Ka shumë pak studime mbi krimet serbe në Kosovë gjatë luftës së fundit. Ka një mori studimesh mbi intervenimin e shtetndërtimin në Kosovë, si nga ana juridike e politologjike, ashtu edhe në fushën e shkencave të tjera shoqërore. Por, ka pak studime që rrokin tema specifike si tema e krimeve serbe në Kosovës. Një prej librave të fundit që hap shtegun tutje në fushën e studimit mbi krimet serbe në Kosovë është “Fshehja e krimit: politikave serbe e mashtrimeve të mëdha në Kosovë”
“Pse fëmit, pse macen? Çka u kanë bâ ata?” kështu pyesin banorët e Krushës së Madhe të Rahovecit, kur intervistohen për të rrëfyer se çfarë kanë parë, si e kanë përjetuar dhe si e kanë mbijetuar masakrën e Krushës së Madhe, më 25-27 mars 1999. Forcat serbe vranë 241 civilë të paarmatosur, shumë prej të cilëve qenë fëmijë. Dogjën mbi 900 shtëpi, mes të tjerash edhe shumë institucione të trashëgimisë kulturore (xhamia e fshatit, shtëpia e kulturës, biblioteka, kinemaja) dhe shkatërruan pasuritë e fshatit, private e kolektive, duke vjedhur mjete pune, pajisje bujqësore e vrarë e vjedhur më shumë se 200 bagëti. Në varrezat e masakrës së Krushës së Madhe ende ekzistojnë vendet e shënjuara për 64 të pagjetur, që rëndojnë zemrat e familjarëve.
Në një projekt të historisë gojore të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe Departamentit të Antropologjisë/UP, që po realizohet tani, po incizohen intervista me të mbijetuarit e masakrës së Krushës së Madhe, për ta dokumentuar në plotni kujtesën për masakrën, intervistë pas interviste, të mbijetuarit e masakrës, ata që kanë humbur më të dashurit e tyre, rrëfejnë për tmerrin që kanë parë e përjetuar. Rrëfejnë që të mos harrojmë kurrë se çfarë ka ndodhur në Krushë të Madhe e Kosovë, rrëfejnë edhe kundër fshehjes së krimeve nga ana e Serbisë, shpresojnë edhe për drejtësi për familjarët e tyre të masakruar. Tani më është e ditur se janë mbi 500 varre masive e qindra masakra mbi shqiptarët e Kosovës nga forcat serbe që kanë ndodhur gjatë luftës 1998-1999, dhe statistikat tregojnë se janë vrarë mbi 10 mijë, nga ta mbi 1.000 fëmijë. Janë përdhunuar rreth 20 mijë gra, janë dëbuar mbi 800 mijë, janë shkatërruar mbi 200 mijë shtëpi, me mijëra objekte të trashëgimisë kulturore. Ende janë mbi 1.600 të pagjetur.
Strategjia serbe e kryerjes së krimeve mbi shqiptarët e Kosovës ka qenë mjaft e planifikuar. Për t’i humbur gjurmët e krimit, kanë nxjerrë kufomat e të masakruarve nga Kosova dhe transportuar ato në vende specifike në Serbi. Vetëm në Batajnicë, afër Beogradit, janë fshehur më shumë se 700 civilë të masakruar shqiptarë të Kosovës, ku nuk është lejuar as pllakë komemorative për ta, por, përkundrazi, qe iniciuar ndërtimi i një kishe ortodokse dhe, për më tepër, njësia policore e cila në vitin 1999 kishte marrë pjesë në fshehjen e kufomave ka marrë dekoratë për “heroizmin” e saj.
Ka shumë pak studime mbi krimet serbe në Kosovë gjatë luftës së fundit. Ka një mori studimesh mbi intervenimin e shtetndërtimin në Kosovë, si nga ana juridike e politologjike, ashtu edhe në fushën e shkencave të tjera shoqërore. Por, ka pak studime që rrokin tema specifike si tema e krimeve serbe në Kosovës. Një prej librave të fundit që hap shtegun tutje në fushën e studimit mbi krimet serbe në Kosovë është “Fshehja e krimit: politikave serbe e mashtrimeve të mëdha në Kosovë”(ASHAK, Prishtinë, 2021) nga dr. Anton Vukpalaj, profesor i shkencave politike në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.
Vukpalaj është i specializuar në fushën e drejtësisë transicionale dhe ka botuar libra e ese studimorë në gjuhën frënge e angleze. Ky libër vjen në gjuhën shqipe, si një freski në interpretimin akademik të kontekstit politik, gjeostrategjik, juridik dhe diplomatik të luftës së Kosovës. Libri nis argumentin duke shqyrtuar ciklin e luftës së Kosovës, para, gjatë dhe pas, duke u fokusuar në kontekstin që ka nisur dhe ka përcjellë luftën e viteve 1998-1999. Duke iu referuar termave të së drejtës e marrëdhënieve ndërkombëtare, Vukpalaj sqaron edhe arsyet se pse quhet “konflikt” e jo “luftë”, por pa u ndalur në këto aspekte, të cilat, tekefundit, i takojnë terminologjisë specifike të gjuhës së konventave, duhet theksuar se pjesa e parë e librit bën pikërisht hyrjen në “ndërkombëtarizmin e konfliktit në Kosovë”. Aty jepen në hollësi strategjitë serbe për stigmatizimin e shqiptarëve si “terroristë”, pasivitetin ndërkombëtar dhe Tribunalin e Hagës, konfliktin e armatosur në Kosovë dhe emërtimin si konflikt i “llojit të tretë”, aktakuzat dhe transferimi i Milosheviqit në Hagë, e të tjera. Duhet theksuar se brenda këtij kapitulli analizohet me durim e konsistencë konteksti i hapjes së asaj që konsiderohet si konflikt. Në pjesën e dytë shqyrtohet procedimi i krimeve të kryera në Kosovë, para Tribunalit të Hagës, duke përfshirë aktakuzat, proceset gjyqësore dhe aktgjykimet. Vukpalaj këtu bën një punë të mirë të analizës së dokumenteve, transkripteve të rasteve gjyqësore, ku dalin në shesh të gjitha strategjitë e udhëheqësve të institucioneve serbë, që kishin organizuar fshehjen e krimit, njerëz. Këtu kemi komandantë ushtrie, shefa policie, agjentë të sigurimeve, shërbyes të ndryshëm të regjimit të Milosheviqit, të cilët kishin planifikuar, organizuar dhe fshehur krimet serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës. Në pjesën e tretë, libri vjen te një rast specifik i fshehjes së krimit, ai i Operacionit “Asanacija” në Kosovë, duke analizuar kontekstin e daljes në sipërfaqe të atij operacioni dhe mënyrën e realizimit të fshehjes së krimit sipas dokumenteve që analizohen. Aty analizohet dalja në sipërfaqe e kamionit-frigorifer të mbushur me kufoma shqiptarësh në Danub, të njohur si operacioni “Thellësia 2” [Dubina 2]. Në libër analizohet edhe konteksti i fshehjes, sidomos pasi që edhe gjenerali serb, Obrad Stevanoviq, që kishte theksuar se politika serbe duhet të ndjekë idenë se “s’ka kufoma – s’ka krime”, dhe, në këtë mënyrë, të fshehë të gjitha gjurmët e krimeve serbe në Kosovë. Kufomat e shqiptarëve të masakruar në Kosovë në vitin 1999, të fshehura në disa lokacione në Serbi, bëhen publike përmes mediave serbe në vitin 2001. Vukpalaj analizon gjithë ciklin e organizimit të fshehjes së krimit, prej kryerjes në Kosovë, deri te proceset gjyqësore, duke kaluar nëpër një mori evidencash të dokumentuara në burimet parësore juridike të institucioneve kredibile, të botuara tashmë edhe të gatshme në internet. Libri përfundon me këtë paragraf, që po e citojmë në plotni:
“Qëllimi i këtyre operacioneve kishte qenë i shumëfishtë. Së pari, ato ishin kryer për t’i demantuar hetuesit e Tribunalit të Hagës, të cilët kishin marrë informacion nga të mbijetuarit e këtyre krimeve dhe familjarët e viktimave se personat ishin vrarë dhe ishin varrosur në lokacione precize. Zhvarrosja e kufomave dhe fshehja e tyre kishte pasur për qëllim t’i demantonte pretendimet se krimet ishin kryer. Interesi i fshehjes së krimit ishte edhe në raport me negociatat përfundimtare të cilat duhej t’i jepnin fund konfliktit. Në Bosnje kishte qenë Dayton-i, kurse në Kosovë negociatat ishin në zhvillim e sipër për t’i dhënë fund luftës. Në të dyja këto raste, këto operacione ishin zhvilluar para se të shkohet në negociata. Qëllimi ishte që të mos dëmtohej pozicioni negociues i serbëve dhe fshehja duhej të parandalonte dobësimin e mëtejshëm të pozitës së tyre. Kryerja e këtyre operacioneve ishte bërë para se të shtriheshin misionet ndërkombëtare, sepse shtrirja e tyre do ta pamundësonte një gjë të tillë. Në rastin e Kosovës, regjimi serb kishte vendosur t’i fshihte kufomat në Serbi, sepse e dinte se trupat ndërkombëtare do të shtriheshin vetëm në Kosovë. Gjithashtu, zbulimi i varrezave masive në Kosovë, ku kishte pasur kufoma grash e fëmijësh, do ta diskreditonte pretendimin e regjimit serb se në Kosovë kishte luftuar ‘terrorizmin’. Në Srebrenicë, zbulimi i varrezave masive do të kishte shkuar kundër propagandës së serbëve të Bosnjës se masakrat e Srebrenicës kishin qenë rezultat i konfrontimeve ndërmjet vetë boshnjakëve. Një qëllim tjetër i fshehjes së krimit ishte edhe shpëtimi nga aktakuzat e Tribunalit të Hagës”.
Kur lexohet ky interpretim në kontekst të drejtësisë tranzicionale, dhe duke ditur se në Kosovë ende nuk ka drejtësi për familjarët e të masakruarve të pafajshëm, shihet rëndësia e vazhdimit të kërkimit të drejtësisë. Libri është edhe një argument akademik se kush është agresori e kush viktima në mjegullinën që vazhdimisht tenton ta bëjë Serbia.
Vukpalaj hulumton mijëra e mijëra faqe transkripte të proceseve gjyqësore e aktgjykimeve e kontekstit dokumentar juridik, ku temë është krimi serb në Kosovë. Po ashtu, si rastet gjyqësore, ashtu edhe operacionet vrastare, analizohen në krahasim me Bosnjën, por edhe në kontekst të rasteve të tjera ndërkombëtare. Pra, libri lexohet si një monografi mjaft e pasur e njohjes së kontekstit, që i ka paraprirë dhe e ka përcjellë krimin serb në Kosovë.

Libri na cyt për të studiuar tutje se si ka ardhur deri te hetimi apo dështimi i hetimit të masakrave të sapo kryera, siç është rasti i Louise Arbourit, kryeprokurore e Tribunalit të Hagës, e cila më 18 janar 1999, përmes kufirit me Maqedoninë tenton të hyjë në Kosovë, t’i bashkohet William Walkerit, për të hetuar masakrën e Reçakut, por që pengohet nga autoritetet serbe në kufi. Nuk kemi, me sa dihet, ndonjë intervistë ekskluzive, me Louise Arbourin, e cila ka pritur disa ditë në kufi për të hyrë në Kosovë, por as me personalitetet e tjera dëshmitare, që kanë shoqëruar grupet e KVM-së e organizatave të tjera që kanë qenë duke monitoruar gjendjen në Kosovë. Madje, kemi pak evidencë të tipit të historisë gojore me përkthyesit e punëtorët lokalë shqiptarë që kanë ndihmuar këto organizata në zbardhjen e këtyre krimeve. Kësisoj, libri na kujton se sa e rëndësishme është një punë e tillë.
Libri është një studim krahasues, që merr për bazë diskutimet e realizuara në fushën e drejtësisë transicionale, kur interpreton kontekstin e luftës së Kosovës, në përthyerje të diskutimeve mbi konceptet, teoritë, argumentet dhe rrymat e mendimit të kësaj fushe. Pra, nga ana teorike, libri duket të jetë një shprehje e denjë e kësaj fushe. Në fushën e studimeve të drejtësisë transicionale, shpesh lexojmë interpretime pa bërë analiza të thukëta si këto të Vukpalajt, që mjegullojnë kontekstin duke ndjekur logjikën e neutralitetit mes agresorit dhe viktimës, duke shpallur “të gjithë janë fajtorë”, në kohë konflikti e lufte. Ky libër është një referencë e fortë e argumentuar mirë, që shtron skenën e interpretimit se kush është agresori e kush viktima.
Një ndër qasjet që i mungon librit, por edhe interpretimit akademik mbi krimet serbe në Kosovë në përgjithësi, është evidenca empirike nga konteksti lokal. Si mbahen mend e dokumentohen krimet serbe nga ana lokale? A janë parë aktet e fshehjes së krimeve të forcave serbe? Si kuptohet drejtësia transicionale nga nënat e të pagjeturve, nga familjarët? Çfarë pamje del nga kujtesa atrocitare lokale? Këto janë disa pyetje, që po të orientonin një hulumtim empirik nga autori, do të mund ta pasuronin studimin edhe me një kaptinë shtesë, por që është me shumë rëndësi. Librit i mungon evidenca nga terreni, nga konteksti lokal, nga dëshmitarët e të mbijetuarit e masakrave e krimeve serbe në Kosovë, se çfarë kanë parë ata, si i kanë përjetuar operacionet e forcave serbe në lëkurën dhe sytë e tyre. Libri është shkruar nga desku, por dihet se “vizita në terren”, si metodë, si qasje e si akt, ka qenë esenciale për zbardhjen e krimeve të kryera nga forcat serbe. Do të mund të ishte e rëndësishme edhe për studimin mbi krimet.
“Fshehja e krimit” i profesorit Anton Vukpalaj vjen si kontribut i rëndësishëm në mendimin akademik shqiptar, si grishje për të gjithë studiuesit e tjerë, për dokumentimin, studimin e interpretimin objektiv të asaj periudhe të luftës në Kosovë (1998-1999).