Shtojca për Kulturë

Një gjysmëshekull kontributesh të folklorit dhe etnologjisë

Kjo bibliografi do të jetë një ndihmesë jo vetëm për ata stu­diues të cilët dëshirojnë të thellohen më shumë për studi­min e kulturës shqiptare, por edhe për një pjesë të le­xues­ve të cilët kanë pasion leximin dhe dëshirojnë të lexojnë tema të caktuara

Kjo bibliografi do të jetë një ndihmesë jo vetëm për ata stu­diues të cilët dëshirojnë të thellohen më shumë për studi­min e kulturës shqiptare, por edhe për një pjesë të le­xues­ve të cilët kanë pasion leximin dhe dëshirojnë të lexojnë tema të caktuara

Dalja në dritë bibliografisë “Folklor dhe etnologji në revistën ‘Gjurmime alba­nologjike’ – Bibliografi (1971-2023)”, e studiuesve dr. Angjelina Hamza-Hasanaj dhe dr. Valon Shkodra, do të jetë edhe një ndihmesë për studiuesit e etnologjisë dhe të folklorit, sepse në revistën tashmë tradicionale “Gjurmime albano­logjike – folklor dhe etnologji”, e botuar për më shumë se një gjysmë shekulli, nga studiuesit e Institutit Albanologjik të Prishtinës, trajtohen tema nga më të ndryshme të kulturës shqiptare. Kjo revistë, pas Luftës së Dytë Botërore, ishte ndër të parat që shkruhej për kulturën dhe traditën shqiptare dhe jo rastësisht gjatë rrugëtimit të kësaj reviste, ka pasur pengesa të vazhdueshme nga sis­temi serbo-jugosllav

“Folklor dhe etnologji në revistën ‘Gjurmime alba­nologjike’ – Bibliografi (1971-2023)”, e studiuesve dr. Angjelina Hamza-Hasanaj dhe dr. Valon Shkodra, është një punë e vyer e autorëve të cilët kanë punuar me muaj të tërë, deri në realizimin e këtij botimi me shumë interes për fushën e etnologjisë dhe të folklorit.

Kjo bibliografi, për studiuesit vendorë dhe të huaj, konkretisht për ata të cilët dëshirojnë ta njohin kulturën shqiptare në përgjithësi, është një ndihmesë e madhe, sepse përfshin të gjitha materialet e botuara të revistës “Gjurmime albanologjike – folklor dhe etnologji” (1971 – 2023). Në këtë bibliografi, autorët e sipërpër­me­ndur kanë përfshirë një periudhë pune plot 53 vjet të studiuesve të Institutit Albanologjik dhe studiuesve të tjerë anembanë trojeve shqiptare, e që misioni i tyre ishte të shpërfaqin studimet pikërisht për kulturën dhe traditën shqiptare.

Në fillim të bibliografisë e kemi parathënien nga autorët, që tregon në detaje për punën e autorëve të cilët janë marrë me studime bibliografike, si: Kadri Halimi, Nahire Surroi, Emine Fetahu-Abdixhiku, Daut Bislimi dhe Abdurrahim Maxhuni.

Autorët e këtij botimi “Folklor dhe etnologji në revistën ‘Gjurmime albanologjike’ – Bibliografi (1971-2023)”, me të drejtë kanë vepruar në bazë të kritereve të kërkuara, duke filluar nga renditja kronologjike, titulli i revistës, redaksia, kryeredaktori, lektori, redaktori teknik, korrektori, viti i botimit, madhësia - numri i tabakëve, tira­zhi, formati dhe shtypshkronja. Ndërsa, sa u përket puni­meve, ato janë vendosur ashtu siç janë të shënuara në revistë, duke u nisur nga: emri dhe mbiemri i autorit, titulli i librit dhe numri i faqeve të botimit.

Nga vëllimi bibliografik i përgatitur nga dr. Angjelina Hamza-Hasanaj dhe dr. Valon Shkodra, kup­tojmë faktin se në revistën “Gjurmime albanologjike – folklor dhe etnologji” (1971 – 2023), janë të për­fshira gjithsej 703 punime shkencore dhe 447 kritika dhe recensione të autorëve vendas dhe të huaj, bazuar në standardet më të përparuara të hartimit të bibliografive. Vlen për t’u theksuar fakti se në secilin numër të kësaj reviste, autorët nuk kanë hezituar që t’i vendosin edhe fak­similet e kopertinave me qëllimin e vetëm që kjo bibliografi të jetë sa më e kompletuar dhe asgjë të mos i mbetet rastësisë. Në anën tjetër, lexuesi mund t’i vërejë lehtë ndryshimet e dizajnit për kopertinat e revistës gjatë këtij rrugëtimi 53-vjeçar.

Dalja në dritë e kësaj bibliografie, do të jetë edhe një ndihmesë për studiuesit e etnologjisë dhe të folklorit, sepse në revistën tashmë tradicionale “Gjurmime albano­logjike – folklor dhe etnologji”, e botuar për më shumë se një gjysmëshekulli, nga studiuesit e Institutit Albanologjik të Prishtinës, trajtohen tema nga më të ndryshme të kulturës shqiptare. Kjo revistë, pas Luftës së Dytë Botërore, ishte ndër të parat që shkruhej për kulturën dhe traditën shqiptare dhe jo rastësisht gjatë rrugëtimit të kësaj reviste, ka pasur pengesa të vazhdueshme nga sis­temi serbo-jugosllav, por, fatmirësisht këto pengesa janë kaluar me shumë maturi nga studiuesit e Institutit Albano­logjik të Prishtinës.

Nga njohuritë tona të cilat i kemi për punimet studi­more të botuara në këtë revistë, mund të konstatojmë se është ruajtur karakteri i përgjithshëm i kësaj reviste. Kjo bibliografi do të jetë një ndihmesë jo vetëm për ata stu­diues të cilët dëshirojnë të thellohen më shumë për studi­min e kulturës shqiptare, por, edhe për një pjesë të le­xues­ve të cilët kanë pasion leximin dhe dëshirojnë të lexojnë tema të caktuara. Në këtë botim shkrimet e auto­rëve gjenden më lehtë dhe saktë.

Padyshim mund të themi se botimet e revistës “Gjur­mime albanologjike – folklor dhe etnologji”, do të mbetën vlerë e rëndësishme për brezat e kësaj periudhe dhe për brezat që do të vijnë pas. Kjo revistë do të pas­qyrojë lidhjet e studiuesve të albanologjisë kudo që ata gjenden në botë, po ashtu do të ketë hapësirë të vazh­dojë tutje për studimet dhe temat e reja. Në ketë fakt, do e ndërlidhim shprehjen popullore: “Se pa e njohur të kaluarën nuk mundemi ta njohim të ardhmen”, një e thënë e vërtetë kjo, e cila për t’u realizuar si çështje në praktikë, nevojitet të ketë një bashkëpunim të vazhdueshëm.

Në fund, për punën rreth kësaj bibliografie, për­gëzojmë etnologët Dr. Angjelina Hamza – Hasanaj dhe Dr. Valon Shkodra, bashkëpunëtorë shkencorë në De­gën e Etnologjisë të Institutit Albanologjik. Për gjithë përpjekjet që kanë bërë dhe përkushtimin e pashoq, meritojnë respekt dhe mirënjohjen e kolegëve studiues. Kurse revista “Gjurmime albanologjike – folklor dhe etnologji”, urojmë të vazhdojë rrugëtimin e saj në dekada e shekuj që do të vijnë, për fjalën, kulturën dhe traditën shqiptare si një ndërmarrje dhe si argument më shumë i emancipimit tonë kulturor të gjithmbarshëm.