Shtojca për Kulturë

Një artist i rrallë skulpture

Luan Mulliqi me veprat e tij do të mbetet pjesë e trashëgimisë dhe historisë së arteve pamore në vendin tonë. Le të shërbejë vepra e tij si frymëzim në rrugëtimin tonë të ardhshëm, për ne dhe për brezat që do të vijnë pas nesh. Do të na mungojnë iniciativat e guximshme bashkëkohore, për të cilat flisnim së bashku kohët e fundit

Lajm i hidhur për ndarjen e parakohshme nga jeta e artistit tonë të njohur, Luan Mulliqi. Edhe pse e kemi shumë të vështirë të pajtohemi me këtë fakt, ai do të mbetet i përjetshëm në kujtesën tonë. Një artist i rrallë skulpture që la gjurmë në historinë e arteve pamore në vend dhe më gjerë. Unë pata fatin ta njoh natyrën e tij rebele që prej vitit 2000, kur ishte drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës, një profesionist dhe një bashkëpunëtor i rrallë, ndaj jam me fat që pata mundësinë të bashkëpunoja me të profesionalisht.

Gjatë mandatit të tij dhjetëvjeçar si drejtor i Galerisë së Arteve të Kosovës pati rastin të organizonte qindra ekspozita të ndryshme me artistë vendorë dhe ndërkombëtarë. U vizituan nga qindra mijëra vizitorë, duke përfshirë këtu edhe shumë delegacione ndërkombëtare. Ndër këta vizitorë ishin të pranishëm personalitete të shquara nga jeta kulturore, por edhe nga ajo politike. Luani i përmblodhi në një monografi të titulluar “Kosova Fenix”, e detajuar me mjaft përkushtim për jetën kulturore dhe atë të institucionit gjatë viteve 2000-2005. Luan Mulliqi do të mbahet mend edhe si drejtor, i cili ka kontribuar për pasurimin e koleksionit të Galerisë Kombëtare me vepra të rëndësishme për trashëgiminë e arteve pamore të Kosovës ndër vite, ku koleksioni i Galerisë përmban vepra nga më të ndryshmet, prej atyre më të vjetrave, që datojnë prej viteve ‘60 të shekullit XX e deri te vitet e fundit të artistëve ndërkombëtarë, në mesin e të cilëve ka edhe emra shumë të njohur edhe nga historia e artit botëror. Nga ajo kohë janë bërë edhe dhjetëra ekspozita të koleksionit për vetëdijesimin e institucioneve përgjegjëse për rehabilitimin e kësaj trashëgimie. Në vitin 2001 ishte edhe iniciator për themelimin e Muzeut të Arteve Bashkëkohore në objektin e ish-Unionit, ku u protestua bashkë me stafin e Galerisë dhe shumë artdashës të asaj kohe për këtë objekt.

Luan Mulliqi në vitin 2003 me përkushtimin e tij më të madh punoi dhe përpiloi një strategji për kulturë, ku edhe iu propozua Ministrisë së Kulturës. Gjatë këtyre viteve Luan Mulliqi si drejtor ishte mjaft i hapur dhe i suksesshëm për bashkëpunimet me artistët e rinj me ekspozitat e asaj kohe, si ekspozita “NE” 2002, “JU” 2003, “Artistët e së nesërmes” etj., përderisa Luani njihet edhe si themelues i ekspozitave tradicionale në GKK me karakter ndërkombëtar, si: ekspozita ndërkombëtare e fotografisë “Gjon Mili”, çmimi “Muslim Mulliqi”, si dhe ajo e të rinjve “Artistët e së nesërmes”, të cilat ndër vite ndërkombëtarizuan artin vendor në nivelin e gjuhës bashkëkohore që bëhet sot në botë.

Me të gjitha këto projekte ne rrugëtuam bashkë me sukseset e tij, bashkëpunuam edhe më vonë deri në vdekjen e tij.

Image
Ekspozita tematike dhe mjaft e guximshme qe ajo e titulluar “Eros” e hapur më 2022, në Galerinë Nacionale të Maqedonisë së Veriut. E guximshme ashtu siҫ ishte vetë Luan Mulliqi

Pata rastin dhe fatin që të jem edhe kurator i ekspozitës së tij personale të fundit në Galerinë Nacionale të Maqedonisë së Veriut në vitin 2022. Ekspozitë tematike dhe mjaft e guximshme, e titulluar “Eros”, e guximshme ashtu siҫ ishte vetë Luani.

Arti erotik është një fushë e gjerë në artet pamore, duke përfshirë edhe skulpturën si vepër artistike, por edhe kulturën orale dhe të shkruar në përgjithësi. Erosi si temë, motiv a lajtmotiv shfaqet qysh në “Kangët kreshnike”, me një tis figurativ, sidomos te këngët popullore lirike folklorike, që njihen si këngët e dashurisë të të gjitha trevave. Po në mënyrë eksplicite shpërfaqet edhe te letërsia romantike, te De Rada (“Këngët e Milosaos”), më vonë te Çajupi e deri te moderniteti shqiptar, Kuteli e Migjeni, për t’u zgjeruar në letërsinë bashkëkohore në poezi, prozë dhe dramë.

Pra, tema erotike, provokative nga pikëpamja artistike, si dhe të guximshme nga ana profesionale, jo vetëm në një skulpturë, por në disa skulptura tematike, autori ishte i fokusuar në eksplorimin e erotikës dhe përfshin shumë skulptura me përshkrime të mashkullit dhe femrës në pozicione të ndryshme seksuale, interaktive në pozita të ndryshme.

Shumë artistë kanë bërë eksperimente dhe studime që e kthyen seksin në një disiplinë shkencore, duke kapërcyer paragjykimet dhe tabutë tradicionale. Kjo ekspozitë ishte në kohën ku tema të tilla rreth çështjes së edukatës seksuale mungojnë si lëndë në shkolla dhe, si pasojë, në mungesë të informacionit për edukatën seksuale, janë shtuar rastet e shtatzënive të padëshiruara nga të miturit, kryesisht nxënëse të shkollave të mesme. Prandaj jo rrallë, sociologë, psikologë dhe artistë ngrenë si temë çështjen e edukatës seksuale. Kjo bëhet emergjente në kushtet kur të rinjtë ballafaqohen me mosnjohjen (sa dhe si duhet) të menaxhimit të shëndetit të tyre riprodhues. Imazhe në infiltrimet e dukshme të individualitetit krijues përcaktojnë një koncept figurativ specifik në qëndrimin ndaj ngjarjeve, njerëzve, historisë dhe erotikës të vendosura së bashku në thellësinë e hapësirës së pafundme.

Me referenca të forta vizuale dhe fokus në aspektet prekëse të veprave të tij, Mulliqi sfidon perceptimin e shikuesit për erotizmin, prandaj kërkesa për një formë sa më mjeshtërore e shoqëron atë në tërë krijimtarinë e tij.

Skulptura është një mjet i paraqitjes së zhvendosjes progresive të sensibilitetit. Gjendja mendore dhe gjendja psikologjike shkrihen në një përfytyrim që vepron mbi fragmentimin e të dhënave pamore, ku rezultati është një arkitekturë e brendshme, e cila mbledh brenda vetes të gjitha veprimet dhe emocionet e përfshira në projektin e veprës.

Skulpturat e Luan Mulliqit eksplorojnë një sërë gjendjesh psikologjike dhe emocionale, dhe disa nga skulpturat e tij i kushtohen eksplorimit të fenomeneve seksuale. Këto skulptura shpesh do të ftojnë shikuesit të rimendojnë rolet konvencionale gjinore dhe marrëdhëniet seksuale njerëzore.

Në një mënyrë tjetër dhe të veçantë janë edhe skulpturat tematike dhe aktuale të fundit të tij, të cilat procedojnë në struktura gjysmëreale, ku figura mashkull-femër laton gjithҫka, duke na sugjeruar një dimension të gjetur monumental edhe në rastet kur veprat janë të dimensioneve të vogla. Këto skulptura nuk janë thjesht cilësia e materialit për të prezantuar një formë individuale, por vendi ku konservohet imazhi i një civilizimi që akoma po pritet, i cili shpeshherë zgjedh rrugën e artit për t’u identifikuar.

Komente nga personalitetet e shquara të artit dhe kulturës për krijimtarinë e Mulliqit

...Nëna Terezë” e Mulliqit ka një metaforë të rrallë, që duke mbirë nga toka dëshmon për autoktoninë e shenjtores sonë”, Ismail Kadare

...Në të dy brigjet e Drinit skulpturat e Mulliqit sollën freski në të konceptuarit e ideve dhe dëshmuan se në skulpturë ai sillte diçka të re, diçka të veçantë që ka munguar. Nuk është vetëm arti apo shqetësimet krijuese ndaj skulpturës që ‘ngacmonte’ deri në përsosjen e latimit. Nga krijimtaria e tij e vonshme do të veçoja skulpturat e tij monumentale”, Ali Podrimja

...’Kërcimi i artë’ i Luan Mulliqit, me trajtimin e papritur të sipërfaqes duket se përmbys marrëdhënien tradicionale të dy realiteteve: sipërfaqes epidemike dhe thellësisë. Thyerja e pazakontë e sipërfaqes së kësaj figure, ndërtimi dhe struktura e saj e kujtojnë llavën e ngrirë të një vullkani, së cilës, në vetëtimën e një çasti, një forcë e panjohur dhe e papërballueshme kësaj lënde biosemiotike i ka dhënë...”, prof. dr. Gëzim Qendro

...Me statujat ‘Luftëtari Kombëtar’, ‘Flamurtari’, ‘Çerçiz Topulli’, skulptori Odhise Paskali krijoi imazhin më të bukur te qyteteve shqiptare në fillimin e viteve ‘30. Në Korçë, në Vlorë dhe në Gjirokastër sheshet morën emrin e figurave që u gdhendën nga skulptori. Statujat u bënë simbole të qyteteve. Dikur Paskali u dha përjetësi heronjve me monumentet që ngriti nëpër Shqipëri. Tashmë figurat në bronz ruajnë përjetësisht emrin e skulptorit. Edhe Luan Mulliqi, i njohur nëpër ekspozita, galeri dhe muze të artit, me statujën Nënë Tereza në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, ka përjetësuar emrin e tij në një nga sheshet më të rëndësishëm të Shqipërisë. Pikërisht në vendin ku shqiptarët nisin fluturimin nëpër botë; aty ku të huajt prekin tokën shqiptare dhe mërgimtarët rikthehen në mëmëdhe, përballen gjithnjë me veprën dhe emrin e skulptorit. Ngjitjet dhe zbritjet pranë këtij monumenti, përkojnë edhe me mesazhin e figurës së skalitur në bronz. E ngritur direkt mbi tokën me bar, jo nga piedestali e ngurtë, statuja simbolizon autoktoninë, lartësimin njerëzor dhe hyjnor drejt qiellit”, prof. dr. Ferid Hudhri, historian arti

… Mulliqi, përveç përmbajtjes, rëndësi të posaçme i kushton edhe shprehjes skulpturale që e arrin me përdorimin e materialeve, të cilat për herë të parë i shohim në lëmin e skulpturës. Aplikimi i këtyre materialeve të teknologjisë më të re është specifike e veçantë te veprat e Mulliqit, i cili me mjeshtërinë e përdorimit të tyre na sjell risi në skulpturën bashkëkohore...”, Rosemarie Ampat, drejtoreshë e M.A. Galeries- N.Y

“...Është kënaqësi e posaçme të gjendesh në mesin e këtyre skulpturave të ekspozuara në shumë vende të botës, të cilat prekin ndërgjegjen njerëzore dhe thërrasin në ndihmë për ndaljen e një tragjedie të quajtur ‘Zjarr i Ballkanit’”, Robert Newirth, kritik arti në New York

...Në radhitjen historike skulptura e Mulliqit na vendos përballë dy impenjimet e tij thelbësore: së pari figurën e njeriut të rëndësishëm shqiptar dhe së dyti figurën e gruas. Te figurat e para ai është i kujdesshëm, i qetë, meditativ dhe i respektueshëm, me nderim dhe obligativ ndaj individit dhe kombit. Te figura e gruas ai është shpërthyes, marramendës, i dashuruar, emocional dhe shpirtëror. Në të dy rastet ai është i lidhur fuqimisht me ekspresivitetin dhe lëvizjen në pandalesë, duke na dhënë një bukuri origjinale paksa të ashpër, vluese dhe të zhveshur plotësisht nga melankolia, vaniteti, meskiniteti dhe formaliteti. Koncepti, mbi heroin e njohur dhe mbi gruan, lidhet me aktet e vazhdueshme të qëndrueshmërisë së një populli mbi tokën e vet, të vendosura nën presionin emocional të artistit ekspresiv, veti e Luan Mulliqit”, Suzana Varvarica Kuka, studiuese arti, GKA.

Image
Në një mënyrë tjetër dhe të veçantë janë edhe skulpturat tematike dhe aktuale të fundit të tij, të cilat procedojnë në struktura gjysmëreale, ku figura mashkull-femër laton gjithҫka, duke na sugjeruar një dimension të gjetur monumental edhe në rastet kur veprat janë të dimensioneve të vogla

Luan Mulliqi (1953 - 2023). Skulptor. Lindi në Gjakovë. Studimet për skulpturë i kreu në Akademinë e Arteve Figurative në Universitetin e Prishtinës (1977), ndërsa studimet pasuniversitare i kreu në Fakultetin e Arteve në Beograd (1979).

Që nga viti 1977 është anëtar i SHAFK-së, si dhe anëtar i SHA të Chicago SHBA (1990), ndërsa në vitin 1992 pranohet anëtar i “United American Artist” në New York të SHBA-së, si dhe anëtar i rregullt i “International Sculpture Center” në Washington (1994).

Ka marrë pjesë në shumë simpoziume të skulpturës me karakter ndërkombëtar, si dhe ka botuar shumë shkrime për skulpturën monumentale, si dhe dy monografi për artin pamor në Kosovë. Për jetën dhe krijimtarinë e tij të begatshme janë shkruar shumë artikuj në mediat e shkruara dhe ato digjitale, është prezent në shumë katalogë dhe monografi, ndër to edhe Monografia ekskluzive e shkruar nga prof. dr Johan Gunther, “Mulliqi a Great Sculpture”.

Ka realizuar shumë projekte skulpturale të artit publik në SHBA, Kosovë dhe Shqipëri. Për shumë vjet punoi si ligjërues në Universitetin e Tetovës dhe në Universitetin e Prishtinës. Për afro dhjetë vjet ishte drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës, ndërsa prej vitit 2012 pranohet si anëtar në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Ekspozitat personale:

1979 Galeria e Fakultetit të Arteve, Beograd

1992 Renata Gallery Chicago, SHBA

1994 Artecounter Gallery, Dallas

1995 Gallery Art 54, New York,

2008 Galeria e Arteve e Kosovës, Prishtinë

2012 Coco Gallery Vjenë, Austri

2014 Triada Gallery Timişoara, Rumani

2015 Muzeu Arkeologjik Kombëtar Paris (prezantim ekskluziv i skulpturës “Hyjnesha”)

2016 Galeria ASHAK, Prishtinë

2022 Galeria Nacionale e Republikës së Maqedonisë së Veriut

Ekspozitat kolektive me rëndësi:

1977 Gradski Muzeum, Dubrovnik (Kroaci)

1979 Galeria Kombëtare, Tiranë (Shqipëri)

1992 Gallery Becker, Amsterdam, (Holandë)

1993 Tayamara Sculpture Biennale, Hokaido (Japoni)

1994 Pietrasanta Plaza, Pietrasanta (Itali)

1995 Marble Institute Colorado (SHBA)

1997 Florida Art Center, Majami (SHBA)

2000 Galeria Kombetare-Tiranë (Shqipëri)

2003 Galeria ECKE, Augsburg (Gjermani)

2004 National Gallery of Modern Art, Mumbai (Indi)

2006 Galeria Nacionale Shkup (Maqedoni)

2007 Cite International des Arts, Paris (Francë)

Shpërblimet:

1978 Shpërblimi për skulpturë në Fakultetin e Arteve në Beograd

1979 “Mosha Pijade”, Prishtinë,

1981 “40 Vjet Revolucion”, Prishtinë

1983 Bienale e Vizatimit në Prishtinë

1985 “Salloni Pranveror”, Prishtinë

2000 Shpërblimi i Parë për “Shtatorja e Nënës Terezë”, Prishtinë

2004 Shpërblimi i Parë për “Skënderbeu, Strateg dhe Diplomat”, Prishtinë

2005 Shpërblimi i Parë për “Monumenti Nënë Tereza”, Tiranë

2006 Shpërblimi i Parë për “Shtatorja e Akademikut Fehmi Agani”, Prishtinë

2014 Shpërblimi i Parë për statueten Bekim Fehmiu, Ministria e Kulturës

2015 Shpërblimi për shtatoren Ismail Qemali, Prishtinë.

Veprat e tij gjenden në disa galeri e muze, ndërsa skulptura “Hyjnesha” është pranuar si koleksion i përhershëm në Muzeun Kombëtar të Francës.

Veprat e tij gjenden te shumë koleksionistë privatë dhe personalitete të njohura, siç janë: Papa Gjon Pali II, presidenti Clinton, Mbreti Hiroito, Mbretëresha Elizabeta II, Princesha Diana, znj. Madeleine Albright, presidenti George Bush, Papa Benedikti XVI, presidenti Demirel, presidenti Berisha, kryetari R. Formigoni e të tjerë.

Luan Mulliqi me veprat e tij do të mbetet pjesë e trashëgimisë dhe historisë së arteve pamore në vendin tonë. Le të shërbejë vepra e tij si frymëzim në rrugëtimin tonë të ardhshëm, për ne dhe për brezat që do të vijnë pas nesh. Do të na mungojnë iniciativat e guximshme bashkëkohore, për të cilat flisnim së bashku kohët e fundit. Referencat për Luanin janë të panumërta.