Shtojca për Kulturë

Një ditë artistike e Lumit në Tiranë

Një ditë artistike e Lumit në Tiranë

Thirrja “Unë dua të bëhem regjisor!” u dëgjua sërish më 17 dhjetor 2024, në ditëlindjen e Bekim Lumit, pikërisht në Universitetin e Arteve, në Tiranë, derisa në karriget ku ishte ulur tri dekada më herët ai, nana e tij merrte pjesë në takimin përkujtues për të, nën moton “Arti i lumit në Tiranë”

“Kosova dhe Shqipëria janë të lidhura me ura të shpirtit, një prej tyre është Bekim Lumi – Artisti dhe njeriu i pakompromis”. Kështu u përjetua manifestimi në nderim të regjisorit Bekim Lumi më 17 dhjetor në Tiranë, organizuar në një bashkëpunim të ndërsjellë ndërshtetëror

“Unë dua të bëhem regjisor!”. Këtë thirrje Bekim Lumi, shumë herë mund t’ia kishte thënë vetes me bindjen e patundshme, që të fillonte një rrugëtim të ri, në fillim të viteve 90-ta, posa kishte mbaruar studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe në Prishtinë. Mirëpo e para ishte nëna e tij zonja Nadire, që e kishte dëgjuar këtë thirrje sa të habitshme po aq diskrete të djalit të tij të vogël, në ditët të cilat vështirë mbijetoheshin! Para se të gëzohej që djali ia kishte mbaruar Fakultetin ajo po shqetësohej se si ai të fillonte të dytin. Por me kurajën e një nane të madhe, fshehtas nga ai, kishte huazuar paratë që ai të merrte udhën ilegalisht për në Tiranë që të bëhej regjisor i madh.

Kjo thirrje u dëgjua sërish më 17 dhjetor 2024, në ditëlindjen e Bekim Lumit, pikërisht në Universitetin e Arteve, në Tiranë, derisa në karriget ku ishte ulur tri dekada më herët ai, nana e tij merrte pjesë në takimin përkujtues për të, nën moton “Arti i lumit në Tiranë”.

“Isha duke pirë kafe me Roland Trebickën në Hotel Dajt, kur një djalosh nga Kosova më kërkonte për qëllim të regjistrimit në Akademi të arteve”. Me këto fjalë fillonte hapjen e takimit “Arti i Lumit në Tiranë”, dekani i Fakultetit të Arteve, Milto Kutali, duke sjellë kujtimin për njohjen e parë me Lumin. “’Unë dua të bëhem regjisor’, më tha troç”, vazhdoi rrëfimin Kutali, duke kujtuar vendosmërinë e Lumit. “Trebicka që shikonte me kureshtje më tha: ‘Duhet ta pranojmë, a e sheh qëndrimin e tij prej regjisori’”, vazhdoi Kutali, duke sjellë këto dromca bisede, që në atë kohë, po ngjiznin një fillim artistik të Lumit.

Më pas filloi të shpërfaqet bota krijuese e Lumit, të cilën na e ka lanë trashëgimi kulturore para mësimdhënësve, studentëve  dhe qytetarëve tiranas.

“Kosova dhe Shqipëria janë të lidhura me ura të shpirtit, një prej tyre është Bekim Lumi - Artisti dhe njeriu i pakompromis”, vazhdonte të udhëhiqte rrjedhën e takimit prof. Taulanda Jupi, ish-shoqe e studimeve. Kështu u përjetua manifestimi në nderim të regjisorit Bekim Lumi në Tiranë, i organizuar në një bashkëpunim të ndërsjellë ndërshtetëror.

Prej një ish-studenti, Lumi kthehej si autor e regjisor

Në mëngjesin e hershëm të këtij dhjetori, Tirana ishte zgjuar herët. Rrugët e saja vazhdonin të ishin të ngushta dhe të dendura me komunikacion. Dikush do të thoshte një dinamikë kaotike e një rritjeje vertikale të kryeqytetit, andaj në Ambasadën e Kosovës, në Tiranë më lehtë shkohej në këmbë sesa me automobil.

Ambasadori Skënder Durmishi, priste artistët kosovarë të cilët në mbrëmje do të shpalosnin artin bekimian para studentëve, publikut dhe ish-profesorëve të tij në Universitetin e Arteve. Librat e tij zunë vend në Ambasadë, derisa shpaloseshin kujtimet për angazhimin atdhetar të Lumit. “Pata mbetur i habitur kur në vitet ’90-ta, duhej të ishte ‘92 apo ’93 në Sallën e Kongreseve, e pashë tek e moderonte me kompetencë një manifestim kulturor, djaloshar, energjik dhe si një folës i mrekullueshëm”, kujtonte Durmishi njohjen e parë me Lumin. Nuk mungonin as batutat e rastit, për rastësinë e qëllimshme apo jo të fqinjësisë së Ambasadës së Serbisë me të Kosovës, në qendrën e Tiranës. Harruam të bënim fotografi duke pyetur për të kaluarën e ndërtesës së Ambasadës së Kosovës e cila dukej si një kopsht Kosove në zemrën e Tiranës.

“Është dhuratë e presidentit Berisha për Lirinë e Kosovës”, shprehej Durmishi, duke i përmendur disa histori të së kaluarës së godinës, derisa tash ishte pronë e Kosovës.

U fol shumë për shkëmbimet ndërkulturore Kosovë-Shqipëri dhe anasjelltas, andaj manifestimi “Arti i Lumit në Tiranë”, i mbështetur nga dy ambasadat tona dhe nga MKRS-ja dhe MJPD-ja, vlerësohej nga të gjithë.

Orët deri te fillimi i manifestimit rridhnin shpejt, përkundër përgatitjeve tona, detajet na dilnin pengesa si cungu në udhë. Disa folës të paraparë kishin ikur në Itali, disa rekuizita nuk ishin siguruar në Prishtinë, mediat dhe publiku nuk ishin njoftuar në masën e duhur karriget mungonin në Teatrin Kombëtar në Tiranë, për të krijuar një skenë kamertale. Në Tiranë duhej gjetur dy shpata të holla si ato të skermistëve. Dy musketerët e shfaqjes “John Cage’s Hamlet”, Bujar Ahmeti dhe Labinot Raci nuk luanin dot pa to, andaj shqetësimi po rritej por në momentin e fundit gjithçka ishte gati.

Ndërmjet folësve performuan me vjershat e Lumit edhe aktori Afrim Muçaj dhe grupi i recituesve të Fakultetit të Arteve Skenike, nën tingujt e kitarës

”Si nuk ka shpata në Shqipërinë e Skënderbeut”, hidhej batuta nga artistët kosovarë, pasi ato u siguruan.

Ekspozita “U artësofshi” qëndronte mbi penjtë si simbol të skenografisë së shfaqjeve të Lumit, e gatshme që të hapej për vizitorët, kurse edhe skenari për takimin përkujtimor po mbyllej ma në fund.

Në Sallën Lektorium, dekani Milto Kutali, ministrja Donika Gërvalla, zëvendësrektori Arian Paço, dramaturgu Arian Krasniqi do të theksonin me plot emocion, përkushtim dhe zbërthim analitik në shumë aspekte për figurën e tij aq multidisciplinare duke promovuar edhe librat e Lumit.

Në fjalët e tyre pohohej se “Bekim Lumi, i njohur për përkushtimin e tij të pakompromis ndaj artit dhe idealeve, e jetoi artin si një mision, duke reflektuar mbi historinë, dhimbjet dhe sfidat e kohës. Me ndjeshmërinë e tij të thellë ndaj realitetit të Kosovës, ai krijoi vepra transformuese që tejkaluan kufijtë kulturorë, duke ndërtuar ura bashkimi që mbeten simbol i trashëgimisë së tij të paharrueshme”.

Ministrja Donika Gërvalla, rrëfimin e kishte thurur mbi pesë pika, pesë ngjarje ku kishin ndarë së bashku me Bekim Lumin veprimtarinë e tyre sa demokratike po aq atdhetare në vitet e trazuara 89-99. Ajo kujtonte përkrahjen e studentëve të Unionit të Studentëve prishtinas, në përkrahje të demonstratave të studentëve tiranas kundër diktaturës enveriane.

”Kur mendonim se do të mbeteshim të izoluar erdhi përkrahja e shpallur nga Bekim Lumi, se studentët kosovarë ishin me ne”, theksonte Gërvalla, momentet kritike të rrëzimit të përmendores së Enver Hoxhës. Ajo përmendi se ishte Bekimi i cili filloi të organizojë debatet e para publike në Tiranë  dhe të ftojë personalitete kombëtare andej dhe këndej kufirit.

Ministrja e Punëve të Jashtme kujtoi me pietet edhe Protestën historike të shqiptarëve në Bonn, Gjermani, në vitin 1998, organizuar atëherë nga Dega e LDK-së në Gjermani.

“Më shumë se 100.000, shqiptarë ishin tubuar, kjo ishte protesta më e madhe e shtetasve të huaj në historinë e Gjermanisë. Paralelisht në të njëjtën ditë në Bonn ishte mbledhur grupi i kontaktit të G8-s për të diskutuar për Kosovën, kurdoherë që i kujtojmë këto ngjarje e kujtojmë kontributin e madh të Bekimit gjatë atyre ditëve si për organizmin, udhëheqjen ashtu edhe për mesazhet protestuese, artistike që përcillte ai”, pohonte ajo. Gërvalla potencoi edhe kontributin e Bekim Lumit edhe të tjerëve në Zyrën për informim të Kosovës, në atë kohë kur mbaheshin lidhjet me NATO-n gjatë bombardimeve dhe jepej informacioni shpesh vendimtar për fatin e njerëzve dhe forcave tona ushtarake.

Më pas u lexua edhe letra e ambasadorit shqiptar në Prishtinë, Petrit Malaj, ku theksoheshin veçoritë e Lumit si njeri, si atdhetar dhe si krijues nën prizmin e kohës kur një grup studentësh nga Kosova ia kishin mësyrë Tiranës për studime, që tash gjithashtu janë emra të kulturës sonë.

Dramaturgu Arian Krasniqi solli një shqyrtim kritik në të cilin kishte ndërlidhur në një qark punën e Lumit, prej shfaqjeve të tij, krijimtarisë studimore dhe poetike dhe pedagogjike dhe publicistike.

“Nuk ka ditë më të veçantë për të nderuar artistët, sesa dita e lindjes së tyre. Kjo është dita e kujtesës për të, testamenti krijues artistik i Bekim Lumit është i disallojshëm: shfaqje të jashtëzakonshme teatrore, poezi, shkrime e botime diskursive, e deri te këngët e tij. Për këtë dhe shumë arsye të tjera, jeta dhe vepra e këtij artisti nuk mund të përthekohet me vetëm një ngjarje përkujtimore.  Kujtesa për të dhe veprën e tij meriton të jetë e vazhdueshme, sepse ai me artin e tij foli gjithëkohshëm, edhe për brezat, që do të vijnë pas nesh”, pohonte Krasniqi. Më tej ai shtoi se “T’i bësh requiem regjisorit Bekim Lumi do të thotë se i ke bërë vlerësim krijuesit më të veçantë teatror në hapësirën shqiptare dhe jo vetëm. Regjisorit kërkues, avangard, ngulmues, detajist, të përkushtuar e gjakues i pakompromis në dhe për profesionin e tij. Rrallë mund të gjenden krijues si Bekim Lumi, që konceptin për artin performativ, pra teatrin, e kishte shndërruar në një bindje të pamohueshme dhe të pandryshueshme, se arti skenik teatror e kërkon para së gjithash lojën deri në perfeksion, të veçantën estetike dhe përjetimin emocional që të lidhë pashmangshëm me audiencën. Loja qe kryefjala në laboratorin e tij krijues”. Pasi hodhi një shikim kritik mbi librat “Shakespeare-i dhe Kanuni i Lekë Dukgjinit’, “Engjëlli blu”, ”Loja e Bekimit Lumit” si dhe për revistën teatrore “Loja”, Arian Krasniqi e mbylli shkrimin e tij përkushtues me fjalët: “’U artësofshi!’, është thirrja e kumbueshme e Lumit artist. Këtë thirrje, në formë klithjeje e urate, njëkohësisht, e ndiejmë edhe ne sot! Po, sepse është testamenti i Lumit qiellor. Bekim Lumi ishte dhe mbetet bekim për teatrin dhe kulturën shqiptare. Lum ai komb që ka bekim siç e patëm ne Bekimin tonë!”

Takimi po rridhte nën një moderim të ndjeshëm, ndërlidhës plot ndjenjë e respekt, të ish-shoqes së studimeve Taulanda Jupi, e cila potenconte se ”Bekimi ishte më shumë se një regjisor, dramaturg, poet dhe eseist. Ai ishte një urë mes dy brigjeve të një shpirti të përbashkët, që jetoi dhe punoi mes shpresës dhe sfidave të kohës. Teatri për të nuk ishte thjesht një skenë, por një mundësi për të reflektuar, për të sfiduar dhe për të ndryshuar botën. Si një bir i Kosovës Bekimi solli në Shqipëri fuqinë e artit që reflektonte mbi plagët e historisë, ndjeshmërinë ndaj së tashmes dhe vizionin për të ardhmen. Në teatrin e tij, gjithmonë ndihej një thirrje për bashkim, për të kuptuar njëri-tjetrin dhe për të ndarë dhimbjet dhe gëzimet që na bashkojnë si popull“.

Ndërmjet folësve performuan me vjershat e Lumit edhe aktori Afrim Muçaj dhe grupi i recituesve të Fakultetit të Arteve Skenike, nën tingujt e kitarës.

Vjersha “Of Nanë”, preku të pranishmit të cilët shpërthyen në sallë derisa recitatori nderonte nanën e Lumit, në Bibliotekën e Universitetit të Arteve, librat e Lumit e rikthyen emrin e tij prej një studenti tash në një autor, në një regjisor që do të shfletohen e shikohen nga gjeneratat. U dëshmua se arti nuk e duron dhe nuk e do harresën.

Në galerinë “Fab” me ekspozitën “U artësofshi” të kuratorit Mentor Berisha, fjalët shndërroheshin në pamjet e fotografive të dhjetë shfaqjeve të Lumit, ku shpërthente ekspresionizmi i pamjeve skenike duke reflektuar artin filigranesk të tij

Prej ekspozitës “U artësofshi” deri te Hamleti i Lumit

Pastaj në galerinë “Fab”, u hap ekspozita " U artësofshi" e kuratorit Mentor Berisha, në të cilën fjalët shndërroheshin në pamjet e fotografive të dhjetë shfaqjeve të Lumit, ku shpërthente ekspresionizmi i pamjeve skenike duke reflektuar artin filigranesk të Lumit. Krijohej hapësira paraftyruese e ekspozitës së Berishës, mbi lojën eksperimentuese të Lumit. Studentët merrnin librat, revistën “Loja”, katalogun dhe fletushkat e shfaqjeve. Ministrja Gërvalla nuk mund të pajtohej që nuk kishte arritur ta shihte asnjë nga shfaqjet e Lumit që artin skenik shqiptar e përfaqësuan anekënd Evropës. Ndërrimi i fotove të Lumit në video-instalimin që shfaqej në sfond, e krijonin përshtypjen se ai po na vëzhgonte. Nuk ishim të sigurt nëse e bënim punën si do të dëshironte ai. Profesoresha e filozofisë Irina nuk kishte parë më parë një ekspozitë të tillë. Duke e marrë katalogun e shfaqjes shprehej se sa kohë na duhet që të njihemi më shumë ndër veti. Kuratori Berisha sqaronte konceptin e ekspozitës duke shprehur kënaqësinë se ishte skenografi i shumë shfaqjeve të tij. E zbërthente edhe simbolikën e rekuizitave, kostumeve, ndjeshmërinë e Bekimit për dizajnin e fletushkave, të  posterëve të shfaqjeve.

“Më kërkonte t’i punoja nga pesë, shtatë sish, variante, që ai të përcaktohej për njërën, ishte një detajist i paparë, kishte një shije estetike prej artisti të rrallë”, u fliste Berisha vizitorëve.

Në mbrëmje, në “Art Turbina”, Hamleti i Shekspirit i pëshpëriste dilemat e tij nën moton e muzikës tunduese të John Cageit, në interpretimin kreativ të Bujar Ahmetit, Labinot Racit, tenorit Luan Durmishi dhe violinçelistit Adorel Haxhiaj. Shfaqja më eksperimentale e Lumit e punuar në Teatrin Laborator “Loja”, e formuar nga ai. Aty ku simbolika e heshtjes dhe e zhurmës përplasen ashpër, aty ku aktori këlthet e hesht artistikisht, aty ku vringëllima e shpatave  dëgjohet krahas ofshamës së shpirtit të aktorëve. Aty ku tenori shndërrohet në artist bashkë me instrumentistin... Të gjithë në dramën hamletiane jemi aktorë.  Aty ku lutja është hakmarrje për tradhtinë, aty ku emri nanë nxjerr dhembjen universale në të gjitha thirrjet e mundshme nanë, nonë, nënë, mama, mother, mutter e ma… etj!  Duartrokitjet nuk ndalen, aktorët përkulen para publikut. Përkulen para regjisorit Lumi që i përcolli, i solli deri te ky delirium i aktrimit.

Elsa Demo, gazetare dhe Elona Caslli ndanin përshtypjet artistike si për një shfaqje të rrallë. Elsa sillte çaste përjetimi nga shfaqja e lumit “Çifti Martin”, e cila ishte dhënë në Tiranë. Përpiqej e nxitej të bënte një emision dokumentar për Lumin.

Rikthimi në skenë i shfaqjes së tij “John Cage's Hamlet” përmbyllte rikthimin e Lumit në Tiranë.

Pikërisht aty ku kishte filluar rrjedhën e tij të artësimit.

Më 17 dhjetor Tirana ishte më e artësuar me Lumin e saj, me Lumin tonë!