“Nëpërmjet Vushtrrisë u nisa drejt Prishtinës. Vushtrria është qytezë e njëjtë me Mitrovicën, por bën pjesë në Vilajetin e Kosovës. Një orë afër Prishtinës, janë dy fshatra të çerkezëve ardhacakë, njëri në të djathtë e tjetri në të majtë të rrugës. Janë gjithsej 6000 shpirtra. Kur Rusia e pushtoi atdheun e tyre, shumë prej çerkezëve u shpërngulën në Turqi dhe këtyre iu ka rënë në hise të vendosen këtu në afërsi të Tyrbes së Sulltan Muratit. Ata u rehatuan këtu, pasi pushteti turk iu ngriti shtëpi të reja....”, shkruante kroati Martin Gjurgjeviq (1845 – 1913) që u punësua në Zyrën Osmane të Ndërlidhjes në Prishtinë në vitet 1869 – 1870
Pamje paksa më të plotë të Prishtinës por edhe imazhe nga përditshmëria prishtinase, pas dhjetë vjetëve jo të plota nga qëndrimi i Johan Georg von Hahnit, na ka afruar kroati Martin Gjurgjeviq (1845 – 1913) që falë njohjes së gjuhës gjermane dhe italiane, por edhe të Sheriatit u punësua në Zyrën Osmane të Ndërlidhjes. Këtë funksion Gjurgjeviqi e ushtroi edhe në Prishtinë në vitet 1869 – 1870.
“Nga Sarajeva deri në Prishtinë m’u desh të kalëroja 60 orë, apo nga 5 – 6 orë në ditë, prandaj rrugëtimi zgjati plot dhjetë ditë. Mund të udhëtohej edhe me kalorësin e postës, por ai paguhej një grosh e gjysmë në orë. Posta bartej nga ana e tatarëve, ndërsa kuajt ndërroheshin në stacione (menzilhane) në çdo 5 – 6 orë. Më në fund e vendosa të udhëtoja me postën. Në majin e vitit 1869 e mora me qira një kal për ta kalëruar dhe një për të m’i bartur gjësendet e mia”, ka shkruar Gjurgjeviq para se ta merrte rrugën drejt Prishtinës. Më tej ai ka sqaruar se ishte nisur me shpërndarësit e postës që ishte një grup njerëzish dhe 25 kuajve.
“Prijësi i rrugës ishte një tatar, katër zapti – kalorës, 14 ngasës të kuajve dhe 15 kuaj që bartnin letra, para dhe paketa tjera. Tatari shkonte para nesh si vetëtima, duke i hedhur hapat e mëdhenj, ndërsa ngasësit (suruxhinjtë) e kuajve, shumica romë, bërtisnin si të trentë dhe pamëshirshëm iu binin kuajve me kamxhikët e tyre të gjatë dhe kuajt e mjerë nuk e ndalonin vrapin për asnjë çast të vetëm. Të nesërmen mbërrimë në Nova Varosh, afër kufirit serb. Nova Varoshi është një vend i bukur tregtar dhe përveç tjerash, këtu pashë shtëpi të bukura. Të nesërmen isha te kajmekami, që sipas zakonit duhej të m’i rehatonte kuajt. Kajmekami ishte një shqiptar i ri, të cilin më herët e kisha takuar shpeshherë te valiu në Sarajevë. Duke tymosur cigare dhe rrufitur kafe, te kajmekami e pashë diçka të dhimbshme. Në prezencën time kajmekami e zgjodhi një ngatërresë dhe mua fare nuk më pëlqeu mënyra e zgjedhjes. Një berber ia kishte marrë një gruaje të ve vajzën e re që i kishte vetëm 8 vjet! Vejusha e kishte denoncuar berberin te kajmekami dhe e kërkonte të bijën t’i kthehej prapa. Kështu, të gjithë së bashku erdhën te kajmekami. Berberi e kishte veshur vogëlushen me fustan të bukur dhe ia kishte mbuluar qafën e hollë të saj me dukate. Vejusha e kërkonte të bijën prapa, ndërsa berberi nuk e lejonte. Më në fund, kajmekami e pyeti vogëlushen se ku dëshironte të shkonte: te nëna apo berberi. Vogëlushja tha se kishte dëshirë të shkonte te berberi, kështu që edhe kajmekami gjykoi që ajo do të shkonte aty ku e shprehu dëshirën! Gruaja e ve filloi të qajë e të bërtasë, ndërsa kajmekami i urdhëroi zaptitë që ta përzënë gruan. Zaptitë e kapën gruan e shkretë dhe e tërhoqën zvarrë shkallëve. E pyeta kajmekamin ‘a thua me të vërtetë duhet të jetë kështu?’ Kajmekami mu përgjigj ‘Po kur e bija nuk dëshiron të shkojë tek e ëma, unë nuk mund ta detyroj që ajo ta bëjë këtë me dhunë’. Më pas e pyeta prapë kajmekamin: ‘Pse zaptitë e zbritën ashtu shkallëve vejushën?’ Ai m’u përgjigj: ‘Po kur ajo nuk largohet me dëshirë, atëherë duhet detyruar’. Pas këtyre fjalëve e mora kalin dhe u nis drejt Sjenicës, duke menduar tërë ditën për ngjarjen e pakëndshme dëshmitarë i së cilës ishte vetë unë”.
Vendosja e çerkezëve në Kosovë
Gjurgjeviq kishte vazhduar rrugën, por pa e bërë ndonjë përshkrim të detajuar të vendeve deri sa kishte arritur në Vushtrri. “Nëpërmjet Vushtrrisë u nisa drejt Prishtinës. Vushtrria është qytezë e njëjtë me Mitrovicën, por bën pjesë në Vilajetin e Kosovës. Një orë afër Prishtinës, janë dy fshatra të çerkezëve ardhacakë, njëri në të djathtë e tjetri në të majtë të rrugës. Janë gjithsej 6000 shpirtra. Kur Rusia e pushtoi atdheun e tyre, shumë prej çerkezëve u shpërngulën në Turqi dhe këtyre u ka rënë në hise të vendosen këtu në afërsi të Tyrbes së Sulltan Muratit. Ata u rehatuan këtu, pasi pushteti turk iu ngriti shtëpi të reja, më pastaj në secilin fshat ua ngriti edhe nga një xhami por jo vetëm kaq, pasi më në fund pushteti turk ua dhuroi çerkezëve edhe nga një copë tokë. Çerkezët i ruajtën zakonet, veshjen e bukur popullore dhe gjuhën e tyre. Ata janë myslimanë, por të një zakoni tjetër! Kështu deri kohë më parë ata nuk bëheshin synet, prandaj vetë pushteti i detyroi që ta praktikonin synetimin. Popullata vendore i urren çerkezët, sepse ata janë hajdutë, por edhe për shkak se e hanë mishin e kalit. Gratë çerkeze nuk mbulohen dhe e bartin njëfarë mbulese të kokës, që i përngjet kapelave cilindrike që i bartin gratë evropiane. Si gratë, si burrat kanë shtat të bukur. Shtëpitë çerkeze janë të reja dhe të pastra. Unë më vonë do t’u kthehem prapë çerkezëve, kur do të flas për tregtinë me robër. Pasi arrita shumë vonë dhe nuk munda të lakoja te Tyrbja e Sulltan Muratit, vizitën e lashë për ndonjë ditë tjetër. Pas dhjetë ditëve të udhëtimit të mundimshëm, dy orë pas perëndimit të diellit, nën shkëlqimin e hënës, u lëshova brigjeve të Prishtinës, gjithnjë në përcjellje të pronarit të kuajve dhe të një çaushi zapti”, shkruan ai.

Prishtina e dhjetë mijë banorëve dhe tyrbetari nga Buhara
“Në Prishtinë, të nesërmen iu paraqita Themistokli Armarasit, një greku të mirë të Stambollit dhe zotërinjve të tjerë, nëpunës. Kajmekami, një mustajbeg i lumtur më pyeti se çfarë përshtypje më kishte lënë Prishtina në shikim të parë. Para të gjithëve iu përgjigja se kam arritur këtu nën dritën e hënës dhe nuk kam mundur të shoh shumë, por përshtypjen e parë qyteti i Prishtinës ma ka lënë sikur të ishte ndonjëfare nekropole e madhe, me një xhami të madhe mu në mes. Të gjitha shtëpitë ishin të rrethuara me mure, askund nuk shihet asnjë dritare dhe gjithçka është rregulluar sipas zakonit që të mos shiheshin haremet. Unë u vendosa në shtëpinë e familjes Aramasi. Armasi kalimthi ishte njëfarë mjeku dhe i kishte dhomat e shtëpisë përplot me ilaçe. Tek ai hahej dhe pihej mirë, gjithçka brenda ishte e rregulluar me mobile lindore. Përveç dy bijve, në shtëpi e kishte dhe mixhën kurrë të martuar, që tashmë i kishte mbushur plot 96 vjet. Ky plak i lexonte gazetat në greqisht (efermeide) pa syze. Me mua luante lojën më të dashur të tij ‘Piqet’ dhe nganjëherë dilnim në gjah së bashku. Gjuanim harabela, sorra dhe laraska. Plaku nuk mund të qëndronte në këmbë dhe atëherë kur ndalonim të pushonim ai gjithnjë ulej. Një ditë u habitëm, kur rrogëtarja, Kata një rome e re, u ankua se zotëria plak e kishte puthur atë me qykë të zorit! Ndërsa ne do të thoshim se në këtë botë nuk ka asgjë pa romane! Prishtina i ka 10 000 banorë. Sokakët prishtinas janë të gjerë, por janë plot me baltë. Kalldrëmi apo trotuaret janë të gjerë vetëm 45 centimetra, kështu që mbi to mund të kalonte vetëm një njeri, dhe nëse do të takoheshin dy veta njëri do të duhej të mbështetej për muri apo të shkelte në baltë. Prishtina i ka rreth 6000 myslimanë, 1000 pravosllavë lindorë, 1500 romë myslimanë dhe 1500 romë të krishterë. Romët myslimanë në shumicë janë muzikantë dhe valltarë. Banorë katolikë nuk ka përveçse dhjetë tregtarëve që janë të ardhur këtu. Në Prishtinë grumbullohet malli i shumëllojshëm dhe në sasi të mëdha thuajse prej të gjitha anëve të Gadishullit Ballkanik. Kur u rehatova mirë, nisa të dilja rregullisht në gjah. Shëtitjen e parë e bëra drejt Tyrbes së Sulltan Muratit në Fushë të Kosovës. Në shoqëri i pata dy nëpunës, dy turq. Për tyrben kujdesej Osman efendia, një mongol i fuqishëm tetëdhjetëvjeçar me origjinë nga Buhara. Ai i kishte mustaqet e gjata deri te brezi. Ky dervish ishte i njerëzishëm dhe kjo u dëshmua nga pritja e përzemërt në haremin e tij ku ai na i përgatiti një drekë të mirë. Edhe ne të gjithë ishim në uniforma turke, prandaj tyrbetari na pyeti se kush prej nesh ishte mysliman e kush i krishterë. Unë i thashë se isha i krishterë. Atëherë ai i hapi dy ormanë, në njërin kishte verë dhe raki, ndërsa në tjetrin ëmbëlsira, kafe, sheqer dhe sherbet, prandaj mua ma bëri me gisht nga ormani që kishte raki e verë, ndërsa turqve ua drejtoi gishtin nga ai tjetri. Nuk u durova pa e pyetur se ‘si ishte e lejuar që në një vend të shenjtë të mbaheshin pije alkoolike?’ Ai më tha se në Fushë të Kosovës i ruan rreth 10.000 myslimanë, por edhe të krishterët, që kanë vdekur këtu, më pastaj këtë vend e vizitojnë të dyja fetë, pra secili të vdekurit e vet, andaj pavarësisht besimeve, ai duhet t’i gostisë të gjithë vizitorët. Kjo mikpritje secilit prej nesh na kushtoi nga një mexhidi të bardhë (4 korona). Tyrbetari e kishte banesën jashtë mureve që e rrethonin oborrin e tyrbes. Tyrbja ndodhet në mes të oborrit, ndërsa në oborr është ‘mbjellë’ një gur i madh i rrumbullakët i tëri i mbishkruar, pra në fakt ai ishte guri i varrit. Këtu është varrosur njëri prej pashallarëve që është vrarë në Kosovë bashkë me Sulltan Muratin. Tyrbja është ngritur si xhami, pa kube dhe minare, është e mbuluar me plumb dhe është shumë e gjerë. Në brendi është e mbuluar me qilima të shtrenjtë, ndërsa në mes është varri i Sulltan Muratit. Në krye të varrit është vendosur turbani i madh i sulltanit, ndërsa vetë varri është i mbuluar me cohë ngjyrë jeshile dhe me bajrakun e kuq prej mëndafshi, që është stolisur me shkronja të arta. Rreth e përqark mureve ka tabela të shkruara me këto mbishkrime të pejgamberëve të shenjtë: ‘Allahu ekber, Allahu ekber, La ilahe ilallah\ që do të thonë Allahu është një, nuk ka Zot tjetër pos Allahut. Pas tyre vijnë emrat e pejgamberëve të shenjtë; Muhamed, Ali, Omer, Ibrahim, Abu Bakër, Abu Talib etj. Kur u ngopëm dhe u dehëm mirë, dervishi Osman efendia, në lutjen tonë u ngrit në verandë (divanhane) dhe sipas rrëfimeve që i kishte dëgjuar nisi të shpjegojë: ‘Shihni këtë fushë se sa është e gjatë dhe e gjerë. Në këtë fushë është zhvilluar beteja. Shihni ata dy lisa të vetmuar në mes të fushës, te lumi i Sitnicës. Ata lisa janë të vjetër më shumë se 500 vjet. Nën ata lisa ka qenë e vendosur çadra dhe kuzhina e Sulltan Muratit. Turqit dhe serbët luftuan tërë ditën dhe të parët nga fushëbeteja ia mbathën turqit, sepse u mposhtën keq. Vetë Sulltan Murati u vra në njëfarë tradhtie, kështu që serbët u turrën drejt çadrës dhe kuzhinës me qëllim që të plaçkitin enët dhe pajisjet tjera të shtrenjta. Enë e mobile kishte me bollëk, gjithçka ishte prej bakri, argjendi dhe ari, por në çadrën e sulltanit kishte me bollëk edhe gurë të çmueshëm. Por, duke e plaçkitur thesarin e sulltanit, serbët u rrahën keq dhe nisën të vriteshin mes vete, ndërsa turqit nuk ishin larguar edhe aq larg dhe kur i panë se çfarë po bënin serbët mes vete u kthyen, i vranë të gjithë dhe prapë e morën thesarin. Njëkohësisht në betejë u kthye edhe pjesa tjetër e ushtrisë turke e cila e bëri copë-copë ushtrinë serbe”, ka transmetuar Gjurgjeviq, por megjithatë, ai mbeti i bindur se rrëfimi i tyrbetarit ishte vetëm një trillim!
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojës për kulturë
LEXO EDHE: