Shtojca për Kulturë

Një histori gjithëpërfshirëse e shthurjes post-perandorake në Ballkan

Libri i jashtëzakonshëm “Ballkani në shekullin XX: Një histori post-perandorake” i Oliver Jens Schmittit, njërit nga historianët më të njohur dhe produktiv zviceran për historinë e shqiptarëve dhe të Ballkanit, e përshkruan Ballkanin e shekullit XX si histori gjithëpërfshirëse e shthurjes post-perandorake në Ballkan dhe njëkohësisht si rajonin ku takoheshin dy perandori, e Austro-Hungarisë në Perëndim dhe Osmane në Lindje, mbi gërmadhat dhe trashëgiminë e të cilave u krijuan shumë shtete nacionale

Historiani zviceran, Oliver Jens Schmitt, i cili jep mësim në Universitetin e Vjenës dhe konsiderohet si eksperti më i njohur për çështjen shqiptare dhe të historisë mesjetare të Ballkanit në hapësirën gjermanofone, ka publikuar së fundi librin “Ballkani në shekullin XX: Një histori post-perandorake”, të cilin nga gjermanishtja në shqip e solli shtëpia botuese “Artini” nga Prishtina. Kontributet e tij më të njohura janë: “Shqiptarët, një histori midis Lindjes dhe Perëndimit”, “Kosova, histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike”, “Arbëria Venedike”, “Skënderbeu” dhe libri për liderin fashist rumun “Kapitan Kodreanu”, si dhe kontribute të tjera shkencore që kanë të bëjnë me historinë e rajonit të Ballkanin gjatë periudhës së sundimit osman. Oliver Schmitt, i cili ndër shqiptarë bëri bujë të madhe sidomos me librin për Skënderbeun, është një historian që gjithmonë ngjall interesim me publikimet dhe oponencën e tij të vazhdueshme, për mungesën e diskursit kritik në historiografinë shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri. Është absolutisht e nevojshme të pajtohemi me autorin se interpretimet e së kaluarës në Ballkan mbesin vetëm si shtojca të historive të shteteve nacionale dhe si të tilla janë ende shumë të ngarkuara me emocione dhe i nënshtrohen kritikave të ashpra kushdo që nuk mban qartazi anë në njërën anë ose në tjetrën, ashtu siç ka ndodhur me studimet e shumë autorëve të njohur në Perëndim, me Ulf Brunnbauer kur shkruan për ngjarje historike të Bullgarisë, me Holm Sundhausen për librin e tij për historinë e Serbisë.

Libri i tij i fundit, siç e shpjegon edhe vetë Schmitt në hyrje, është një sintezë e historisë post-perandorake të Ballkanit në shekullin XX, e cila nuk merret me beteja të mëdha luftarake, por me trashëgiminë në shtetet nacionale, të cilat u krijuan në fillim dhe në mbarim të shekullit XX dhe të cilat me ngulm u angazhuan për zhbërjen e trashëgimisë perandorake. Në këtë kuptim, është një libër i veçantë për historinë post-perandorake të Ballkanit, si dhe një kontribut origjinal mbi epokën që erdhi pas perandorive.

Delegjitimimi i perandorive – strategji e shteteve nacionale

Libri i jashtëzakonshëm “Ballkani në shekullin XX: Një histori post-imperiale” i Oliver Jens Schmittt, njërit nga historianët më të njohur dhe produktiv zviceran për historinë e shqiptarëve dhe të Ballkanit, e përshkruan Ballkanin e shekullit XX si histori e shthurjes post-perandorake dhe njëkohësisht si rajonin ku takoheshin dy perandori, e Austro-Hungarisë në Perëndim dhe Osmane në Lindje, mbi gërmadhat dhe trashëgiminë e të cilave u krijuan shumë shtete nacionale. Sipas tij, në epokën e unioneve transnacionale u bë e qartë se delegjitimimi i perandorive ishte një nga strategjitë e shteteve nacionale, të cilat nga brenda bënë gjithçka për të zhdukur trashëgiminë e perandorive përmes asimilimit, shpërnguljes dhe shkatërrimit. Një shekull më pas, që nga shpërbërja e këtyre dy perandorive, megjithatë shtetet nacionale në Ballkan në shumë mënyra qëndrojnë ende në traditën e perandorive.

Nëpërmjet përdorimit të dimensionit post-perandorak si matricë për një histori të Ballkanit në epokën e shteteve nacionale moderne, autori mëton të hapë shtigje të reja, por jo gjithçka që përshkruhet në këtë libër mund të zbërthehet në post-perandorake. Autori mëton të përdorë dimensionin post-perandorak për të kapur perspektiva të pazakonta, për të vendosur në plan të parë hapësira dhe grupe të cilat janë margjinalizuar dhe anashkaluar me logjikën nacionale-shtetërore dhe nacionale-historike. Por, historia e Ballkanit këtu nuk paraqitet thjesht si një përmbledhje e historive kombëtare, por si një histori e gërshetimit brenda rajonal e shteteve kombëtare, si aktorë historikë dhe histori të dhunës. Duke bërë këtë, Schmitt mbështetet në pamjen e madhe dhe analizën e detajuar të strukturave, ndërsa historinë e ngjarjeve e përdor vetëm për kontekstualizim.

Image
Oliver Jens Schmitt, “Ballkani në shekullin XX: Një histori post-imperiale”, botoi “Artini”, Prishtinë, 2021

Historia e dhunës dhe trashëgimia që ende ekziston

Përmbajtja thelbësore e librit përfshin fenomene që përshkohen nga epoka e perandorive në epokën e re të shteteve nacionale dhe që vazhdojnë deri më sot. Në këtë kontekst, sipas autorit, trashëgimia perandorake pavarësisht se është përpjekur të groposet nga shtetet nacionale, ajo vazhdon të jetojë, është e larmishme dhe është bartur në gjenerata të tëra, ndonëse në formë të modifikuar. Duke qenë se strukturat komplekse etnike dhe fetare që kishin lënë pas perandoritë ishin në kundërshtim me përpjekjen për homogjenizim etnik, e gjithë historia post-perandorake e Ballkanit është në masë të madhe histori e dhunës. Në rrethanat e shtetit nacional grupet post-perandorake, të cilat ishin politikisht, ekonomikisht dhe socio-kulturalisht mbizotëruese para luftërave ballkanike 1912/13, përkatësisht deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, u margjinalizuan dhe u bënë objekt i politikave nacionale represive. Por, pavarësisht zhdukjes së rregullimit shtetëror perandorak, trashëgimia e tyre do të ekzistojë deri më sot në kujtesën e popujve të rajonit. Në këtë mes, më të goditur ishin shqiptarët, boshnjakët, turqit, hungarezët, gjermanët dhe hebrenjtë. Ky është argumenti qendror i këtij libri, i cili përpiqet të ofrojë një narracion se si shtetet nacionale në periudha të ndryshme kohore dhe sidomos gjatë luftërave, si dhe në sisteme të ndryshme komuniste synonin të arrinin si ekspansionin territorial, ashtu dhe homogjenizimin e shoqërive shumetnike dhe shumëfetare.

Përmes këtij libri kuptojmë se shtetet nacionale, shpesh duke vuajtur nga kompleksi i të qenët shtete të një rajoni periferik të Evropës ose fuqi të papërfillshme rajonale, kanë provuar të krijojnë aleanca brenda dhe përtej Evropës, me qëllim që të demonstrojnë një rol global. Megjithatë, edhe këtë libër njëkohësisht historia post-perandorake e Ballkanit është edhe histori e tëhollimit të trashëgimisë perandorake që u shënua me dy dekadat e luftërave 1912-1922 dhe 1939-1949, përmes të cilave Ballkani dallohet nga pjesët tjera të Evropës. Tek pas vitit 1945 narrativi post-perandorak bëhet i më zbehtë, pasi njerëzit dhe institucionet nga trashëgimia perandorake nuk ekzistonin më apo kishin rënë në harresë. Historia post-perandorake e rajonit të madh, krahasimi brenda rajonal dhe referencat te historia globale e Ballkanit për kohën komuniste, janë pikënisje të këtij libri. Ky dimension i fundit vjen në shprehje sidomos pas vitit 1945, kur shtetet e Ballkanit nga jashtë paraqiten si aktorë evropianë. Në këtë prizëm, autori nënvizon se shtetet nacionale paraqesin kategori të rëndësishme të interpretimit, por jo edhe kategoritë e vetme. Pyetja kryesore që në mënyrë të pashmangshme lind kur lexohet ky libër është nëse Schmitt ka arritur të zgjerojë pikëpamjen dhe të paraqesë një histori të integruar post-perandorake për Ballkanin e shekullit XX.

Shtetet e Ballkanit në ritëm të ngjashëm politik dhe socio-kulturor

Libri është i strukturuar në katër kapituj që mbulojnë Shqipërinë, Bullgarinë, Greqinë, Rumaninë, Jugosllavinë dhe në këtë kuadër edhe çështjen e Kosovës, Bosnjë e Hercegovinën, Kroacinë dhe Maqedoninë, të cilat në përmbyllje të shekullit u krijuan si shtete të pavarura. Ndërkaq, Hungaria nuk trajtohet brenda kontekstit historik ballkanik, për shkak të humbjeve të saj territoriale, por autori e trajton çështjen e hungarezëve të Transilvanisë në Rumani, në Vojvodinë (Jugosllavi) dhe të pakicës turke në Greqi dhe çështjen e kontesteve politike bullgaro-jugosllave rreth çështjes së Maqedonisë. Kapituj kronologjikisht paraprihen nga një hyrje analitike që trajton konceptin e shthurjes post-perandorake, si dhe problemet metodologjike dhe gjendjen e hulumtimit. Schmitt shpalos argumentin e tij qendror këtu, i cili kalon si vijë e kuqe nëpër kapituj, se historia post-perandorake e Ballkanit është edhe histori e shkëputjes nga trashëgimia perandorake, përmes të cilave shtetet nacionale provojnë të fuqizojnë identitetin e tyre etnik, politik dhe kulturor. Argumenti qendror i Oliver Schmittit në këtë libër është se gjatë shekullit XX Ballkani, që është pjesë e pandashme e historisë së Evropës, trasoi një rrugë të veçantë dhe me gjithë dallimet nacionale, shtetet e Ballkanit jetonin shpesh në ritëm të ngjashëm politik dhe socio-kulturor, si dhe në përpjekje të vazhdueshme për groposjen e trashëgimisë perandorake, sidomos në gjysmën e parë të shekullit XX, por e cila në përmbyllje të këtij shekull, u dëshmua e patejkalueshme plotësisht. Për dallim nga librat tradicionalë në Evropë që në lidhje me Ballkanin që kanë tendencë të mbitheksojnë problemet e natyrës fetare në vend të çështjeve sekulare, në këtë libër autori provon të ofrojë një narrativë historike që akoma nuk është studiuar mjaftueshëm në vendet perëndimore. Në kulmin e fuqisë së tyre, historia e shteteve të Ballkanike është në masë të madhe histori e dhunës dhe e përpjekjeve për nivelimin dhe homogjenizimin e shoqërive shumetnike dhe shumëfetare.

Libri fillon me shtetndërtimin në ish-zonat osmane, që kulmuan me konflikte dhe tronditje të dhunshme politike në rajon dhe me ndërhyrjen e parë të fuqive të mëdha evropiane përmes misioneve të tyre civile-ushtarake, si instrument i diplomacisë ad hoc evropiane për ruajtjen e status quo-së dhe stabilitetit rajonal. Ashtu si në fund të shekullit XX, operimi i bandave paramilitare që financoheshin nga Serbia, Greqia dhe Bullgaria dështoi bashkë me përpjekjet evropiane për stabilizimin e rajonit, i cili shpejt do të bëhej vatër e luftërave ballkanike dhe epiqendër e shpërthimit të Luftës së Parë Botërore. Kjo është periudha e parë nga viti 1912 deri në 1923, të cilën Schmitt e përshkruan si “dekada e parë e luftës”, ku trajtohen luftërat ballkanike 1912/13, Lufta e Parë Botërore 1914/18 dhe fundi i saj i gjatë pas nënshtrimit të traktateve në paralagjet e Parisit. Ajo vazhdoi si luftë qytetare ruse, si luftë revolucionare e Hungarisë me fqinjët, si luftë greko-turke dhe si luftë guerile në Kosovë kundër pushtimit serb. Lufta botërore çoi në zhdukjen e perandorive, në radhë të parë të asaj osmane, por edhe asaj ruse e austro-hungareze që kishin ndërhyrë aq shpesh në Ballkan përgjatë shekullit XX. Ishte ora e nacionalizmit të Klemanosit.

Kapitulli më kompleks i historisë së re të Ballkanit

Është ky kapitulli më kompleks i historisë së re të Ballkanit. Janë dekadat e luftërave brutale kur më 1912/13 shtetet ballkanike krijojnë një rregull të ri territorial përmes një koalicioni rajonal, prapa të cilit qëndronte Rusia, e cila me qëndrimin e saj destruktiv krijoi çështjen e Kosovës në Konferencën e Londrës, si dhe probleme të tjera rajonale. Tema qendrore e këtij kapitulli është shembja e perandorive në Ballkan, formimi dhe konsolidimi i shteteve kombëtare në periudhën ndërmjet dy luftërave. Kjo histori post-perandorake e shteteve ballkanike përshkruan karakteristikat e këtyre shteteve të reja kombëtare, të cilat përbëhen kryesisht nga rajone etnikisht shumë heterogjene me histori të ndryshme perandorake. Në përpjekjet për zgjerimin dhe konsolidimin e shteteve postimperiale, autori konstaton se zgjerimet më të mëdha territoriale pas Luftës së Parë Botërore ndodhën me Jugosllavinë, e cila u zgjerua me aneksimin Kosovën dhe të Maqedonisë, si dhe Rumania, duke e rikthyer brenda saj Transilvaninë hungareze, në të cilën u vendosën edhe gjermanët, hebrenjtë dhe romët. Zhvillimi i Kosovës në krahasim me pjesët e tjera të Mbretërisë jugosllave ishte shumë i ndryshëm për sa i përket infrastrukturës, arsimit dhe standardit të jetesës dhe për më tepër iu nënshtrua politikave dhe programeve shtetërore të dëbimit. Kështu çështja e Kosovës synohej të zgjidhej jo me anë të bashkekzistencës dhe integrimit, por duke krijuar rrethana për shpërnguljen e shqiptarëve dhe të banorëve të tjerë myslimanë në Shqipëri apo Turqi. Sfida relativisht të ngjashme përjetuan edhe hungarezët e Transilvanisë dhe turqit e Bullgarisë, të cilët shpeshherë u bënë objekt i dhunës brutale të shteteve nacionale

Autori me këtë libër synon të bëjë kapërcimin e kufijve nacionalë në trajtimin gjithëpërfshirës të historisë post-perandorake të rajonit, duke argumentuar se historia e Ballkanit nuk është thjesht një mbledhje e historive kombëtare, por një ndërhyrje dhe një simbiozë strukturore dhe kulturore. Në të njëjtën kohë është evidente, këndvështrimi i Schmittit lejon të nxirret një përfundim se administratat e ngritura të shteteve që u shfaqën në fillim të shekullit XX trashëgonin dallimet të mëdha burokratike dhe sistemore në ish-hapësirat perandorake austro-hungareze dhe osmane. Ndonëse kjo temë pothuajse nuk është hulumtuar deri më tani, shembulli i frenimit të zgjerimit të BE-së në Ballkan në kufijtë e dikurshëm austro-hungarez rishfaq tendencën e aktualizimit të konkurrencës ndërmjet trashëgimisë së dikurshme perandorake të Perëndimit dhe të Lindjes. Ndoshta, në këtë kontekst autori ka mundur të marrë në trajtim edhe rishfaqjen e intencave për një lloj neo-otomanizmi në Ballkanin Perëndimor, kryesisht si pasojë e frenimit të zgjerimit evropian. Meqë Fuqitë e Mëdha imponuan paqen e fituesit në Ballkan, vitet 1912-1923 ishin një dekadë e dhunës ekstreme, ku e pësuan kombet dhe pakicat më të pafuqishme në Ballkan, të cilat iu nënshtruan represionit të më egër të shteteve nacionale. Dhuna politike dhe spastrimi etnik nuk ishin aspak specifika vetëm për Ballkanin e shekullit XX, por modele që u përdorën edhe gjatë luftërave ruso-osmane në shekujt XXIII dhe XIX, kur ndodhi transferimi i popullatës osmane pas humbjes të territorit osman në brigjet veriore të Detit të Zi, në Ballkan dhe në Kaukaz, e që vazhdoi edhe me dëbimin e myslimanëve të principatës së Vllahisë dhe të shqiptarëve e popujve të tjerë myslimanë nga Pashallëku i Nishit më 1877-1879. Kjo praktikë e përdorimit të dhunës dhe spastrimit u vazhdua edhe në Bashkimin Sovjetik me popujt jorusë dhe në Gjermaninë naziste me hebrenjtë, si dhe në Perandorinë Osmane me armenët.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për Kulturë