Shtojca për Kulturë

“Një” në arbërisht i këndon dashurisë

Me këngën “Një”, grupi “Shega” nga Piana degli Albanesi i ka hyrë garës edhe në edicionin e 60-të të Festivalit të Këngës që nis më 27 dhjetor. “Reagimet kanë qenë shumë të mira, sepse dëgjuesit jo vetëm se pranojnë ndryshimin nga shqipja standarde, por edhe janë krenare të dëgjojnë muzikë në arbërisht. Ne jemi shumë të lumtur, sepse fuqia jonë është gjuha, autenticiteti i gjuhës së përditshme arbëreshe”, ka thënë për KOHËN vokalisti i bendit, Giorgio Fusco

“’Një’, flet për dashuri, muzikë, komunitet. Shumë zëra, një kor i vetëm”, është përshkrimi i këngës së re nga grupi arbëresh “Shega”. Kënga u ngjiz në mars të këtij viti. U përfundua për dy ditë. Me këtë këngë në arbërishte – shqipen e kohës së Skënderbeut që u rrënjos në hapësirat e Kalabrisë dhe Sicilisë – “Shega” i ka hyrë garës edhe në edicionin e 60-të të Festivalit të Këngës që nis më 27 dhjetor.

Edhe me këtë këngë, pesëshja nga Sicilia shfaq pasionin dhe dashurinë për këngën dhe për gjuhën e ruajtur për pesë shekuj rresht në viset e Italisë Jugore.

Bendi nga Piana degli Albanesi – i përbërë nga Giorgio Fusco, Saverio Guzzetta, Rosa Alongi, Giorgio Ciulla dhe Alessandro Ferrantelli – pas 27 vjetëve bëjnë që në këtë festival të dëgjohet arbërishtja.

Në një prononcim për KOHËN, vokalisti i bendit, Giorgio Fusco, ka treguar se kënga flet për një mbrëmje të verës së vitit të kaluar.

“Është një këngë dashurie në një kontekst fshati. Një festë plot muzikë, dashuri, përqafime të sinqerta pas një periudhe të vështirë si ajo e pandemisë. Titulli është ‘Një’ për dy arsye: çifti u bë një, si një bashkim dashurie autentike, dhe gjithë shokët dhe shoqet e festës u bënë një, si një brez që këndon bashkë e për një mbrëmje harron të keqen”, ka thënë ai.

Ka shtuar se për ta është krenari t’i përfaqësojnë arbëreshët në këtë festival.

“Pas 27 vjetësh, që kur morën pjesë në festival, vëllezërit Scaravaglione, arbëreshë nga Kalabria. Jemi shumë të lumtur dhe mezi po presim këtë eksperiencë kaq të bukur”, ka thënë ai.

Kozimo dhe Damino Scaravaglione patën marrë pjesë në edicionin e 33-të të Festivalit të Këngës me “Një serenatë për ty”. “Shega” e rikthen jo vetëm gjuhën.

“Reagimet kanë qenë shumë të mira, sepse dëgjuesit jo vetëm se pranojnë ndryshimin nga shqipja standarde, por edhe janë krenarë të dëgjojnë muzikë në arbërisht. Ne jemi shumë të lumtur, sepse fuqia jonë është gjuha, autenticiteti i gjuhës së përditshme arbëreshe”, ka shtuar Fusco.

Bendi që pushtoi zemrat e shqiptarëve fillimisht si “The DAGGS”, në janar të këtij viti ndryshoi emrin në “Shega”. Sipas shpjegimit të dhënë në faqen e tyre zyrtare në “Facebook”, ata u përcaktuan për emrin e ri “për shkak të shumësisë së kokrrave, njëjtësisë së frutës dhe ndjesisë së komunitetit që mbart. Dhe për mijëra ngjyra të tjera”.

“Se kur jam me tij, e të vdes te sytë, u harronj të ligat. Humba tek ai gaz. Te kuçina u puthëm e u bëmë një”, është refreni i këngës që ka nisur të marrë vëmendjen edhe nga mediumet dedikuar plotësisht vetëm “Eurovizionit”. Një prej tyre “Euro Festival News”, në një artikull ku flet për Shqipërinë dhe këngët e sivjetmë që kanë mësyrë Festivalin e Këngës, ka shkruar se kënga është e lehtë dhe e këndshme për ta dëgjuar, si era e vendit.

“Është shumë e vështirë për mua që të jem objektive, duke shtuar këtu faktin se menjëherë kam ndier një lidhje me këtë bend dhe me origjinalitetin dhe autenticitetin e tij, por nuk mund të mohoj se kjo këngë shkon larg melodive klasike të Festivalit të Këngës duke propozuar një rrëfim të ri, rrëfimin e të rinjve që bartin një traditë me shekuj të vjetër te muzika moderne”, shkruan Antonio Nows në artikullin e tij për “Euro Festival News”.

Në gusht të këtij viti bendi solli të parin album në arbërisht. Nëntë këngë ishin dhurata e pesëshes arbëreshe që tashmë ka krijuar imazhin e vet si interpretues të zhanrit indie-folk.

Pjesë e këtij albumi janë tetë këngë “Jarruri Hera”, “Arianna”, “Kalivar”, “Zëmbra Jime”, “Qifti”, “Botë e Paqe”, “Drita”, Lumturi” dhe një “cover”, që quhen “Niko”. Albumi është përshkruar si një udhëtim brenda botës njerëzore e përshkuar nëpërmjet “idealizmit, deluzionimit, ëndërrores dhe biografikes, nostalgjisë për rrënjët dhe kulturës së jetuar me sy të rinj”.

Ndërkohë, singli i parë i albumit u bë kënga “Lumturi”, që u publikua në maj të vitit të kaluar. Ajo sillte jehonën e vargjeve të poetit jetëndërruar arbëresh Pasquale Renda, duke u ndërthurur me mjeshtërinë interpretuese të bendit.

Kurse sivjet, në shkurt, me emrin e ri “Shega”, bendi publikoi këngën “Arianna”, që erdhi si frymëzim nga mitologjia e vjetër greke me dashurinë e kretases Ariadna për Tezeun.

Gjashtë vjet “rrugëtim pozitiv”, sikundër thonë vetë anëtarët, bënë që të jetonin përvoja nga më të paharrueshmet. Pjesëmarrja në vitin 2015 në “SUNS Europe” (Festivali Evropian i Këngës në Gjuhë të Pakicave), që u mbajt në Cagliari, do të bëhej si një lloj “pagëzimi” për grupin. Një fitore në festivalin “Opp Festival”, në qytetin sicilian të Favaras do të pasohej me paraqitje në televizione italiane (RAI) e shqiptare (Top Channel, TvKlan, TVSH).

Pas publikimit të albumit, në fund të gushtit pesëshja arbëreshe bëri një tur në Shqipëri dhe Kosovë.