty ku një copë qiell mbi të ruante ndjenjën e natyrës. Shkëmbehen fjalë me ish-të burgosurit, u kërkohet falje nëse janë rrëqethur sërish, për rikthimin e emocioneve, por duhej kuptuar se ky është vetëm fillimi i një dokumentimi të kujtesës sonë historike, sepse ajo periudhë, ajo sakrificë e tyre duhet të vazhdojë të flasë, të dëshmojë udhën e lirisë dhe sjelljen diskriminuese dhe dhunuese të shtetit jugosllav dhe atij serb.

Të gjithë më këmbë ndiqnin performancën, e cila jepej nga aktori i mirënjohur Afrim Muçaj, i përcjellë nga Meriton Ferizi në harmonikë dhe Belinda Mehana në fagot. Zëri i aktorit Muçaj, derisa lexonte fragmente nga rrëfimet e simbolit të lirisë Adem Demaçi dhe këndonte këngën “Dalëngadalë po vjen behari”, si një kambanë qiellore çante grilat, ashtu siç vetëmohimi i të burgosurve, ndër dekada kishte çarë grilat e burgjeve dhe kishte nxjerrë të vërtetën dhe të drejtën e Kosovës në pah. Askush si ata nuk kishte çjerrë maskën kriminale të pushtetit jugosllav më bindshëm dhe më fuqishëm. Kujtohej thënia e Bacë Ademit se: “Po dal nga një burg i vogël në një burg të madh”, një thënie që hidhte akuzën mbi pushtetin pushtues dhe njëherësh reflekton pasqyrën e Kosovës më shumë se qindra fjalime. Pas kësaj ajo që dukej të ishte përmbyllja e manifestimit ishte në të vërtetë hapja e tij.
Jo rastësisht u zgjodh 2 prilli
Jo rastësisht më 2 prill u tha se po mbahet ky takim, sepse pikërisht me këtë datë po shënohej edhe përvjetori i demonstratave të 1981-shit. Dukej se po dëgjohej thirrja “Republikë, kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”. Dikush nga ish- të burgosurit e pranishëm edhe mund ta dinte kush e ka shkruar i pari, por sidoqoftë të gjithëve u kujtohej jehona e saj shesheve të qyteteve tona, si një prolog historik, i cili ka ndërlidhur edhe periudhën e luftës paqësore, edhe atë të luftës me armë, deri te realizimi i synimeve liridashëse. Pikërisht në muajin prill, pas një jave, më 9 prill, është Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. A ka simbiozë më të fuqishme se ky epilog aq real dhe aq historik. I pari foli ish-i burgosuri, Selatin Novosella, i cili kujtoi natën e 2 Prillit të 1981-shit dhe shprehu bindjen e tij se atë natë e kuptoi vdekjen e ish- Jugosllavisë.
“Edhe po të vdisja atë natë, do të isha më i lumturi”, u shpreh ai derisa kujtoi fillimin e burgosjeve masive të shqiptarëve protestues pikërisht atë natë. Kryetari i Shoqatës së ish-të Burgosurve Politikë, Shefik Sadiku, në fjalën e tij potencoi se ky “burg është vetëm njëra nga qindra burgjet ku shqiptarët u patën dërguar”, duke numëruar burgjet nëpër të gjitha republikat ish-jugosllave. Ish-e burgosura Shukrie Gashi, poete e gazetare, solli kujtime nga ajo kohë kur edhe gruaja shqiptare ishte në ballë të demonstratave dhe tërhoqi disa paralele politike duke kërkuar një unitet më të madh politik në vend. Më pas njëri nga organizatorët e ngjarjeve të ’81-shit, ish- i burgosuri Kadri Kryeziu, ofroi gatishmërinë e bashkëpunimit për të sjellë dëshmi, fakte, rrëfime që ky burg të shndërrohet në një muze meritor, i cili do të shprehte sa më bindshëm të kaluarën tonë.
I fundit në këtë natë pranverore, që po merrte ftohtë, ishte rrëfimi i ish- të burgosurit Martin Çuni, i cili më një humor synonte të nxirrte disa anë margjinale të jetës në burg. Ai rrëfeu edhe rastin kur së bashku me ish-të burgosurin Muamer Shabani për gjashtë muaj radhazi kishin prerë grilat e qelisë së tyre me një copë sharre të hekurit dhe me një litar të improvizuar kishin provuar të arratiseshin. Braha ia doli të ikte, kurse Çunit i këputet litari dhe diktohet nga gardiani e kapet. Rrëfimin e tij Çuni e jepte nën dritaren e qelisë duke krijuar një ndjeshmëri emocionale të veçantë. Secili prej atyre që ishin të pranishëm, por edhe qindra e mijëra të burgosur të tjerë i kanë rrëfimet e tyre, të cilat deri tash janë botuar herë pas here, por që kërkojnë ende trajtime të veçanta nga shumë aspekte të arkivimit dhe dokumentimit etj. Duke mbyllur derën e shëtitores, koordinatori i këtij burgu, ish-i burgosur Emin Sallahu, kujtoi pak nga ditët e dikurshme.
“Si sonte po më kujtohet kur për herë të parë pata dalë në këtë shëtitore si i burgosur që ta shihja një copë qiell të Prishtinës, po ndihem i lumtur që sot po flasim të lirë dhe burgun po e shndërrojmë në një vend të kulturës dhe të kujtesës sonë”.
Gjatë viteve 2025 dhe 2026 priten shumë aktivitete
Shoqata kulturore “Molla e Kuqe”, për vitet 2025 dhe 2026, ka paraparë të organizojë aktivitete kulturore për çdo muaj nga fusha të ndryshme të artit dhe kulturës, që ndërlidhen me trajtimin dhe dokumentimin e kujtesës së ish-të burgosurve dhe kryesisht të kaluarës historike të popullit tonë.
Duke mbledhur dhe sistemuar: shënimin e datave të rëndësishme historike dhe të dëshmive që shprehin dhunën e regjimit antishqiptar jugosllav dhe serb, promovimin e letërsisë së burgut, filmin dokumentar, ekspozitat dokumentuese dhe artistike, shfaqjet teatrore, ligjërata me karakter studimor, shfaqje të filmave që ndërlidhen me histori burgu apo mbi lirinë dhe të drejtat e njeriut, videoinstalacionet nëpër qeli të burgut e aktivitete të tjera.
Këto aktivitete do të përfshijnë shumë ish-të burgosur politikë, ndihma dhe mbështetja e të cilëve përmes këshillave të çmuara, pjesëmarrjes së anëtarëve të shoqatës do të jetë vitale për të rifunksionalizuar “Burgun e Idealit”.
“Burgu i Idealit” do të hapet për vizitorë me një orar të caktuar, ku qytetarët do të kenë mundësi t`i vizitojnë hapësirat e burgut dhe të informohen për historinë e tij, për aktivitetet e ardhshme dhe të shohin prej ditës në ditë se si do të ndryshojë ai, duke u kthyer në një muze të kujtesës.