Shtojca për Kulturë

“Një aneksim i Shqipërisë në Austri”

Në përgjithësi, letërkëmbimet e Konicës me diplomatët e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë, ndriçojnë momente dhe aspekte të rëndësishme të përpjekjeve shqiptare për ndërgjegjësimin e popullit shqiptar si dhe vë në pah rolin dhe pozicionin e diplomacisë austro-hungareze për zgjidhjen hap pas hapi të çështjes shqiptare, e cila shihej si barrierë e zgjerimit territorial serb drejt Ballkanit jugor dhe përpjekjeve pansllaviste për daljen në Detin Adriatik. Po ashtu, del në pah se Vjena zyrtare distancohej nga çdo lëvizje kryengritëse e armatosur shqiptare, që nuk ishte e frymëzuar nga ajo, nga frika se një lëvizje e paplanifikuar mirë do të mund të shfrytëzohej nga shtetet fqinje dhe nga vetë shteti osman. Në të njëjtën kohë, zyrtarët e Vjenës potenconin dëshirën e Austro-Hungarisë që kombi shqiptar të jetë i fortë dhe i bashkuar, në mënyrë që të mund të ruajë rangun e tij në mesin e popujve të tjerë të Gadishullit Ballkanik dhe të mbrojë pozicionin e tij në brigjet e Detit Adriatik kundër gjithë tendencave ekspansioniste të shteteve fqinje sllavë. Në këtë kontekst, del në pah politika represive e Perandorisë Osmane ndaj shqiptarëve, e cila derisa me zemërgjerësi lejonte hapjen e shkollave greke dhe serbe në hapësirën shqiptare, ndaj kultivimit të gjuhës, librit dhe shkollave shqipe mbante një qëndrim tejet armiqësor. Ky qëndrim represiv i shtetit osman duke qartë se ka dy premisa: e para, pengimin e çfarëdo përpjekjeje për ndërgjegjësimin kombëtar të shqiptarëve dhe vazhdimin e trajtimit të tyre në kuadrin e miletit osman vetëm si popullatë myslimane. Dhe e dyta, qëllimi për ruajtjen e status quo-së në hapësirën ballkanike, duke penguar me çdo mjet çdo tendencë për krijimin e një shteti autonom apo të pavarur shqiptar.

Rivaliteti midis italianëve dhe austro-hungarezëve

Në këtë linjë, korrespodenca e Konicës me zyrtarët e Vjenës ofron detaje të rëndësishme edhe për rivalitetin ndërmjet italianëve dhe austro-hungarezëve për shtrirjen e ndikimit të tyre në Shqipëri. Dokumentet e proveniencës austro-hungareze në formë bindëse konfirmojnë se Faik Bej Konica tregohej mjaft i kënaqur me angazhimin dhe pozicionin e Austro-Hungarisë karshi çështjes shqiptare dhe njëkohësisht ai na shfaqet një kundërshtar i madh edhe tendencave të Italisë për zgjerimin e propagandës së saj në Shqipëri, e që natyrshëm se pëlqehej mjaft nga bashkëbiseduesit e tij në Vjenë. Në këtë pikë na shfaqet konkurrenca ndërmjet dy shteteve evropiane, të cilat vazhdonin garën për kontrollimin e bregut lindor të Adriatikut dhe në këtë kontekst figura të rëndësishme si Konica ishin me rëndësi si për Romën ashtu edhe për Vjenën, por beu shqiptar në përpjekjet e tij për të ardhmen e vendit të tij, e quante detyrë patriotike të punonte kundër tendencave italiane.

Në anën tjetër, del në pah po ashtu synimi i Vjenës zyrtare për ndërgjegjësimin kombëtar dhe kulturor shqiptar, me qëllim që në një fazë të caktuar, kur do të bëhej e pashmangshme ruajtja e pjesës evropiane të shtetit osman, të mbështetej ideja për krijimin e një shteti autonom shqiptar, i cili do t’u shërbente edhe austro-hungarezëve si një barrierë ndaj ekspansionit territorial serb dhe kundërpeshë të ndikimit rus në Ballkan. Në këtë kuadër, shqiptarët dhe Shqipëria shikoheshin si një faktor i rëndësishëm në prag të shpërbërjes së Perandorisë Osmane. Ky orientim i Austro-Hungarisë, si duket edhe nga përmbajtja e letrave të Konicës dhe të Baron von Zwiedenik, konsistonte për një veprim të matur e të koordinuar të shqiptarëve, duke shmangur veprimet e parakohshme nga të cilat do të mund të përfitonte ndonjë shtet tjetër ballkanik apo evropian dhe që do të mund të dëmtonte relacionet ndërmjet Vjenës dhe Stambollit. Nga kjo korrespodencë arrijmë të kuptojmë se Konica pajtohej me rekomandimin e Vjenës se mjeti kryesor për realizimin e objektivave kombëtare, duhej të bëhej bashkimi i të gjitha forcave rreth një qendre për të mundësuar një aksion të përbashkët.

Korrespondenca e Konicës me Vjenën zyrtare nxjerr në pah gjithashtu problemet dhe dallimet konceptuale që ekzistonin ndërmjet personaliteteve të botës shqiptare, shkrimtarë, studiues gazetarë dhe politikanë, të cilat shpesh përbejnë një shqetësim edhe për Vjenën zyrtare, e cila ishte e interesuar fort për ndërtimin e një kohezioni brenda elitës intelektuale dhe politike shqiptare të kohës. Në këtë kuadër, me shumë interes janë informacionet për angazhimin e patriotëve shqiptarë brenda hapësirës shqiptare, në diasporë dhe në Konstandinopojë për hapjen e shkollave shqipe dhe për përhapjen e shtypit dhe librave shqip, të cilat ishin të ndaluar nga autoritetet e shtetit perandorak osman. Në këtë korrespondencë na shfaqen emra të rëndësishëm të elitës politike shqiptare, por edhe të zyrtarëve austro-hungarezë, të cilët ishin të përfshirë në zhvillimet e kohës për dhe rreth çështjes shqiptare.

Në këtë linjë, Konica besonte se puna e tij me revistën “Albania” do të mund të jepte rezultate në dy drejtime: letrar dhe politik. Në drejtim letrar synohej frymëzimi i shumicës së popullit shqiptar për ngritjen e kërkesës për unifikimin e gjuhës shqipe. Dhe në drejtimin politik, duke ushtruar ndikimin tek drejtuesit e lëvizjes kombëtare shqiptare, duke krijuar një rrymë të fuqishme kundër helenizmit dhe kundër përpjekjeve për centralizim nga osmanët. Përballë propagandës italiane për bashkimin e Shqipërisë me Italinë, Konica mendonte nëse nuk do të ishte e mundshme një autonomi politike e shqiptarëve brenda shtetit osman, atëherë do të ishte e dëshirueshme një administratë autonome në kuadrin e Austro-Hungarisë, pasi në këtë mënyrë, mendonte se shqiptarët do të zhvilloheshin më shpejt nga pikëpamja kombëtare, ekonomike dhe intelektuale. Në këtë kontekst, është interesant dhe përmendet një komunikim mes Konicës dhe Naim Frashërit, lidhur me ndikimin austro-hungarez në Shqipëri dhe për propagandat e huaja kundër ndikimit. Tre vjet më parë, Naim Bej Frashëri më shkroi: “Ajo që më së lumturi mund të ndodhë për kombësinë shqiptare është një aneksim i Shqipërisë në Austri, por i Shqipërisë në tërësi”, i shkruan Konica Baron von Zwiedinekut, duke shtuar se njëjtë si Frashëri mendojnë shumë personalitete të tjera shqiptare dhe kjo ndjejnë austrofile e kishte ngushtuar mundësinë për propagandë të vendeve të tjera.

Nga korrespodenca ndërmjet Konicës dhe zyrtarëve të Vjenës, që në shumë aspekte ishte e karakterit të lartë diplomatike, mësojmë edhe për ndalesën e Ismail Qemalit në Bruksel gjatë rrugës së tij për në Londër. Për këtë ndalesë dhe takimin e tij me Ismail Qemalin, të cilin sa e vlerëson të sjellshëm dhe inteligjent, ai e informon në detaje Vjenën zyrtare. Megjithëse ai na lë të kuptojmë se e kishte mirëpritur qëllimin e Ismail Qemalit që të përfshihej në mënyrë aktive në lëvizjen shqiptare, Konica vinte në pah se ishte e vështirë të depërtoje në synimet e tij të vërteta. Në fakt, Ismail Qemali ishte një politikan me eksperiencë, i cili për 40 vjet kishte punuar në administratën e qeverisë osmane, dhe i kuptonte mirë maniret e pushtetit. “Ismail Beu miraton plotësisht programin e Partisë Kombëtare Shqiptare, që të merret për momentin vetëm me propagandë gjuhësore, të kërkojë shkolla dhe të kufizohet në pikat e tjera për të kërkuar një riorganizim të plotë të kushteve ekonomike të vendit”, i shkruan Konica në letrën dërguar Baron von Zwiedinek. (f. 500). Por, shumë shpejt mes këtyre dy personaliteteve të njohura shqiptare lindën mosmarrëveshje, për shkak të dallimeve në pikëpamje, si dhe, siç pohon Konica, për shkak të lidhjeve të Ismail Qemailit me njerëz të pallatit mbretëror të Sulltanit dhe princin Nikolla të Greqisë, si dhe për shkak të dallimeve për çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe. Nga dokumentet e botuara këtu është evident se për dallim nga Konica, Ismail Qemali dëshironte të mbante një qëndrim më fleksibil dhe pragmatik ndaj italianëve, grekëve dhe vende të tjera dhe për rezervat që shfaqet ai ndaj politikës austro-hungareze në Ballkan.

Lartësia dhe pragmatizmi i Konicës lidhur me planet e tij të shpërfaqur dhe në një letër dërguar në adresë të Baron von Zwiedinek në nëntor 1897, ku ai thekson se shqetësimet e tij duhet konsideruar nga një këndvështrim i trefishtë: e para, zhvillimi i ndjenjës kombëtare shqiptare me qëllim që t’i bëjë gjithë shqiptarët plotësisht të vetëdijshëm për ndryshimet e tyre radikale me turqit. E dyta, që revista e botuar në toskërisht e në gegërisht dhe në frëngjisht do të duhej të publikonte kronika, histori, poezi patriotike, këngë popullore, çështje ekonomike, shënime politike në formë artikujsh-lajmesh, në mënyrë që të mos zgjonte mosbesimin e Portës. Në këtë kuadër, si instrument të nevojshëm për realizimin e objektivave politike, Konica e shihte themelimin e një shoqërie të përgjithshme (“Rilindja shqiptare”), e cila do të mund të kontribuonte në vendosjen e marrëdhënieve të rregullta dhe të vazhdueshme me të gjithë shqiptarët që mund të ushtronin ndonjë ndikim në drejtimin e duhur tek autoritetet e shtetit osman për lejimin e hapjes së shkollave në gjuhën shqipe në Shqipëri. E treta, si pengesë serioze që lipsej tejkaluar ishte mosbesim tradicional dhe në rritje i Portës së Lartë ndaj çdo organizimi politik të shqiptarëve, duke këshilluar se duhej ndjekur “një politikë e zgjuar, që të besojnë se është lëvizje paqësore, thjesht intelektuale dhe pa qëllime politike. (Vëll. I. f. 38-40).

Siç përmendëm më lart, në këto korrespondenca edhe aktivitetet e personaliteteve të tjera të botës shqiptare, siç ishte edhe rasti i Sami Bej Frashërit, i cili së bashku me vëllanë e tij Naimin kishin shkruar dhe botuar një mori librash në gjuhën shqipe dhe nga autoritetet osmane shihej si udhëheqës i lëvizjes shqiptare. Në letrën e dt. 1 janar 1898, Konica e vinte në dijeni Baron von Zwiedinek se Sami Frashëri ishte thirrur dhe pyetur në Yildis-Kiosk (rezidenca e Sulltanit) nga Sekretari i Përgjithshëm i Sulltanit lidhur me librat shqip të botuara në Bukuresht dhe të nënshkruara me inicialet N.H.F. Megjithëse Samiu e kishte mohuar se qëndronte prapa këtyre librave, ai do të deklaronte se “nëse shqiptarët kërkonin shkolla, mund të jetë vetëm për të ndaluar progresin e sllavizmit dhe helenizmit”. Por, meqë Konica nuk kishte besim se autoritetet osmane do të lejonin edhe më tej hapjen e shkollave shqipe, ai angazhohej të krijohej një klimë e favorshme në mesin e shqiptarëve për shkollat shqipe, në mënyrë që ato të hapeshin me pëlqimin e fisnikëve dhe parisë të vendit. Në të njëjtën kohë, Konica përpiqej të shfrytëzonte edhe lidhjet e tij brenda pallatit perandorak të Sulltanit, siç ishte rasti i Tahir Pashës, kreut të Gardës Perandorake Shqiptare, i cili gëzonte besimin e Sulltanit, për ta bindur personalisht Sulltanin që të autorizonte hapjen e shkollave shqipe. Njëkohësisht me çështjen e shkollave dhe publikimin e revistave dhe librave, si instrument absolut të nevojshëm për ndërtimin e kohezionit ndërmjet toskëve dhe gegëve e shihte vendosjen e një alfabetit përfundimtar shqip, sepse në mungesë të një alfabeti unik do të bëhej e pavlefshme çdo propagandë për mësimin e gjuhës kombëtare dhe shtypja e librave në një numër më të madh (f. 132). Në të njëjtën kohë, Vjena zyrtare e inkurajonte Konicën për patriotizmin e tij dhe zellin vetëmohues për emancipimin e popullit shqiptar dhe në këtë kontekst i shprehte keqardhjen për qëndrimin e Madhërisë (Sulltanit) jofavorizues “për zhvillimin e gjuhës shqipe dhe për rrjedhojë” që revista “Albania” nuk mund të hynte lirshëm në territorin e Perandorisë Osmane (f. 388). Sidoqoftë ndikimi i revistës “Albania” brenda dy vjetëve kishte dhënë rezultate dhe për këtë Konica plot entuziazëm i shkruante Baron von Zwiedinek se në mesin e shqiptarëve librat dhe gazetat shqiptare lexohen nga dora në dorë, edhe pse marrësi i revistës vazhdimisht kërcënohej me burg nga autoritetet osmane.

Ideja e kongresit të albanologëve

Në këtë kohë, çështja e përpilimit të alfabetit të gjuhës shqipe dhe problemi i gjuhës letrare ishin një preokupim i vazhdueshëm i botuesit të revistës “Albania”, të cilën Konica e konsideronte si armë të fuqishme në luftën për pavarësi dhe emancipim të përgjithshëm kombëtar. Në këtë kuadër, Konica i propozonte Vjenës idenë e organizimit të një kongresi të albanologëve për ta diskutuar çështjen e alfabetit shqip. Siç mësohet nga një letër përgjigje e Baron von Zwiedinek, e dt. 8 qershor 1898 mësohet se Vjena e konsideronte “shumë të vështirë idenë e mbledhjes së një kongresi të albanologëve”, ndërsa e quante të parakohshme të diskutohej publikisht çështja e alfabetit dhe i kërkohej Konicës që të përdorej alfabeti që i përdoret për shtypjen e revistës “Albania” dhe që në ndërkohë të punohej për dallimet që ekzistonin brenda elitës intelektuale shqiptare. Jo vetëm në këtë çështje, por Vjena zyrtare e këshillonte Konicën dhe udhëheqës të tjerë shqiptarë se në “përpjekjet për të përmirësuar gjendjen e shqiptarëve në Perandorinë Osmane nuk duhet të marrin kurrë karakter revolucionar dhe të dhunshëm. Njëkohësisht me këtë, nga ky letërkëmbim del qartë se Vjena në mënyrë të vazhdueshme, pavarësisht çfarë raportonte Konica, tregonte kujdes të madh lidhur me pritjet e revistës në zonën e aksionit të Austro-Hungarisë. Në këtë linjë, konsujve të saj u jepeshin orientime që të informonin për çdo gjë që ndodhë, cili ishte reagimi i lexuesit shqiptar ndaj revistës nga Brukseli si dhe të evidentohej çdo reagim negativ lidhur me përmbajtjen e revistës. Në këtë kuadër, Vjena e kishte marrë me shqetësim edhe një informacion nga Prizreni të konsullit austro-hungarez Rappaport, i cili, në përgjigje të kërkesës për informacione nga qendra, shkruante se revista “Albania” ishte krejtësisht e panjohur në zonën e tij konsullore dhe se vetëm një person kishte dijeni për revistën. Njëherësh del në pah se edhe popullata shqiptare myslimane e kësaj treve nuk tregonte edhe aq shumë dëshirë për të kultivuar e zhvilluar gjuhën shqipe, për shkak të fanatizmit fetar dhe prapambetjes së gjatë ekonomike si dhe mungesës së elitës intelektuale.

Por, pavarësisht kësaj situate zhgënjyese, ky konsull vlerëson se duhet të vazhdohet të punohet për zgjimin e ndjenjës kombëtare në mesin e shqiptarëve, pasi kjo do t’u jepte në të ardhmen një themel të qëndrueshëm dhe rezistencë për superioritet. Rappaport, i cili prej pesë vjetësh po punonte për zhvillimin e gjuhës dhe kulturës shqipe, mendonte po ashtu se pjesa më e madhe e shqiptarëve në Vilajetin e Kosovës do të sllavizohen ose turqizohen me kalimin e kohës, nëse nuk kërkojnë zhvillimin tregtar dhe kulturor.

Sipas kësaj korrespodence intensive, mësojmë qartë se redaktori i revistës ”Albania” si pengesë serioze, për përballje me një ndërmarrje të tillë, e konsideronte mosbesimin e thellë të trashëguar prej vitesh dhe në rritje ndaj qeverisë osmane. Në optikën e rekomandimeve të Vjenës, Beu shqiptar provon t’u shmanget kritikave të ashpra përkundrejt qeverisë osmane me qëllim që përmes një politike të zhdërvjellët të krijohej përshtypja se bëhej fjalë për një lëvizje paqësore dhe intelektuale e pa objektiva politike. Redaktori i revistës “Albania” tregohet i kujdesshëm ndaj sugjerimeve të Vjenës, dhe ku ndonjëherë rastësisht i shpëton ndonjë detaj që e shqetësonte Vjenën, tregohej i gatshëm ta korrigjonte, gjë pëlqehej nga subvencionuesi i tij në Vjenë. Por, meqenëse Vjena ishte e interesuar që të mos bëheshin të njohura marrëdhëniet e saj me revistën “Albania”, me qëllim që të mos rrezikohej suksesi i revistës përballë lexuesve të shumtë.

Rreziku nga propaganda fetare

Një pengesë tjetër të rëndësishme Konica i shihte propagandat e shteteve të ndryshme, si dhe vetë komunitetin shqiptar jashtë, si në Itali dhe në Bukuresht, të cilët punonin për interesa të qeverive të ndryshme. Konica në bashkëbisedimet me Baron von Zwiedinek nënvizon se i gjithë aksioni duhet të dominohet nga nevoja e bashkimit të të gjithë shqiptarëve rreth të njëjtit objektiv dhe se të gjitha energjitë duhej drejtuar për hapjen e shkollave shqipe, të botimit dhe të shpërndarjes së revistave dhe librave shqip. Por, pikërisht problemi i shkollave kombëtare, një çështje tjetër ku përpiqej të bënin diversion vendet fqinje sllave të përkrahu edhe nga Rusia, ishte propaganda fetare, përmes së cilës provohej të instalohej konkurrenca ndërmjet shqiptarëve myslimanë, katolikë dhe ortodoksë. Rrezikun nga sllavizmi, siç del kjo korrespondencë, e kishin ngritur edhe shqiptarët e fisit Berishë nga Gjakova, të cilët qysh me 1879 kishin dërguar dy përfaqësues të tyre në Vjenë për të kërkuar ndihmën e autoriteteve austro-hungareze nga kërcënimi dhe “progresi i vazhdueshëm i sllavizmit në Shqipëri”.

Në vëllimin e parë kanë vlerë të madhe edhe shënimet e tij të titulluara: “Kujtime lidhur me lëvizjen kombëtare shqiptare”, të cilat kapin një hark kohor 1897-1899 dhe evidentojnë këndvështrimet e Konicës lidhur sfidat e lëvizjes kombëtare shqiptare përballë pushteti perandorak të Kostandinopojës, si dhe Patrikanës Greke, e cila kërkonte mundësi për ta çrrënjosur gjuhën shqipe. Nga ky letërkëmbim i këtij vëllimi mësojmë për letërkëmbimin e Konicës me shumë shqiptarë të njohur të kohës, të cilët llogaritej se mund të ndikoheshin në drejtimin e dëshiruar për kultivimin e ndjenjës kombëtare. Në këtë linjë, del në pah kontributi i shumë figurave kombëtare që nga Naum Veqilharxhi e deri te Sami Frashëri, natyrisht duke evidentuar edhe kontributin e shumë shoqërive dhe shoqatave kulturore shqiptare në Sofje, Bukuresht, Bruksel dhe Egjipt dhe vende të tjera. Në pjesën e 5-të dhe të fundit përmbajnë një listë alfabetike të të gjithë shqiptarëve që, drejtpërdrejt ose indirekt, për ose kundër, ishin të përfshirë në lëvizjen shqiptare.

Dokumentet e përfshira në këtë vëllim, të panjohura për lexuesin shqiptar, që tani i publikon historiani Selver Islamaj, kanë vlerë të madhe për studimin e historisë së popullit shqiptar, rolin dhe pozicionin e politikës austro-hungareze ndaj çështjes shqiptare, si dhe kanë vlerë të madhe për historinë, për kulturën dhe në përgjithësi për albanologjinë. Kjo korrespodencë shumë e pasur pasqyron veprimtarinë e gjerë kulturore, letrare, publicistike dhe diplomatike të Faik Konicës, si dhe përshkruan rrugëtimin e vështirë të revistës “Albania”, e cila na shfaqet më tepër sesa një revistë e rëndomtë letrare. Në këto materiale gjithsesi gjejmë edhe shumë dëshmi të cilat ndriçojnë shpërfaqjen e dallimeve të para në mes Konicës dhe zyrtarëve austro-hungarezë në Vjenë, të cilët shpeshherë nuk hezitojnë të shpërfaqin vërejtjet e tyre për përmbajtjen dhe karakterin e revistës. Andaj, botimi i dokumenteve origjinale në këtë vëllim, gjithsesi paraqet një kontribut të rëndësishëm historiografik sepse jep mundësi për ndriçimin sa më gjithëpërfshirës të së kaluarës së kombit tonë dhe gjithsesi edhe të qartësimit të mëtutjeshëm të pozicionit dhe rolit të Austro-Hungarisë në kultivimin e gjuhës shqipe dhe të botimit të revistës “Albania” si një instrument i rëndësishëm për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare shqiptare dhe për përhapjen e ndikimit të saj në hapësirën shqiptare. Pa dyshim, ky kontribut i dedikohet miqësisë së gjatë ndërmjet Vjenës zyrtare dhe botuesit të revistës “Albania”, Faik Konicës, evropianit më të madh shqiptar dhe personalitetit erudit dhe më të shquar të letërsisë dhe kulturës shqiptare në gjysmën e parë të shekullit XX.

 

(Vijon në numrin e ardhshëm të shtojcës)