Shtojca për Kulturë

“Një fije shprese, një fije shkrepëse” dokumenton edhe në gjermanisht tragjedinë e luftës në Kosovë

Romani që dokumenton tragjedinë e luftës së Kosovës, “Një fije shprese, një fije shkrepëse” i Ag Apollonit, së shpejti do të nisë rrugëtimin edhe për te lexuesi gjerman. Vepra e botuar para disa muajsh edhe në gjuhën holandeze e i promovuar në Hagë vetëm dy muaj më parë, do të vijë në gjermanisht prej përkthyeses së njohur të autorëve shqiptarë në gjermanisht, Zuzana Finger.

Romani i cili në gjermanisht ka marrë titullin “Ein Funke Hoffnung, ein zündender Funke” është botuar nga ‘Xanthippe’ me seli në Zürich dhe Münich. Autori ka bërë të ditur se libri do të dalë në librari së shpejti, ndërsa në qershor do të promovohet edhe në dy qendrat e kësaj shtëpie botuese: në Zürich dhe Münich.

Apolloni është shprehur i lumtur që vepra e tij është përkthyer në një gjuhë të madhe siç është gjermanishtja. Ndër të tjera, ka theksuar faktin që historia që shtjellon kjo vepër, e cila ka të bëjë me tragjedinë e luftës së fundit në Kosovë, duhet të dalë përtej kufijve të vendit.

“Një fije shprese, një fije shkrepëse” është përshkrim i një vizite të tre shokëve në shtëpinë e nënës Ferdonije, e cila gjatë luftës ka humbur katër djemtë dhe burrin. Siç përshkruhet prej botuesit në shqip “linja e parë e këtij romani është udhëpërshkrim dhe mbaron aty ku nis. Mirëpo, brenda saj gërshetohen edhe linja të tjera, që shpalosin histori të përndjekjes, shpërnguljes, dhunimit, vrasjeve, masakrave, pritjes dhe vetëvrasjes. Bashkë me historinë e Ferdonijes, rrëfehet edhe historia e nënës Pashkë, e cila pak ditë pasi iu kthyen mbetjet e dy djemve, bëri vetëvrasje”.

“Të botohesh në një gjuhë tjetër do të thotë ta zgjerosh rrethin e lexuesve, kurse të botohesh në një gjuhë të madhe do të thotë të të jepet një mundësi komunikimi me një publik masiv. Deri tash, unë e kam lexuar letërsinë gjermane, tash e tutje edhe ata mund të më lexojnë mua. Kjo është një histori nga tragjedia e luftës së Kosovës e cila duhet të njihet sa më shumë. Por, sigurisht që përveç historisë, mua më intereson të njihet edhe modeli im i shkrimit”, ka thënë Apolloni.

Shkrimtari e kritiku i letërsisë, Ag Apolloni, është shprehur optimist sa i përket rrugëtimit të veprës në botën gjermane. Sipas tij, është ngjyrimi dokumentues ai që do ta bëjë edhe më të pëlqyeshëm për gjermanofolësit.

“Kjo vepër i jepet lexuesit si një roman dokumentar, që do të thotë se të gjitha gjërat që thuhen aty janë fakte të provueshme. Në një kohë kur shkrimi dokumentar dominon mbi letërsinë e pastër fiksionale, ky roman pres të zgjojë interesim edhe në botën gjermane”, është shprehur ai.

Përkthimi veprës e cila në shqip ka njëqind e tridhjetë e shtatë faqe, i kushtoi Fingerit katër muaj kohë. Nisur nga përvoja që ka me përkthimin, Finger ka thënë se librat e niveleve të larta artistike, kërkojnë më shumë kohë e përkushtim.

“Përkthimi i veprave me nivel të lartë artistik gjithmonë kërkon aftësi kreative në gjuhën marrëse, por përfaqëson mundësinë e çmuar për zhvillimin të mëtejmë të përkthyesit. Dokuromanin ‘Një fije shprese, një fije shkrepëse’ e përktheva për katër muaj dhe mësova shumë gjëra të reja”, ka bërë të ditur Finger teksa ka shtuar se përshtypje të veçantë i ka lënë “lidhja poetike midis vuajtjeve të Niobës së Eskilit dhe grave të cilat kanë përjetuar vuajtjet e luftës së fundit në Kosovë”.

Duke u nisur nga përvoja e saj me lexuesin gjermanofolës dhe një sërë përkthimesh që ka bërë nga shqipja në gjermanisht, Finger beson se vepra do të kenë sukses në këtë rrugëtim të ri. Një faktor i rëndësishëm për këtë është mënyra se si Apolloni e ka shtjelluar temën duke e lidhur edhe më mitet e lashta greke.

“Mendoj se lexuesit gjerman fillimisht i duhet diçka e njohur, si për shembull forma e dokuromanit, për të gjetur qasje në një letërsi relativisht të re për të. Mendoj se Ag Apolloni ka zgjedhur mjete shumë të përshtatshme, për të tërhequr vëmendjen kah gratë si viktimat e harruara të luftës dhe heroina të heshtura. Jam e sigurt se libri do të këtë sukses te lexuesi gjermanofolës, meqenëse ka stil të përkryer dhe meqenëse në bazën të miteve të lashta, të cilat janë themele të përbashkëta të kulturës sonë evropiane, autori përkulet para grave dhe dinjitetit të tyre, që asnjë dhunë nuk mund t’ua heqë”, ka thënë Finger e cila ka përkthyer edhe autorë si: Stefan Çapaliku, Ben Blushi, Tom Kuka, Arben Idrizi, Arian Leka si dhe poezi të Blerina Rogova-Gaxhës, Ervin Halitlit, Halil Matoshit e të tjerë.

Sa i përket asaj çka trajton vepra, Finger thotë t’i ketë pëlqyer veçmas vëmendja që ky roman u ka dhënë grave dhe vuajtjeve të tyre. Sipas saj, romanet me temë luftën zakonisht fokusohet te burrat, dhe në këtë pike ky roman bën kthesë.

“’Një fije shprese, një fije shkrepëse’ m’i hapi sytë për dhimbjen e grave, dhimbje e cila vazhdojnë edhe në ditët e sotme. Shpresoj që romani do t’i bëjë shoqëritë tona më të ndjeshëm ndaj njëra-tjetrës dhe që askush të mos lihet vetëm në vuajtje. Veprat, të cilat shtjellojnë tematikën e luftës shpesh merren me rolin e heronjve meshkuj dhe më rrallë me pasojat e dhunës mbi gratë e paarmatosura dhe të pambrojtura. Ky roman tërheq vëmendjen te dhimbjet që kanë gratë për familjarët e humbur, të vrarë dhe të zhdukur”, ka vlerësuar Finger e cila ka më shumë se 10 vjet që, veprat e autorëve shqiptarë të përkthyera në gjermanisht, i boton nëpër revista si: “Akzente”, “außer.dem”, “Abëärts !”, “Feuerstuhl”, “Lichtungen”, “Ostragehege”, “Sinn und Form”, “Stadtgelichter”, “Wespennest” e të tjera

Për herë të parë në gjuhën gjermane, Ag Apolloni është botuar në revistën “Lichtungen”, në Graz, më 2011. Aty është botuar e plotë monodrama e tij “Koleksionisti i syve” përkthyer nga Andrea Grill. Tre vjet më vonë e njëjta vepër është botuar në Vjenë, nga shtëpia botuese “United p.c.”.

“Një fije shprese, një fije shkrepëse” është romani i parë i autorit në gjuhën gjermane. Për herë të parë ai ishte botuar në nëntor të vitit 2020, ndërsa që atëherë është ribotuar edhe katër herë të tjera. Nga Ministria e Kulturës, romani është shpërblyer me çmimin Romani më i mirë i vitit 2020.

Pos rrëfimit bazë, bazuar krejtësisht në materiale arkivore, në roman “vihet edhe një paralele mes Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Kosovës, përkatësisht mes kampeve të shfarosjes dhe kampeve të shpërnguljes.

“Ndërsa, në funksion të plotësimit të mozaikut të tragjedisë kosovare, rrëfehen edhe përvojat personale të tre shokëve, në raport me luftën. Ky dokuroman (roman dokumentar) flet për dhunën e regjimit serb, për dëbimet dhe djegiet, për spastrimin etnik, për intervenimin ushtarak të NATO-s, për personat e pagjetur, për një dorëshkrim të humbur dhe një tragjedi të gjetur, për peshën e pritjes dhe rëndësinë e shpresës”, është përshkrimi që i bëhet romanit i cili është vlerësuar edhe nga emra të njohur të kritikës si: Mieke Bal, Gerda Mulder, Rexhep Qosja, Visar Zhiti, Flutura Açka e të tjerë. Pas përkthimit në gjermanisht, në fillim të muajit maj, “Një fije shprese, një fije shkrepëse” pritet të dalë edhe në gjuhën angleze përkthyer nga Robert Wilton.