Kur Angela Merkel u zgjodh për herë të parë, George W. Bush ende ishte në Shtëpinë e Bardhë, e Tony Blairi ende drejtonte Britaninë e Madhe. Blairi, njëri prej prijësve të fushatës bombarduese të NATO-s kundër Jugosllavisë, Bushi, njëri prej mbështetësve më të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës, Angela Merkel, mbrojtësja më e madhe në Perëndim e kufijve në Ballkan. Edhe atëherë kur dukej sheshazi se kishte pajtim ndërmjet ish-presidentit Hashim Thaçi e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për ndryshimin e hartave
Angela Merkeli është kancelare e Gjermanisë dhe lidere jozyrtare e Evropës për gjashtëmbëdhjetë vjet me radhë.
Kur ajo u zgjodh për herë të parë, George W. Bush ende ishte në Shtëpinë e Bardhë e Tony Blairi ende drejtonte Britaninë e Madhe. Blairi, njëri prej prijësve të fushatës bombarduese të NATO-s kundër Jugosllavisë. Bushi, njëri prej mbështetësve më të mëdhenj të Pavarësisë së Kosovës. Angela Merkel, mbrojtësja më e madhe në Perëndim e kufijve në Ballkan – edhe atëherë kur dukej sheshazi se kishte pajtim ndërmjet ish-presidentit Hashim Thaçi e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për ndryshimin e hartave.
Sot gjermanët do të votojnë për pasuesen e “Nënës”, sikurse shumëkush i referohet kancelares Merkel, pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh në krye të ekonomisë më të fuqishme të Bashkimit Evropian.
Historia e raporteve gjermano-shqiptare
Por, historikisht, cila ka qenë lidhja e shqiptarëve me Gjermaninë?
Sylë Ukshini, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe njohës i politikës gjermane, shpjegon lidhjen shqiptaro-gjermane prej krijimit të shtetit shqiptar më 1912.
“Ka një lidhje ndoshta, do të thosha, që romantizohet paksa te shqiptarët”, thekson diplomati e historiani Ukshini, duke treguar se albanologët gjermanë ishin ndër të parët që kthyen vëmendjen e evropianëve kah shqiptarët. “Ata kanë vënë themelet e interesimit për çështjen shqiptare dhe ilire, dhe mbi këtë bazë, shqiptarët, si të thuash, kanë ndërtuar një simpati për shtetin gjerman”, thekson ai.
Element tjetër të rëndësishëm spikat faktin se princ Vidi ishte gjerman, që “nuk ishte zgjedhur rastësisht”, derisa Shqipëria po mundohej të merrte këmbët si shtet i pavarur, porse “fuqitë perëndimore nuk donin që perandoria Austro-Hungareze të dominonte”.
“Këtu do të viheshin relacionet e para”, thotë ai. “Ndoshta Gjermania natyrisht se ka pasur interesa në Ballkan, por jo ndoshta qysh dikush e ka menduar”.
Shkëputja fatale
Por, gjermanët dhe shqiptarët, sidomos ata të Shqipërisë, do të pësonin një çarje të madhe në raportet e tyre pas rënies së Shqipërisë në duar të komunistëve të diktatorit Enver Hoxha menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore.
Ukshini thotë se edhe Kosova do të përfitonte nëse Shqipëria do ta pranonte në fillim të viteve tetëdhjetë ofertën e Gjermanisë Perëndimore për rivendosje të marrëdhënieve diplomatike.
“Shkëputja drastike, edhe fatale do të thosha unë, ishte regjimi i Enver Hoxhës. Gjermania Perëndimore nuk ka ndërtuar diplomatike me Shqipërinë deri më 1987”, thotë Ukshini.
Por, zhvillimet e pastajme në fund të tetëdhjetave do ta shpërqendronin Gjermaninë Perëndimore, e cila do të bashkohej me Gjermaninë Perëndimore pas rënies së Murit të Berlinit më 1989.
Në grahmat e fundit të komunizmit në Gjermaninë Lindore, po formësohej e bija e një pastori, që pas dy dekadash do ta merrte drejtimin e Gjermanisë së bashkuar.
Enver Robelli ka përkthyer librin monografik të Stefan Korneliusit, “Angela Merkel, kancelarja dhe bota e saj” nga Botimet KOHA. Robelli thotë se Merkeli është rritur në një familje relativisht liberale. Babai i saj kishte shkuar nga Hamburgu në Gjermaninë Lindore për t’i shërbyer kishës.
“Ajo thotë se në familjen e saj pos emisioneve të sportit, nuk kanë këqyrë asnjë emision tjetër të televizionit të Gjermanisë Lindore dhe se kanë përcjellë zhvillimet në Gjermaninë Perëndimore përmes televizionit të Gjermanisë Perëndimore”, thekson Robelli, duke kujtuar një episod nga libri kur Merkeli do të rrëfente se si kishte përcjellë fshehurazi nëpërmjet radios në tualetin e shkollës zgjedhjen e presidentit të Gjermanisë Perëndimore, Gustav Heinemann.
Ministre e Çështjeve të Grave dhe Rinisë
Në moshën 36-vjeçare, Merkeli do të zgjidhej ministre për Çështje të Grave dhe Rinisë në Qeverinë e Helmut Kohlit më 1991.
Atëherë, Gjermania e bashkuar po sfidohej nga shpërthimi i luftës në ish-Jugosllavi. Sllovenia dhe Kroacia do ta shpallnin pavarësinë. Gjermania do të merrte rol prijatar në mbrojtje të shteteve të reja në Ballkanin, që po trazonte Evropën. Shtetet e tjera perëndimore hezitonin të njihnin dy shtetet e reja.
“Por, Gjermania mbështeste këto dy shtete dhe kishte lindur një konflikt brenda Bashkimit Evropian. Në atë kohë, dominoi Gjermania dhe tha se nëse të tjerët nuk do t’i njohin, ne do t’i njohim Kroacinë dhe Slloveninë. Pastaj pasoi njohja e përbashkët nga Bashkimi Evropian”, thekson Augustin Palokaj, gazetar i Grupit KOHA në Bruksel.
Ai thotë se kjo nuk ishte parë mirë me sy të mirë në Bashkimin Evropian, për shkak se shihej si sjellje e të fortit pas bashkimit të Gjermanisë.
Përpjekja për përfshirjen e Kosovës në Dayton
Gjermania do të mundohej ta përfshinte çështjen e Kosovës në Konferencën e Daytonit, në të cilën do të arrihej marrëveshje e paqes, që do ta ndante Bosnjën në dy entitete politike, që ende cenojnë unitetin shtetëror të ish-Republikës jugosllave multietnike.
“Sipas shumë burimeve diplomatike, Gjermania kishte insistuar që të diskutohej për Kosovën, mirëpo amerikanët ishin kundër, sepse nuk donin që, sipas tyre, të irritohej Milosheviqi dhe të humbet shansi për marrëveshje për Bosnjë-Hercegovinën”, shton Palokaj.
Por, Gjermania do ta befasonte shumëkënd, sidomos studiuesit e politikës së saj, kur nën qeverisjen e socialdemokratëve të Gerhard Schröderit dhe të gjelbërve të Joschka Fisherit do t’i bashkohej fushatës bombarduese të NATO-s kundër Jugosllavisë së mbetur. Ishte hera e parë që Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore do të përfshihej në një konflikt ushtarak.
Ukshini, i cili ka doktoruar në “Politikën e jashtme gjermane dhe Kosova: 1999-2008”, thotë se Gjermania kishte dalë me nisma konkrete edhe pas çlirimit të Kosovës. “E ke edhe citat të Fisherit se Gjermania nuk do të lejojë asnjë ndryshim të kufijve aktualë të Kosovës”, thekson Ukshini, pjesë e Ministrisë së Jashtme të Kosovës. “Domethënë, është një qëndrim konsistent”.
Në mandatin e parë si kancelare, Qeveria e gruas së parë në krye të kancelarisë gjermane, do të sfidohej nga negociatat e Vjenës për statusin final të Kosovës.
Vetëm tri ditë pas shpalljes së Pavarësisë më 17 shkurt 2008, Gjermania e Merkelit do t’u bashkohej aleatëve perëndimorë me njohjen e shtetit më të ri në Evropë.
Procesi i Berlinit në vend të zgjerimit
Me Bashkimin Evropian, që po përballej me kriza të njëpasnjëshme evropiane dhe botërore, ngeci edhe procesi i zgjerimit, duke zbehur optimizmin në mesin e shteteve të Ballkanit.
Më 2015, Merkeli doli me nismën e njohur si Procesi i Berlinit. Kishte edhe përkrahjen e presidentit francez, Emmanuel Macron. Por së fundmi, me nismën “Open Balkan”, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, po sfidojnë fqinjët, por edhe Perëndimin.
“Ne, që tashmë jemi anëtarë të Bashkimit Evropian, duhet ta kujtojmë gjithnjë se është interesi gjeostrategjik absolut për ne që këto vende t’i bëjmë anëtare të Bashkimit Evropian. Nëse ju thoni se ka regres, ne duhet të shohim se ka ndikim nga shumë shtete të tjera në botë dhe nëse Bashkimi Evropian nuk është mjaftueshëm i shpejtë për ndërtimin e shtigjeve dhe veprimeve të tjera, atëherë, vendet e Ballkanit Perëndimor do të detyrohen të kërkojnë aranzhime të tjera me partnerë të tjerë”, deklaroi javë më parë Merkeli gjatë konferencës së përbashkët me Vuçiqin në Beograd. “Duke folur si kancelare gjermane dhe shtet anëtar i Bashkimit Evropian, më duhet të them se ne gjithnjë duhet ta kujtojmë se sa i rëndësishëm dhe gjeostrategjik është afrimi i këtyre vendeve me Bashkimin Evropian”.
Procesi e integrimit është zvarritur, derisa shumëkush nuk sheh anëtarësim të afërt të ndonjë shteti ballkanik në bllokun evropian. Por, të gjithë pajtohen se Merkeli ishte vendimtare në kundërshtimin e përpjekjeve për shqyrtimin e mundësisë së shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Unë mendoj se merita e vetme e zonjës Merkel, kancelares Merkel është se ka kundërshtuar prekjen e kufijve të Kosovës”, thekson Robelli.

Politika e hezitimit
“Politika gjermane ka një element interesant, e ai është hezitimi”, thekson Palokaj, duke shtuar se Gjermania është e para kur hidhen ide të këqija, si ajo e ndryshimit të kufijve, “mirëpo Gjermania asnjëherë nuk e ka shtyrë ndonjë zgjidhje të veçantë”.
Megjithatë, Merkeli është kritikuar shpesh për raporte të mira me liderë autoritarë e kundërthënës, si Vladimir Putini i Rusisë e Recep Tayyip Erdogani i Turqisë, kur i është dashur për nevoja të Gjermanisë. Ndryshe, nga raporti i afërt e miqësor me ish-presidentin Barack Obama, me Donald Trumpin e pati goxha të vështirë, sidomos kur bëhej fjalë për shpenzimet e aleatëve për NATO-n.
Qasja ambiguale e Merkelit ndaj shteteve të udhëhequra nga autokratët përbën një prej dështimeve të politikës së saj të jashtme, kanë vlerësuar vazhdimisht kritikët e saj dhe aktivistët e të drejtave të njeriut.
Aktivistja e Instituti të Kosovës për Demokraci, Jeta Krasniqi, e ka takuar së fundmi gruan më të pushtetshme të botës. Merkeli shihet si frymëzim për gratë, sidomos për ato që rreken t’i përvilen karrierës politike.
“Patjetër se është një takim shumë mbresëlënës dhe për mua ishte një privilegj dhe një nder që kisha kancelaren Merkel dhe ta takoja si përfaqësuese nga shoqëria civile për të diskutuar për zhvillimet jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon”, shton ajo.
Fundi i “përkëdheljes”
Merkeli e përfundon mandatin e katërt me pak gjasa që në krye të kancelarisë ta pasojë bashkëpartiaku Armin Laschet.
Socialdemokratët e Gjermanisë kanë epërsi të lehtë kundrejt CDU-së së Merkelit, duke paralajmëruar se zgjedhjet e sotme janë kthyer në betejë të fortë federale. SPD-ja, kandidati i së cilës për kancelar, Olaf Scholz, aktualisht zëvendës i Merkelit dhe ministër Financash në koalicionin e madh, ka ruajtur 25 për qind të mbështetjes në anketimin e kryer nga Forsa për televizionet RTL dhe n-tv.
Përkrahja për Laschetin e aleancës CDU-CSU nuk e ka kaluar 22-përqindëshin. Partitë e tjera nuk kanë ndryshuar në anketime, me të Gjelbrit që gëzojnë 17 për qind të përkrahjes, krahasuar me Demokratët e Lirë pro-biznesit e AfD-në e së djathtës ekstreme me 11 për qind secila. E Majta antikapitaliste mbështetet nga 6 për qind e votuesve gjermanë. Këto të dhëna lënë hapur katër mundësi koalicioni pas zgjedhjeve.
Robelli nuk ka pritje të mëdha në raport me Kosovën nga socialdemokratët, derisa të Gjelbrit beson se do të kërkojnë fuqizim të vlerave të të drejtave të njeriut në politikën e jashtme.
Politika e jashtme e Gjermanisë nuk njihet për ndryshime të shpeshta radikale, megjithatë, liderët e Kosovës mund të përballen me lidership të ri gjerman, që nuk janë marrë drejtpërdrejt me përkrahjen për shtetndërtimin e Kosovës.
“Ne kemi një angazhim konsistent, kemi një angazhim të përhershëm të Gjermanisë”, thekson historiani e diplomati Ukshini, “por një gjë nuk duhet të harrojmë: angazhimi i Gjermanisë më nuk është sikur në kohën kur kemi qenë në krizë. Tani jemi shtet dhe janë relacione bilaterale”.
“Më nuk është në atë kuptimin që ne kemi qenë viktimë dhe të tjerët kanë pasur ndoshta një përkujdesje, si të thuash... Ne duhet të heqim dorë nga ajo përkëdhelje që kemi pasur”, paralajmëron Ukshini.